Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
VÁP/Ë, ~A f. 1. Kohë e nxehtë, koha më e nxehtë e vitit, zakonisht gjatë muajve të verës, të nxehtët e verës. Vapa e korrikut. Në qershor fillon vapa. Erdhi shpejt vapa sivjet. E dogji barin vapa. Pemët duan vapë që të piqen. Vapë e murrme vapë mbytëse, bulçim. Vapa e korrikut e dogji grurin në fushë. Pemët duan vapë që të piqen mirë. Shkoi vapa me gushtin. (fj. u.).
2. Orët më të nxehta të ditës gjatë stinës së verës (zakonisht në mesditë ose pas mesit të ditës); ngrohtësi e madhe që shkaktohet nga dielli, nga zjarri etj. në një dhomë e që mezi durohet. Vapa e drekës (e mesditës). Pisku i vapës. Në pikë të vapës. Bën (është) vapë. Na zuri vapa. Sa pa zënë vapa. Shtrëngoi vapa. Dhentë bëjnë vapën dhentë mërzejnë në hije. Shkoj (kaloj) vapën pushoj në orët më të nxehta të ditës. Plasëm nga vapa, mezi presim të freskohet pak.
3. Nxehtësi e madhe që ndiejmë në trup. Kam shumë vapë. Plasëm nga vapa. Kam shumë vapë, duhet të hap dritaren!
✱Sin.: vapësirë, ufëm, zagushi, bulçim, zabullimë, pishak.
♦ Më bën vapë (dikush) shpërf. më mërzit, më bezdis; më shqetëson e nuk më ndahet, s’dua ta kem pranë. Ia bëri vapën (dikujt) e rrahu keq, e zhdëpi në dru; e bëri lëkurë (për në lëkurë) (dikë) thjeshtligj.; e bëri peshk (dikë); ia bëri kurrizin më të butë se barkun. Ia bëri vapë e shëllirë (dikujt) e detyroi dikë të sillet e të bëjë si i thotë a si ia kërkon ai, nuk e lë të bëjë sipas kokës; e shtrëngoi për ta sjellë në rrugë të mbarë ose që të veprojë si duhet a si i kërkohet; ia mblodhi (ia shtrëngoi) rripat (rripin); ia vuri (ia futi) (të dyja) këmbët në një këpucë; ia bëri tetë me dy. Shkoi (iku) vapa me gushtin i kaloi koha e vet diçkaje ose mosha a fuqia dikujt, s’është më siç ka qenë, me kohë nisi të bjerë.
ZAGUSHÍ,~A f. Bulçim, ufëm. Zagushi e madhe. Ditë (mot) me zagushi. Një zagushi e padurueshme. Bën (është) zagushi. Të mbyt (të merr frymën) zagushia. Dridhej ajri nga zagushia. Mbretëronte zagushi e madhe. I nxehti i qershorit ia la vendin zagushisë së korrikut. Gjithë zagushia e muajit shkarkoi me një shi të papritur, litar. Ia bani zagushi (dikujt) e mërziti shumë, ia solli në majë të hundës.
✱Sin.: bulçim, ufëm, avër, vapësirë, angështi, bulçimë, duhmë, mbytësi, morovimë, zabullimë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë