Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ARRÉST,~I m. sh. ~E, ~ET drejt. 1. Paraburgim, ndalim, mbajtje e përkohshme nën rojë e një personi nga autoritetet ligjore, zakonisht nga policia, për shkak të dyshimit për kryerjen e një krimi ose të shkeljes së ligjit; ndëshkim disiplinor për ushtarakët, duke i mbajtur të mbyllur në një vend për një kohë të caktuar. Është në arrest me burg. Arrest disiplinor. Arrest kazerme. Mban (vë) në arrest. Caktoi arrest. Arrest legal. U krye arresti. Vendosja në arrest.
2. Masë ligjore që ndërmerret për të siguruar që një person do të paraqitet përpara drejtësisë, që të mos arratiset dhe të mos pengojë hetimet. Arrest shtëpie. Masë e arrestit shtëpiak. Arrest me burg.
✱Sin.: paraburgim, burgim, burgosje, ndalim, arrestim, ndëshkim.
ARRESTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET drejt. 1. Procedurë ligjore e ndalimit ose e kapjes së një a më shumë personave nga autoritetet ligjore, zakonisht policia, për arsye të dyshimit për kryerjen e një vepre të dënueshme ligjore; arrest. Arrestim në përputhje me ligjet. Arsyet e arrestimit. Vendimi i arrestimit. Arrestim i ekzekutuar. Procedura e arrestimit. Arrestime në masë. Arrestimi i keqbërësit. Bënë arrestime. Arrestim për kanosje.
2. Masë ligjore në sistemin e drejtësisë penale, që ka për qëllim sigurimin e personit të dyshuar për t’u përballur me drejtësinë. Arrestim nën vëzhgim (nën mbikëqyrje).
✱Sin.: paraburgim, burgim, burgosje, ndalim, prangim, ndëshkim.
BUR/G,~GU m. sh. ~GJE, ~GJET 1. Ndërtesë e posaçme ku mbahen të dënuarit me heqje të lirisë, vend ku mbahen të burgosurit; birucë; banesa e re (euf.). Burg i sigurisë së lartë. Roje burgu. Qelitë e burgut. Regjim burgu. E futën në burg. Ra (përfundoi) në burg. U lirua (doli) nga burgu. Iku (u arratis) nga burgu. Burgu-varri i të gjallëve. Burgu e ka derën e madhe për të hyrë, por të vogël për të dalë. (fj. u.).
2. krahin. Qilar ku ruhen ushqime e pije; haur bagëtish. Burgu i verës (i vajit). Burgu i kuajve (i dhive, i gjësë së gjallë).
3. Burgim2. Burg i rëndë (i lehtë). I dënuar me burg. Një vit burg. Bëri burg. Shpëtoi nga burgu.
4. fig. Vend ku jeta është e rëndë dhe e padurueshme për shkak të shtypjes e të terrorit, të mjerimit e të ndjekjeve. Burg fashist. Burg popujsh.
5. fet. Vend ku sipas besimit të popujve paganë, jetojnë dhe dënohen të gjithë shpirtrat e të vdekurve; ferr. Kur të dalësh në atë fushë të gjerë, / Kërkoi burgjet gjithë ku janë. (folk.).
6. Errësirë e madhe, terr i madh. U bë (është) burg. Burg për tokë mjegulla ka rënë. (folk.).
7. Kodër e vogël shkëmbore e veçuar nga mali; majë shkëmbore e një mali, shkëmb i thepisur.
8. Grumbull thneglash.
✱Sin.: hapsanë, bodrum, qilar, bimsë, errësirë, errësim, bunacë, terrinë, terr, skëterrë, ferr.
♦ Iu bë burg (jeta) (dikujt) iu bë jeta e rëndë dhe e padurueshme, iu nxi jeta. Ia bëri udhën (rrugën) burg (dikujt) ia errësoi punën e s’e la të kuptojë se si duhet të veprojë a nga t’ia mbajë. I thotë burgut *hapu (dikush).
HAPSÓSJ/E,~A f. sh. ~, ~ET Burgim.
PËRJÉTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. filoz. Që nuk ka as fillim as mbarim në kohë; kund. i përkohshëm. Lëvizje e përjetshme e materies. Natyra (bota) është e përjetshme.
2. Që nuk varet nga koha; që nuk u nënshtrohet ndryshimeve të kohës dhe s’ka mbarim, i amshuar.
3. Që kujtohet brez pas brezi e për shekuj me radhë; që ruhet përgjithmonë si diçka shumë e çmueshme dhe e shenjtë, që ruhet për jetë të jetëve. Monument i përjetshëm. Kujtimi i përjetshëm i të rënëve për atdheun!
4. Që zgjat sa gjithë jeta e njeriut. Burgim i përjetshëm.
5. Që rron a ruhet përjetë, që nuk shkrin, nuk prishet etj. Akuj të përjetshëm. Dëborë e përjetshme.
6. Që bëhet vazhdimisht e pa ndërprerje, që s’pushon kurrë. Me ankime (me lutje) të përjetshme.
✱Sin.: i pavdekshëm, i amshuar, i amshueshëm, i përhershëm.
RË́NDË (i, e) mb. 1. Që ka peshë të madhe, që rëndon shumë; kund. i lehtë. Gur (dru) i rëndë. Arkë e rëndë. Thes (dollap) i rëndë. Trup i rëndë. Këpucë (çizme) të rënda. Ngarkesa (pesha) të rënda. Bëhet i rëndë rëndohet, peshon shumë. Peshë e rëndë (sport.) ndarje ku bëjnë pjesë sportistë që peshojnë nga 90 deri 110 kg (në mundje e në ngritje peshash) dhe 81 kg e lart (në boks). Guri është i rëndë në vend të vet (fj. u.).
2. tek., usht. Që ka përmasa të mëdha e fuqi të madhe; që shërben për të mbartur ngarkesa të mëdha (për mjetet e transportit); që ka forcë goditëse të madhe dhe armatim të fuqishëm; kund. i lehtë. Makina (plugje) të rënda. Traktor i rëndë. Industri e rëndë. Artileri e rëndë. Top (mitraloz) i rëndë. Tank i rëndë. Bombardues i rëndë. Këmbësori e rëndë. Kamionë të rëndë. Kafshë të rënda.
3. Që bëhet duke rënduar shumë, me forcë a me zhurmë; që nuk hidhet a që nuk bëhet i lehtë e i shpejtë; që është i thellë a i theksuar; që lë gjurmë të thella; kund. i lehtë. Hap i rëndë. Ecje (lëvizje) e rëndë. Valle e rëndë lloj valleje popullore, që kërkon lëvizje të forta. Plagë (plagosje) e rëndë. Parfum i rëndë parfum që ndihet shumë, që nuk është shumë i këndshëm për nuhatje e mezi durohet. Ngjyrë e rëndë ngjyrë që të vret sytë, jo e këndshme. Tinguj të rëndë.
4. Që tretet me vështirësi, që rëndon në stomak (për ushqimet); që përmban shumë alkool etj., që është i fortë në të pirë. Ushqim i rëndë. Gjellë e rëndë. Ujë i rëndë ujë që ka shumë kripëra gëlqerore e që të rëndon në stomak. Pije (verë) e rëndë. Çaj i rëndë. Kafe e rëndë. Duhan i rëndë. E kam stomakun të rëndë kam ngrënë tepër ose kam ngrënë diçka që mezi tretet.
5. Që është endur me fije të trasha e të ngjeshura; që është bërë prej pëlhure a prej stofi të trashë, i trashë; që ka vlerë të madhe, që kushton shumë. Qilim i rëndë. Perde të rënda. Veshje e rëndë. Rroba të rënda. Pallto e rëndë. Pajë e rëndë (vjet.). Peshqesh i rëndë.
6. Që është shumë i dendur a shumë i ngjeshur (për mjegullën, për retë); që është i mbushur me tym a me erë të keqe (për ajrin), që të zë frymën; që kundërmon keq, i keq. Mjegull e rëndë. Re të rënda. Ajër i rëndë. Vapë e rëndë. Erë e rëndë.
7. Që kërkon shumë mund e lodhje për t’u bërë; që lëviz me vështirësi, që nuk rrotullohet e nuk punon lehtë; që arrihet, që bëhet, që zgjidhet a që kalohet me shumë vështirësi; që mësohet a që kuptohet me vështirësi; i vështirë; kund. i lehtë. Timon i rëndë (për t’u rrotulluar). Punë (detyrë, përgjegjësi) e rëndë. Udhëtim i rëndë. Mësim (ushtrim, problem) i rëndë. Stil i rëndë. Provim i rëndë. Gjuhë e rëndë. Vepër e rëndë. I rëndë për t’u kuptuar. E ka të rëndë. Më duket e rëndë.
8. Që është shumë i ngjallur dhe që mezi lëviz; i ngathët, i ngadalshëm. Burrë i rëndë. Është i rëndë në të ecur, mezi lëviz. Ka këmbë të rënda ecën ngadalë, ecën sikur i heq këmbët zvarrë.
9. bised., vet. f. Që është shtatzënë, me barrë. Grua e rëndë.
10. fig. Që vepron me ngadalë e me ngathtësi, që është shumë i ngarkuar e që nuk punon me zhdërvjelltësi. Administratë e rëndë. Makina e rëndë burokratike.
11. fig. Që bëhet me ashpërsi, i rreptë; që të prek thellë në sedër, që nuk durohet, fyes; që përdor fjalë fyese a të ndyra; kund. i lehtë. Dënim (qortim, ndëshkim) i rëndë. Vërejtje (kritikë, masë ndëshkimore) e rëndë. Burgim i rëndë burgim me kushte të vështira ose me punë të detyruar. Shaka e rëndë. Humor (thumb) i rëndë. Sharje e rëndë. Fjalë e rëndë. E ka gojën të rëndë.
12. Që ka shumë mundime, vuajtje, hidhërime etj., që shkakton vuajtje trupore e shpirtërore, i vështirë. Zgjedhë (robëri) e rëndë. Kushte (rrethana) të rënda. Jetë e rëndë. Kohë e rëndë. Vite (ditë, çaste) të rënda. Fat i rëndë. Vdekje e rëndë.
13. Që e dëmton shumë shëndetin e rrezikon jetën e njeriut; që kalohet me vuajtje dhe që tregon një keqësim të madh të sëmundjes; kund. i lehtë. Sëmundje e rëndë. Grip i rëndë. Rast i rëndë. Formë e rëndë e sëmundjes. Ishte në gjendje të rëndë.
14. edhe fig. Që godet me forcë të madhe, që sjell pasoja të këqija a dëme të mëdha; që është i rrezikshëm; që shkel keqas rregullat a kërkesat, që nuk lejohet a nuk pranohet në asnjë mënyrë; i pafalshëm; kund. i lehtë. Goditje e rëndë. Grusht i rëndë. Dëm (dëmtim) i rëndë. Bombardim i rëndë. Tërmet i rëndë. Humbje e rëndë. Krizë e rëndë. Gabim i rëndë. Faj (krim) i rëndë. Pasoja të rënda.
15. Që sillet vrazhdë me të tjerët, që nuk është i shoqërueshëm e i përzemërt; që ka kërkesa të tepërta e shumë teka, që mezi durohet, i mërzitshëm. Njeri i rëndë. Me karakter të rëndë. Sjellje e rëndë. Mysafir (mik) i rëndë mysafir që kërkon ta presësh me shumë të mira e ndere, që të lodh e të bezdis shumë. Është bërë i rëndë.
16. Që të ngjall nderim, që të detyron ta nderosh e t’i bindesh, që ka madhështi; keq. që mbahet me të madh, që e heq veten për të rëndësishëm. Ka hije (pamje) të rëndë. Rri si zonjë e rëndë. Mbahet i rëndë.
17. Që është i thellë; i fortë. Gjumë i rëndë.
18. I fortë; i ashpër (për dukuritë e motit). Mot i rëndë. Shi i rëndë shi i madh e i rrëmbyer. Dimër i rëndë dimër shumë i ftohtë e me pasoja të këqija, sidomos për bujqësinë e për blegtorinë.
19. sport. Që përfshin ushtrime e lojëra të vështira; që kërkon fuqi të madhe fizike. Sportet e rënda. Atletikë e rëndë.
20. sport. Që bëhet në kundërshtim me rregullat e lojës dhe që mund të dëmtojë lojtarët. Lojë e rëndë. Ndërhyrje e rëndë.
21. Përdoret si pjesë e dytë përcaktuese në disa emërtime të pathjeshta në fushën e shkencës e të teknikës. Ujë i rëndë (fiz., kim.). Vajguret e rënda. Metale të rënda metale me peshë të madhe, si bakri, plumbi etj. Elementet e rënda (kim.) elemente, që kanë peshë atomike të madhe. Tokë e rëndë (bujq.) tokë e ngjeshur, që nuk e kullon shpejt ujin. Figurë e rëndë figurë11.
22. fig., bised. I mençur, i pjekur, i matur. Burrë i rëndë.
23. fig., bised. I madh, i rëndësishëm. Festë e rëndë. E kremte e rëndë (fet.).
✱Sin.: i barrshëm, i plumbtë, gur, dhe, pleh, plumb, vare, plandër, rëndosh, i ngathët, i ngadalshëm, shtatzënë, i vështirë, i mundimshëm, i zahmetshëm, i trashë, trashanik, i pahijshëm, i pafalshëm, fjalërëndë, i vrazhdë, vrazhdak, egërshan, i fortë, i keq, i rreptë, fyes, i thellë, i mençur, i matur, i madh, i rëndësishëm, i rrezikshëm.
♦*Gur i rëndë në vend të vet. Është i rëndë nga veshët (dikush) nuk dëgjon mirë, mezi dëgjon; i ka veshët të rëndë; është rënduar nga veshët. E ka dorën të rëndë (dikush). 1. E ndien dhembjen shumë kur të bën gjilpërën; kund. e ka dorën të lehtë. 2. Të rreh keq, qëllon fort me pëllëmbë; kund. e ka dorën të lehtë. E ka gjuhën të rëndë (dikush). 1. Mezi flet, nuk ka qejf të flasë. 2. Është i hidhur nga goja, është i ashpër, të shan e të fyen; përdor fjalë të ndyra. Ka *hije të rëndë (dikush). I ka veshët të rëndë (dikush) nuk dëgjon mirë, mezi dëgjon; është i rëndë nga veshët; është rënduar nga veshët. Mori një *plagë (të rëndë) (dikush). Më i rëndë *bishti se sqepari. I vë *gurin e rëndë (dikujt a diçkaje). Vret (shet) të rënda (dikush) shih vret (shet) të trasha (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë