Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AFTËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Të qenët i aftë, i shkathët, i zoti për diçka; mundësia për të bërë diçka; shkalla e përgatitjes dhe gatishmëria për të kryer një veprimtari, mundësia për të përballuar diçka; kund. paaftësi. Aftësi fizike (mendore, shpirtërore, morale). Aftësi pune. Aftësi të mëdha (mbimesatare, të kufizuara, të pakta). Aftësi mbrojtëse (luftarake). Aftësi kreditimi (fin.). Aftësim pagimi (paguese) (fin.). Aftësi shlyerëse (shlyerjeje) (fin.). Aftësia blerëse (shitëse). Aftësia për punë. Fitoj (humbas) aftësinë. Vë (shkrij) të gjitha aftësitë. Ka aftësi tretëse (thithëse). Me aftësi ndryshe (kufizuese).
2. Prirje dhe mjeshtëri që ka dikush për të kryer me sukses një veprim, një detyrë ose një aktivitet të caktuar. Aftësi të rralla. Aftësi fizike. Aftësi intelektuale. Aftësi teknike. Aftësi krijuese (drejtuese, pedagogjike). Aftësi për muzikë (për art, për matematikë). Ka (s’ka) aftësi.
3. Mundësia, gatishmëria për të nxënë, për të përpunuar ose për të prodhuar; kufiri më i lartë i kësaj mundësie. Aftësi prodhuese. Aftësi e nxënësisë. Aftësi ujitëse (lundruese). Aftësi në punë. Aftësi programimi. Zgjeron aftësitë. Aftësi komunikimi. Aftësi analitike.
✱Sin.: mjeshtëri, zotësi, shkathtësi, prirje, kompetencë, kapacitet.
DEFLACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET fin., ek., pol. 1. Tërheqja nga qarkullimi e një sasie të madhe kartmonedhash që sjell rritjen e vlerës së valutës, uljen e çmimeve dhe rritjen e fuqisë blerëse; kund. inflacion. Deflacion monetar. Nivelet e deflacionit.
2. Tkurrje e veprimtarive ekonomike, që sjell si pasojë uljen e çmimeve, kur kërkesa për mallra dhe shërbime është më e ulët krahasuar me ofertën; kund. inflacion. Deflacioni i rëndë.
FUQÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Aftësia e njeriut ose e qenieve të tjera të gjalla për të vepruar, për të bërë punë ose lëvizje duke tendosur muskujt; mundësia trupore e një njeriu a e një kafshe për të bërë diçka; forcë fizike. Fuqi trupore. Fuqia e krahut. Kam fuqi. Mbledh fuqitë. Me sa kam fuqi.
2. Aftësia e njeriut për veprimtari mendore, për të shfaqur vetitë dhe tiparet e tij shpirtërore; forca a thellësia e shfaqjes së një ndjenje etj.; shkalla e kësaj shfaqjeje. Fuqi mendore. Fuqi shpirtërore. Fuqia e vullnetit.
3. Aftësia që ka diçka për të kryer një veprim ose për të vepruar mbi një send; aftësia e diçkaje për punë; shkalla e kësaj aftësie; forcë. Fuqia blerëse. Fuqia tërheqëse e makinës.
4. Mundësi materiale, burimet e të mirave materiale dhe tërësia e këtyre të mirave; aftësia që ka dikush a diçka në një drejtim, qëndresë. Fuqia ekonomike. Me ato fuqi që kemi.
5. Aftësia që ka dikush të ushtrojë autoritetin e tij tek të tjerët, të ndikojë mbi ta, t'i bindë për diçka etj.; aftësia që ka diçka për të vepruar në mendjet e njerëzve, për t'i udhëhequr ata në punë e në jetë; shkalla e ndikimit të kësaj aftësie. Fuqi drejtuese. Fuqia e fjalës.
6. Shkaku a burimi i një veprimtarie, i një pune ose i diçkaje tjetër. Fuqi madhore.
7. kryes. sh. Tërësia e të gjithave njësive ushtarake të një vendi, së bashku me mjetet luftarake; ushtria. Fuqitë e armatosura. Fuqitë e këmbësorisë.
8. fiz. Energjia që çlirohet a që harxhohet në një njësi kohe për të bërë një punë ose për të vënë në lëvizje diçka; energjia që ushtrohet mbi një trup, e cila bëhet shkak për të prishur gjendjen e tij të qetësisë ose të lëvizjes. Fuqia elektrike. Fuqia e rrymës. Fuqia e ujit.
9. drejt. E drejta a mundësia ligjore, që ka ose që i jepet dikujt për të vepruar a për të bërë diçka, pushtet. Fuqi juridike. Ka fuqi të pakufizuara (të plota).
10. Të qenët i vlefshëm, të qenët në veprim (për një ligj, për një urdhëresë etj.). Mbetet (është) në fuqi. Hyn në fuqi.
11. Njerëzit, qeniet e tjera të gjalla dhe mjetet që përdoren për të kryer një veprimtari të caktuar ose për të bërë shndërrime të mëdha; çdo gjë lëndore që bëhet burim për lëvizje dhe për ndryshime; forcë. Fuqitë e natyrës. Fuqia punëtore tërësia e punëtorëve. Fuqia tërheqëse kafshët që përdoren për punimin e tokës.
12. Shtet, vend që ka forca të mëdha ekonomike e ushtarake dhe ndikim të gjerë në jetën politike ndërkombëtare. Fuqitë e mëdha. Fuqitë ndërluftuese.
13. mat. Prodhimi që del nga shumëzimi i një numri bazë me veten e tij aq herë sa është treguesi i tij. Fuqi e dytë (katrore). Fuqi e tretë (kubike). Baza e fuqisë. Ekuacion i fuqisë së parë (së dytë). Ngre në fuqi.
✱Sin.: forcë, energji, vrundull, takat, këllk, nerv, potencial, pushtet, veprim.
♦ Bie nga fuqia drejt. nuk mund të zbatohet më, nuk vepron më, shfuqizohet (një ligj etj.); kund. hyn në fuqi. Hipi në fuqi (dikush) erdhi në pushtet, mori pushtetin; kund. zbriti nga fuqia. Hyn në fuqi drejt. fillon të zbatohet, ka vlerë ekzekutuese; kund. bie nga fuqia drejt. Zbriti nga fuqia (dikush) e humbi pushtetin, ra nga pozita; kund. hipi në fuqi.
INFLACIÓN,~I m., ek. Vënia në qarkullim e një sasie më të madhe kartëmonedhash se sa janë nevojat e vërteta të qarkullimit të mallrave, që sjell si pasojë zhvlerësimin e kartëmonedhës, ngritjen e çmimeve e uljen e fuqisë blerëse të punonjësve. Rritja e inflacionit. Pasojat e inflacionit. Inflacion galopant.
MBIPRODHÍM,~I m., ek. 1. Prodhim i tepërt që tejkalon nevojat apo fuqinë blerëse të tregut, superprodhim; kund. nënprodhim. Ka mbiprodhim të grurit. Mbiprodhimi i mallrave. Krijimi i mbiprodhimit.
2. Pjesa që është mbiprodhuar, mbiprodukt. Transportoj mbiprodhimin e grurit.
PÁG/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shpërblimi në të holla që i jepet një punonjësi për punën e tij në një ndërmarrje, në një institucion a në një detyrë tjetër, rrogë. Paga mujore (javore, ditore). Paga mesatare. Paga të ulëta (të larta). Paga e fasonëve (e nëpunësve). Indeksimi i pagave. Nivel i pagave. Sistemi i pagave.
2. (fin.) Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje pagash: Pagë bruto paga që përfshin pagën neto, sigurimet, pjesën për sigurime shoqërore e shëndetësore, pjesën për taksime të ndryshme etj. Pagë bazë paga e përcaktuar sipas vendit të punës, pa përfshirë pagesën për vjetërsinë në punë etj. Pagë neto paga që merr dikush, pasi janë mbajtur sigurimet, tatimet etj. Paga nominale sasia e të hollave që i jepen dikujt për punën, pavarësisht nga aftësia blerëse e vërtetë e tyre. Paga reale paga e dikujt, që shpreh aftësinë e vërtetë blerëse. Pagë me copë paga sipas sasisë së prodhimit punëtori. Pagë me kohë paga sipas kohës punën. Pagë referuese për pension pagë e përcaktuar me vendim qeverie për periudha të caktuara kohe.
✱Sin.: rrogë, pagesë.
SHËNDÓSHË (i, e) mb. 1. Që ndihet a ka shëndet të plotë, që nuk vuan nga ndonjë sëmundje apo ndonjë lëndim, që është i fortë nga trupi (për qeniet e gjalla dhe për organet e tyre); kund. i sëmurë. Fëmijë i shëndoshë. Fizik i shëndoshë. Mëlçi e shëndoshë. Dhëmbë të shëndoshë. Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë. (fj. u.).
2. Që është i mbushur në trup, i bëshëm; që ka shtuar peshë, i dhjamosur. Djalë i shëndoshë. Vajzë e shëndoshë. Me krahë të shëndoshë.
3. Që është i paprekur nga ndonjë sëmundje, i padëmtuar, i rritur e i zhvilluar mirë (për bimët); që jep prodhim. Ullinj të shëndoshë. Perime të shëndosha. Filiza të shëndoshë. Fruta të shëndosha. Farë e shëndoshë. Tokë e shëndoshë.
4. Që është i fortë, që mban, që nuk thyhet a nuk prishet lehtë, i fortë, i qëndrueshëm; kund. i dobët. Trup (peme) i shëndoshë. Rrënjë lisi të shëndosha. Tra i shëndoshë. Themele të shëndosha. Orendi të shëndosha.
5. fig. Që mbështetet në të dhëna e në parime të drejta, që i qëndron kohës, i fortë, i drejtë. Besim i shëndoshë. Pozitë e shëndoshë. Ekonomi e shëndoshë. Rini e shëndoshë. Miqësi (dashuri) e shëndoshë. Lidhje të shëndosha. Familje e shëndoshë.
6. fig. Që ka themel të thellë e të sigurt, me baza; i fituar pas një pune a studimi të gjatë dhe i provuar në jetë; që nuk lëkundet lehtë, i palëkundur. Arsimim i shëndoshë. Edukim i shëndoshë. Formim i shëndoshë. Drejtim i shëndoshë. Zgjidhje (mendime) të shëndosha. Parime të shëndosha. Traditë e shëndoshë.
7. fig. Që është i drejtë, i arsyeshëm, i mbështetur në fakte e në prova, i bazuar; i fortë, i thellë; që është i aftë të gjykojë mirë e drejt. Logjikë e shëndoshë. Proces i shëndoshë. Mendje e shëndoshë. Argument (gjykim, mendim) i shëndoshë. Kritikë e shëndoshë. Vendim i shëndoshë. Vlerësim i shëndoshë.
8. fig. Që ngrihet mbi parime të drejta, që u qëndron besnik këtyre parimeve; që shtron dhe zgjidh drejt probleme të rëndësishme të kohës. Administratë e shëndoshë. Grup i shëndoshë. Përbërje e shëndoshë. Qeverisje e shëndoshë. Frymë e shëndoshë. Brumë i shëndoshë. Pjesa më e shëndoshë e shoqërisë.
9. Që është shumë i fortë, që bëhet me gjithë fuqinë, i fuqishëm. Gjuajtje (goditje) e shëndoshë. Shkelmim i shëndoshë. I dha një dackë të shëndoshë. Hëngri një dru të shëndoshë e rrahën shumë.
10. fig., bised. Që e ruan të plotë e të pandryshuar vlerën e saj në një kohë të caktuar, që ka qëndrueshmëri, që ka fuqi blerëse të madhe (për monedhën), e fortë, e qëndrueshme. Euroja është e shëndoshë. Sistem monetar i shëndoshë. Dollari ka qenë i shëndoshë gjatë kësaj periudhe.
11. Që është pa hile; kund. mashtrues. Mos dysho tek ai se është i shëndoshë dhe nuk ka hile. Djalë i shëndoshë e i pastër.
✱Sin.: i shëndetshëm, faqembushur, faqerrumbullak, qyp, qafëderr, qafëtrashë, qafëshkurtër, i ngjallur, i dhjamur, i dhjamosur, i mbushur, i bëshëm, dërdëng, i ngjeshur, i plotë, topolak, trupmbushur, shishman, i kërthndezur, sakllam, i majmë, i majmur, i plotë, i rrumbullakët, i fryrë, bullafiq, topç.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë