Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PÉSH/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Rëndimi i një trupi në krahasim me të tjerë, që matet me një njësi të caktuar; sa rëndon një trup a një send. Pesha e një sendi. Peshë neto (bruto). Ngritje peshash (sport.). Ngritës peshash (sport.). Ka peshë të madhe (të vogël). Shitet me peshë shitet diçka duke e peshuar dhe jo me copë. Ra nga pesha dikush u dobësua ca. Humbi në peshë u dobësua e u bë më i lehtë, peshon më pak. Peshë e gjallë pesha e një kafshe të patherur.
2. spec. Shtypja që ushtron një trup mbi një tjetër për shkak të forcës tërheqëse të Tokës, të masës dhe të vetive të lëndës që e përbën atë trup; veti e përhershme e trupave që bien poshtë për shkak të rëndesës. Pesha e një trupi. Ushtron një peshë. Pesha specifike (fiz.) pesha e një trupi ose e një lënde, e krahasuar me peshën e një vëllimi të barabartë uji të pastër në temperaturën 4°C. Pesha atomike (fiz.) pesha e atomit të një elementi e krahasuar me atë të atomit të hidrogjenit që merret si bazë. Pesha molekulare (fiz.) shuma e peshave atomike të elementeve që përbëjnë molekulën e një trupi.
3. Ngarkesë, barrë. Peshë e madhe (e rëndë, e lehtë). Ka peshë. Ia lehtësoi peshën. U përkul (u kërrus) nga pesha. S’e mban (s’e ngre) dot atë peshë.
4. fig. Vëllimi dhe rëndësia e një pune; detyrë që i ngarkohet dikujt dhe që kërkon mund për t’u kryer; përgjegjësi, barrë. Pesha kryesore bie mbi të. Mbajti një peshë të madhe (në një punë, në një luftë etj.). Mbante peshën kryesore. Ia lehtësoi peshën e punës. E ka peshë mbi supe.
5. fig. Diçka e vështirë a e rëndë për ta duruar ose për ta përballuar; barrë. Pesha e viteve (e moshës). Nën peshën e rëndë të sëmundjes (të vuajtjeve). Qe një peshë e madhe për të.
6. fig. Vendi që zë diçka midis gjërave të tjera të ngjashme ose të afërta me të; vlera a rëndësia që ka dikush a diçka në një grup a mjedis, në një kohë etj. Pesha (specifike) e popullsisë qytetare kundrejt numrit të përgjithshëm të popullsisë. Pesha e dikujt në një punë (në një ngjarje, në një kohë etj.). Njeri me peshë. Fjalë me peshë. I ka peshë fjala.
7. bised. Një copë metali me masë të caktuar, që vëmë në njërën anë të peshores për të matur rëndimin e një sendi ose të një malli, gur peshoreje; peshore. Peshë dykilëshe. E vuri në peshë. I ishte prishur pesha.
8. Gur a send tjetër i rëndë, të cilin e flakim me forcë për të goditur një shenjë. Gjuante me pesha.
9. Rrezatimi i diellit zakonisht në verë. Punonte (korrte) në peshë të diellit. Kish dalë djali në peshë të diellit.
10. sport. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për grupe a kategori sportistësh që përfshin mundësit, boksierët ose ngritësit e peshave me trup të njëjtë: Peshë flutur boksier, mundës a ngritës peshash me peshë nga 49-51 kg. Peshë gjysmë e lehtë boksier, mundës a ngritës peshash me peshë nga 68-71 kg. Peshë gjysmë e rëndë boksier, mundës a ngritës peshash me peshë nga 81-86 kg. Peshë këndes boksier, mundës a ngritës peshash me peshë nga 52-54 kg. Peshë mizë boksier, mundës a ngritës peshash me peshë nga 46-48 kg. Peshë e lehtë boksier me peshë nga 61-63,5 kg. Peshë e mesme boksier, mundës a ngritës peshash me peshë nga 72-75 kg. Peshë e rëndë boksier, mundës a ngritës peshash me peshë 87-92 kg. Peshë pupël boksier, mundës a ngritës peshash me peshë nga 55-57 kg. Peshë super e lehtë boksier, mundës a ngritës peshash me peshë nga 58-60 kg. Peshë superkëndes boksier, mundës a ngritës peshash me peshë nga 64 -67 kg. Peshë super e mesme boksier, mundës a ngritës peshash me peshë nga 72-75 kg.
✱Sin.: rëndësi, plandër, barrë, rëndësi, gramar, peshore, ngarkesë, plëng, detyrë, përgjegjësi, pajë, vlerë, rëndësirë, të rëndë, ndikim, gramar, gur, peshore, trupthi.
♦ Ra nga pesha (dikush) i humbi vlerat, nuk është më aq i rëndësishëm; ra nga fiku; i ranë pendët (dikujt). Pesha specifike (e diçkaje) libr. rëndësia që ka ose vendi që zë diçka në një tërësi. Pesha e dheut njeri me shumë rëndësi a njeriu më i rëndësishëm në një vend. Peshë e lehtë mospërf. njeri pa shumë vlera, me zgjuarsi e aftësi të kufizuara. Peshë e vdekur libr. diçka pa vlerë, që s’hyn në punë; gjë e tepërt; gjë pa jetë. Vë në peshë (diçka). 1. E shoh dhe e shqyrtoj nga të gjitha anët, e vlerësoj duke marrë parasysh edhe të mirat, edhe të këqijat, i peshoj të gjitha. 2. Çmoj, llogarit, vlerësoj; përfill.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë