Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►MBLLAÇÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. Përtypem për një kohë zakonisht me zhurmë e duke mbajtur diçka nëpër dhëmbë; përçapem. Mbllaçitej si i babëzitur. Mos u mbllaçit ashtu!
2. bised., vet. v. III Ripërtypet (për disa kafshë si gjedhi, dhia etj.). Mbllaçitet kau.
3. fig. Them diçka nëpër dhëmbë, jo qartë, i shqiptoj fjalët gjysma-gjysma; ngurroj të flas e i ha fjalët, përtypem. Mbllaçitej e s’thoshte gjë. Pse po mbllaçitesh?
✱Sin.: përçapem, përtypem, ripërtypëm, bluhet.
MULLÍ,~RI m. sh. ~NJ, ~NJTË 1. Makinë e thjeshtë për të bluar drithë, që përbëhet nga pajisje të ndryshme, si edhe nga dy gurë të mëdhenj, të sheshtë e të rrumbullakët, të vënë njëri mbi tjetrin, nga të cilët i sipërmi lëviz me anë të fuqisë së ujit, të erës a me motor; ndërtesa me një makinë të tillë ku bluhet drithi. Mulli drithi. Mulli me ujë (me erë, me motor). Dishta (mokra, çakallja, gryka, penda) e mullirit. Koshi i mullirit. Gurët (mokrat) e mullirit. E bloi në mulli. Shkoi në mulli. Gruri që vete në mulli, do të bluhet. (fj. u.). Dy herë flitet në mulli, një herë në shtëpi. (fj. u.).
2. Makinë e posaçme me pajisjet e nevojshme, që shërben për të shtypur, për të thërrmuar a për të bluar diçka (gurë, ullinj etj.). Mulli vaji mulli ku shtypen ullinjtë e nxirret vaj. Mulli mineralesh. Mulli me çekiçë për bluarjen e ushqimeve të ashpra (për shtypjen e qymyrgurit). Çekanët e mullirit. Mulliri bluan me aq ujë sa ka. (fj. u.) s’mund të bëhet diçka jashtë fuqive, jashtë mundësive etj., secili bën aq sa ka mundësi. Kush vete në mulli doemos do të përmiellet. (fj. u.) s’mund të rrish pa marrë pjesë në punën, në jetën, në veprimtarinë, në shqetësimet etj. të mjedisit që të rrethon; në qoftë se pranon të bësh një punë, atëherë do të pranosh edhe pasojat e saj.
3. Vegël e posaçme, që zakonisht vihet në lëvizje me dorë dhe shërben për të bluar kafe, pipër etj. Mulli dore. Mulli kafeje (piperi, orizi).
4. Pjesë e revoles, në trajtën e një cilindri e me vende të caktuara për fishekët, e cila rrotullohet pas çdo shkrehjeje për të sjellë në grykë fishekun e radhës. Revole me mulli.
♦ Ma bëri mendjen mulli (dikush) më ngatërroi e më hutoi me fjalë; ma bëri kokën (mendjen) dhallë. Bluan në mulli të huaj (dikush) iron. merret me punë që nuk i përkasin; përzihet në punët e të tjerëve, ndërhyn aty ku s’i takon; fut hundët (hundën); hedh kripë në poçe të tjetrit keq.; hedh kripë në gjellë të botës (të huaj). Bluan si mulli pa kokrra (dikush) flet shumë e kot, thotë fjalë boshe, grin kot e pa pushim. I bluan mulliri në *të thatë (dikujt) iron. *Çakalle mulliri tall. Çon (shpie) *ujë në mullirin (e dikujt). Flet në mulli (dikush). 1. mospërf. Nuk ia dëgjon askush fjalën a këshillën; s’ia vë veshin askush, i shkojnë fjalët kot, s’ia var njeri. 2. iron. Nuk mban të fshehtë, ua thotë të gjithëve çka di; është llafazan. E futi për *lug të mullirit (dikë). *Gur mulliri. Veç *guri i mullirit nuk e ka bluar (dikë). I lëshon *ujë mullirit (dikush). Lufton me mullinjtë e erës (dikush) iron., tall. i turret diçkaje të kotë a të hamendësuar, hidhet kundër diçkaje që e mendon si të rrezikshme dhe harxhon kot forcat e mundin. *Maç mulliri tall. *Mi në mulli. Mulli pa mokra mospërf. njeri i padobishëm, që s’kryen dot asnjë punë; njeri i paaftë e bosh. E nget mullirin më *të thatë (dikush) keq. I ngre mullirin (dikujt) e çmoj shumë, ia vlerësoj lart meritat e cilësitë; e lavdëroj; ia rrit mendjen; e ngre lart (dikë);e bëj majë e krye (dikë). Si *plaka në mulli tall. *Pulë në mulli (në grurë, në thekër). *Rrotë mulliri tall. *Trokashkë mulliri keq. I vjen uji në mulli (dikujt) i shkojnë punët si duhet, çdo gjë i ecën mbarë, nuk ka pengesa a mungesa; i vjen e mira vetë pranë; ka fat; i bie shiu në prag të derës; i vjen vera te dera; i lulon bahçja (edhe) në dimër. Është zënë në mulli (dikush) tall. nuk pushon së foluri, është llafazan i madh, grin pa pushim.
PABLÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk është i blueshëm; që nuk mund të bluhet; kund. i blueshëm. Drithë i pablueshëm.
2. I papërtypshëm. Ushqim i pablueshëm.
PAPËRTÝPSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk mund të përtypet dot (për një ushqim); kund. i përtypshëm. Ushqim i papërtypshëm.
2. fig. Që përmban gjëra të vështira, të paarsyeshme ose të tepruara, që nuk bluhet a nuk përvetësohet dot; kund. i përtypshëm. Teza të papërtypshme.
3. Që nuk kuptohet a kuptohet me shumë vështirësi; kund. i përtypshëm.
►PLUHURIZ/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR libr., vet. v. III 1. vetv. Copëtohet në thërrmija shumë të vogla, bëhet pluhur.
2. pës. e PLUHURIZÓJ.
✱Sin.: thërrmohet, bluhet, grimcohet.
RRËZ/Ë,~AІІ f. sh. ~A, ~AT bot. Bimë barishtore e vendeve të ngrohta, me gjethe të holla që dalin si fije nga kërcelli, me lule të imëta, të verdha e të mbledhura tufë dhe me rrënjë të tultë, e cila thahet, bluhet e përdoret si bojë për të ngjyer në të kuqe të ndezur. Rrënjët e rrëzës. Ngjyej me rrëzë. Rrëzë e egër.
STOMÁK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT anat. Pjesa kryesore e aparatit tretës te njeriu dhe te kafshët, që ndodhet në pjesën e sipërme të barkut, fill pas kapërcellit dhe që ka trajtën e një traste muskulore, në të cilën bluhet ushqimi. Stomaku i njeriut. Ishin dëmtuar muret e stomakut. Lëngjet e stomakut. Kishte dhembje stomaku. Kam një rëndim të lehtë në stomak. Nuk ia duron stomaku ushqimet e thata.
✱Sin.: lukth, mide, mullë, mullëz, zgrof, zgorkë, plëndës, bark.
♦ M’u ngrit stomaku *përpjetë (nga dikush a nga diçka). S’ma tret (s’ma honeps) stomaku (diçka) nuk e duroj dot diçka, nuk mund ta pranoj, nuk mund të pajtohem me të; është e pabesueshme, është gënjeshtër ose diçka tjetër e keqe, që nuk e honeps a nuk e gëlltit dot; s’ma tret mideja.
►TRÉT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv., kryes. v. III Shkrin në ujë ose në një lëng tjetër, bëhet i lëngshëm duke u përzier e duke u shkrirë në një lëng (për lëndë zakonisht të ngurta). Sheqeri (kripa) tretet në ujë. Rëra nuk tretet në ujë. Mos ki frikë nga shiu, se nuk tretesh!
2. vetv., vet. v. III Kthehet në gjendje të lëngët, kur e ngrohim a kur e nxehim, shkrin. U tret dëbora. Gjalpi u tret. Dhjami tretet shpejt.
3. vetv., vet. v. III Bluhet mirë në stomak e hollohet për t’u thithur nga organizmi (për ushqimet). Ushqime që treten lehtë. Mishi i viçit tretet shpejt. Nuk tretet. Mezi tretet.
4. vetv. Prishem; kalbem. U tret në dhe.
5. vetv. Dobësohem shumë nga trupi, ligem nga shëndeti, hiqem. Është tretur shumë. Është tretur në fytyrë. U tret si qiri. Qe tretur e kulluar qe dobësuar shumë. Bagëtia tretet ca në dimër.
6. fig., vetv., vet. v. III Harxhohet shpejt e pa e kuptuar, shkon i gjithë, shkrin. U tret qymyri. U tret pasuria.
7. vetv., vet. v. III Zhduket brenda diçkaje, futet diku a pas diçkaje e nuk dallohet më; humb. Hëna (dielli) u tret pas reve. U tret në errësirë (në mjegull, në terr). Dritat treteshin në mugëtirë (në largësi).
8. fig., vetv., vet. v. III Largohet, ikën a zhduket. Shqetësimet u tretën si tymi. Iu tret buzëqeshja nga fytyra. M’u tret gjumi.
9. pës. e TRET.
✱Sin.: shkrin, prishem, kalbem, dobësohem, hiqem, hollohem, hahem, përthahem, terem, tukeqem, drobitem, këputem, leqendisem, ligem, ligështohem, lëkurem, fijohem, labërgohem, mbaroj, mbarohem, humb, largohet, ikën, zhduket.
♦ Iu tret *dhjami (dikujt).
ZHÁB/Ë,~AIII f. sh. ~A, ~AT 1. vjet. Thes me lëkurë dhie; rrëshiq, shakull. Si ujem në zhabën e mullixhiut gjë e ngatërruar që nuk zgjidhet dot. Zhaba e parë bluhet e para. (fj. u.) kush mungoi bloi.
2. Lëkurë e frutave etj. Zhabat e mollës (pjeprit).
♦ Këndon si zhaba në të thatë (dikush) nuk punon a nuk bën diçka pa i dhënë për të ngrënë a për të pirë; do më parë shpërblimin që të nisë një punë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë