Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AGÁT,~I m. sh. ~E, ~ET kim. Lloj minerali, kuarc, gur i çmueshëm, i tejdukshëm me ngjyra e forma të ndryshme, kryesisht kalcedonit, që gjendet në shkëmbinjtë vullkanikë ose në llavat e moçme të ngurtësuara dhe dallohet sipas strukturës, sipas vijave dhe ngjyrave (e zezë, e bardhë, blu, e blertë, gri, e verdhë, e kuqe, vjollcë etj.); gur gjaku. Agat blu. Agat i zjarrtë. Agat i ngrirë. Agat brazilian. Gur agati. Agat për bizhuteri (për stolisje). Havan agati.
BRAZILIÁN,~E mb. Që lidhet me Brazilin ose me brazilianët, që është karakteristik për Brazilin ose për brazilianët, i Brazilit ose i brazilianëve; që është krijuar nga brazilianët. Populli brazilian. Federata braziliane. Rrafshnalta braziliane. Veshje (këngë) braziliane. Kafe braziliane. Futbolli brazilian.
BRAZILIÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Banor vendës i Brazilit ose ai që e ka prejardhjen nga Brazili. Brazilianët e parë. Në gjuhën e brazilianëve. Si trajner të ekipit kishin ftuar një brazilian. Brazilianët shquhen për mjeshtërinë e futbollit.
TAPÍR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zool. (lat. Tapirus) 1. Gjitar thundrak, bimëngrënës, me trup të bëshëm e të rëndë, me feçkë të shkurtër për të kapur ushqimin (bar, gjethe, lëvore, fruta), që rritet në Amerikën tropikale dhe në Azinë Juglindore.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që tregojnë lloje të ndryshme tapirësh: Tapiri brazilian (lat. Tapirus terrestris) tapir që rritet në Brazil. Tapiri i Amerikës Qendrore (lat. Tapirus bairdi) një nga tapirët më të mëdhenj, i cili rritet në Amerikën Qendrore. Tapiri i malit (i Andeve) (lat. Tapirus pinchaque) një nga pesë llojet e tapirëve dhe i vetmi që rritet në natyrë jashtë pyjeve tropikale. Tapiri malajas (tapiri i Azisë) (lat. Tapirus indicus) tapir me trup të madh, me shpinë të bardhë, i cili ushqehet me bimësi dhe me fruta, të cilat i përzgjedh me kujdes në mjedisin e vet.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë