Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BISHTNÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Bishtnim, shmangie nga dikush a nga diçka. Bishtni nga puna (nga detyra).
2. Dredhi, dinakëri, hile. E shkon jetën me bishtni. E fituan ndeshjen me bishtni. Burri që bën bishtni në muhabet, s’është burrë! (fj. u.).
3. Të ikurit tinëz, largim fshehurazi i të tjerëve. Bëj bishtni iki, dredhoj, largohem tinëz.
4. Shfajësim me arsye të paqena; shkarki, justifikim.
✱Sin.: bishtnim, dredhi, dhelpëri, djallëzi, dinakëri, hile, skili, rreng, zhibël, mëkrejsë, sherri, mardha, marifet.
SHMÁNGI/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur ndërroj drejtim. Shmangia e humbjeve (e gabimeve).
2. Largim nga një drejtim i caktuar; mospërputhje me diçka që merret si model a si bazë për krahasim; përmasat e këtij largimi a të kësaj mospërputhjeje. Shmangie e vogël (e parëndësishme). Shmangie nga drejtimi.
3. fiz. Largimi i gjilpërës magnetike të busullës nga meridiani magnetik për shkak të tërheqjes që ushtron një vendburim hekuri; këndi që formohet midis drejtimit të gjilpërës magnetike dhe meridianit (gjeografik) për shkak të mospërputhjes së poleve gjeografike me polet magnetike. Shmangie magnetike.
4. fig. Largim a shkarje nga vija themelore e një programi politik, e një teorie, e një doktrine. Shmangie nga e majta (nga e djathta).
5. fig. Largim nga diçka; moszbatim, shkelje. Shmangie nga norma e gjuhës letrare. Shmangie nga rregullat (nga parimet). Shmangie nga detyra (nga puna, nga shërbimi ushtarak).
✱Sin.: mënjanim, anashkalim, bishtnim, dredhim, dredhë, bishtni, ndërrim, parandalim, mërgim, shpëtim, shkarje, largim, përjashtim, mospërputhje, moszbatim, shkelje; shtrembërim, përthyerje, pjerrësi, lirim, ndreqje, përmirësim.
TERTÍP,~I m. sh. ~E, ~ET vjet. 1. Rregull që mbajmë në shtëpi, në punë, kur kryejmë një detyrë etj. Grua me tertip. Shtëpi me tertip. Sillej me tertip.
2. Paramendim, plan, marifet. Punonte me tertip. Bëri tertip. Ia punoi me tertip. Ia mori vesh tertipet. S’ka tertip (dikush) është pa plan; nuk ja merr mendja si do ta bëjë një punë.
3. Bishtnim, dredhi. Lëri tertipet, po na trego si qëndron e vërteta.
✱Sin.: rregull, paramendim, plan, marifet, bishtnim, dredhi, hile.
TËRCIVË́RCE,~T f., vet. sh., bised. 1. Dëngla, pallavra, mburrje, tangërllëk, fjalë të kota. Lëri tërcivërcet, po shtroju punës. Janë mësuar me tëcivërcet e tij.
2. Bishtnim, shmangie, justifikim. S’ka tërcivërce me të. Puna është punë, s´ka tërcivërce.
TËRTHORÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Rënie tërthor. Tërthorimi i qytetit.
2. Përhapje (e degëve të një peme). Tërthorimi i hardhisë.
3. Shtriqje, shtrirje (gjymtyrësh). Tërthorimi i krahëve (i këmbëve).
4. Dredhim, bishtnim, shkelje (premtimi). Tërthorimi i fjalës nuk nderon askënd. Fol pa tërthorime!
✱Sin.: përhapje, shtrirje, shtriqje, dredhim, bishtnim, shkelje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë