Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BOTÓR,~E mb., vjet. 1. Që lidhet me të gjithë, që ka karakter të përgjithshëm, që përdoret nga të gjithë; publik. Rrugë botore. Ndërtesa botore. Arsimi botor.
2. Që lidhej me ndërtimin dhe me mirëmbajtjen e rrugëve, të urave, të ndërtesave shtetërore etj. dhe me shërbimet komunale. Punë (shërbime) botore. Shpenzime botore. Zyra botore. Ministria e Punëve Botore (në Shqipëri deri në vitin 1950).
PUBLÍK,~E mb. 1. Që i përket gjithë popullit, që është i hapur për të gjithë, i të gjithëve; që lidhet me jetën, me punën a me veprimtarinë e të gjithëve, që i shërben popullit, që mund ta përdorë kushdo. Opinioni (mendimi) publik. Qetësia publike. Sigurimi (rendi) publik. Shërbimet publike. Shtëpi publike vend ku shkon dikush për të kryer marrëdhënie seksuale me punonjës seksi.
2. Që administrohet nga shteti, i shtetit; botor. Transporti publik.
3. Që bëhet para të tjerëve ose para një publiku të gjerë, në prani të të gjithëve, botor.
4. Që bëhet me pjesëmarrjen e gjerë të popullit, i përgjithshëm; popullor. Skandal publik. Shfaqje publike. Mbledhje (festë) publike.
✱Sin.: botor, i përbotshëm, popullor, komunal.
PËRBÓTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ka të bëjë me të gjithë botën, që i përket gjithë botës a gjithë njerëzimit; botëror. Në shkallë të përbotshme. Me rëndësi të përbotshme. Dobësimi i sistemit të përbotshëm kapitalist.
2. vjet. Botor. Punët e përbotshme. Oqeani i përbotshëm (botëror) (gjeogr.).
✱Sin.: botëror, publik, botor, i gjithmbarshëm, i gjithunjishëm, gjithëpërfshirës.
PËRGJÍTHSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që është i përbashkët ose karakteristik për një tërësi njerëzish, sendesh a dukurish, që u përket të gjithëve ose një numri të madh njerëzish, sendesh etj.; kund. i veçantë; i posaçëm. Parime të përgjithshme. Tipare (karakteristika) të përgjithshme. Trajta më e përgjithshme e një fjale. Mënyra më e përgjithshme e shqiptimit. Rregull i përgjithshëm.
2. Që përfshin të gjithë anëtarët e një popullsie, të një grupi njerëzish etj.; që bëhet për të gjithë njerëzit ose nga të gjithë njerëzit; kund. i pjesshëm. Votim i përgjithshëm dhe i fshehtë. Arsim i përgjithshëm. Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë.
3. Që prek diçka në tërësi, që e përfshin të tërën që ndodh ose që bëhet në përpjesëtime të gjera a në një hapësirë të madhe, që e përfshin të gjithë. Mobilizim i përgjithshëm. Rrëmujë e përgjithshme. Dobësi e përgjithshme e organizmit.
4. Që përfshin të gjitha sendet a dukuritë e një kategorie pa përjashtim; që bëhet në mënyrë tërësore dhe rrënjësore, i plotë; kund. i pjesshëm. Pastrim i përgjithshëm. Kontroll i përgjithshëm.
5. Që merret në tërësi, që merret i gjithë, tërësor. Prodhimi i përgjithshëm industrial. Vëllimi i përgjithshëm i qarkullimit të mallrave. Numri i përgjithshëm i popullsisë.
6. Që lidhet drejtpërdrejt me pjesën më të madhe të popullit, që i përket gjithë popullit ose shumicës dërrmuese të tij, që është i të gjithëve, që ka të bëjë me gjithë shoqërinë; që është pranuar nga të gjithë; kund. vetjak. Lumturia (e mira) e përgjithshme. Mendimi i përgjithshëm. Interesi i përgjithshëm.
7. Që ka të bëjë me natyrën, me botën reale e me shoqërinë në tërësi; që e formon njeriun në përgjithësi; kund. i veçantë; profesional. Ligjet e përgjithshme të natyrës (të shoqërisë). Kulturë e përgjithshme. Arsim i përgjithshëm. Lëndët e kulturës së përgjithshme.
8. Që është a që bëhet në përgjithësi, që nuk hyn në hollësira. Në vija të përgjithshme. Diskutim i përgjithshëm. I shtroi çështjet në mënyrë të përgjithshme. U shpreh me fjalë të përgjithshme. Si rregull e përgjithshme...
9. Që është në krye të të gjitha degëve a të të gjitha hallkave organizative të një administrate, të një ushtrie etj.; që udhëheq gjithë veprimtarinë e një organi a të një organizate. Komandanti i përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm.
10. mjek. Që prek të gjithë trupin; që vepron mbi të gjithë trupin; kund. i pjesshëm. Sëmundje e përgjithshme. Mpirje e përgjithshme. Bar (helm) me veprim të përgjithshëm.
11. tek. Që është ndërtuar për të kryer punë nga më të ndryshmet, i gjithanshëm, universal; kund. special.
12. shkenc. Përdoret si pjesë e dytë në emërtimin e disa shkencave që merren me studimin e parimeve themelore, teorike dhe përfshijnë konceptet themelore ose japin njohuritë kryesore në fusha të caktuara. Gjeografia e përgjithshme. Historia e përgjithshme. Biologjia e përgjithshme. Kimia e përgjithshme. Gjuhësia e përgjithshme.
13. gjuh. Që emërton një klasë të tërë qeniesh të gjalla, sendesh a dukurish, sipas tipareve të tyre të përbashkëta; kund. i përveçëm. Emër i përgjithshëm (p.sh. njeri, dele, ujk, libër, shkollë, liri, lumturi etj.).
14. Përdoret si pjesë e dytë në emërtimin e disa specialistëve, që punojnë në një fushë të gjerë të veprimtarisë, të prodhimit etj., që nuk janë të specializuar vetëm për një fushë të ngushtë: Agronom i përgjithshëm. Mjek i përgjithshëm. Gjeolog i përgjithshëm.
✱Sin.: i gjithmbarshëm, i gjithunjishëm, i gjithësishëm, i gjithanshëm, universal, frontal, botor, publik, plenar, tërësor, i tërësishëm, total, global, grumbullor, i plotë, kapital, panoramik, i përbashkët.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë