Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BULLÚNG/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Xhungë në trup a në kokë, që është shkaktuar nga ndonjë goditje ose nga ndonjë sëmundje. Bullungë në ballë. Bullunga të rrumbullakëta. Iu bë një bullungë. Më mirë në ballë një xhungë se në zemër një bullungë. (fj. u.).
2. Gungë në trung të drurëve ose në enë prej metali. Bullunga e lisit. Kazan me bullunga.
✱Sin.: e ënjtur, ënjtje, xhungë, e fryrë, gungë, brengë, bërdokull, bungë, breshkëz, cakule, mëllë, pufkë, brokë, domkë, xhumbë, noçkë.
LABÓT,~I m. bot. (lat. Atriplex hortensis) 1. Bimë barishtore njëvjeçare, me kërcell të gjatë, me gjethe të gjelbra të errëta a të çelëta në të verdhë, të ngjashme me ato të spinaqit, që mbin nëpër toka të punuara ose mbillet dhe përdoret si ushqim. Gjethet e labotit. Dollma me fletë laboti. Farat e labotit. Lakror me labot.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të kësaj bime. Labot i egër (lat. Chenopodium album) bimë barishtore njëvjeçare me gjethe në formë rombi të mbuluara me pluhur të bardhë, me lule të vogla të mbledhura në kallinj, që rritet si bar i keq në toka të punuara. Labot i hapur bimë barishtore njëvjeçare me gjethet e poshtme rombike e heshtake e me ato bazale në formë pyke, me lule të grumbulluara në kallinj të dendur, që është e përhapur si bimë e që takohet si bar i keq në kulturat prashitëse, perimore, bishtajore e kryqore. Labot i argjendtë (lat. Atriplex argentea) bimë barishtore njëvjeçare me gjethe të vogla vezake, të mbuluara me push të dendur e të argjendtë, me lule të vogla të mbledhura në tufëza të shkurtra, që rritet zakonisht në vende të thata, të kripura ose gurishtore dhe njihet si bar i keq në kulturat bujqësore. Laboti i bibës (lat. Chenopodium album) bimë barishtore njëvjeçare me gjethe vezake ose rombike, në ngjyrë të gjelbër në pjesën e sipërme dhe me pluhur të bardhë poshtë, me lule të vogla të mbledhura në kallinj të dendur, që përhapet si bar i keq në kultura të ndryshme, por në disa krahina përdoret edhe si barishte e ngrënshme. Laboti i butë (lat. Chenopodium hybridum) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të drejtë, me gjethe vezake pak të dhëmbëzuara dhe me sipërfaqe të lëmuar, me lule të vogla të mbledhura në kallinj të rrallë. Labot cakule (lat. Atriplex saccaria) bimë barishtore njëvjeçare me gjethe të trasha, të gjera, të mbuluara me pluhur të bardhë, me lule të mbledhura në kallinj të dendur, e përhapur kryesisht në toka të kripura dhe të thata. Labot i çelët (lat. Atriplex serenana, Atriplex bracteosa) bimë barishtore me gjethe të vogla vezake, të lehta në ngjyrë dhe të mbuluara me pluhur, me lule të vogla, që rritet në toka të varfra e të kripura. Labot i detit (lat. Atriplex halimus) bimë barishtore shumëvjeçare me gjethe të trasha, gri në ngjyrë, me sipërfaqe të lëmuar e me lule të vogla, që rritet në toka të kripura buzë detit. Labot i gjerë (lat. Atriplex argentea expansa, Atriplex expansa) bimë barishtore njëvjeçare me gjethe të gjera vezake, me ngjyrë të gjelbër me nuanca argjendi, me lule të vogla të mbledhura në tufëza, e përhapur në toka të kripura. Labot gjethekurorë (lat. Atriplex coronata) bimë barishtore me gjethe të vogla në trajtë kurore, me sipërfaqe të lëmuar, që rritet në toka të thata e të kripura. Labot gjethembledhur (lat. Atriplex confertifolia, Obione confertifolia) bimë barishtore me gjethe të vogla, të grumbulluara e të mbuluara me push të bardhë, që përhapet në vende të thata e shkëmbore. Labot gjethepykë (lat. Atriplex truncata, Obione truncata) bimë barishtore me gjethe të shkurtra në formë pyke, me ngjyrë të përhimët, që gjendet në toka të kripura. Labot gjetherrumbullakët (lat. Atriplex elegans) bimë barishtore me gjethe të rrumbullakëta, me sipërfaqe të mbuluar me pluhur, që rritet në toka të varfra. Labot heshtak (lat. Atriplex hastata, Atriplex deltoidea) bimë barishtore me gjethe të mëdha në trajtë heshtake ose trekëndore, me ngjyrë të gjelbër në pjesën e sipërme dhe me pluhur poshtë, që përhapet si bar i keq. Labot i kuq (lat. Enchylaena tomentosa) bimë barishtore me gjethe të vogla, të mbuluara me push të bardhë dhe me fruta të kuqe të dukshme, që rritet në vende të thata dhe gurishtore. Labot i përhimë (lat. Atriplex canescens) bimë barishtore me gjethe të ngushta, të mbuluara me push të hirtë, me lule të vogla të grumbulluara, që rritet në toka të kripura dhe shkëmbore. Labot i plehut (lat. Chenopodium hybridum) bimë barishtore njëvjeçare me gjethe vezake të mëdha, me sipërfaqe të lëmuar, që përhapet në toka të plehëruara si bar i keq. Labot thjerrëzor (lat. Atriplex lentiformis) bimë barishtore me gjethe të vogla në formë të rrumbullakët si kokrrat e thjerrëzës, me ngjyrë të përhimët, që rritet në toka të kripura e të thata.
♦ U bë labot (dikush) krahin. 1. shih u bë dyllë (në fytyrë) (dikush). 2. shih është bërë kockë e lëkurë (dikush).
TÓRB/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT vjet. Trastë. Torbë e madhe (e vogël). Torbë pëlhure (doku, lëkure). Mbushi (zbrazi) torbën. Torba e tagjisë (së kalit). Njeriun e plak halli, kalin e plak torba. (fj. u.). Kur kam torbën, s’kam miellin; kur kam miellin, më merr Zoti torbën. (fj. u.). Kur më jep Zoti miellin, më fsheh shejtani torbën. (fj. u.). Më mirë një në dorë se dhjetë në torbë. (fj. u.) më mirë një vezë sot se një pulë mot. E di gjalmi se ç’ka torba. (fj. u.) e di luga se ç’ka vegshi (vorba, poçja); e di Gjoni, çka në trastë. Më mirë torbën e të mbledhësh, se të zgjatësh dorën të vjedhësh. (fj. u.) duhet të punosh, jo të vjedhësh. Të përpjetën e Isgarit, më vari torbën gomarit. (fj. u.) më ngarkuan një punë të vështirë, të cilën duhej ta bënte dikush tjetër dhe pikërisht atëherë kur nuk e prisja. Në luftë kërkohet koka, jo torba. (fj. u.).
✱Sin.: trastë, strajcë, cakë, calik, cakule, krahosh, krahnorëse, qese, çantë.
♦ Ia derdhën torbën e vorbën (dikujt) ia prishën të gjitha, s’i lanë asgjë pa prishur; e lanë me gisht në gojë (dikë). *Fjalë të mira e gurë në torbë (në trastë). Fshiji *buzët me torbën e gomarit bised. iron. E futi në torbë (dikë) keq. e bëri për vete plotësisht dikë, duke ia hedhur; e mashtroi dhe e nënshtroi; e shtiu në grackë; e shtiu (e futi, e vuri, e hodhi) në dorë. Nuk më hyn në torbë (në *trastë) (diçka). S’ka gjë në torbë (në trastë) (dikush) nuk i vete puna mbarë dhe nuk do të marrë atë që pret, nuk do të fitojë gjë, nuk do të arrijë gjë; s’ka gjë në thes; s’ka gjë në të; s’ka gjë në vijë. E ka në torbë (dikë) shih e ka në thes (dikë). Me *kokë (me krye) në torbë (në thes, në trastë). Nuk e lidh *bukën në torbë (dikush). Mori torbën (*trastën) (dikush). Merr nga torba e hedh në thes (dikush). 1. Merr nga ai që ka pak e ia jep atij që ka më shumë; merr nga i varfri e ia jep të pasurit 2. Harxhon shumë edhe kur është ngushtë me paratë; harxhon më shumë sesa fiton; harxhon para pa e ditur se ku venë. (Mbeti) si torba (si trasta) në degë. 1. (dikush). Mbeti pezull, nuk di ç’të bëjë; nuk merret askush me të. 2. (diçka). Mbeti varur, pa u zgjidhur dhe nuk dihet si do të vejë. (Iu qep) me *bukë në torbë (në trastë) (dikujt). Me *trastë e me torbë. As në *thes e as në torbë. Nuk ia var torbën (trastën) (dikujt) mospërf. nuk e përfill aspak, nuk e pyes për asgjë dhe nuk i bindem; nuk e vlerësoj fare, nuk i jap fare rëndësi; nuk ia var këmborën; nuk ia var hejbetë; nuk ia hedh sytë; nuk i fryj në sy; nuk e kam për pesë (dikë). E vuri kokën në torbë (në trastë) (dikush) rrezikoi jetën e vet, iu fut një rreziku të madh, ndërmori një veprim që mund t’i kushtojë jetën.
TRÁST/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Qese e madhe, prej pëlhure të trashë, prej doku, prej leshi etj., që ka një gjalmë a rrip për t’u varur në sup dhe që shërben për të marrë bukë, sende ushqimore, vegla pune etj.; një si thes i vogël me dy gjalma a dorëza; torbë. Trastë e madhe (e vogël), Trastë doku (bezeje, leshi, liri). Trastë shpine. Trastë gjahu. Trasta e bariut. Trasta e kalit (e tagjisë). Trasta e miellit. Me trastë në sup (krahëve). Lidhi trastën. E futi në trastë. Vari trastën në një degë. I ka bërë xhepat si trastë.
✱Sin.: çantë, torbë, krahosh, krahnorëse, strajcë, calik, cakë, cakule.
♦ E di Gjoni çfarë ka trasta i di secili hallet e veta, është çështje e tij; e di Gjoni çfarë ka thesi; e di ku i pikon çatia. *Fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë). Me *gurë në trastë. Nuk më hyn në trastë (në torbë) (diçka) shih nuk më hyn në qese (diçka). S’ka gjë në trastë (në *torbë) (dikush). Me *kokë (me krye) në trastë (në torbë, në thes). Mori trastën (torbën) (dikush) doli për të lypur, shkoi nëpër dyert e botës për të kërkuar, u bë lypës. (Mbeti) si trasta (si *torba) në degë (dikush a diçka). (Iu qep) me *bukë në trastë (në torbë) (dikujt). Ruan me trastë e prish me thes (dikush) kursen aty ku nuk duhet, nuk di ku të kursejë; harxhon më shumë se sa kursen; (është) i lirë në miell e i shtrenjtë në krunde. Me trastë e me torbë me bollëk, shumë; sa të duash, pa asnjë kufizim; me të dyja duart. Nuk ia var trastën (*torbën) (dikujt) mospërf. E vuri kokën në trastë (në *torbë) (dikush).E zgjidhi trastën (dikush) shih e zgjidhi qesen (dikush).
ZHÁK/Ë,~AII f. sh. ~A, ~AT 1. Pëlhurë e trashë liri a kërpi, që shtrohet si qilim, rrogoz. E mbuloi me zhakë. E mbushi zhakën plot. Kishte veshur një zhakë.
2. Thes, petk etj., që bëhet me këtë pëlhurë ku hidhet zahireja e dimrit (petët, roshnicat, etj.) Mbusha një zhakë me petë për dimër. I kishte zhakat plot me zahire.
3. Leckë e trashë për të larë dyshemenë, për të kapur diçka të nxehtë a për të fshirë këpucët përpara pragut të derës etj.,; rrobë e vjetër. Zhakë çerepi. E lau dyshemenë (i fshiu këpucët) me zhakë.
4. Shtupë liri, greth.
✱Sin.: rrogoz, qilim, petk, thes, trastë, cakull, cakë, cakule, shtupë, sukull, leckë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë