Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKÁCI/E,~A f. sh. ~E, ~ET bot. 1. (lat. Robinia pseudocacia) Dru bishtajor i vendeve të ngrohta, me lëvore të plasaritur, me gjemba, me gjethe vezake të renditura në të dy anët e një bishti të gjatë dhe që bën lule zakonisht të bardha, të grumbulluara në vile e me erë të mirë; driza e butë, akacia e rreme, druri i shitimit, ferra e detit, ferrana e jashtme. Akacie e bardhë (e verdhë). Pyll akaciesh. Lule akacieje.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloj akaciesh: Akacia e Arabisë (lat. Acacia arabica) akacie me gjelbërim të përhershëm e tokave të thata, me trung në ngjyrë të kuqe kah ngjyra e kafenjtë në të errët që lëshon rrëshirë, me kurorë të rrumbullakosur, me gjethe të vogla të gjelbra, me gjemba në bazë, me lule aromatike të verdha në të artë, që nxjerr si fryt një bishtajë të bardhë, të përdredhur e të varur, druri i së cilës është përdorur për vepra arti, për mobilie; gomë arabike, gomë indiane, akacia egjiptiane, pikantja e zezë, akacia me gjemba. Akacia e argjendtë (lat. Acacia podalyriifolia) akacie me prejardhje nga Australia, që rritet shpejt dhe kultivohet si bimë zbukuruese etj., me lëvore të lëmuar të hirtë e me degëza të mprehta leshtore të mbuluara me një shtresë pluhuri të bardhë të imët, që lulëzon gjatë gjithë vitit me tufa lule të arta të ndritshme; akacia margaritar, gardh argjendi. Akacia e artë (lat. Acacia pycnantha) akacie me gjelbërim të përhershëm, me lule të verdha të ndritshme, me bazë të gjerë rrënjore që nuk lejon erozionin, ndaj mbillet edhe në brigjet ranore, me lëvoren të pasur me tanin që përdoret në mjekësi dhe në industrinë farmaceutike. Akacia e bardhë (lat. Acacia decurrens, Mimosa decurrens) akacie me lëvore në ngjyrë të kafenjtë, të zezë ose të hirtë, me skaje ndërnyjore, me degë kreshtore të larta, me gjethe jeshile në të errët, me tufa lulesh rruzullore të arta e me fryt bishtajor me farëra ngjyrë kafeje. Akacia bregdetare (lat. Acacia sophorae) akacie e njohur si thurimë bregdetare zbukuruese, me trungun dhe me degët e poshtme nëpër tokë, me lule në ngjyrë të verdhë të ndezur që shfaqen si thumba të zgjatur në sqetullat e tyre, që lulëzon në fund të dimrit dhe në fillim të pranverës. Akacia degëgjatë (lat. Acacia coriacea) akacie me gjelbërim të përhershëm, me trung të trashë, që nxjerr gjethe të gjata e të ngushta, me lule të verdha të mbledhura në tufa rruzullore, me bishtajat të përdredhura të mbushura me fara të ngrënshme. Akacia dealbata (lat. Acacia dealbata) akacie, e njohur edhe si mimoza, që rritet shpejt në zonat e ngrohta mesdhetare dhe malore-tropikale në lartësi deri 30 m, me gjethe të gjata, të ndritshme dypalëshe, të gjelbra në të kaltër dhe të hirta kah e argjendta, me lule në vile të mëdha në ngjyrë të verdhë në të ndezur dhe me erë dehëse manushaqeje. Akacia e grathët (lat. Robini hispida, R. Fertilis) akacie gjetherënëse, me degë të dendura, që rritet në zona të thata, e përshtatshme për shartim, që lulëzon në pranverë dhe çel lule në tufa ngjyrë rozë të errët, me gjethe vezake në ngjyrë të gjelbër të lehtë, që përdoret dhe për gardhime parqesh. Akacia gjethebrisk (lat. Acacia cultriformis) akacie zbukuruese me gjelbërim të përhershëm, me gjethe trekëndore të mëdha dhe të mprehta me ngjyrë të gjelbër të hapët kah e hirta, me lule të vogla pa erë në tufë, që mund të kultivohet edhe në vazo parku. Akacia gjethedhertë (lat. Acacia homalophylla) akacie me gjelbërim të përhershëm, me trung të trashë të degëzuar me gjethe të ngushta, zakonisht të sheshta, me lëvore të ashpër të hirtë në të errët, me lule të verdha rruzullore që rritet në lartësi me kurorë të ngritur ose të zgjeruar, me degëza të reja të zhveshura ose me qime të lakuara, druri i së cilës është i fortë, aromatik që përdoret për të bërë shtiza. Akacia gjethegjatë (lat. Acacia longifolia, Mimosa longifolia) akacie mesdhetare që rritet anës lumenjve me lartësi mesatare, me trung të shkurtër dhe me kurorë pak të çrregullt, me lëvore ngjyrë hiri me pjesë të kuqërremta, me gjethe të ndërkëmbyeshme, të ngushta e të gjata, me lule erëmirë, rrënjët e së cilës pasurojnë tokën me azot. Akacia gjetheharpë (lat. Acacia harpophylla) akacie e lartë zbukuruese, me rrënjë të thella, me lëvore të fortë me hulli në ngjyrë të zezë, me degët këndore, me gjethe të rrejshme me damarë të shumtë dhe me lule tufore të gjata e të shtypura, me bishtaja të mbushura me fara gjatoshe, që kultivohet në toka bujqësore dhe në parqe tërheqëse. Akacia e Kaspikut (lat. Gleditsia caspica) akacie gjetherënëse me kurorë si formë kube, me trung me gjemba të rrezikshëm, me lastarë të rinj të lëmuar, me gjethe të mëdha vezake, buzore, me ngjyrë të gjelbër të lehtë, me lule të verdha e të gjelbra pothuajse pa kërcell, që lidh bishtaja të gjata si shpatë. Akacia leshtore (lat. Caragana jubata, Robinia jubata) akacie gjetherënëse, me degë të forta të mbuluara plotësisht me gjemba leshtorë, me gjethe të gjata shumëpalëshe, me kërcell të hollë me push e me majë si gjemb, me lulet të bardha, që lulëzojnë në prill e maj. Akacia e Meksikës së re (lat. Acacia neomexicana) akacie gjetherënëse, që rritet në toka të lagështa gëlqerore etj., me kurorë të hapur dhe të dendur, me bisqe njëvjeçare këndore, me gjethet të gjata me ngjyrë të gjelbër të ndezur, me lule të bardha erëmira dhe të pasura me nektar, bishtajat të gjata me ngjyrë kafeje, që lidh fara me vaj. Akacia qerthullore (lat. Acacia verticillata) akacie me gjemba gjetherënëse ose me gjelbërim të përhershëm e zonave të ngrohta bregdetare, me degë të larta me gjemba, me gjethe me ngjyrë të kaltër të gjelbër kah e hirta e argjendtë, që nxjerrin lëng të ëmbël që tërheq milingonat, bletët etj. Akacia e Siberisë akacia e verdhë. Akacia shelgore (lat. Acacia saligna) akacie me gjelbërim të përhershëm që rritet shpejt e kudo, me rrënjë të gjata dhe trung të trashë, me kurorë të gjerë, me, gjethe të gjelbra kaltëroshe si shtiza, që lidh fruta me një duzinë fara; mimoza blu, akacia blu. Akacia shkurre (lat. Acacia aneura) akacie si shkurre e vogël dhe e ulët, me rrënjë që depërtojnë thellë në tokë për të gjetur lagështi, me trung me gjethe të rrejshme me përmbajtje të lartë vaji. Akacia tregjembëshe (lat. Gleditsia triacanthus) akacie e lartë, me degë si një tendë e madhe, me trung të mbuluar me gjemba trepjesësh, me lëvoren me ngjyrë të hirtë kah e kafenjta, me gjethet të përbëra nga 15-30 fletëza të vogla vezake, me lule të vogla në tuba, të verdha të gjelbra erëmira e plot nektar, që lidh bishtaja të varura me fara të sheshta me ngjyrë të kuqe në të kafenjtë; glediçje. Akacia ujëse (lat. Gleditsia monosperma, G. aquatica) akacie shumë e lartë, me një kurorë të hapur e të gjerë, me degëza të holla me gjemba të dukshëm, me gjethe vezake, me lule të bardha në të gjelbër, me sytha të prerë anësorë dhe me lëvore të lëmuar e me njolla e thjerrëza të ndara; karkalec uji, karkalec kënetor. Akacia e varur (lat. Acacia pendula) akacie me lëvore të hirtë e gri, të plasaritur fort në trung, me degë me degëza të varura e të mbuluara me qime të shkurtra e të imta, me gjethe të rrejshme të ngushta vezake, të hirta të blerta. Akacia e verdhë (lat. Caragana arborescens, C. Fruticosa) akacie e lartë gjetherënëse, me pak fletë zakonisht të përbëra nga 4-6 palë kotiledone, me kërcell që përfundon në një shtyllë kurrizore, me bisqe të gjata e me degëzim të rrallë, me lulet të verdha, që shoqërohen nga gjethe të gjelbra të buta të ngjitura në një kërcell të hollë të varur; akacia siberiane. Akacia veshtullore (lat. Robinia viscosa, R. Glutinosa) akacie gjetherënëse, që rritet në lartësi duke formuar një kurorë të gjerë, të rrumbullakosur ose vezake, me degë pa gjemba në ngjyrë kafe në të kuqe e të mbuluara me qime ngjitëse, me gjethe vezake me maja të mprehta, të lëmuara, me ngjyrë të gjelbër të errët, me lule rozë të çelur në tufa dhe pa erë. Akacia e zezë (lat. Acacia melanoxylon) akacie e fortë me shtat të drejtë e të lartë dhe me gjelbërim të përhershëm, me kurorë vezake e piramidale, me lëkurë të hirtë të errët e me plasaritje vertikale, me gjethe me ngjyrë të gjelbër me shkëlqim, me lule të vogla të bardha rruzullore që lidhin fara të holla që varen në tufa.
✱Sin.: bagrem, çali, çeli, ferrëdeti, ferreckë, robinjë, rogovecë, rogoveckë, sallgam, sollkëm.
ANTÍL,~I m., bot. (lat. Anthyllis) 1. Lule e egër.
2. Bimë rrëshqanore e mbuluar me qime të imëta, të buta e me shkëlqim, që lidh bishtaja me deri në 8 fara të bardha, me lule të verdha e të portokallta në të kuqe me veti të shumta shëruese, të rrethuara me kurorë gjethesh; antilidë. Antili shërues (lat Anthyllis vulneraria) tërfil me kërcell të thjeshtë, shpesh të degëzuar, me gjethe të pabarabarta, të zhveshura ose me qime të shpërndara në pjesën e sipërme dhe të mëndafshta në pjesën e poshtme, me lule me kokë sferike, me petale të verdha e të kuqe, me fryt bishtajor, që lulëzon prej qershorit në shtator.
KIKIRÍK,~UI m. sh. ~Ë, ~ËT 1. bot. (lat. Arachis hypogaea) Bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të shkurtër, në rrënjën e së cilës bëhet një fryt bishtajor me fara.
2. Secila nga farat a kokrrat e kësaj bime, të cilat hahen të pjekura ose përpunohen për të prodhuar vaj gjellësh; qiqërviqër. Vaj kikiriku. Kaush me kikirikë të pjekur. Ha kikirikë.
SALLGÁM,~I m. sh. ~E, ~ET bot.(lat. Acacia) Dru bishtajor i vendeve të ngrohta, me lëvore të plasaritur, me gjemba, me gjethe vezake të renditura në të dy anët e një bishti të gjatë dhe që bën lule zakonisht të bardha, të grumbulluara në vile e me erë të mirë. Sallgam i bardhë. Lule sallgami. Pyll sallgamesh. Mbi mur vareshin lulet e sallgamit.
✱Sin.: akacie, ferrëdet, ferreckë, rogoveckë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë