Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BARÚT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. kryes. nj. Lëndë plasëse zakonisht si pluhur i zi a i murrmë, që përdoret për të mbushur gëzhojat e predhave të armëve të zjarrit. Barut i zi. Barut i thatë. Barut pa tym. Tym (erë) baruti. Fuçi me barut. Fabrikë baruti. Mbush me barut. Ndez barutin. Ndizet (shpërthen) si baruti. Bien gjylet treqind okë, / Mbushur barut edhe gozhdë. (folk.). Gaca e baruti nuk rrinë bashkë. (fj. u.). Në zjarr hidh ujë, mos hidh barut. (fj. u.). Frikacaku e ndien që larg erën e barutit. (fj. u.). S’flenë dot bashkë zjarri e baruti. (fj. u.). Fisheku s’vjen dot pa barut. (fj. u.).
2. bot. Farat e karabushit të qepës.
♦ Barut për çifte fjalë a thashetheme të qëmtuara e të mbledhura për të goditur dikë. U bë barut 1. (diçka) U tha shumë, aq sa mund të thërrmohet. 2. (dikush) U nxeh e u mbush me duf, gati për të shpërthyer e për t’u zënë me dikë; u bë prush në fytyrë. M’u bë koka barut shih më hipi gjaku në kokë (në tru). Barut i thatë dikush që zemërohet menjëherë; ai që nxehet shpejt, që merr zjarr në çast. E bëri barut (diçka) shih e bëri tym (diçka). Bie (mban) erë barut. 1. Ka mundësi të pëlcasë lufta, ndihet era e luftës; është bërë luftë ose është ndezur lufta, bëhen përleshje. 2. Një rrezik i madh a një përleshje po afrohet. *Fishek pa barut. *Fuçi baruti libr. *Gacë me barut (dikush). E ha barutin me *grusht (dikush). I dha *zjarr barutit (dikush). E ka barutin *të lagur (dikush). E ka shpirtin (zemrën) barut (dikush) është i zoti, trim e me besim të madh; është i zjarrtë; e ka zemrën flakë; e ka zemrën zjarr. Iu lag baruti (dikujt) tall. e humbi menjëherë guximin para një kundërshtari a para një eprori; i iku trimëria e guximi; e ka barutin të lagur. Nuk e lë barutin të laget jam gjithnjë gati për t’u mbrojtur nga sulmet e dikujt, nuk më kap askush në befasi, jam i gatshëm në çdo çast; e mbaj (e kam) barutin të thatë. Lëshon barut nga goja (dikush) është shumë i zoti në të folur; e ka gojën shpatë. I ka marrë erë barutit (dikush) ka rënë në përleshje, ka marrë pjesë në luftë; është regjur ndër beteja dhe është bërë trim. E mbaj (e kam) barutin *të thatë.
BEFASÍ,~A f. 1. Gjendje në të cilën jemi të papërgatitur për një të papritur; të qenët i papritur për dikë (për një ngjarje, për një veprim etj.); beh. Goditje në befasi. Zë (kap, gjen) në befasi. Sulmoi (goditi) në befasi. Shfrytëzon befasinë.
2. Goditje ose veprim i papritur dhe i menjëhershëm kundër dikujt. Me anë të befasisë. Përdori befasinë. I shmangem befasisë.
BEFASÍSHT ndajf. 1. Në befasi; në mënyrë të menjëhershme e të papritur (për sulmin, për goditjet ose për veprime të tjera të tilla). Sulmoi befasisht. E kapi (e zuri) befasisht.
2. Befas. Vjen (largohet) befasisht. Vdiq befasisht. I erdhi befasisht në mend. U gjendën befasisht në ballë.
✱Sin.: befas, papritur, papritmas, papandehur, pakujtuar, apansëz, brof, bum.
BEFASÍSH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që ndodh në mënyrë të papritur e të menjëhershme, që bëhet a që vjen në befasi, i papritur, i papandehur, i beftë. Sulm i befasishëm. Goditje (gjuajtje) e befasishme. Kontroll i befasishëm. Kthesë e befasishme. Kërcim i befasishëm. Lëvizje e befasishme. Ndryshim (shpërthim) i befasishëm. Vdekje e befasishme. Në mënyrë të befasishme. Një lajm i hidhur dhe i befasishëm.
✱Sin.: i papritur, i papandehur, i beftë, i menjëhershëm.
►BEFAS/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Habitem shumë nga diçka e papritur, çuditem, s’më besohet, mbetem me gojë hapur. U befasova kur ma tha. U befasova me të drejtë. Po befasohem nga pamja që po shoh.
2. vetv. Gjendem në befasi, nuk jam i përgatitur për diçka të papritur. U befasuam nga kjo ngjarje. Nuk duhet të befasohemi.
3. pës. e BEFASÓJ.
✱Sin.: habitem, çuditem, mahnitem, mërehem, çmeritem, hutohem, shastisem, nemitem, topitem.
BEFASÚAR (i, e) mb. 1. I habitur shumë nga diçka e papritur. Më shihte i befasuar. Jam ende i befasuar.
2. I kapur në befasi; që është gjendur i papërgatitur për diçka. U gjend i befasuar. Ngrinë si të befasuara nga thirrjet e nënës. Mbeti i befasuar nga kjo skenë.
✱Sin.: i habitur, i çuditur, i mahnitur, i çmeritur, i hutuar, i shastisur, i nemitur, i topitur.
BEH,~U m. 1. Vëmendje e kujdes i madh para diçkaje që vjen papritur, gatishmëri për t'u ruajtur nga befasia; beft. Është pa beh. Eci (rri) në beh. Kam beh. E vë në beh.
2. Gjendje kur diçka e papritur dhe e fshehtë na zë të papërgatitur; befasi. E zuri në beh. I ra (e vrau) në beh. I doli në beh. Gjendej në beh.
♦ Bën beh (dikush a diçka) ndodh papandehur, vjen befas. E bëj beh (për diçka). 1. shih i vë mendjen (diçkaje). 2. Pandeh, kujtoj; më shkon (më vete) mendja. Ia bëj behun (diçkaje) i ruhem diçkaje të papritur ose të fshehtë, rri gati; kam mendjen. S’ia bëj beh (dikujt) shih s’i trembet (s’i fiket) syri (dikujt).
BEH vep., ~A, ~UR jokal. 1. kryes. v. III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Vjen papritmas, arrin shpejt e papandehur, çatis. Ia behu në shtëpi (në derë). Ia behu i pari. Ia behu shiu (dimri). Ia behu dita jonë. Ia behu në turr të vrapit.
2. vet. v. III Ndodh papritmas, ngjet diçka papandehur; më zë në befasi. Më behu një punë. I behu një vdekje. I behu e liga.
✱Sin.: përspjet, çatis, bof, batis, teptis.
BILÚR,~I m. 1. Porcelan; farfuri. Enë (pjatë) biluri. I bardhë si biluri.
2. Xham i pastër; kristal i bardhë. Gotë biluri. Një frutore biluri.
✱Sin.: porcelan, farfuri, kristal.
♦ Ma bëre syrin bilur më nderove; ma hape syrin; ma zbardhe faqen; m’u bë zemra mal. I ka sytë bilur (dikush) i ka sytë shumë të pastër e të kthjellët, është gjithnjë i vëmendshëm dhe nuk kapet në befasi; i ka sytë xham; e ka syrin (i ka sytë) xixë; s’i shpëton qimja (dikujt).
BOSH ndajf., bised. 1. Zbrazur, pa njeri a pa gjë tjetër brenda; pa gjë në duar; kund. plot. Solli një enë (një kuti) bosh. Erdhi me duar bosh. Mbeti vendi bosh. U kthye bosh. E kishte barkun bosh s’kishte ngrënë asgjë, ishte i uritur. E kishte shtëpinë bosh. E kishte xhepin bosh. E shkrepi pushkën bosh. E bëri bosh e zbrazi, ia hoqi gjërat që kishte brenda. E la bosh. Është bosh në shtëpi. Më mirë djepi bosh se shejtani brenda. (fj. u.). Kush hedh këmbën bosh, bie përposh. (fj. u.). Një ditë mbetet barku bosh dhe tërë jetën s’e harron. (fj. u.).
2. Pa ngarkesë, pa kryer punë të dobishme ose pa plotësuar qëllimin për të cilin bëhet. Lëvizje bosh. Goditje bosh. Rrotullohet bosh. Makina punonte bosh.
3. fig. Kot, humbur, huq, pa dobi, pa vlerë; pa kuptim. Rri bosh. Flet bosh. I shkoi (i vajti) puna (mundimi) bosh. E bëri rrugën bosh. I shkoi fjala bosh. Krevati mbeti bosh. I ziu bosh u ndodha, / Të flisja më merrej goja. (folk.). Në mendje bosh e në fjalë fushë. (fj. u.).
✱Sin.: zbrazët, zbrazur, lirë, tytë, fyell, firë, dakull, kot, humbur, dëm, humbazi, batall, fuq, kuturu, badihava, qyl, veresie, sallamatas, huq.
♦ Me *barkun bosh (të zbrazët). Ta bën fjalën bosh (dikush) nuk ta pranon, nuk e merr parasysh, të hedh fjalën poshtë. Me *duar bosh (zbrazur, thatë). E ka kokën (kryet) bosh (dikush). 1. Nuk i vjen asnjë mendim në kokë; është i hutuar e nuk di ç’të bëjë; nuk i punon truri (dikujt); është mizë pa kokë (pa krye). 2. Nuk di gjë fare, nuk ka mësuar asgjë, është i paditur; s’ka tru; s’ka tru (në kokë); është poç nga koka (nga mendja); është trokë nga mendja; është trëndelinë (nga mendja); kund. e ka kokën (kryet) plot. S’i mbetet luga bosh (dikujt) s’mbetet pa ngrënë, ka kurdoherë diçka për t’u ushqyer; s’i thahet luga. *Misër në thes e tenxheret bosh (dikush) iron. U ndodha (më zuri) bosh isha i papërgatitur para diçkaje të papritur, nuk dita si të përgjigjesha a si të veproja në një rast të vështirë; u kapa në befasi; s’e kisha në dorë veten. I shkoi fjala bosh (dikujt) nuk ia plotësuan kërkesën, ankesën etj.; nuk ia arriti asaj që kërkonte, nuk i shkoi. Me *xhepin bosh (zbrazët).
GJÉND/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Jam në një vend, ndodhem diku; ndodhem rastësisht ose papritur diku. Gjendem në Tiranë. Gjendem larg. U gjendëm ballë për ballë. Nuk u gjenda aty.
2. vetv., vet. v. III Bie, shtrihet diku. Gjendet në veri (në jug). Vendi ku gjendet.
3. vetv., fig. Jam ose bie në një gjendje që nuk e prisja, ndeshem padashur me diçka; ndodhem, jam. U gjenda ngushtë. U gjend në befasi. U gjendën në ditë të keqe. U gjenda përpara një të papriture. U gjenda bosh nuk isha i përgatitur; nuk dija si të përgjigjesha.
4. vetv., fig. (me trajtë të shkurtër përemërore) I ndodhem pranë dikujt, e ndihmoj në rrethana të vështira a për çdo gjë; i bëhem krah. Iu gjend vëlla. Iu gjend te koka. Iu gjend në çaste të vështira.
5. vetv., kryes. vet. v. III Del a shfaqet papritur si për ta ngatërruar a vështirësuar më tepër diçka. Ku u gjend edhe ai?
6. vetv., vet. v. III (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore). Kam me vete rastësisht diçka, më ndodhet. S’m’u gjendën para me vete. Mos ju gjendet një laps?
7. vetv., vet. v. III Quhet, pranohet, shihet. U gjend e arsyeshme. U gjend me vend.
8. vetv., vet. v. III Është, ka; ndeshet; ndodhet në sasi të caktuar, është pjesë përbërëse e diçkaje. Gjendet në gjak. Gjendet rrallë. Gjendet në popull.
9. pës e GJEJ. U gjend nga policia.
✱Sin.: qëndroj, rri, ndihmoj, vij, shfaqem, shtrihem, quhet, pranohet, shihet, haset, njihet, rastis, bie, qëllon, bëhet, vërehet, vëzhgohet.
♦ Nuk i gjendet *ana. S’i gjendet (s’i duket) *binaja (dikujt a diçkaje) S’i gjendet *çifti (dikujt). S’i gjendet një i dytë (dikujt). Nuk i gjendet *filli (diçkaje). Sa për t’u gjendur në *fjalë. Iu gjend (iu ndodh) në *krah (dikujt). S’i gjendet (i humbi) *nishani (diçkaje). I gjendem (i ndodhem) *pranë (dikujt). Nuk i gjendet *shoku (shoqja) (dikujt a diçkaje). Gjendem (jam) në *udhëkryq.
GJÚAJ vep., ~TA, ~TUR kal. 1. Kërkoj ose ndjek gjahun për ta vrarë a për ta kapur; dal për gjah. Gjuaj rosa. Gjuaj peshk peshkoj. Gjuaj me zagarë. Shkoi për të gjuajtur.
2. vet. v. III Ndjek kafshë të tjera për t’i ngrënë (për disa kafshë grabitqare). Macja gjuan minj.
3. fig. E pres a e ndjek për ta kapur në befasi, gjurmoj; përgjoj. E gjuante prej disa orësh. Gjuan rastin pret rastin. S'lë rast pa gjuajtur. Gjuaj për laraska (për sorra) bëj një përpjekje të kotë, të pabodishme.
4. edhe jokal. Qëlloj, hedh a godit dikë me diçka; i bie dikujt a diçkaje me diçka. E gjuaj me pëllëmbë. E gjuajti rrufeja lisin.
5. fig. Thumboj, ther, godas. E gjuaj me fjalë. E gjuajti disa herë gjatë mbledhjes.
6. edhe jokal., sport. Godas ose hedh me forcë topin në një drejtim të caktuar; i bie, e hedh topin. Gjuaj topin. Gjuajti në rrjetë (në portë, në shtyllë). Gjuajti në kosh (jashtë).
7. bised. Flak tutje; hedh. Gjuaj gurin.
8. Largoj; përzë, dëboj. I gjuajti të gjithë nga shtëpia e vet.
✱Sin.: gjurmoj, përgjoj, gjëmoj, ruaj, pickoj, shpoj, shigjetoj, thumboj, ther, godas, qëlloj, flak, largoj, përzë, dënoj, shporr.
♦ E gjuan me *gurë (dikë). Gjuan për *lepuj (dikush). Të gjuajtë *moti! mallk. Më gjuajti (më ra) *rrufeja. Të gjuajttë *vetëtima! mallk.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë