Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
CÍRK/Ë,~A [CËRK/Ë] f. sh. ~A, ~AT 1. Pikë e vogël uji a e ndonjë lëngu tjetër, që bie nga lart ose që ndahet nga një curril e përplaset me forcë; pikë e vogël e një lënde të squllët, stërpikë. Cirkë uji. Cirka gjaku. Cirkë qumështi (kosi, gjelle). Cirka nafte. Cirkë balte (gëlqereje). E bëri me cirka. Hedh cërka. Cërka shiu (balte).
2. Pikël ose njollë e vogël mbi një pëlhurë, mbi pendët e një shpendi, mbi sipërfaqen e një sendi etj. Dele me cirka. Basmë (shami) me cirka. Mollë me cirka. Pulë me cërka. Shall me cërka.
3. Shpend me pika ose dele me lara.
✱Sin.: cërkë, cirkël, çikël, pikë, stërpikë, stërkitë, spërkë, pikël.
PÍK/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Sasi fare e vogël uji a lëngu tjetër, në trajtë rruzulli sa një kokërr thjerrëz, që bie si shi, shkëputet nga një enë etj.; bulë uji, shiu, qumështi etj.; gjerbë. Pikë e madhe (e vogël). Një pikë uji (vaji). Pikë loti (gjaku, djerse). Pikat e shiut. Bar me pika (që pihet me pika). Ranë ca pika. E piu deri në pikën e fundit. I numëroi pikë e nga një pikë.
2. vet. nj. (zakon. me numërorin “një”) Sasi e vogël e një lëngu, sasi e vogël e diçkaje; një çikë; fare pak. Një pikë ujë (verë, vaj). S’mbeti asnjë pikë. S’ka rënë një pikë shi (pikë shiu). Pikë vaji në shtëpi, hunda sipër mbi çati. (fj. u.).
3. Vrimë në çati, nga ku hyn shiu brenda. Ka një pikë. Zë pikat e çatisë.
4. (me pjesëzën mohuese “pa”) Një çikë, një grimë, një fije. Pa pikë dyshimi. Pa pikë përgjegjësie. Pa pikë turpi. Pa pikë arsyeje (nevoje). Pa pikë mëshire. Pa pikë kuptimi.
5. gjeom. Vend i përfytyruar në hapësirë, pa ndonjë shtrirje të caktuar, ku takohen a priten dy vija. Pika ku priten dy drejtëza.
6. Vend i caktuar diku, me ndërtimet e pajisjet e nevojshme për të zhvilluar një punë a një veprimtari të organizuar. Pika zjarri. Pikë vrojtimi në plazh. Pika turistike. Pika shëndetësore. Pika grumbullimi (shitjeje). Pikë furnizimi me karburant.
7. Vend i vogël në sipërfaqen e diçkaje, që merret si qendër a si shenjë; skaj; vend. Në çdo pikë të trupit. Në çdo pikë të Shqipërisë. Në çdo pikë të botës (të rruzullit). E përqendroi vështrimin në një pikë. U grumbulluan në një pikë.
8. gjeogr. Drejtim, anë. Pikat e horizontit. Katër pikat kryesore të drejtimit.
9. fiz. Kufiri i temperaturës, ku fillon ndryshimi i gjendjes së një trupi. Pika e ngrirjes (e shkrirjes). Pika (gjendja) kritike e lëndës. Pika e valimit. Pikë lëndore (materiale) (mek.). Pikë e vdekur (fiz.) a) pika ku një trup është në qetësi, nuk lëviz pa një shtytje të re; b) pikë ku zëri dëgjohet shumë pak ose nuk dëgjohet fare.
10. sh. ~Ë, ~ËT Njësi për të vlerësuar fitoret a humbjet në një garë sportive të një skuadre ose të secilit prej lojtarëve a pjesëmarrësve të saj. Me pikë të barabarta. Morën shumë pikë në qitje. Tabela e pikëve.
11. sh. ~Ë, ~ËT fig., bised. Vlerësimi miratues që i bëhet një veprimi a një qëndrimi të caktuar; mendim i mirë që kanë të tjerët për dikë; lëvdatë. E bënte për të fituar pikë. Donte të fitonte pikë. I humbi të gjitha pikët. Merret si pikë referimi.
12. Çështje e veçantë për t’u trajtuar, për t’u zgjidhur, për t’u zbatuar etj. Kemi dhe tri pika për të diskutuar.
13. Nënndarje e diçkaje më të gjerë; drejtim, anë. Pika e parë (e dyti, e tretë...). Pikë e vështirë. Pikat e rendit të ditës. Pikat e planit. Foli për të gjitha pikat. S’ishin të një mendjeje në disa pika. Mos e prek atë pikë. U ndal në një pikë.
14. vet. nj., fig. Gjendje. Vetë e çoi në atë pikë. S’ka vajtur deri në atë pikë. Ka ardhur puna në atë pikë që s’mund të ndërpritet më. Deri në një farë pike ka të drejtë. E çoi deri në një farë pike dhe e la (punën).
15. vet. nj., fig. Shkalla e zhvillimit, niveli i arritjes; caku. Pika kulmore e veprimit (e zhvillimit të ngjarjeve). Pika më e lartë e mundësive.
16. vet. nj., fig. Shkalla më e lartë e një dukurie; kulmi a mesi i diçkaje. Në pikë të vapës. Në pikë të verës (të dimrit). Në pikë të ditës (të natës). Që në pikë të mëngjesit shumë herët, që pa dalë mirë drita. Në pikë të gjumit. Në pikë të punëve. Në pikë të hallit. Në pikë të vrapit me vrap të madh. Në pikë të moshës së vet në moshën më të mirë, në lulen e rinisë.
17. vet. nj., fig., bised. Pjesa më e mirë a më e zgjedhur e diçkaje; më i miri i të gjithëve; lulja, balli. Pika e djalit (e vajzës). Pika e trimit. Pika ime e dobët.
18. vet. nj., mjek. Sëmundje e rëndë që shkaktohet nga gjakrrjedhja në tru dhe që sjell vdekjen e menjëhershme ose paralizën e ndonjë pjese të trupit, damlla, apopleksi. I ra pika. I rëntë pika (një pikë)! (mallk.). E pikoftë pika! (mallk.). Pika, që s’i bie! (mallk.). Pika, që s’e pikon! (mallk.). Pika (sëmundja) e diellit (mjek.) sëmundje e shkaktuar nga goditja prej rrezeve të diellit, e cila shfaqet me dhembje koke, marrje mendsh, të vjella, frymëmarrje të vështirë etj.
19. vet. nj., mjek. Vdekje e menjëhershme nga ndalimi i zemrës.
20. krahin. Rrufe. E vrau pika. I kishte rënë pika një pishe (një lisi).
21. shtypshkr. Njësi matjeje e barabartë me 0,376 mm, e cila përdoret në shtypshkronjë.
✱Sin.: pikël, bulë, çikë, çikël, cirkë, gjerbë, lagë, sumbull, stërpikë, stërkitë, spërkë, spërkël, stërkalë, pufkë, qukë, cërkë, qendër, vend, cak, skaj, anë, drejtim, çështje, nënndarje, zë, shkallë, kulm, ajkë, apopleksi, damlla, send, grahmëz, rrufe, këpujë, xixë, grimë, fije, degë, zyrë, lëvdatë, problem, qokë, kusht, gjendje, zemër, vlug, mes.
♦ U bëra (jam) *helm e pikë. U bënë pikë e pesë u shpërndanë, s’mbeti asnjë bashkë me ndonjë tjetër, ku shkoi njëri nuk shkoi tjetri; u bënë pesë e pesë; u bënë kashtë e koqe. U bë *thikë e pikë (dikush). U bëra (jam) pikë e valë jam shumë i mërzitur e i zemëruar, sa s’e përmbaj dot veten; jam shumë i dëshpëruar; u bëra (jam) pikë e vrer; u bëra (jam) helm (e pikë); kund. jam shend e verë. U bëra (jam) pikë e vrer jam shumë i dëshpëruar e i hidhëruar, jam i helmuar pa masë; u pikëllova; u bëra (jam) pikë e valë; u bëra (jam) helm (e pikë); kund. jam shend e verë. Më ra pika. 1. U preka e u pikëllova shumë (kur shoh ose kur dëgjoj diçka të papritur); më ra rrufeja; më shkrepi vetëtima. 2. U tmerrova, ngriva nga frika, shtanga. I ra pikës (dikush) tha e bëri pikërisht atë që duhej; qëlloi tamam aty ku duhej; e gjen pikërisht si është e vërteta, i bie tamam; i ra në shenjë; i ra në të (diçkaje); i ra në fije; i ra në bri (dikujt). Të rëntë pika (një pikë)! mallk. vdeksh në vend! Pika që s’të bie! mospërf. turp të kesh!; e pësofsh si mos më keq! Ra pikë e gjallë (dikush) shih mbeti top (në vend) (dikush). Në *ditë të pikës (të hallit). Fitoi pikë (dikush) libr. siguroi mendim të mirë për vete; bëri diçka që ia ngriti autoritetin e vlerat vetes përpara të tjerëve, e rriti emrin e vet të mirë; kund. i humbi pikët. Hoqi pikën e zezë (dikush) vuajti shumë, u mundua tej mase; hoqi të zitë e ullirit; hoqi bishtin e gjarprit; ka hequr gjakun. I humbi pikët (dikush) libr. nuk e meriton më besimin që ka pasur, i ra vlera, humbi emrin e mirë, nuk e gëzon më atë nderim; kund. fitoi pikë. (Janë) si dy pika uji ngjajnë shumë me njëri-tjetrin, janë pothuaj të njëllojtë; (janë) lot e shpirt; (janë) motër e vëlla. Jam në *thikë e në pikë (me dikë). S’të jep (një pikë) *ujë (dikush). E kam pikë në zemër (në shpirt) (diçka) shih e kam plagë në zemër (diçka). E la pikë e gjallë (dikë) e vrau në vend; e la top (në vend). S’i mbeti pikë gjaku (*gjak) në fytyrë (dikujt). Mbytet në një pikë ujë (dikush) shih mbytet në një lugë (me) ujë (dikush). Në pikë të ditës shih në mes të ditës. Pikë e dobët. 1. Diçka shumë e dobët, që thyhet a që prishet lehë. 2. Dikush që e dua shumë dhe që e kam në kujdes të veçantë, dikush për të cilin kam dobësi më shumë se për të tjerët; njeriu që më bën të vuaj. 3. Anë e karakterit a pjesë e veprimtarisë së dikujt, që mund të shfrytëzohet nga të tjerët për ta goditur ose për t’ia arritur një qëllimi; ana e dobët; gjëja në të cilën dikush e ndien veten të pafuqishëm të veprojë a të kundërshtojë. Deri në pikën e fundit të gjakut deri në vdekje, sa jam ende gjallë; sa të kem frymë. Në pikë të hallit në një gjendje aq të rëndë, sa është vështirë të dalësh; në ditë të hallit (të pikës); si i mbytur nëpër shkumë; gjallë e në zall (për gazep); me krye në hi; i ka punët pus (dikush). Pa pikë lëngu pa lezet fare; i shëmtuar a i neveritshëm. Pikë në lis i vetëm, pa njeri tjetër të afërt, fillikat; lis pa degë. Pikë loti shumë i kulluar (për ujin, për rakinë etj.); i qartë e i tejdukshëm. Në pikë të mëngjesit herët, pa zbardhur mirë dita. Pikë mjalti diçka shumë e mirë, e ëmbël dhe e shijshme. Pika e parë. 1. Raki shumë e fortë dhe e mirë, që del e para nga kazani; balli i kazanit (ballë kazani). 2. Njeri i pastër shpirtërisht, njeri i kulluar, pa hile; njeri i fortë shpirtërisht, i pathyeshëm. Pikë më pikë ca nga ca e deri në fund, pak e nga pak deri sa të shterojë. Pikë për pikë në përputhje të plotë me diçka, ashtu siç është, pa hequr e pa shtuar gjë; një për një, fjalë për fjalë; hollësisht; fill e për fill. Me pikë e me presje libr. me shumë hollësi, pa lënë asgjë, duke përmendur çdo hollësi. Si pika në strehë pa asnjë ndihmë e përkrahje, njeri pa njeri; në pikë të hallit; në ditë të hallit (të pikës); si i mbytur nëpër shkumë; gjallë e në zall (për gazep); me krye në hi. Një pikë ujë në det (në oqean) diçka shumë e vogël, sasi e pallogaritshme, gjë që s’duket fare. Pikë e vdekur libr. gjendje amullie, pa rrugëdalje e pa zhvillim të mëtejshëm; ngecje në vend. Pikë e zezë! ç’është kjo e keqe!, ç’na gjeti!; ç’fatkeqësi e madhe! Ka shkuar (ka vajtur) në pikë të fundit. 1. (dikush). Është në një gjendje ekonomike, shëndetësore etj. shumë të rëndë, është si mos më keq. 2. (diçka). Po prishet a po shkatërrohet, ka marrë fund, s’mban më; s’duron më gjatë. I vuri pikë (pikën) (diçkaje) libr. i dha fund një herë e mirë, e mbylli përfundimisht, e ndau prerë; i vuri kapak (kapakun); i ndau bathët (për diçka). Vë pikën (pikat) mbi i libr. e sqaroj deri në fund një çështje, përcaktoj mirë e me hollësi çdo gjë; zgjidh përfundimisht diçka të mbetur pezull a që nuk është e qartë sa duhet; e them të vërtetën ashtu si është ose si duhet të jetë.
PÍK/ËL,~LA f. sh. ~LA, ~LAT 1. Pikë e vogël uji, shiu ose e një lëngu tjetër. Pikla uji (vese). Pikla të imëta e të rralla.
2. Secila nga shenjat e vogla si pika në sipërfaqen e trupit a në një pjesë të tij. E ka fytyrën me pikla. Troftë me pikla të kuqe.
3. Shenjë a njollë si pikë në sipërfaqen e një sendi. Fustan me pikla.
4. Kokërr e papjekur, që bie nga një pemë pasi është tharë ose e ka ngrënë krimbi. Pikla ulliri. Pikla dardhe (gorrice).
5. Cingël. Luajnë me pikla.
6. fig. Fjalë që thumbon dikë tërthorazi.
✱Sin.: pikë, pikëz, spërkë, stërkitë, cirkë, stërkalë, stërpikë, sumbull, xixë, shenjë, njollë, aguridhe, e pabërë, e paarrirë, e papjekur, cingël.
♦ *Çikël e pikël. *Gorrica pikla (fice) mospërf.
STËRKÁL/Ë,~A f. kryes. sh. ~A, ~AT 1. Secila nga piklat që shpërndan andej e këtej dallga e ujit, kur ngrihet përpjetë a kur përplaset diku. Valët përplaseshin në shkëmbinj dhe stërkalat e bardha përhapeshin në ajër. Stërkalat e shkumëzuara të valëve. Ngrihen valë dhe stërkala.
2. Pikla uji, balte etj. që përhapen me vrull në drejtime të ndryshme; stërkitë, spërkë. Stërkalat e shiut binin gjithandej. Punëtorët i përhapën stërkalat e bojës në të gjithë dyshemenë. Hedh stërkala duke ecur.
3. fig. Diçka që përhapet në trajtë piklash a grimcash të imëta; shkëndijë. Nga oxhaku flutruan stërkala të zjarrta.
✱Sin.: spërkël, pikël, cirkë, cirkël, çikël.
ÇÍK/ËL,~LAI f. kryes. sh. ~LA, ~LAT 1. Copë shumë e vogël e diçkaje të ngurtë që është thyer, copëtuar ose grirë, çikë e vogël; cifël. Çikla dheu. Çikla guri. Çikla letre. Çikla mishi. Çikla buke.
2. Pikë e vogël uji ose e diçkaje tjetër të lëngshme; cirkë, stërkitë. Çiklat e ujit. Çiklat e pështymës. U bë me çikla.
✱Sin.: cifël, grimë, cirkë, stërkitë.
♦ Çikël e pikël shih copë e çikë (copë e gojë, copë e trokë). Më erdhi në çikël (dikush) shih më erdhi në shteg (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë