Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
CIPËHÓLLË mb. 1. Që e ka lëkurën të hollë, lëkurëhollë; kund. cipëtrashë. Rrush cipëhollë. Kumbull (pjeshkë, mollë) cipëhollë. Portokalle cipëhollë. Ajo i kishte faqet e lëmuara e cipëholla. Thelpinj cipëhollë.
2. fig. Që preket shpejt në sedër, i prekshëm. Nuk i kemi aq sqimatarë dhe cipëhollë njerëzit që na drejtojnë. Është cipëhollë, nuk duron.
✱Sin.: lëkurëhollë, i prekshëm, i ndjeshëm, i turpshëm.
CIPËTRÁSHË mb. 1. Që e ka lëkurën ose lëvoren të trashë, lëkurëtrashë. Portokalle cipëtrashë. Rrush cipëtrashë. Mollë (pjeshkë) cipëtrashë.
2. fig. Që nuk është shumë i ndjeshëm, që nuk preket lehtë; që nuk e zë turpi.
✱Sin.: lëkurëtrashë, i pandjeshëm, i paturpshëm.
LËKURËTRÁSHË mb. 1. Që e ka lëkurën të trashë; kund. lëkurëhollë. Kafshë lëkurëtrashë.
2. Që e ka lëvoren a cipën të trashë; kund. lëkurëhollë. Pjepër (fik, patate) lëkurëtrashë.
3. fig. Që nuk ndien shumë kur e qortojnë e nuk shqetësohet fort; që nuk preket lehtë; që nuk e zë turpi lehtë. Njeri lëkurëtrashë.
✱Sin.: zhapëtrashë, lëvoretrashë, lëvozhgëtrashë, cipëtrashë, i paturpërueshëm.
LËVORETRÁSHË mb. 1. Që e ka lëvoren të trashë; lëkurëtrashë, cipëtrashë; kund. lëvorehollë.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit.
LËVOZHGËTRÁSHË mb. 1. Që e ka lëvozhgën të trashë; kund. lëvozhgëhollë.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit.
✱Sin.: lëkurëtrashë, cipëtrashë.
PATÚRP (i, e) mb. Që s’i vjen turp të bëjë diçka të pandershme a të thotë fjalë të pahijshme, që s’ka pikë turpi; i pafytyrë, i pacipë; që është karakteristik për një njeri të tillë. Njeri i paturp. Sjellje e paturp. Ishte i paturp. Gënjeshtar i paturp.
✱Sin.: i paturpshëm, i pacipë, i pamarre, i pafytyrë, i ulët, i pabojë, cipëplasur, cipëdalë, turpngrënë, cipëngrënë, turpemadh, faqezi, faqedjegur, faqerrogoz, i shpëlarë, i lyrët, lyrës, i lyrikur, maskara, edepsëz, qepaze, açik, balash, sorrak, i zdatur, i paskrupull, i poshtër, cipëtrashë, faqenxirë, lapangjoz, rrufjan, delenxhi, kodosh, i shëmtuar.
ZHAPËTRÁSHË mb. Që e ka lëkurën të trashë, lëkurëtrashë, cipëtrashë (për bostanet e pemët); kund. zhapëhollë. Fik zhapëtrashë. Patate zhapëtrashë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë