Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BISHTGËRSHËRË mb. Që e ka bishtin të ndarë më dysh si gërshërë; bishtçatall. Dallëndyshe bishtgërshërë, / Na këtë gajtan të gjerë, / Edhe hidhe ti në det, / Na sill bukë edhe shëndet. (folk.).
BISHTÇATÁLL,~E mb. 1. Bishtgërshërë. Dallëndyshe bishtçatalle.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit.
DALLËNDÝSH/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. zool. (lat. Hirundino rustica) Zog shtegtar i vogël sa trumcaku, me krahë të mprehtë, me bisht të bigëzuar si gërshërë e me sqep të hollë, që fluturon shpejt e me zhdërvjelltësi të madhe dhe e bën folenë zakonisht nën strehët e ndërtesave. Foleja e dallëndyshes. Erdhën dallëndyshet. Dallëndyshet janë lajmëtaret e pranverës. Me një dallëndyshe (me një lule) s’vjen pranvera (behari). (fj.u.). Bar dallëndysheje (bot.). E vogël dallëndyshja, po punën e bën të madhe. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të këtij shpendi. Dallëndyshe bishtbardhë (lat. Delichon urbica) dallëndyshe me pupla ngjyrë blu në të zezë dhe me ngjyrë të bardhë. Dallëndyshe bishtgërshërë (lat. Hirundo rustica) zog shtegtar, që ndërton folenë me baltë e me bar pranë mjediseve ku jeton njeriu, në hambarë etj. dhe ushqehet me insekte që kap gjatë fluturimit; dallëndyshja e hambarit. Dallëndyshe e brigjeve (lat. Riparia riparia) dallëndyshe me pupla ngjyrë kafe në kurriz, me bark të bardhë dhe me një brez të errët te gjoksi, që ndërton folenë në tunele pranë brigjeve natyrore të rërës. Dallëndyshe nate (lat. Caprimulgus europaeus) lloj dallëndysheje që e fillon lëvizjen në errësirë të plotë e fluturon me shkathtësi për të gjuajtur insekte me të cilat ushqehet.
3. Pjesë e avlëmendit, e ndarë si bigë, që shërben për të mbajtur varur lisat e pëlhurës.
4. Kunj i vogël druri që lidh dorezën e parmendës me shtizën.
5. Pjesa e butë e thundrës së kalit.
♦ Dallëndyshja e parë shenja e parë e diçkaje që do të vijë me shumicë; ai që çan i pari drejt diçkaje të re a pak të njohur. *Qumësht dallëndysheje. *Zog dallëndysheje.
HÚT/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Aegypus monachus) Shpend grabitqar, me ngjyrë të murrme, me kokë të mbuluar me pupla dhe me gushë të rrjepur, me kthetra të mëdha, të forta e pak të kthyera; ushqehet me kërma, shkaba e zezë.
2. zool. Femra e hutit. Zogu i hutës. Ra huta në pula.
3. fig., keq. Grua a vajzë hutaqe dhe e trashë nga mendja; femër matufe, mendjelehtë. Kishte marrë një hutë.
4. Dele a dhi me veshë shumë të vegjël. I humbi huta.
5. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme hutash. Hutë deti (lat. Larus canus) shpend deti me krahë të gjatë e këmbë me cipë notuese, që ushqehet me peshq, njihet me emrin mjellbardhë. Huta bishtgërshërë (lat. Milvus milvus) shpend grabitqar elegant, që fluturon me krahë të gjatë dhe bisht të dyzuar, që përdridhet ndërsa ndryshon drejtim, me pendë të kuqërremtë të trupit, të bishtit të sipërm dhe mbulesës së krahëve, me pendë të bardha të krahëve dytësore, që dallohet gjatë fluturimit nga majat e zeza të krahëve. Huta bishtgërshërë kokëhirtë (lat. Leytodon cayanensis) zog grabitqar, me kokë ngjyrë gri, me ngjyrë të zezë pjesa e sipërme e trupit, ndërsa pjesa e poshtme e bardhë, me bisht të zi me dy ose tri vija të bardha, me sqep blu dhe këmbë ngjyrë gri, që fluturon me lëvizje të shpejta, gjendet në pyje të hapura dhe kënetore, njihet edhe me emrin qifti kokëgri. Huta bishtgërshërë e Misisipit (lat. Ictinia mississippiensis) shpend grabitqar me madhësi mesatare, shumë i hijshëm nga ngjyra gri perlë e errët në puplat e kokës dhe më e çelët në pjesën e barkut, me bisht të gjatë dhe të degëzuar, me sy të kuq të ndritshëm, jeton e gjuan në bashkësi dhe ngre folenë në pemë. Huta e bjeshkës (lat. Buteo hemilasius) shpendi më i madh i kësaj familje (Buteo) bazuar në tërësinë e gjatësisë edhe të hapjes së krahëve gjatë fluturimit, me trup bojë kafe shumë të errët deri në nuancë të zezë ose të çelët, me një vijë kafe në kokë, me sy të zi me një unazë të verdhë, me gjoks dhe fyt të bardhë me vija ose shenja bojë kafe të errët. Huta e detit pulëbardha. Huta dydhëmbëshe (lat. Harpagus bidentatus) shpend grabitqar që emërohet sipas një karakteristike trupore, prerjet si dhëmbë në buzë, me trup ngjyrë gri në pjesën e sipërme, me bisht të zi me tri vija gri dhe me majë ngjyrë gri, me sy të kuq, me fytyrë të verdhë në jeshile, me këmbë e shputa të verdha. Huta grerëzangrënëse huta e mjaltit. Huta gushëbardhë (lat. Buteo albigula) shpend grabitqar me fyt të bardhë, që konsiderohet një nënlloj i skifterit me bisht të shkurtër, me ngjyrë kafe të errët në pjesën e sipërme dhe gri në pjesën e poshtme, me disa vija të ngushta të errëta, në pjesën e sipërme të kokës ka pendë ngjyrë kafe në të zezë, me sy bojë kafe, me këmbë dhe shputa ngjyrë të verdhë, jeton në pyje malore të lagështa. Huta e gjarpërinjve (lat. Rostrhamus sociabilis) shpend grabitqar që përfshin në llojin e vet shqiponjat dhe skifterët më të vjetër të Botës, të cilët kanë krahë të gjatë, të gjerë dhe të rrumbullakosur, me bisht të gjatë, të bardhë, me sqep të errët të lakuar thellë, me trup blu në gri të errët dhe puplat e pjesës së krahëve gjatë fluturimit më të errëta, me këmbë të kuqe (mashkulli i këtij lloji), fluturon ngadalë me kokën poshtë në kërkim të ushqimit, kërminjve të mëdhenj. Huta gjokszezë (lat. Hamirostra melenosternon) shpend grabitqar i madh, i njohur për aftësinë e veçantë të tij të thyerjes së vezëve, me madhësi trupore midis shqiponjës së madhe me bisht pykë dhe shqiponjës së vogël, mbresëlënës në pamje për shkak të shenjave dalluese të pendëve, ngjyrë kryesisht e zezë e trupit dhe e krahëve, që shquhet nga vijëzimet e trasha të bardha pranë fundit të krahëve. Huta japoneze (lat. Buteo buteo japonicus) shpend grabitqar që varion nga shtati mesatar deri tek shtati më i madh, me trup të fuqishëm, me krahë të gjerë dhe bisht të shkurtër, pendët e së cilës paraqesin përzierje tonesh kafe me nuancë të çelët dhe të errët. Huta me kalca (lat. Buteo lagopus) shpend grabitqar me krahë të gjatë dhe të ngushtë, me pendë të dendur ngjyrë të çelët, me bark të errët dhe njolla të errëta në kyçe, që gjendet në zona të hapura si fusha dhe këneta, qëndron pezull e ulur në skajet dhe majat e degëve të pemëve; orrli. Huta e karkalecit (lat. Butastur rufipennis) shpend grabitqar me ngjyrë gri në kafe, me një kokë më të errët, me bisht gri me vija të zbehta bojë kafe, mjekër e fyt të bardhë; gjoks, bark, kofshë ngjyrë të kuqerremtë, me sqep bazë të verdhë e me majë të zezë. Huta krahëkuqërreme (lat. Butastus liventer) shpend grabitqar aziatik, gjendet në pyjet gjetherënëse, me kokë dhe pjesë të poshtme ngjyrë gri, me disa vija në majë, qafë dhe gjoks, pjesa tjetër e sipërme gri e kuqerremtë, me bisht të ndritshëm, ushqehet me hardhuca, gjitarë të vegjël dhe insekte të mëdha. Huta e Madagaskarit (lat. Buteo brachypteris) shpend grabitqar bojë kafe tipike e botës së vjetër që tregon mjaft ndryshueshmëri në pendë, ka kokë gri të errët, njollë të bardhë në gjoks, me bisht me vija të gjera kafe në të zezë, me sqep të zi, me sy të verdhë, me këmbë dhe shputa ngjyrë të verdhë të zbehtë. Huta e malit (lat. Buteo oreophilus) shpend grabitqar i vogël, me ngjyrë kafe në pjesën e sipërme të trupit dhe më të zbehtë në pjesën e poshtme, me njolla të dendura kafe në gjoks, bark, bisht dhe në mbulesën e poshtme të krahëve, në pjesën e poshtme ngjyrë gri të çelët me vijëzime të zbehta të ngushta. Huta e mjaltit (lat. Pernis apivorus) shpend grabitqar me pendë në formë luspash rreth syve dhe ballit, me qafë të gjatë dhe kokë të vogël, që fluturon me krahë të sheshtë, me bisht të gjatë me pak vija të ngushta të errëta në të, njihet edhe me emrin huta grerëzangrënëse, kabaceku greth. Huta e mjaltit bishtgjatë (lat. Henicopernis longicauda) shpend grabitqar që dallohet për bishtin e tij shumë të gjatë, që jeton në pyjet e ulëta e të larta me lagështi. Huta sybardhë (lat. Butastur teesa) skifter me madhësi mesatare, me bisht të kuqërremtë, me sy të bardhë dallues dhe fytyrë të bardhë me një vijë të errët, me kokë kafe. Huta pa veshë krahëthata Huta vërshëllyese (lat. Haliastur sphenurus) shpend grabitqar me madhësi mesatare, që ka marrë emrin për arsye të fishkëllimës së lartë të tij, me kokë të vogël e bisht të gjatë, me majat e krahëve që shkojnë poshtë majës së bishtit kur zogu qëndron ulur, megjithëse me këmbë të shkurtra zogu ecën lehtësisht në tokë. Huta e natës (lat. Tyto alba alba) bufi i hambarit, me pendë të kokës dhe shpinës nuancë gri ose kafe me njolla, në pjesën e poshtme variojnë nga e bardha në kafe, me fytyrë në formë zemre, me pendë të bardha, që ushqehen me gjitarë të vegjël. Huta qafëkuqe (lat. Buteo auguralis) shpend grabitqar me madhësi mesatare, me qafë dalluese të kuqerremtë, ngjyrë kjo që shtrihet edhe lart mbi kokë dhe poshtë në pjesën e sipërme të shpinës, me pendë të sipërm të bishtit ngjyrë të kuqerremtë. Huta sqephollë (lat. Rostrhamus hanmtus) shpend grabitqar që përfshin shqiponjat, skifterët, me sqep të hollë, të errët e të lakuar thellë, krahë të gjatë, të gjerë e të rrumbullakosur, me bisht të gjatë, fluturon ngadalë me kokën poshtë në kërkim të ushqimit.
QIFT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. zool. Shpend i madh grabitqar, me krahë të mëdhenj të zinj, me sqep të kthyer e me bisht të bigëzuar, që ushqehet me kafshë të vogla e me zogj. I shpejtë si qift. E rrëmbeu si qifti pulën e rrëmbeu me shpejtësi të madhe.
2. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që tregojnë lloje të ndryshme shpendësh. Qift krahëzi. Qift sqepkthyer. Qift bishtdallëndyshe. Qift bishtgërshërë hutë bishtgërshërë. Qift bletëngrënës hutë bletëngrënësi. Qift i zi qift kuban. Qift i kuqërremtë (lat. Milvus milvus) huta e kuqërremtë bishtgërshërë; kaçubeti i kuqërremtë. Qift zeshkan (lat. Milvus migrans) huta e zezë bishtgërshërë; kaçubeti zeshkan.
3. Skifter; korb. I shpejtë si qift.
♦ I vjen qift (diçkaje) i vjen rrotull për ta marrë.
SQEPGJILPË́RË mb. Që e ka sqepin me majë të mprehtë si gjilpërë. Ngjyra e veçantë e zogut sqepgjilpërë e dallonte nga gjithë të tjerët në park. Dallëndyshe bishtgërshërë e sqepgjilpërë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë