Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DÉRI pj. 1. Përdoret për të përforcuar a për të theksuar edhe më shumë kuptimin e fjalës, me të cilën lidhet; edhe, bile. Erdhën deri pleqtë. Kishin marrë deri fëmijët e kopshtit. Tregon kujdes deri për vogëlsira të panevojshme.
2. Përdoret bashkë me parafjalët në, me, mbi, nën, te(k), ndaj etj. dhe tregon cakun më të tejmë të një vendi a të një kohe ose shkallën më të tejme në të cilën arrin një veprim a një gjendje. Shkoi deri në Tiranë. U përkul deri në tokë. E preu deri në rrëzë. Duron deri në gjashtë muaj. Bari ishte deri në gju. Deri në mëngjes. I vendosur deri në fund. Besnik deri në vdekje. I kërkoi llogari deri në një (në pikën e fundit). I shfrytëzonin deri në palcë. I armatosur deri në dhëmbë. Deri më sot. Deri mbi çati. Arriti deri nën dritare. Deri te porta. Deri ndaj të gdhirë. Shkoi deri te ministri.
3. Përdoret përpara parafjalëve në (me) e në bashkëvajtje me parafjalën nga dhe tregon kufijtë e një periudhe të caktuar kohe ose caqet e një vendi, të një hapësire a largese. Nga mëngjesi deri në darkë. Nga shtata deri me dymbëdhjetë. Nga Tirana deri në Elbasan.
4. Përdoret bashkë me lidhëzat ku a kur dhe shërben për të lidhur fjali të varura, të cilat shprehin marrëdhënie vendore a kohore. E përcolli deri ku fillonte rruga. E prita deri kur mbaroi.
KAM vep., PÁTA, PÁSUR 1. kal. Zotëroj një pronë, një pasuri etj.; jam pronar i diçkaje; është imja, më përket mua. Kam shumë para (prona). Kam dy shtëpi (një apartament, një makinë). Kam shumë botime (libra). Kam sa për vete (sa për të jetuar). Më mirë të dish sesa të kesh (fj. u.).
2. kal. Jam në lidhje të caktuara gjaku a farefisnie me dikë; jam në lidhje familjare me dikë. E kam baba (nënë, grua, burrë, krushk, kushëri, kunat). Kam dy fëmijë (dy vëllezër, dy kunata).
3. kal. Jam me dikë në lidhje a në marrëdhënie të afërta a miqësore, shoqërore, profesionale etj. E kam shok (mik, armik). E kam pasur drejtor (shef, koleg, partner, mësues, trajner, student). Kam shoqëri (miqësi, muhabet) me dikë. E kam kujdestar (nën kujdestari). Kemi marrëdhënie (lidhje) të mira (të ngushta). Kanë mosmarrëveshje (kontradikta) ndërmjet tyre.
4. edhe fig., kal. Zotëroj një veti a cilësi të caktuar, gëzoj një të drejtë etj. që s’e kanë të tjerët; ndiej diçka, provoj një ndjenjë në veten time; ndodhem a bie për disa kohë në një gjendje të caktuar emocionale, shpirtërore etj. Ka shpirt (zemër, shëndet) të mirë. Ka talent (aftësi, zotësi, prirje, vullnet, iniciativë). Ka fuqi (forcë). Ka kulturë (përvojë). Kemi prova (dëshmi) të reja. Kemi të drejta (por edhe detyra). Ka zakonet (huqet) e veta. Ka merita (të meta, gabime, përgjegjësi, autoritet, pushtet). Ka durim duron. Ka fat është me fat. Ka lejë (ftesë, fletëhyrje). Ka faj është fajtor. Ka kujdes është i kujdesshëm. Ka dashuri (simpati) për dikë. Ka pasur disa sëmundje ka kaluar disa sëmundje. Ka uri (etje). Ka grip (ethe, kollë, dhembje, temperaturë). Ka shpresë (dyshime, merak) shpreson (dyshon, merakoset). Kam vapë (gjumë). Ka frikë (shqetësime). Nuk e di se ç’kam! Kam dy javë (dy ditë) pushim.
5. kal. Është pjesa ime përbërëse (natyrore ose rastësore); ekziston tek unë, në trupin tim, në gojën time etj. qysh kur jam lindur. Kam dy duar e dy këmbë. Kam lëkurën delikate. Kam një plaçkë në sy (një dhëmb të prishur në gojë). Kam një gjemb në këmbë. Ç’e ke atë në kokë? E kam në shtëpi (në xhep).
6. kal. I përmbahem (një mendimi a një pikëpamjeje). E kam të qartë se... Kam mendimin (pikëpamjen) se…
7. kal., vet. v. III Ndodhet dikush a diçka në një vend të caktuar; është i pranishëm (një njeri, një kafshë a shpend etj.). Kishte shumë njerëz në shesh. Në kafaz ka një zog.
8. bised., edhe jokal., vet. v. III Është realisht, ekziston (një dukuri a një send etj.). Kishte ujë (bileta, vapë, çdo gjë tjetër). Ka leverdi (diçka) është punë me leverdi; s’ka pse të shqetësohemi. Ka lagështirë (dallgë, mjegull). Ka (do të ketë) shi (borë) do të bjerë shi (borë).
9. edhe jokal., vet. v. III Është normale, me përmasat e duhura (nga madhësia, numri, përbërja substanciale etj.); përmban, përbëhet. Dora ka pesë gishta. Makina ka katër vende. Karroca ka dy ndenjëse. Shtëpia ka tri kate dhe një papafingo. Dhoma ka dy dritare (dy krevate). Qyteti ka mijëra banorë. Klasa ka 20 nxënës.
10. edhe jokal., kryes. v. III Në bashkëvajtje me pjesëza mohuese dhe e ndjekur me folje ose me emra veprimi formon togfjalësha me kuptimin «nuk është e mundshme të kalosh, të bëhet (diçka), të zhvillohet etj.». S’ka ku të kalosh nuk mund të kalosh dot atje. S’ke ku ta gjesh s’mund ta gjesh dot. Nuk ka shpëtim nuk mund të shpëtohet. S’ka rrugëdalje. S’ka të sharë. S’ka të ngopur nuk po ngopet.
11. kal. Në bashkëvajtje me disa emra formon togfjalësha me kuptim foljor që tregojnë një gjendje a një ndjenjë të caktuar etj. Kam punë jam i zënë (me punë); po punoj. Kam një hall. Kam durim duroj. Kam përkrahjen (mbështetjen) e dikujt. Kam një kërkesë (një ankesë, një sqarim). Ç’ kemi andej nga kryeqyteti?
12. kal. Në bashkëvajtje me folje në të kryerën e thjeshtë tregon një veprim a gjendje të përfunduar ose të mbaruar. Kaq e pati edhe ai mbaroi, vdiq dhe ai. E pati ajo punë u krye, mori fund ajo punë.
13. kal. E quaj, e konsideroj për diçka a si diçka. E kam për nder. E kam si detyrë.
14. kal. Më sjell ose më ka sjellë një pasojë (të mirë a të keqe). Kam suksese (fitime). Kam lodhje. 15. kal. Bëj diçka (një veprim a një punë në mënyrë të caktuar). E kam pa (me) hile (me djallëzi, me gjithë zemër). E ke kot.
16. bised., kal. E shes a e mbaj diçka me një çmim të caktuar. E ke shumë shtrenjtë (lirë). Sa i ke vezët (ullinjtë)?
17. jokal. Them, flas; përgjigjem shpejt (në të kryerën e thjeshtë me trajtën e shkurtër të përbërë ia të përemrit vetor). Po, ia pati ai menjëherë.
19. gjuh. Përdoret si folje ndihmëse për formimin e kohëve të përbëra foljore. Kishte qenë edhe ai. Ka merituar duartrokitje. Do të ketë ikur a vdekur.
✱Sin.: zotëroj, paraqet, ekziston, çmoj, konsideroj, vlerësoj, mbaj, shes, ndiej, përfshin, ndodhet, gjendet, mbaroi, përfundoi, (i) përgjigjem.
♦ *Aq e ka. *Aq e pati zakon. iron. (dikush a diçka). *Aty ta kam (fjalën)! Një e dy e si ma ke *balashin iron. S’ka *bar (ilaç) (për dikë a diçka). S’kam *bark. Një *bark kam! *Ç’bretkun ke? keq. E *di ç’ke ti? Ç’djallin (*dreqin) ke? keq. Ç’ dreqin (*djallin) ke keq. E kam me *bereqet (diçka). S’pata *besë. Nuk ka *besë (dikush a diçka). Kam të bëj (me dikë). 1. Jam farefis me dikë, kam lidhje gjaku me dikë. 2. Kam njëfarë lidhjeje me dikë dhe duhet ta njoh mirë, më lidh puna a një çështje tjetër e dua ta di se kush është e si është. 3. vet. v. III (me diçka). Lidhet, i përket diçkaje, ka lidhje me të. E ka në *bërryl (dikë). S’ia kam *borxh (dikujt). S’ka *brirë (diçka). E ka te *buza (dikush). Nuk ka *cak (dikush). Kam *cipë. S’ka *çapok (dikush). S’ka *çare vjet. E ka në *çark (dikush). S’ka *çelës që i bie (dikujt). S’e ka (s’e vë, s’e fut) në *defter (dikë a diçka) mospërf. S’ka *derman (dikush a diçka). S’ka *dert (dikush) vjet. Të ketë *ditë (dikush) ur. etnograf. Ka *dorë (dikush) keq. E ka në *dorë (dikë a diçka). E kam në *dorë (në duar) (diçka). Pastë *dritë ur. S’ka ç’të *duhet! Ka *dukë (diçka). Si e ka *dukën? E kam më *dysh. S’ka (s’e ka) një *të dytë (dikush). E ka *dhjamë (me dikë). E kam *eshkë (gojën). E ka për *fis (dikush). S’ka *fre (dikush). S’kam *frymë. Ka *fytyrë (dikush). S’ka *gajle. Nuk e ka për *gajle. *Gaz paç! ur. Ka *gisht (në diçka). Ka *gojë (dikush). S’ka *gojëI (dikush). S’ka *gojëII (dikush) keq. E kam në *gojë (dikë a diçka). E ka grurë (me dikë). E ka (e mban) në *grusht (dikë). E ka në *gjak (diçka). E kam *të gjallë (dikë a diçka). Nuk ka *gjasë (për diçka). Nuk e ka *të gjatë (dikush). E kam *gjethe (dikë). S’ka *gjë. Nuk e ka për *gjë (diçka). S’e ke për *gjë (dikë). E kam në *gji (dikë). S’ka *gjoks (dikush). Ka *gjuhë (dikush) keq. S’ka *gjuhë (dikush). S’ka *haber (për diçka). Ka *hak (dikush). E ka *hak (dikush). Ku e ke *hallin? E kam *hallall (diçka). Kaq e ka *hapin (çapin) (dikush). *Haram e paç! mallk. S’e kam (s’e vë) në *hesap (në llogari) (dikë a diçka). E ka për *hiçmosgjë (dikush). I ka *hije (diçka). S’i ka *hije (dikujt). Ta paça *hua ur. E ka në *hundë (dikë) përbuz. Nuk ka *hundë (dikush) mospërf. S’ka ilaç (*bar). Ia kam *inatin (dikujt). E ka si e ka (dikë) e vlerëson, e do shumë, e çmon për karakterin që ka. *Kaq e pati (dikush a diçka) zakon., iron. S’ka *këllqe (kërçikë, kryqe) (për diçka). E kam nëpër *këmbë (dikë a diçka). S’ka *këmbë (diçka). Ma ka (ma mban) *këngë (dikush). E ka (e do) me *kërbaç (dikush). E kam me *kimet (dikë a diçka). S’ka *kockë (për diçka). S’di ku kam *kokën (kryet). S’ka *kokë (dikush). Me sa ka në *kokë (në krye). E kam prapa *krahëve (dikë) iron. S’ia kam *kryqet (dikujt a diçkaje). Nuk ka (nuk njeh, nuk di) *kufi (dikush a diçka). S’e ka *kush (dikë). E ka në *lak (diçka). S’kam *të larë (me dikë). Ka *lezet (diçka). S’ka *lezet. I ka *lezet (diçka dikujt). E kam *lëmë. Të paçim sa *malet! ur. E kam për *mall (dikë a diçka). Do t’ia kesh *mallin (dikujt a diçkaje). Kam *mend. Kam ndër *mend. E kam ndër *mend (dikë a diçka). E ka *mendjen (dikush). Kam *mendjen. Kam një *mendje (me dikë). *Mezi e kam (dikë a diçka). Si s’ka (si jo) më *mirë. Ka *miza (dikush). E kam *mortje (të dytë) (dikë a diçka). Kam *muhabet (me dikë). Kam *nderin... lart. S’ia kam *ngenë (dikujt a diçkaje). S’ia kam *oreksin (dikujt) mospërf. E kam (e mbaj) *parasysh (diçka). E ka me *pekule (dikë). Nuk ka *perde (dikush). E kam *Perëndi (dikë a diçka). Nuk e ka për *pesë (dikë a diçka). S’ka *përse. E kam *pisk. E ka në *pjatë (dikë a diçka). Kam *pranë (dikë a diçka). Të paça më *qafë! S’ia kam *qederin (diçkaje). Kam *qejf (diçka). Ia ka *qejfi (dikë a diçka). E kam për *qejf (diçka). S’ka *qibër (dikush). E ka në *qime (dikush). E kam *rëndë (dikë a diçka). Ka *rreze (është me rreze) (dikush a diçka). E ka mbi *supe (dikush). E ka *syrin (i ka sytë) (te dikush a te diçka). Nuk ka *syI (diçka). Nuk ka syII (dikush). Nuk e ka *syrin (dikush). S’e ka për (në) *sy (dikë a diçka). Ku i ke *sytë? S’ka *të sharë (dikush a diçka). Ka *shenja. E ka (e ka vënë) në *shenjë (në shënjestër) (dikë a diçka). E ka (e ka vënë) në shënjestër (në *shenjë) (dikë a diçka). Nuk e ka *shokun (shoqen) (dikush a diçka). E ka mbi *shpatulla (dikush). S’ka *shpatulla (dikush). E ka *të shpejtë (dikush a diçka). E kam *shpirt (dikë). Nuk ka shpirt (*zemër) (dikush). Kam *shpresë. S’ia kam *takatin (diçkaje) vjet. S’e ka (nuk e ka marrë) me *tapi (diçka). E ka në *tavë (dikë a diçka) bised. E ka në *tenxhere (dikë) bised. E ka në *terezi (dikush). Që ç’ke me *të! S’e ka *toka (dikë). Nuk ka *tragë (dikush). Nuk ka *turi (dikush) mospërf. Nuk ka më *thela. S’ke ç’i *thua. E ka në *thes (dikë). E ka në (për) *thua (dikush). Ka *thonj (dikush) keq. S’ka *thonj (dikush). E ka *vaj (me dikë). E kam *vdekje (dikë a diçka). Sa s’ka ku të *vejë (ku të shkojë) më (sa s’ka më). Ka *vend. S’ka *vend (dikush a diçka). E ka në *vijë (dikush). I ka në vijë (punët etj.) (dikush). Ka (mban) *vlagë (dikush). Aq e ka *vrapin (dikush). E ka *xanxën (dikush). E kam *xhan (dikë) fëm. E ka në *xhep (dikë a diçka). Ka *yndyrë (dikush). E ka *zanat (dikush) keq. Sa ka *zanati! Nuk ka *zemër (shpirt) (dikush). E kam në (për) *zemër (dikë a diçka). E kam *zët (dikë a diçka).
MÍJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT dhe ~ËRA,~ËRAT 1. Numri i barabartë me dhjetë herë njëqind. Një mijë lekë. Gati një mijë njerëz. Dy mijë dele. Tre mijë e njëqind pemë. Disa mijëra libra. Dhjetë mijë banorë. Dy – tre mijë vetë. Njëqind mijë hektarë tokë. Dy herë pesëqind bëjnë një mijë. Edhe një mijë herë sikur të vijë, të një mijë herët do ta kthej mbrapsht.
2. bised., vet. sh. Numër, masë a sasi që arrin në disa mijëra por që nuk është përcaktuar me saktësi. Erdhën mijëra (vetë). Ishin me mijëra (njerëz). Teatri ka një kapacitet prej mijëra vendesh. Fshati gjendet mijëra kilometra larg detit.
3. bised., vet. sh. Në një numër aq të madh saqë nuk mund të numërohen (me fjalët ‘dhjetëra’, ‘qindra’ e ‘mijëra’ përpara). Dhjetëra mijëra njerëz festuan sot. Flas për mijëra e mijëra mërgimtarë në të gjithë botën. Qindra e mijëra (të rinj, studentë, punonjës) u mblodhën në shesh.
4. fig., bised. Në një numër rastesh a situatash shumë herë më të madhe nga sa është normale ose nga sa nevojitet; jashtëzakonisht shumë, tepër (përdoret me kuptim përforcues në bashkëvajtje me numërorin një). Ta kam thënë një mijë herë. I bëri një mijë pyetje. E mbante me një mijë të mira. Kishte një mijë halle mbi kokë. I nxori një mijë pengesa.
♦ T’u bëftë dita një mijë! ur. jetofsh shumë!, rrofsh e qofsh sa malet!, t’u zgjattë jeta shumë! Gjysma e mijës pesëqind! mos u mërzit e mos mendo shumë, le të vejë si të vejë, mos u shqetëso, mos e vrit mendjen; të bëhet ç’të bëhet!; të dalë ku të dalë! Me mijë për qind me siguri të madhe, plotësisht; patjetër, pa asnjë dyshim; si një e një (që) bëjnë dy. Ku vajti mija (le të vejë) edhe qindi ku shkoi ose u shpenzua e shumta, le të ikë edhe e pakta; nuk ka vend për të kursyer; s’nxirret dhjamë nga pleshti.
NJË́RA pacak. f. nj. 1. Vetëm një nga të dyja vajzat, shpendët, kafshët, sendet etj.; vetëm një nga disa (kur një qenie, një send etj. e veçojmë nga një tjetër ose nga të tjera të të njëjtit lloj). Njëra nga të dyja. Njëra nga vajzat. Ngri njërën këmbë! Nga njëra anë. Në njërën anë. Njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën. (fj. u.).
2. bised. Një grua a një vajzë që nuk e përcaktojmë se cila është. U njoh me njërën.
3. Përdoret kur kundërvëmë ose kur krahasojmë njerëz, qenie, sende a dukuri të gjinisë femërore (në bashkëvajtje me tjetrin). Njëra më e bukur se tjetra.
♦ Iu bëftë njëra! (dikujt) mallk. vdektë! E bëri të kërcejë me njërën *këmbë (me një këmbë) (dikush). Njëra të bëhet! çfarëdo që të ndodhë, i marr parasysh të gjitha; të bëhet ç’të bëhet!; (edhe sikur) bota të përmbyset!; (edhe sikur) qielli të përmbyset!; (sikur) qielli me tokën të puqen!; kiameti të bëhet! Bën njërën (dikush). 1. Bën të gjitha përpjekjet, pa marrë parasysh asgjë, për të arritur atë që do ose për të mos pranuar diçka të padrejtë; s’lë gur pa lëvizur. 2. Bën shumë zhurmë për diçka që nuk i pëlqen; vë kujën; bën gurgulenë bised. I pret *thika (vetëm) në njërën anë (dikujt).
NJË́RI pacak. m. nj. 1. Vetëm një nga të dy; një që veçohet nga disa të tjerë të të njëjtit lloj. Njëri nga vëllezërit. Njëri pas tjetrit. Si njëri tjetri të dy njësoj. Njëri nga të dy. Njëri nga djemtë. Herë njëri, herë tjetri. Mbyll njërin sy. Njëri erdhi, tjetri s’ka ardhur ende.
2. bised. Një burrë a një djalë që nuk e përcaktojmë se kush është, dikush. Ma tregoi njëri. E dëgjova nga njëri. Erdhi njëri e të kërkonte. Ia tha njërit.
3. Përdoret kur kundërvëmë ose kur krahasojmë njerëz, qenie, sende a dukuri të gjinisë mashkullore (në bashkëvajtje me tjetrin). Njëri më i mirë se tjetri. Ndryshe njëri, ndryshe tjetri.
NËSÉ pj. Përdoret në krye të një fjalie pyetëse të zhdrejtë, nganjëherë në bashkëvajtje me lidhëzën veçuese «apo», për të theksuar kundërvënien e dy veprimeve që përjashtojnë njëri-tjetrin ose për të shprehur dyshimin për diçka; a. S’është ende e qartë nëse e kishte kryer ai krimin. E pyetën nëse do të vinte apo jo.
PO lidh. 1. Përdoret për të lidhur dy fjali të bashkërenditura me marrëdhënie të ndryshme kundërshtore ose dy gjymtyrë të njëjta të një fjalie me marrëdhënie kundërshtore a kufizuese; por. Dukej i vogël, po ishte i rëndë. Lirinë s’jua solla unë, po e gjeta këtu në mes tuaj. Donte të vinte, po s’e lanë. Dua të fle, po nuk më flihet.
2. Përdoret për të lidhur dy fjali ose dy pjesë fjalie, njëra prej të cilave e plotëson a e zhvillon më tej atë që thuhet në tjetrën; por. Ai do të vijë, po pak më vonë. Hëngri, po me masë. Iu kujtua, po me vonesë. E ndihmonte vërtet, po pa qejf.
3. Përdoret, zakonisht së bashku me fjalët “megjithatë”, “ende”, “përkundrazi”, për të përforcuar a për të theksuar më shumë kundërvënien; por. Vështirësitë qenë të mëdha, po megjithatë nuk e thyen. E kishte dëshiruar prej kohësh, po ende (megjithatë) s’e kishte arritur.
4. Përdoret, zakonisht me një ndajfolje kohe ose me një fjalë tjetër që tregon kohë, për të lidhur dy fjali a dy pjesë të një fjalie, njëra nga të cilat (e dyta) shënon një gjendje ose një kohë të re, jo siç ishte parashikuar, kur kryhet veprimi i së parës; por. Arritëm, po kur gjithçka kishte marrë fund. Puna u krye, po një ditë më pas. Do të dalim, po kur të pushojë shiu. Ia solli, po kur ai s’kishte më nevojë.
5. Përdoret së bashku me lidhëzat “edhe”, “as” në bashkëvajtje me shprehjet lidhëzore “jo vetëm..., jo vetëm që..., le që...” për të formuar shprehje lidhëzore bashkërenditëse të shkallëzimit (jo që.., po; jo veç..., po; jo vetëm që..., po edhe; jo vetëm (veç) që..., po as...; jo vetëm..., po edhe; le që... po; le që... po as (që); le që..., po edhe). Jo vetëm që e ndërtuan shpejt, po e bënë edhe të bukur. Le që s’e kupton, po as përpiqet më shumë.
6. Përdoret në fillim të një fjalie të pavarur që shpreh një kundërshtim ndaj fjalisë së mëparshme; por. Po vetë e kërkoi. Po unë s’i thashë gjë. Po asnjë s’u ngrit. Po as që kanë për ta pritur.
7. Përdoret në fillim të një fjalie të varur kushtore, që tregon kushtin për realizimin e veprimit të shprehur nga fjalia drejtuese; në qoftë se. Po të kem kohë, do të vij. Po të pëlqeu, mbaje. Po e mbarove librin, sille. Po të kishe nxituar edhe ca, do ta kishe arritur trenin. Po s’punove, s’fiton. Po s’luajte këmbët, s’luan (as) dhëmbët. (fj. u.). Po s’hëngre hudhra, s’bie erë. (fj. u.).
8. Përdoret në disa shprehje lidhëzore me kuptim kushtor (po qe se; po qe që; po të jetë se; po të jetë që). Po qe se e gjen, i thuaj se e kërkoj. Po të jetë e vërtetë, njofto edhe të tjerët. Po u more me qentë e rrugës, nuk arrin kurrë në shtëpi. (fj. u.).
9. Përdoret në fillim të një fjalie me kuptime të ndryshme e me ngjyrime dëshire, urdhri, pyetjeje, habie, pakënaqësie etj. Eh, po të vinte! Po çelësin që e harrova! Erdhëm, po ç’e do, u lodhëm. Po nesër ç’do të bëjmë? Po ky djalë që s’vuri mend!
✱Sin.: por, porse, mirëpo, veçse, veçqë, veç, vetëm, ama, në, nëse, sikur.
TE [TEK para zanoreve] parafj., r.e. 1. Shoqëron një emër dhe shënon vendin a sendin ku a pranë të cilit ndodhet dikush a diçka ose ku kryhet një veprim. Te shtëpia. Te fshati më të dalë. Tek udha e përpjetme. Tek ana e lumit (e rrugës). Te pragu i derës. Isha te miqtë (te shoku). I rri te kryet. Te kush je nisur?
2. Shoqëron një emër dhe shënon vendin ose njeriun, drejt të cilit lëviz dikush a diçka. Shkoi tek i ati (tek e ëma, tek i biri, te shokët). Erdhi te gjyshi (te nëna, te plaku). Arritën deri te maja (te qafa) e malit. Beson te Zoti.
3. Përdoret në bashkëvajtje me parafjalën nga dhe me emra e përemra për të treguar se veprimi, gjendja a diçka tjetër kalon ose shtrihet nga një kohë në një tjetër, nga një vend në një tjetër, nga një njeri te një tjetër etj. Nga njëri te tjetri. Nga ai tek unë. Nga ajo kohë te kjo kohë. Nga njëra palë te tjetra. Nga unë te ti. Nga ti tek unë.
VIJ jovep., ÉRDHA, ÁRDHUR 1. jo kal. Lëviz nga një vend në drejtim të vendit ku ndodhet ai që flet a që dëgjon e arrij këtu; eci së andejmi këtej dhe sos në vendin e caktuar a te dikush që më ka thirrur; lëviz dikush a diçka në drejtimin tim ose arrin aty ku jam unë; mbërrin. Erdhën shokët (vullnetarët.) Erdhi në këmbë (me makinë). Erdhi me vrap. Vij nga Tirana. Erdhën nga mali. Kam ardhur natën. Erdha të të shoh. Mirë ardhsh (ur)! Të ardhsha për të mirë (ur)! Me çfarë erdhe? Eja këtu (tek unë, me afër)! Erdhi treni (autobusi). Erdhi shëndoshë e mirë. Kur erdhe? Erdhi ushqimi. Erdhi letra (mesazhi, lajmi). Vinte një zhurmë nga jashtë. Erdhi papritur. Erdhi shpejt (vonë). Erdhi si hije.
2. jokal. Kthehem përsëri në vendin nga ku jam nisur. Vajti dhe erdhi shpejt. Vete e vjen brenda ditës. Vete e vjen brenda ditës nga Kosova.
3. jokal., vet. v. III Afrohet drejt meje nga një pikë e hapësirës. Ja ku po vjen! Po vijnë aeroplanët. Pa vjen shiu (shtrëngata, mjegulla).
4. jokal., vet. v. III E marrin nga një vend, zakonisht i largët dhe e sjellin këtu. Mollët vijnë nga Dibra dhe Korça. Gështenjat vijnë nga Tropoja.
5. jokal. Shkoj në një drejtim, përshkoj diçka, kaloj nëpër një vend; vet. v. III, depërton a kalon nëpër diçka. I vjen rrotull (përqark) fushës. I vjen pas e ndjek. Vjen rrotull (vërdallë) sillet kot poshtë e lart. Vinte një dritë e zbehtë nga dritarja.
6. edhe fig., jokal. E kam radhën; radhitem, gjendem ose lëviz pas dikujt a diçkaje; vet. v. III shkon pas një tjetri, vargëzohet. Unë vij pas atij. Prilli vjen pas marsit. Pas treshit vjen katra. Pas sheshit vjen një rrugë. Pas punës vjen gëzimi. I erdhën gëzimet radhazi.
7. jokal. Arrij një cak në gjatësi, lartësi a thellësi; vet. v. III rritet, fryhet (për lumin etj.). Erdhi gruri deri në brez. Vajti uji (bora) një metër. I vinin flokët deri te supet. I vinte fustani deri në fund të këmbëve. Ka ardhur lumi është fryrë lumi, është ngritur niveli i ujit.
8. jokal., vet. v. III Del e shkon poshtë; rrjedh. Vinte shiu, litar. I vinin lotët rrëke. I vinte djersa çurg. I vajti gjaku curril.
9. bised., jokal., vet. v. III Gjendet a shtrihet në një vend, në një anë ose në një drejtim të caktuar; është, ndodhet. Vjen në jug. Vjen nga e majta. Vjen afër udha. Përballë vinte një luginë. Matanë vinte një shesh.
10. jokal. E kam prejardhjen; vet. v. III rrjedh, buron. Vjen nga një familje e varfër fshatare. Kjo fjalë vjen nga një rrënjë shqipe.
11. jokal. Mbush një kohë a një moshë të caktuar; vet. v. III arrin një kohë e caktuar ose një ngjarje e njohur që lidhet me një kohë. Erdha tek të tridhjetat. Erdhi dreka (darka, mbrëmja, nata). Erdhi koha (çasti). Erdhi pranvera (vjeshta, dimri). Erdhi e diela. I ka ardhur mosha. Erdhi pleqëria. I erdhi fundi (vdekja). I erdhi koha për në shkollë.
12. jokal. Dal në krye a në udhëheqje, zë një vend drejtues, marr drejtimin; marr fuqinë; marr një detyrë në një organizatë, në një institucion etj. Vinin qeveri të ndryshme. Në një vit erdhën e shkuan tre qeveri. Erdhi në udhëheqje (në pushtet, në fuqi).
13. jokal. Arrij pas një pune a pas përpjekjesh në një përfundim ose në një zgjidhje të caktuar; bie në ujdi a në kundërshtim me dikë. Më në fund erdhi në fjalën tonë. Erdhi në një mendje me ne. Vij në marrëveshje (në kundërshtim) me dikë. Erdhën thikë më thikë ranë në kundërshtim të hapët.
14. jokal. Kaloj në një çështje tjetër, marr në shqyrtim diçka tjetër. Të vijmë te çështja tjetër. Po vijmë te pika e dytë.
15. jokal., vet. v. III Ndodh rastësisht, ngjan; rastis, qëllon, bie. Më erdhi rasti (puna). Erdhi fjala. Më erdhi rruga andej. I erdhi e mira te dera. Sido që të vijë puna. Me ç'të të vijë më mbarë.
16. edhe fig., jokal. Dal, shfaqem, lind. Erdhi në jetë lindi; u shfaq. Ju ardhtë me jetë të gjatë (ur)! Më erdhi në shteg. I erdhi në shtrungë.
17. jokal., vet. v. III Më shfaqet një ndjenjë a diçka tjetër, më kap, kam; shfaqet në mendje, kujtohet; shkon sipas diçkaje, përputhet me një gjendje, me një kërkesë etj. Më erdhi një ide (një mendim). Më erdhi ndër mend. Më vjen në hatër, bised. më kujtohet. Flet ç't'i vijë në mendje. Më vjen inat inatosem. Më vjen mirë gëzohem, më bëhet qejfi. Më vinte plasja më vinte të pëlcisja. Më vjen uri kam uri. Më vjen krupë (ndot, të pështirë). Më vjen habi (çudi) habitem, çuditem. Më vjen zali. I erdhi thartë (hidhur). Më vjen keq. I erdhi ligsht. Më erdhi mbarë. Më vjen rehat. Më vjen për të vjellë. Më vinte për të qarë. Më vjen të pëlcas. I vjen të hajë veten. I vjen për shtat. I vjen pas midesë (pas qejfit, pas avazit).
18. jokal., vet. v. III Është rrjedhim i diçkaje, e ka burimin te dikush a te diçka, ndodh a shkaktohet nga diçka. Këto vijnë nga pakujdesia. Kjo sëmundje vjen pas një pleviti. Prodhimi i shumtë vjen nga puna e mirë. Vjen për shkak të... (nga që..., pasi...). Nuk (të) vjen gjë nga kjo.
19. jokal., vet. v. III Më nxë, më bën; më shkon për shtat, më rri mirë (për rrobat, këpucët). Më vijnë të lira rrobat. Të vjen mirë xhaketa. Nuk më vijnë pantallonat. Këpucët i vijnë të vogla.
20. edhe fig., jokal., vet. v. III Merr pamjen e zakonshme, arrin në gjendjen normale, rregullohet; shërohet. I erdhi shëndeti. I erdhi fytyra (çehrja). I erdhi fryma. I erdhi goja. I erdhën sytë (veshët). I erdhi zëri. Më erdhi oreksi. Një fytyrë i vinte, një fytyrë i shkonte herë kuqej, herë zverdhej.
21. jokal., vet. v. III Ka një pamje a trajtë të caktuar, ka pamjen e diçkaje, është si ajo; afron, ngjan. Vjen i shëndoshë (i bëshëm, i mbushur, i dobët, i paktë, i imët). Vjen i zeshkët në fytyrë. Vjen i ndrojtur (i heshtur). Vjen i pjerrët (i ashpër) vendi. Vjen thikë (pingul). Vjen si lopatë. Vjen gjallë i ati (e ëma).
22. jokal., vet. v. III Piqet (për një pemë, për të lashtat etj.); bëhet gati për t'u mbjellë (për tokën); arrin në gjendjen e duhur ose në një gjendje a në një moshë të caktuar; bëhet. Gruri erdhi herët këtë vit. Misri vjen më vonë në krahinat malore. Është mollë që vjen shpejt. S'ka ardhur ende toka. Thekra erdhi e mbarë. Ka ardhur ara për drapër. Ka ardhur në moshë (është në moshë) për t'u martuar. Erdhi në afsh (lopa, pela).
23. jokal., vet. v. III Ngrihet, fryhet, grafullon (zakonisht nga tharmëtimi). Erdhi buka (brumi). Erdhi qumështi. E lëmë të vijë. S'ka ardhur mirë.
24. jokal., vet. v. III Lëshon, ka, përhap, bie (një erë); dëgjohet, kapet me vesh (një tingull). Vinte era shkrumb (myk). Vinte era kafe (elb i pjekur). I vinte erë goja. I ardhtë era dhe (mallk)! vdektë!
25. bised., jokal., vet. v. III Më ngjan, më duket, më bëhet. Më vjen sikur (si) e kam parë. Më vjen si fytyrë e njohur.
26. jokal., vet. v. III Shkon, arrin deri në cakun më të skajshëm. Erdhi puna deri në zënie. Erdhi deri aty sa... Ka ardhur deri në atë pikë sa...
27. bised., jokal. Barazohem; krahasohem (zakonisht me mohim). Ai nuk vjen me të. Nuk i vjen as te gishti (i vogël) i këmbës (as në thua).
28. bised., jokal. Peshoj, jam. Ai vjen gjashtëdhjetë kile. Sa vjen dashi?
29. bised., jokal., vet. v. III Kushton, bie. I erdhi lirë (shtrenjtë). Sa të erdhi kilja?
30. fig. jokal., vet. v. III Nis, fillon (përdoret zakonisht si folje gjysmëndihmëse në bashkëvajtje me një folje tjetër). Erdhën e u bënë toka pjellore. Erdhi e u përhap në të gjithë krahinën. Erdhën e t'u shëndoshën (t'u tretën).
31. jokal. Përdoret si folje gjysmëndihmëse bashkë me një folje tjetër për të treguar se veprimi vijon pa ndërprerje e rritet shkallë-shkallë. Vjen duke u rritur (duke u pakësuar). Vjen duke u përmirësuar (duke u keqësuar). Sa vjen e bëhet më e bukur (më e lehtë, më e vështirë).
✱Sin.: mbërrij, arrij, erdhi, afrohet, radhitem, vargëzohet, sosem, paraqitem, çatis, beh, shkoj.
♦ Një *çehre i vinte e një çehre i shkonte (dikujt). *Fjala vjen. Një *fytyrë i ikën e një (fytyrë) i vjen (dikujt). *Shkon e vjen (diçka). I vjen *anës. Vjen *anës (diçka). Ardhsh *i bardhë! urim. Erdhi në *binarë (dikush). Erdhi në *brazdë (në hulli) (dikush). Më erdhi në *çikël (dikush). I erdhi *boja në vend (dikujt). Si të vijë *dallga. Më vjen *dora (për diçka). I vjen në *dorë (dikush). Më vjen (më shkon) për *dore (diçka). Më erdhi në *dhëmbë (një fjalë). Vjen (bie, mban) *erë (diçka). I vjen *era (diçkaje). Erdhi në *fije (dikush). I vjen (i shkon) pas *fijes (pas fillit) (dikujt). I erdhi *fundi (dikujt). Më erdhi *fytyra (dikujt). I erdhi *goja (dikujt). Ç’t’i vijë për *goje. Më ka ardhur te *gryka (dikush a diçka). I erdhi *hakut (dikujt). I vjen pas *hesapit (për hesap) (dikujt). I erdhi *hidhur (diçka). Erdhi në hulli (në *brazdë) (dikush). Më erdhi te *hunda. Dal (vij) në *jetë. Më vjen *keq. Më vjen *kiamet. Më erdhi në *kokë (në krye) (diçka). Më erdhi në krye (në *kokë) (diçka). Më vjen *lak. Më erdhi *ligsht. Erdhën në një *llaf. Të ardhtë *mandata! mallk. Më vjen (për) *mbarë. Erdhi në *mend (dikush). I erdhën *mendtë (dikujt). Më vjen ndër *mend (dikush a diçka). Më erdhi (më vajti) në *mendje. Vij në *moshë. Më vjen *ndoresh (për diçka). I erdhi *ora (sahati) (dikujt a diçkaje). Më vjen për *osh (dikush a diçka). Më vjen të *pëlcas. Më vjen *përdoresh (për diçka). Më vjen *përpjetë (për diçka). Vjen përqark (*rrotull) (dikush a diçka). I vjen (i sillet) përqark (*rrotull) (dikujt). Vjen pas *pilafit (dikush). Më vjen *plasje (për diçka). Të ardhtë (të rëntë) pas *qafe! mallk. Të vjen për të *qarë (për diçka). I vjen (i bie) qark (qark e qark, *rrotull, rrotull e rrotull) (diçkaje). Më erdhi pas *qejfit (dikush a diçka). Më vjen *rëndë. Vjen *rreth (dikush). I vjen (i sillet) *rreth (dikujt). Vjen *rrotull (dikush). I vjen (i sillet) *rrotull (dikujt). I vjen në *rrugë (dikujt). I erdhi sahati (*ora) (dikujt a diçkaje). I erdhi *shpirti (dikujt). I vjen për *shtat (dikujt). Më erdhi në *shteg (dikush a diçka). Më erdhi në *shtrungë (dikush a diçka). Erdhi në *taketuke (dikush) thjeshtligj. Erdhi në *të (dikush a diçka). I erdhi *thartë (për diçka). Erdhi në *udhë (dikush a diçka). Erdhi në *udhë (të mbarë) (dikush). Të ardhtë (të rëntë) pas *veshit! mallk. Erdhi në *vete (dikush). Vjen (del) *vetvetiu (diçka). Më erdhi *veza thjeshtligj. Vjen *vërdallë (dikush a diçka). I vjen (i sillet) *vërdallë (dikujt). E vuri (e solli) në *vijë (dikë a diçka). Erdhi në *vijë (dikush a diçka). Më vjen *për të vjellë (nga dikush a nga diçka). S’i vjen pas *vrimave (dikujt) thjeshtligj., përçm., vulg. Nuk i vjen *zëri (dikujt) iron. Më vjen *zët (nga dikush a nga diçka). Më vjen *zor.
VË vep., VÚRA, VË́NË 1. kal. E vendos dikë a diçka në një vend; e ngul a e mbështet diku; vendos. Vë në (mbi) tryezë. Vuri tenxheren në zjarr. E vuri në vendin e vet. Vuri një kurorë mbi varr. I vuri dorën mbi sup. Vuri këmbën mbi këmbë. I vuri mollës një furkë. I vuri bashkë (afër, larg e larg).
2. kal. E fut, e shtie diçka brenda në një send; e puthit a e ngërthej pas diçkaje. E vuri në çantë. E vuri (brenda﴿ në dollap (në sirtar). Vë këpucët në kallëp. Vë hekurin në prizë. Vë duart (shaminë) në xhep. E vunë grurin në hambar. Vë çelësin në bravë. Nuk kam vënë gjë në gojë nuk kam ngrënë fare. E vunë në dhe e varrosën. E vënça në dhe (mallk.)!
3. kal. E çoj dhe e lë dikë a diçka në vendin e duhur ose në vendin që i takon; e vendos në një vend a në një gjendje të caktuar; e rregulloj si duhet; ndreq, rregulloj; vendos. E vunë në krye të vendit. I vuri nxënësit në rresht. E vuri fëmijën në gjumë (të flejë). E vunë barin mullar. I vuri drutë stivë. E vuri më këmbë. E vuri me kokë poshtë. E vuri orën në zile.
4. kal. Vendos në një vend një aparat, një makinë etj. dhe e bëj të punojë, e mbërthej a e lidh si duhet, në mënyrë që të punojë; vendos. Vë telefonin në shtëpi. Vë dritën elektrike. Vë një radio në makinë.
5. kal. Pajis diçka me një send a me një mjet të nevojshëm, i shtoj a i vendos diçka të nevojshme. I vuri derës shulin. I vë frenat makinës (biçikletës). I vë bisht lopatës. I vë astar xhaketës. I vuri rrathët vozës. I vuri pajimet kalit. I vë mbulesën tryezës. I vuri derës një bravë të re.
6. bised., kal. I jap a i shtroj përpara dikujt një gjë që të ulet, të hajë, të flejë etj. Vëri karrigen të ulet! I vuri një dyshek për të fjetur. I vunë bukë e gjellë.
7. kal. Vendos një arnë etj. në një veshje a në diçka tjetër për ta ndrequr ose për ta bërë më të fortë; i qep, i ngjit diçkaje një gjë. I vë arnë një petku. U vuri gjysma këpucëve. I vuri një pullë zarfit (kartolinës).
8. kal. Vesh; vendos diçka në trup a në një pjesë të trupit tim ose të dikujt tjetër; ngjesh. Vë kapelën. Vuri helmetën. Vë syze. Vë dylbitë. Vë dhëmbët. Vë rruaza (në qafë). Vuri pushkën në krah. Vuri brezin. Vuri gjerdanin me fishekë. Vë termometrin vendos termometrin nën sqetull për të matur temperaturën.
9. kal. Lyej një pjesë të trupit (fytyrën, buzët etj.) me diçka për t'u zbukuruar; lyej dikë a diçka tjetër për ta zbukuruar, për t'i ndryshuar pamjen etj. Vinin këna. Vë të kuq (të bardhë). Vë krem. I vuri pudër. U vë vaj flokëve. U vë bojë këpucëve lyej këpucët me bojë.
10. kal. Bëj një shenjë në diçka me laps, me bojë ose me diçka tjetër, shënoj; shkruaj diçka në një fletë etj. I vuri vulën. Vë nënshkrimin. Vë theksin. Vë pikat mbi ë. Vë datën. Vë shenjat e pikësimit. U vinin damkë deleve. I vë notën nxënësit. Vë mungesat në regjistër.
11. jokal., vet. v. III Zë a formon diçka përsipër. Vë ajkë qumështi. Vë kore plaga. Ka vënë një cipë të hollë. Ka vënë pluhur. I kanë vënë perde sytë. Ka vënë guall toka.
12. jokal. Shtoj diçka në peshën ose në vëllimin e trupit; zë. Ka vënë dhjamë (mish) është shëndoshur tepër, është ngjallur. Ka vënë gjak është shëndoshur. Ka vënë bark.
13. jokal. Mbjell; rrit, mbaj. Vunë duhan (lakra, qepë, presh, hudhra). Vunë mollë (fiq, rrush, pemë). Vënë lule (karafila). Kanë vënë pula (derra, dhen, pëllumba).
14. kal. Fitoj a grumbulloj para, pasuri etj. me punë ose me një mënyrë tjetër, siguroj; vendos para, ushqime a gjëra të tjera diku për t'i ruajtur ose për t'i përdorur më vonë; lë. Vuri pasuri (mall, para, kapital). Vinin zahire për dimër. Vunë ushqimin e dimrit për bagëtitë. Vë para mënjanë kursen, i ruan, i grumbullon paratë.
15. kal. Përfshij, fut në një listë, në inventar etj.; shtroj, paraqit diçka për ta shqyrtuar; paraqit dikë për ta zgjedhur. Vuri kandidaturën. E vunë në listë. E vunë në rendin e ditës. E vunë në votë.
16. kal. E vlerësoj diçka në një mënyrë të caktuar, e çmoj, e quaj. E vë baras me atë. E vë mbi vete. Nuk e vë nën të tjerët. Nuk e vë me asgjë. E vuri si rregull. E ka vënë si detyrë.
17. kal. Caktoj përfundimisht diçka, përcaktoj; shtroj kërkesa të caktuara. Vuri çmimet. Vunë norma të reja. Vë kërkesa të larta. Vuri kushte të rënda.
18. bised., kal. E caktoj dikë të kryejë një punë a një detyrë; e emëroj; e zgjedh. E vunë drejtor (kryetar). E vunë senator klase. E vunë rojë. E vunë në punë. E vunë në një vend me përgjegjësi.
19. jokal. Bëj që diçka të vejë ashtu si duhet; ndërhyj e krijoj kushte të përshtatshme për diçka; vendos. Vë rregull (disiplinë).
20. kal. E detyroj a e shtrëngoj dikë të bëjë diçka; i jap të kryejë një punë (zakonisht në bashkëvajtje me një folje në mënyrën lidhore). E vuri të mësonte. E ka vënë të flejë. E vuri të bënte be. Vuri usta t'i ndreqte çatinë. I vuri njeri ta ruante.
21. kal. I ngjit dikujt diçka; i jap një emër a një emërtim, një titull etj. Si ia vunë emrin? I vunë një nofkë. I vuri titullin artikullit.
22. kal. E lë dikë a diçka në një gjendje të caktuar, e vendos në disa rrethana; krijoj rrethana a kushte të caktuara. E vuri në gjendje të vështirë. Vëre veten në gjendjen time!
23. kal. I përvishem një pune me një vegël, e bëj duke përdorur një mjet. I vuri draprin e korri. I vuri kosën e kositi. I vuri gërshërën e preu me gërshërë, e qethi. I vuri sëpatën e preu me sëpatë. I vuri sharrën e sharroi. I vuri thikën e preu me thikë, e theri.
24. bised., kal. E qëlloj a e shtyj dikë me diçka; e pengoj me diçka; e rrëzoj. I vuri duart (bërrylat). I vuri këmbën (pengën).
25. kal. E përdor diçka, e shtie në punë; shfrytëzoj. Vunë të gjitha forcat (fuqitë). Vuri të gjitha aftësitë e veta.
26. kal. Ngre a kurdis diçka kundër dikujt; shtyj dikë kundër një tjetri. I vuri pritë (pusi). I vuri një grackë (një kurth). E vuri kundër tij.
27. kal. E bëj gati për t'u shfaqur (një vepër dramatike, muzikore etj.). Vuri operën në skenë. Vuri një pjesë të re.
28. kal. Nis diçka, filloj. Vunë themelet e shtëpisë.
29. kal. Përdoret së bashku me disa emra pa parafjalë dhe formon me ta grupe fjalësh me kuptimin e foljeve, që kanë lidhje fjalëformuese me këta emra (edhe në një varg njësish frazeologjike). Vë bast. I vë besë i besoj. Vuri dashuri ra në dashuri, shtiu dashuri. I vuri dyllin diçkaje e dyllosi. S'i vë faj nuk e quaj fajtor, nuk e ngarkoj me faj. I vuri fre e frenoi, e përmbajti. Vë inat inatoset. I vuri kufi (cak) e kufizoi. Vë kujdes kujdesohem. I vuri kusht e kushtëzoi, e bëri me kusht. Vuri ulërimën (lemerinë, kujën). Vë merak merakoset. I vuri minat diçkaje. I vuri njollë (damkë) dikujt e njollosi, e damkosi, e bëri me turp, e poshtëroi para të tjerëve. Vë shpresat te dikush a te diçka shpresoj. I vë theksin e theksoj.
30. kal. Përdoret së bashku me emra, zakonisht prejfoljorë e të paraprirë nga një parafjalë, dhe formon me ta grupe fjalësh me kuptimin e foljeve, që kanë lidhje fjalëformuese me këta emra (edhe në një varg njësish frazeologjike). E vuri në be e lidhi me be, e detyroi të bëjë be. E vuri në dijeni dikë ia bëri të ditur diçka, e njoftoi për diçka. E vë në diskutim diçka e diskutoj, e quaj të diskutueshme. Vuri në dukje se... theksoi se..., përmendi, tregoi se… Nuk e vë në dyshim nuk dyshoj për atë. E vuri në funksionim diçka e bëri të funksionojë. E vuri në gjunjë dikë e gjunjëzoi, e nënshtroi. E vuri nën kontroll nisi ta ketë nën kontroll. E vuri në lëvizje e bëri që të lëvizë, e gjallëroi. Vë në lidhje lidh. E vunë në litar e varën. S'e vë në llogari (në hesap) dikë a diçka s'e llogarit. E vuri në mendime e bëri që të mendohet. E vuri në mundime dikë e futi në mundime, e mundoi. E vuri para përgjegjësisë dikë e bëri të përgjigjet për atë që ka bërë ose të kuptojë përgjegjësinë që ka, i kërkoi llogari. E vuri në përdorim nisi ta përdorë. Kam vënë në plan kam planifikuar, kam ndër mend, mendoj. Vë në provë provoj. Vë në qarkullim e qarkulloj, e shpërndaj; e nxjerr në qarkullim. Vë në rregull diçka rregulloj. Vë në rrezik rrezikon. E vë në shfrytëzim diçka nis ta shfrytëzoj. E vuri në shitje diçka e nxori për ta shitur. E vë nën ujë një tokë e bëj të ujitshme. Vë në veprim e bëj që të veprojë, e bëj që të lëvizë.
✱Sin.: vendoj, mbërthej, rendis, radhis, rendoj, lë, fus, shtie, hedh, ngjis, shtroj.
♦ *Hiq e vër atë vetë. *Ngre e vë (dikush) keq. E puth dhe e vë në *ballë (diçka). Vë (jep) *alarmin (dikush). E vë (e nxjerr) në *ankand (diçka) libr. I vë (i hedh) një *arnë (diçkaje). Vë në balancë (në *peshore) (diçka). Iu vu *bala (dikujt). I vuri (i derdhi) *balsam (dikujt). I vë *balluke (dikujt) keq. E vuri (e bëri) *batbat (dikë). Vuri (hodhi) bazat (*themelet) (e diçkaje) libr. E vë në *be (dikë). I vuri *benzinën (diçkaje). I vuri (i futi) *bërrylin (dikujt). E vë (e sjell) në *binarë (dikë a diçka). E vë në *bishtI (diçka) përçm. E vë në *bishtII (dikë). E vë në *bisht të lahutës (dikë). U vu në *blojë (dikush) tall. I vë *bojë (dikujt a diçkaje). (Është) për ta vënë në *bostan (dikush). E vë (e fut) në *brazdë (në hulli) (dikë). I vë *brirë (dikujt) keq. I vuri (i nguli) *bririn (dikujt). S’e vënë *brinjë (dikë) mospërf. Vuri *brumë (dikush). I vë *cak (dikujt). I vuri çelësin (*kyçin, drynin) (diçkaje). E vë në *çetele (diçka). I vuri *dajakun (dikujt). I vunë *dajren (dikujt) mospërf. I vuri *damkën (dikujt). Ivunë *daullen (dikujt). S’e vë (s’e fut, s’e ka) në *defter (dikë a diçka) mospërf. E vë në *dietë (dikë) libr. Vihem në *dietë libr. Vë *dorë (mbi dikë a mbi diçka). E vuri (e shtiu) në *dorë (dikë a diçka). E vë në *dritë (diçka). I vuri *drizën (diçkaje). I vuri *drunë (dikujt) mospërf. I vuri drynin (*kyçin, çelësin) (diçkaje). Vë në *dukje (diçka). I vuri (i ktheu) dyfekun *(pushkën) (dikujt). Vë *dhjamë. I vë *emër (diçkaje). I vuri *ferrën (diçkaje). E vuri (e solli) në (për) *fije (diçka). I vuri *fitilin (diçkaje). I vuri *flakën (diçkaje). I vë *fre (frerin) (dikujt a diçkaje). E vë në *fre (dikë). I vuri *fshesën përb. I vuri *fugën (diçkaje). I vë (i jap) *fund (diçkaje). I vë gardh (diçkaje). I vuri (i futi) *gërshërën (diçkaje). Vë *gishtin (mbi dikë a mbi diçka). Ka vënë *gojë (dikush). E shtiu (e vuri) në *gropë (dikë). Ka vënë (ka lëshuar) *gushë (dikush). Vë *gjak. I vë *gjoksin (diçkaje). E vë në *gjumë (dikë). I vë * gjyzlykë (dikujt). E vë në *hije (dikë). I vuri *hunë (dikujt) përb. E vë (e fut) në hulli (në *brazdë) (dikë). I vë *hundëz (dikujt). I vë *jastëk. Vënë *jetë (diçka). Vuri *kambanën (dikush). Nuk e vë në *kandar (në peshore). I vuri *kapak (kapakun) (diçkaje). E vë në *karantinë (diçka) libr. E vuri (e futi) në *katror (dikë) libr. I vuri *kazmën (diçkaje). Vë *këmbë (diku). I vuri *këmbën (dikujt) keq. E vuri nën *këmbë (dikë). E vë (e hedh) *këmbën mbi këmbë. I vë *kokë (diçkaje). E vuri nën *komandë (dikë). I vuri *kosën (dikujt a diçkaje). I vë *krahët (diçkaje). I vuri *krusmën I vë *krye (diçkaje). I vuri *kryq (dikujt a diçkaje). Vë *kujën (dikush). I vuri *kyçin (diçkaje). I vë *kufi (sinor) (dikujt a diçkaje). Vë *kujën (dikush). Vuri *kurorë (dikush). S’kam vënë (s’kam lidhur) *kurorë (me dikë) tall. I vuri *kurrizin (diçkaje). I vuri *kyçin (çelësin, drynin) (diçkaje). I vë *ledh (diçkaje). I vunë (i varën) *legenin (dikujt) mospërf. I vuri *leqe (dikujt). Vë *lemerinë (dikush). I vuri *lesën (dikujt a diçkaje). E vuri në *lojë (dikë). E vë në *lotari (diçka). I vuri *lulen (diçkaje). S’e vë në llogari (në *hesap) (dikë a diçka). I vuri *llozin (diçkaje). I vë *majën (diçkaje). Vuri *maskën (dikush) keq. I vë *mend (dikujt a diçkaje). Vuri (zuri) *mend (dikush). E vë ndër *mend (diçka). I vë *mendjen (dikujt a diçkaje). E vë në *mendje. E ka vënë në *mengene (dikë). Vuri (zuri) *merak (në diçka). I vë *metrin (dikujt). I vë *mëgojëzën (dikujt). Vë *mënjanë (diçka). I vuri *minat (dikujt a diçkaje). Vë (lidh) *mish. I vuri *ngojëzën (dikujt). E vuri në *nishan (dikë). S’e vë (s’e zë, s’e shtie, s’e fut) në *numër (dikë). I vë *njollë (dikujt a diçkaje). I vuri një *perde (diçkaje). Vë në *peshë (diçka). Vë në *peshore (diçka). Nuk e vë në peshore (në *kandar) (diçka). E vuri *përfund. E vuri (e mori) *përpara (dikë). E kam vënë *përpara (diçka). E vë *përposhtë (dikë). E vunë (e ngritën) në *piedestal (dikë a diçka) libr. I vuri *pikë (pikën) (diçkaje) libr. E vë në *pikëpyetje (dikë a diçka) libr. I vë një *pikëpyetje (dikujt a diçkaje) libr. I vuri *pishën (diçkaje). E vë *plak (dikë). I vë në një *plan libr. I vuri *plloçën (diçkaje). E vuri *poshtë (dikë). I vë (i hedh) *prangat (dikujt). Më ka vënë *prangat (dikush). S’ia vë për *pulle (dikujt). I vuri (i ktheu) *pushkën (dikujt). E vuri në *pyka (dikë). I vë *qeleshen (dikujt) keq. E vunë në *qoshe (dikë). E vë në *rabush (dikë a diçka). Vë në një *radhë (në një rresht) (me dikë a me diçka). Vë *re (dikë a diçka). I vuri *rrasën (diçkaje). I vë *samarin (samar) (dikujt) tall. I vuri *sëpatën (diçkaje). E vuri (e futi) në *sirtar (diçka). Ia vuri *syrin. I kanë vënë sytë *ag (dikujt). I kanë vënë (i kanë zënë) sytë *cergë (dikujt). I kanë vënë (i kanë zënë) sytë *perde (dikujt). Ivë *qeleshen (dikujt a diçkaje). I vë *syze (dikujt). I vë *shenjën (dikujt). E ka vënë (e ka) në *shenjë (në shënjestër) (dikë a diçka). E ka vënë (e ka) në shënjestër (në *shenjë) (dikë a diçka). I vuri *shkelmin (diçkaje). I vuri *shkëndijën (xixën) (diçkaje). I vë *shpatullat (diçkaje). I vunë *shpatullat (njëri-tjetrit). I vuri *shtupën (diçkaje). I vuri *shulin (diçkaje). E vë në *tel (dikë). Vë *telat (dikush) iron. Vë *tellallin (dikush). I vunë (i varën) *teneqenë (dikujt) mospërf. E vuri në *tragë (dikë a diçka). E vunë në *tupan (dikë) mospërf. Vë *theksin (mbi diçka) libr. Vuri (hodhi) *themelet (bazat) (e diçkaje) libr. I vë *thikën. E vuri në *thikë (dikë). E vë në *thua (dikë) mospërf. E ka vënë nën *thundër (dikë). E vë në *udhë (të mbarë) (dikë a diçka). E vë në *ujdi (diçka) vjet. Vë ujkun *bari (dikush) iron. Vë *ujkun të ruajë delet (dhentë) iron. Vë *ulërimën (dikush). E vë në *vaj (diçka a dikë). E vuri (e shtiu) në varr (dikë). E vuri në *vend (diçka). Vë *vesh (veshin). I vë *veshin (dikujt a diçkaje). E ka vënë nën *vete. I vuri (i hoqi) *vizë (vijë) (dikujt a diçkaje). I vuri *vulën (diçkaje). I vuri xixën (*shkëndijën) (diçkaje). E vë (e fut) në *xhep (diçka). E vuri (e futi) në *zgjedhë (dikë). I vuri *zjarrin (diçkaje).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë