Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BABANJÓSUR (i e) mb. Që është babanjosur; i fryrë (nga të ngrënët e tepërt), i ngopur, i mullosur, i urgusur. Me fytyrë të babanjosur.
✱Sin.: i ënjtur, i fryrë, i buhavitur, i mbufatur, i bymyer, i ngufatur, i dendur, i mbathur, i ngjeshur, i ngopur, i urgusur, i mullosur, i shqepur, i zhdëpur, i rrushkulluar, i rrumbullakosur, i rrasur.
BUBANJÁSUR (i, e) mb., arb. I fryrë; i bymyer.
BYMÝER (i, e) mb. 1. fiz. Që është zmadhuar, që ka rritur vëllimin nga nxehtësia, nga lagështia etj. pa e ndryshuar natyrën e vet; i fryrë (për një trup); kund. i tkurrur. Trup i bymyer. Ajër i bymyer. Ujë i bymyer.
2. Që është mbushur a është ënjtur (për fytyrën, duart etj.); i kërcyer. Me duar të bymyera. Me gishtërinj të bymyer. Fytyrë e bymyer.
3. I fryrë, i mbushur breg më breg. Lumë (përrua) i bymyer.
✱Sin.: i zmadhuar, i rritur, i ënjtur, i mbushur, i kërcyer.
DÁLË (i, e)I mb. Që ka dalë përsipër ose anash më shumë nga ç’duhet, që formon një të dalë në sipërfaqen e diçkaje; që ka dalë jashtë një vije a një radhe dhe duket mirë; që ka dalë nga vendi ku duhej të qëndronte. Me kurriz të dalë. Me mollëza të dala. Me veshë të dalë. Me buzë të dala.
✱Sin.: i kërcyer, i bymyer, i fryrë, i rritur, i ënjtur, i lartë, i qitur, i përhedhur.
♦ I dalë *mendsh.
FRÝRË (i, e) mb. 1. Që është mbushur brenda me shumë ajër; kund. i shfryrë. Top i fryrë. Goma të fryra.
2. I mbufatur; i ënjtur. Me ballë të fryrë. Kishte sy të fryrë.
3. bised. I ngopur mirë, i ngjeshur me të ngrëna. Ka bark të fryrë. Është i fryrë, s’ha dot më.
4. I bymyer a i mbufatur nga uji ose nga ndonjë lëng tjetër. Dërrasa të fryra. Lopë me gjinj të fryrë.
5. Që është shëndoshur shumë, i ngjallur, i majmur; që ka shumë tul, i tultë. Me llërë të fryra. Me buzë të fryra.
6. fig., keq. Që është rritur, zmadhuar e zgjeruar më shumë nga ç’duhet; që paraqitet më i madh nga ç’është në të vërtetë. Kërkesa të fryra. Shifra të fryra.
7. fig. Që është i stërholluar e i mbushur me shumë fjalë; bombastik. Stil i fryrë. Mbajti fjalim të fryrë.
8. fig. Që e kanë nxitur kundër dikujt me qëllim të keq. Njeri i fryrë. Ishte i fryrë prej të tjerëve.
9. fig., mospërf. Që mbahet me të madh, që krekoset e shet mend përpara të tjerëve. Ecte (fliste) i fryrë.
10. fig. I inatosur, i zemëruar. U ngrit i fryrë nga kritikat.
11. I yshtur, i namatisur. E dinin të fryrë vajzën.
✱Sin.: i mbushur, i mbufatur, i ënjtur, i ngopur, i bymyer, i ngjallur, i majmur, i tultë, i tulosur, i dhjamur, i ngopur, i trashur, i krekosur, i madh, pompoz, bombastik, i inatosur, i zemëruar, i yshtur, i namatisur.
♦ Me *buzë të fryra.
MBUFÁTUR (i, e) mb. 1. I fryrë; i ënjtur, i buhavitur (për trupin ose për pjesët e tij). Fytyrë e mbufatur. Me duar të mbufatura. Me hundë të mbufatur. I kishte sytë të mbufatur.
2. Që ka ardhur e është fryrë (për bukën). Bukë e mbufatur.
3. Që ka thithur shumë ujë e është fryrë, që është ngopur me ujë e është bymyer (për drurin, tokën). Sirtarë të mbufatur nga lagështira. Dërrasa të mbufatura. Dru i mbufatur. Tokë e mbufatur.
✱Sin.: i fryrë, i ënjtur i buhavitur, i ardhur, i bymyer.
►NGRÍ/HEMI jovep., ~TA (u), ~TUR 1. vetv. Çohem në këmbë, merr qëndrimin drejt (për dikë që ishte ulur a kishte rënë përdhe); çohem; kund. ulem, rrëzohem. Ngrihem në këmbë. U ngrit nga vendi (nga karrigia). U ngrit nga toka (nga dyshemeja). U ngrit në mbledhje mori fjalën në një mbledhje, duke u çuar nga vendi. Ngrihem nga tryeza largohem nga tryeza, pranë së cilës isha ulur. Mezi ngrihet nga vendi.
2. vetv. Largohem nga shtrati ose nga vendi ku isha shtrirë për të fjetur, zgjohem; lë shtratin pas një sëmundjeje; çohem; kund. bie. Ngrihem herët (shpejt, vonë). Ngrihem që me natë (pa gdhirë). U ngrit i sëmuri nga shtrati (nga dysheku) nuk dergjet më i sëmurë, u shërua. Ngrihet me gjelat ngrihet shumë herët në mëngjes. Kush fle me qenin (me qentë) ngrihet me pleshta. (fj. u.).
3. vetv. Nis të eci, mëkëmbem (për foshnjat). U ngrit fëmija më këmbë. Është ngritur shumë vonë.
4. vetv., bised. Largohem nga një vend, ku banoja ose ku isha vendosur përkohësisht. U ngritën nga Tirana. U ngrit me gjithë familje.
5. vetv., vet. v. III Shton lartësinë; shkëputet nga toka ose nga një sipërfaqe tjetër dhe ngjitet lart; kund. ulet, zbret. Ngrihen retë. Ngrihen zogjtë. Ngrihet aeroplani (helikopteri, raketa, anija kozmike). Ngrihet nga aerodromi (nga pista).
6. vetv., vet. v. III Shkëputet ngadalë nga një sipërfaqe dhe përhapet në ajër. Ngrihet pluhuri (avulli, mjegulla) nga toka. Ngrihet tymi shtëllunga-shtëllunga.
7. vetv., vet. v. III Shkon më lart nga rrafshi i sipërfaqes, bëhet më i lartë ose më i bymyer; çohet, fryhet. U ngrit toka (vendi). I ngrihej gjoksi. Brumi ngrihet me maja.
8. vetv., vet. v. III Zë një vend duke dalë më lart se sendet e tjera përreth, duket mbi sendet e tjera. Atje tej ngrihet një mal (një kodër, një shkëmb). Anës rrugës ngrihej një përmendore (një lapidar). Ngrihen pallatet shumëkatëshe.
9. vetv., vet. v. III Duket në horizont, si pasojë e rrotullimit të Tokës, çohet, lind, del. Dielli ishte ngritur tashmë në kupë të qiellit.
10. vetv. Drejtoj trupin, pasi kam qenë shtrirë a i përkulur; drejtohet lart diçka që rrinte varur ose ishte e përkulur, merr drejtimin pingul. U ngrit drejt. U ngritën degët pasi i volëm frutat. U ngrit përsëri gruri pas shiut. Më ngrihen flokët (qimet e kokës) përpjetë.
11. vetv. Ngre krye, bëj kryengritje, çohem në luftë; nuk pranoj t’i nënshtrohem më. U ngritëm kundër pushtuesit. U ngrit i gjithë populli. U ngritën i madh e i vogël. U ngritën në revoltë. Një bie, mijëra ngrihen.
12. vetv., vet. v. III I shtohet madhësia, vlera, masa a shkalla, bëhet më i madh, rritet. U ngritën çmimet e frutave. Ngrihet temperatura (shtypja, trysnia). Ngrihet niveli. Ngrihet mirëqenia. Ngrihet në mënyrë të ndjeshme.
13. vetv., vet. v. III I shtohet vrulli ose shkalla e shfaqjes a e zhvillimit, i zmadhohet forca, bëhet më i fuqishëm. Ngrihet ndjeshmëria qytetare. Ngrihet gjendja shpirtërore. Iu ngritën nervat u zemërua, u nevrikos.
14. vetv., vet. v. III I shtohet forca e ndriçimit ose e zërit. Ngrihet drita. Iu ngrit zëri.
15. vetv. Marr një punë a një vend më të lartë se më parë, ngjitem. U ngrit në detyrë (në përgjegjësi). U ngrit lart.
16. vetv., vet. v. III Më rritet vlera ose rëndësia përpara të tjerëve. I është ngritur autoriteti (prestigji).
17. vetv. Fitoj përsëri vendin a gjendjen e mëparshme; përmirësoj gjendjen ekonomike; kund. bie. U ngritën pasi iu rritën fëmijët.
18. vetv., vet. v. III Krijohet, themelohet. U ngrit një grup (një rreth, një organizatë). U ngrit një biznes i ri.
19. vetv., vet. v. III Fillon, nis me forcë. U ngrit një erë e madhe.
20. vetv. E ndërpres a i jap fund një pune, të cilën e kryeja ndenjur. U ngritën nga tryeza (nga buka, nga sofra). U ngrit nga kompjuteri .
21. vetv. Para një foljeje tjetër tregon fillimin e një veprimi a një përpjekje më të madhe për të kryer diçka. U ngrit e vajti (e shkoi). Ngrihet e punon. Ngrihen dhe i flasin shokët.
22. pës. e NGRE. U ngrit flamuri. U ngritën dolli.
✱Sin.: çohem, zgjohem, mëkëmbem, shpërngulem, largohem, ngjitet, bymehet, vjen, grafullon, fryhet, duket, lartësohet, lind, del, rritet, forcohet, fuqizohet, hov, shtohet, hidhem, ngallis, zmadhohet, përmirësohem, krijohet, themelohet, piqem, zhvillohem, hipi, drejtohem, ndehem, brof, mbartem, rritem, madhohet, nis, fillon, bëhet.
♦ U ngrit (doli) nga *balta (dikush). U ngrit nga *dysheku (dikush). Ngrihet (çohet) me një gisht (diçka) është shumë e lehtë, nuk peshon shumë. U ngrit (u çua) në (më) *këmbë (dikush). M’u ngrit *mendja. M’u ngritën (m’u acaruan) *nervat. Ngrihem (çohem) *peshë. I është ngritur *qimja (dikujt). Është ngritur (është ndërtuar, është mbështetur) mbi *rërë (diçka). Më ngrihet *zemra (lart). Më ngrihet (më çohet) zemra *peshë.
TKÚRRUR (i, e) mb. 1. Që i është zvogëluar vëllimi pa ndryshuar natyrën e vet; kund. i bymyer. Shina treni të tkurrura si pasojë e ngricave të mëdha.
2. I mbledhur; i kruspullosur, i kruspulluar, i rrëgjuar. Me trup të tkurrur.
3. fig. Që është zvogëluar në numër, i ulët (në numër). Popullsi e tkurrur.
✱Sin.: i rrudhur, i rrëgjuar, i zvogëluar, i mbledhur, i shkurtuar, i kruspullosur, i kruspulluar.
VESHBUÇÁTUR mb. Me veshë të fryrë, të ënjtur, të bymyer. Ishte me sy të skuqur e veshbuçatur.
ZMADHÚAR (i, e) mb. 1. Që është bërë më i madh nga sa ishte, që është zmadhuar; kund. i zvogëluar. Skuadër e zmadhuar. Fotografi e zmadhuar. E ka zemrën të zmadhuar. Në dhomën e zmadhuar pas prishjes së murit ndarës mund të rrinin më shumë se tridhjetë vetë.
2. fig. I rritur a i fryrë; i paraqitur si më i mirë a më i keq nga ç'është. Të dhëna (shifra) të zmadhuara.
✱Sin.: i bymyer, i madhuar, i zgjeruar, i hapur, i fryrë, i tepruar, i rritur, i shtuar, i mbufatur.
►ÇÓHEMII jovep., ~ÇÓVA (u), ~ÇÚAR 1. vetv. Ngrihem në këmbë, qëndroj drejt pasi isha ulur diku a isha rrëzuar, ngrihem; kund. ulem. Çohem në këmbë. Çohem nga vendi (nga toka, nga dyshemeja, nga karrigia). Çohem në mbledhje marr fjalën në një mbledhje duke u ngritur nga vendi. Çohem në mësim (në dërrasë të zezë) ngrihem nga banka për t’u përgjigjur në mësim.
2. vetv. Largohem nga shtrati ose nga vendi ku isha shtrirë për të fjetur, zgjohem. Çohem herët (shpejt, vonë). Çohem në mëngjes (qëmenatë). Çohem prej gjumit.
3. vetv. Lë shtratin pas një sëmundjeje; ngrihem; kund. bie. Çohem nga krevati (nga shtrati, nga dysheku).
4. vetv. Nis të eci, mëkëmbem; fig. bëhem për punë. Çohem në këmbë. Ende nuk është çuar. Nuk më janë çuar fëmijët.
5. vetv., vet. v. III. Shkëputet nga toka ose nga një sipërfaqe tjetër; ngrihet; kund. ulet. Çohet aeroplani (helikopteri). Çohet nga aerodromi (nga pista). Po çohen retë. U çuan zogjtë.
6. vetv., vet. v. III. Shkëputet ngadalë nga një sipërfaqe dhe përhapet në ajër, ngrihet; kund. bie. Çohet pluhuri (avulli) nga toka. Çohet tymi përpjetë.
7. vetv., vet. v. III. Bëhet më i lartë ose më i bymyer; ngrihet, fryhet. Çohet toka (vendi). Çohet lëkura e bëhet flluskë. Çohet buka (brumi).
8. vetv., vet. v. III. Dallohet duke dalë më lart. Çohen majat e maleve.
9. vetv., vet. v. III. Duket në horizont si pasojë e rrotullimit të Tokës; lind, del. Çohet dielli (hëna). U çua dielli dy pashë.
10. vetv. Drejtoj trupin; vet. v. III. drejtohet lart diçka, merr drejtimin pingul, ngrihet. Çohem në shtrat (në dyshek). Çohem drejt. U çuan degët. U çua përsëri gruri pas shiut. Të çohen flakët përpjetë.
11. vetv., fig. Bëj kryengritje; nuk pranoj të nënshtrohem. U çuan kundër pushtuesit. U çua i madh e i vogël. U çua i tërë populli. U çuan si një trup i vetëm.
12. vetv., fig. Hidhem në veprim, marr pjesë në një veprimtari të rëndësishme shoqërore. Një bie, mijëra çohen.
13. vetv., vet. v. III. Fillon, nis, ngrihet. U çua një erë e madhe.
14. vetv. E ndërpres një veprim a i jap fund një pune të cilën e kryeja ndenjur. Çohem nga tryeza (nga buka, nga sofra). Çohem nga puna.
15. vetv. Tregon fillimin e një veprimi a një përpjekjeje më të madhe për të kryer diçka (para një foljeje tjetër). U çua e vajti. - Çohemi të punojmë!
16. vetv., vet. v. III. Ndërzehet. Çohet lopa. Çohen dhentë.
17. pës. e ÇOJII.
✱Sin.: ngrihem, largohem, zgjohem, mëkëmbem, shkëputet, përhapet, fryhet, dallohet, lind, del, drejtohet, hidhem, fillon, nis, ndërzehet.
♦ *Bjer e çohu. U çua nga *gjumi (dikush). U çua (u ngrit) në (më) *këmbë (dikush). Çohem (ngrihem) *peshë. Është çuar në *pupë (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë