Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BULURÍ/N vep., ~U, ~RË jokal., vet. v. III Buluron1.
BULUR/ÓN vep. ~ÓI, ~ÚAR jokal., vet. v. III 1. Vërret e zhgërryhet përtokë (për demin etj.); pëllet, bërlyket. Buluron demi.
2. Lëshon një zhurmë a krismë të fortë e të menjëhershme; buçet, uturin (për mjete e sende që bëjnë zhurmë ose që kumbojnë). Buluron gryka e malit. Bulurojnë valët e detit. Buluron autobusi. Buluroi topi. Buluronin minat.
✱Sin.: bulurin, bulurit, pëllet, byrytet, bytërin, buit, bërlyket, ulërin, buçet, uturin, ushton, oshtin, bubullon, kumbon, kërcet, shungullon, rrapëllon, rrapton.
BUÇ/ÁS vep., ~ÍTA, ~ÍTUR jokal. 1. Thërras fort, bërtas me të madhe. Buçet nga zemërimi. Buçiste nga dhembjet. Flasin e buçasin.
2. vet. v. III Lëshon një zhurmë a krismë të fortë e të menjëhershme diçka; ushton me një tingull të lartë e të fuqishëm; gjëmon. Buçet pushka (topi, bomba, granata). Buçasin minat. Buçet traktori (makina). Buçet kambana. Buçet radioja. Buçasin sirenat. Buçet kënga. Buçet gërneta. Buçet deti (uji, rrëkeja). Buçet era. Atë ditë prilli, / Seç buçiste kënga, / Tundej manastiri. (folk.).
3. edhe fig. Jehon nga zërat e fuqishëm, ushton nga zhurma e madhe, kumbon. Buçet mali. Buçet shtëpia. Rrugët buçisnin nga njerëzit. Salla buçiti nga duartrokitjet. Sheshi buçiste e vlonte. Më buçasin veshët më ushtojnë veshët.
4. fig., vet. v. III Dëgjohet gjithandej, përhapet me jehonë të fuqishme, ushton. Kudo buçiste lajmi i fitores.
5. fig., vet. v. III Pëlcet, shpërthen me vrull e menjëherë; është në kulmin e vet, zien. Buçet lufta. Buçet hareja (gëzimi). Buçet fuqishëm.
6. vet. v. III Del nga shtrati, vërshon; fryhet, gufon, derdhet jashtë; del, buron me vrull. Buçet lumi (përroi). Buçet mushti i rrushit. Buçet qumështi në zjarr.
✱Sin.: ushton, oshtin, gjëmon, kërcet, rrapëllin, buluron, hungëron, jehon, rrapton, gumëzhin, mizëron, lëvrin, gëlon, vlon, luzmon, kumbon, uturin, zhurmon, zien, bubullon, vrungullon, shungullon, shpërthen, del, vërshon, fryhet, gufon, brufullon, pëlcet, shfryn, derdhet.
♦ I buçet *gjaku (dikujt). Më buçet *koka.
PËLL/ÁS vep., ~ÍTA, ~ÍTUR jokal. 1. vet. v. III. Bërtet (për lopën, kaun ose gomarin). Pëlliti mëshqerra. Po pëllasin gomarët.
2. fig., bised., tall., keq. Flas me zë të lartë, bërtas, flas kot e shumë sa i mërzit të tjerët. Ule zërin, pse pëllet ashtu.
✱Sin.: pall, muet, muçit, mukon, garrit, buluron, bulurin, bulurit, ulërin, bërtas, çirret, bërlyk, bytërin.
ULËRÍ/J vep., ~TA, ~TUR jokal. 1. vet. v. III. Nxjerr një britmë të zgjatur, therëse e vajtuese, angullin fort (për ujkun, qenin e për disa kafshë të tjera). Ulërin ujku (qeni). Ulërin fort.
2. Nxjerr një britmë të zgjatur, lëshoj një klithmë të fortë kur më ndodh një fatkeqësi ose kur kam një dhembje shumë të madhe; qaj me zë të lartë. Ulëriu fort. Ulërin nga dhembja. Qante e ulërinte.
3. Bërtas me të madhe, flas me zë të fortë e të çjerrë; flas ose shkruaj shumë për diçka, bëj zhurmë të madhe; çirrem.
4. vet. v. III. Nxjerr një zhurmë të fortë e të zgjatur të ngjashme me ulërimën e ujkut (për disa sende a dukuri). Ulërinte lokomotiva (sirena). Ulërin era (tufani).
✱Sin.: angullin, angullit, kuit, cingëron, vrambullit, buluron, bulurin, bulurit, pëllet, bërtas, klith, bubutij, gjëmoj, çakallosem, çirrem, gërvallem, thërras, pëllas.
UTURÍ/N vep., ~U, ~RË jokal., vet. v. III 1. Nxjerr një zhurmë të mbytur, të zgjatur e të rëndë; lëshon një gjëmim të mbytur (nga lëkundje të fuqishme); ushton, rrapëllin, gjëmon. Uturin makina (traktori, aeroplani). Uturin deti (lumi). Uturin era (tufani, suferina). Uturijnë drurët (pyjet). Uturin toka (dheu). Uturijnë malet.
2. Ushton nga zëra a zhurma të ndryshme. Uturin qyteti. Uturijnë rrugët. Uturin salla. Më uturijnë veshët ndiej uturimë në veshë.
✱Sin.: ushton, dridhet, gjëmon, oshtin, rrapëllin, shungullon, gumëzhin, gumëzhit, buçet, buluron, bulurin, bulurit, vëngon, buis, grindet, fishkëllen, ulërin.
VRUMBULLÍT jovep., ~I, ~UR jokal., vet. v. III 1. Nxjerr një zë të thellë e të zgjatur si ulërimë, ulërin (për ujkun, luanin etj.). Vrumbullit (ujku, luani, tigri). Afër fshatit ujqërit vrumbullitnin pa reshtur.
2. Gumëzhin (për bletën). Vrumbullit bleta. Bleta vrambullit lule më lule. Bletët vrumbullitnin nëpër lëndina duke mbledhur nektarin e luleve.
3. Bën një zhurmë të mbytur kur përplaset me forcë nëpër gurë (për ujin e lumit); buçet nga dallgët. Vrumbullit deti (lumi).
4. Bëjnë një zhurmë të ngjashme me zhurmën e bletës. Një grumbull njerëzish vrambyllitnin të çorientuar.
✱Sin.: ulërin, angullin, angullit, buluron, bulurin, bulurit, pëllet, gumëzhin, buçet, gjëmon, vërshon.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë