Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AGREGÁT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Bashkim i elementeve të ndryshme në një tërë; tërësi e pjesëve përbërëse të diçkaje, të lidhura ngushtë ndërmjet tyre dhe që plotësojnë njëra-tjetrën. Agregat kimik grup molekulash që qëndrojnë bashkë përmes lidhjeve të dobëta.
2. tek. Tërësi makinash të ndryshme që krijojnë një sistem të përbashkët funksional, zakonisht për shndërrimin e një forme të energjisë në tjetrën; grup veglash të një makine, që kryejnë së bashku një proces pune. Agregat elektrik (me naftë). Agregate makinerie. Agregat bujqësor. Agregat petëzimi (çimentimi). Agregat ftohës. Agregatet e kombajnës. Punëtori i agregatit. Agregate ndriçuese. Agregat rryme (gjenerator). Agregat për beton.
3. min. Bashkim i mineraleve të ndryshme në një shkëmb të vetëm. Agregatet minerare. Agregatet shkëmbore. Agregate kristalike. Agregat i vogël. Agregat i madh.
4. bujq. Lëmsh i vogël a kokrrizë dheu, që krijohet nga bashkimi i grimcave të veçanta dhe që nuk prishet në ujë. Agregat dheu.
5. inxh. Përzierje materialesh të grimcuara (zhavorr, rërë, gurë të thyer) që përdoren për të bërë beton. Agregat guri. Sasia agregatit për përgatitjen e betonit. Llojet e agregateve. Vetitë fizike-mekanike të agregatit të gurit.
6. stat. Tërësi të dhënash të ndryshme që shfaqen në një përmbledhje të përbashkët për analizë. Analiza statistike e agregateve.
7. ek. Tërësi ndryshorësh ekonomikë, financiarë etj. si kërkesë. Agregatet ekonomike. Agregatet monetare.
8. soc. Grup individësh ose elementesh që krijojnë një tërësi; bashkësi njerëzish që nuk formojnë një grup të strukturuar, por që ndajnë një hapësirë ose qëllim të përbashkët. Agregat shoqëror.
9. gjuh. Bashkësi fjalësh që lidhen në një kontekst. Agregat fjalësh. Agregat formash leksikore (morfologjike).
AMALGAM/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. 1. kim. Lidh zhivën me metale të tjera; përziej fort disa metale në një përzierje të vetme, bëj amalgamë. Amalgamoj argjendin e arin.
2. fig. Përziej gjëra të ndryshme në tërësi. Amalgamoj ndërmarrjet. Amalgamoj bashkësi të ndryshme interesash. Amalgamoj mendimet. Amalgamoj ngjyrat. Amalgamova llojet e ushqimeve.
✱Sin.: lidh, bashkoj, përziej, shkrij, ngjiz.
ANTISIMETRÍ,~A f., mat. Raporti binar në një bashkësi ku çdo dy elemente të ndryshme, të lidhura në një drejtim nuk mund të lidhen në drejtim të kundërt; kund. simetri. Antisimetri e boshtit. Antisimetri e figurave. Antisimetri e trupave gjeometrikë. Antisimetria paraqet mungesën e simetrisë standarde.
✱Sin.: kundërsimetri, josimetri.
ANËTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që bën pjesë në një grup, në një organizatë, në një parti, në një shoqatë, në një komision ose në një bashkësi tjetër; ai që bën pjesë në një komision a në një grup të caktuar për një punë; ai që është i zgjedhur a i caktuar në një organ, në një forum etj. Anëtar i përhershëm. Anëtar partie. Anëtar nderi. Anëtar i kryesisë (i komisionit, i klubit...). Anëtar i qeverisë (i kryesisë). Anëtar i shoqatës (i federatës etj.). Anëtar i këshillit bashkiak. Anëtarët e organizatës. Anëtare e shoqatës kulturore. Anëtarët e familjes. Jam (bëhem) anëtar. Pranoj si anëtar.
ANËTÁR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Ajo që bën pjesë në një grup, në një organizatë, në një parti, në një organizatë, në një shoqatë, në një komision ose në një bashkësi tjetër; ajo që bën pjesë në një komision a në një grup të caktuar për një punë; ajo që është e zgjedhur a e caktuar në një organ, forum etj. Anëtare partie. Anëtare e Shoqatës së Grave. Anëtare e kryesisë. Anëtare e këshillit shkencor.
ASOCIACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Grup individësh, organizatash ose entitetesh të tjera që bashkohen për një qëllim të përbashkët. Asociacioni i komunave. Formimi i asociacionit. Asociacioni i shoqatave kulturore. Asociacion humanitar. Asociacion biznesor. Asociacion historik (politik, social, shoqëror, etik, antropologjik etj.). Asociacion me bazë etnike.
2. Organizëm juridik me status ligjor, shoqatë, klub etj. Asociacioni i ekologjistëve. Asociacioni i shkrimtarëve. Asociacioni i mjekëve.
3. psikol. Lidhja ndërmjet përmbajtjeve të ndryshme psikologjike apo aktiviteteve psikomotorike; lidhje mendore midis koncepteve, ngjarjeve, gjendjeve mendore e shpirtërore që dalin nga përvoja individuale. Asociacion përfytyrimesh (mendimesh). Asociacion idesh (fjalësh). Ngjall asociacione. Lojë asociacionesh. Zinxhir asociacionesh.
4. Marrëdhënia ndërmjet ndryshoreve (variablave) që nuk janë të pavarura, lidhje e ndryshoreve e mbështetur në kategori cilësore. Asociacioni i ndryshoreve.
5. bot. Njësi bazë sistematike (sintaksonomike) në shkencën e bashkësive bimore (familje, gjini etj.); grupime bimore me përbërje të ngjashme flore, me kushte të ngjashme ekologjike mjedisore dhe me ngjashmëri në pamje. Asociacion bimor karakteristik për zonën. Asociacioni Evropian për Fara.
5. zool. Grupim e sistemim i kafshëve në bashkësi më të mëdha duke pasur parasysh kushtet e rrethanat ekologjike, përfshirë ato klimatike. Asociacioni i parë (i dytë etj.). Asociacion i rritjes së temperaturave. Asociacion i specieve ujore.
6. kim. Grumbullimi i molekulave ose i joneve në grupime më të mëdha, ku forcat që mbajnë të bashkuara njësitë përbërëse janë më të dobëta se ato që çojnë në krijimin e një lidhjeje kimike. Krijimi i asociacioneve hidrogjenore. Asociacionet e çifteve jonike. Asociacioni i atomeve.
✱Sin.: bashkim, shoqëri, lidhje, shoqërim, shoqatë, grup, grupim, aleancë.
BASHKATARÍ,~A f. sh. ~, ~TË vjet. Bashkësi (në komunitetin primitiv).
►BASHKËKUVEND/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR libr., vet. v. III 1. vetv. Kuvendohet hapur për një problem etj. në një bashkësi njerëzish. Kjo çështje duhet të bashkëkuvendohet me të gjithë.
2. pës. e BASHKËKUVENDÓJ.
BASHKËRÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. kryes. sh. Anë të përbashkëta, tipare të përbashkëta ndërmjet sendeve, dukurive etj.; ngjashmëri, përkim, afri. Pas kësaj bashkërie fshihet një ndryshim i brendshëm i madh.
2. përmb. Shokë e miq, shoqëri. Kemi bashkëri.
3. vjet. Bashkësi2. Jetonin në bashkëri.
4. vjet. Bashkim2. Bëri bashkëri. Brenda një bashkërie.
5. Kullotë e përbashkët, mera.
✱Sin.: ngjashmëri, përkim, afri, bashkim, lidhje, shoqëri, bashkësi.
BASHKËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. vet. nj. Të pasurit diçka të përbashkët me një tjetër, prania e një tipari të përbashkët me një tjetër; lidhja e dy a më shumë gjërave sipas diçkaje të përbashkët. Bashkësi ekonomike. Bashkësi (lidhje) gjuhësore. Bashkësia e territorit. Bashkësi idesh (qëllimesh, interesash, pikëpamjesh). Bashkësi mendimi (veprimi). Brenda bashkësive.
2. Grup njerëzish që janë të lidhur e të bashkuar nga prejardhja, nga kushtet e jetesës, nga veçoritë kombëtare, nga interesa e qëllime të përbashkëta etj.; grup vendesh a popujsh që lidhen nga kushte historike ose nga interesa të përbashkët ekonomikë, shoqërorë e politikë. Bashkësi e qëndrueshme. Bashkësi ekonomike (territoriale). Bashkësi kombëtare. Bashkësi shtetesh. Bashkësia iliro- shqiptare. Bashkësia evropiane.
3. hist. Formë e organizimit të shoqërisë në rendin e komunës primitive kur njerëzit i zotëronin së bashku mjetet e prodhimit dhe vetëqeveriseshin; formë e tillë që u ruajt pjesërisht edhe më vonë; komunë. Bashkësia primitive. Bashkësi fisnore. Bashkësitë fshatare. Prona e bashkësisë. Shthurja e bashkësisë.
4. fet. Grup murgjish a fetarësh që banojnë në një manastir; vëllazëri; grup i madh njerëzish të një besimi fetar. Bashkësi fetare. Bashkësia ortodokse (katolike, myslimane, bektashiane).
5. mat. Tërësi njësish ose elementesh që kanë një veti të përbashkët, karakteristike vetëm për to (si tërësia e numrave natyrorë, tërësia e nxënësve të një klase, tërësia e drurëve të një pylli etj.). Bashkësi e pafundme (e kufizuar, e mbyllur). Bashkësia e numrave. Sistemi i bashkësive.
6. gjeol. Tërësia e zonave dhe e shtresave gjeologjike që kanë të përbashkët përbërjet, ndërtimin etj. Bashkësi gjeologjike.
DHJETËMÍJËSH,~I m. sh. ~A, ~AT Bashkësi që përbëhet nga dhjetë mijë elemente. Dhjetëmijëshi i parë. Dhjetëmijëshi i zgjedhësve të njësisë.
DHJETËMILIÓNËSH,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Bashkësi që përbëhet nga dhjetë milionë njësi apo elemente. Partia tashmë është dhjetëmilionëshe. Ky dhjetëmilionësh viktimash.
2. si mb. Që përmban dhjetë milionë elemente. Popull dhjetëmilionësh. Shtet dhjetëmilionësh. Tender dhjetëmilionësh.
DIALÉKT,~I m. sh. ~E, ~ET gjuh. 1. Variant i gjuhës, i përdorur nga një bashkësi njerëzish që banojnë në një truall pak a shumë të kufizuar ose që i takojnë një shtrese të caktuar shoqërore. Dialekt territorial. Dialekt shoqëror. Dialektet e shqipes. Dialekti i Veriut (i Jugut). Afrimi i dialekteve. Studimi i dialekteve.
2. bised. E folme. Në dialektin e Elbasanit.
EKOSISTÉM,~I m., biol. Bashkësi biologjike e organizmave ndërveprues dhe mjedisi i tyre fizik. Ekosistemi tokësor. Ekosistemi ujor. Funksioni dhe zhvillimi i një ekosistemi. Ekosistemi natyror. Llojet e ekosistemeve.
ELÍT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT përmb., libr. Grup njerëzish në një bashkësi të caktuar shoqërore që vlerësohen si më të zotët dhe që gëzojnë një prestigj më të madh; pjesa më e mirë a më e zgjedhur. Elita e privilegjuar. Elita e shoqërisë (e vendit). Elita e intelektualëve (e ushtrisë). Përfaqësuesit e elitës. Secili grupim ekonomiko-social ka elitën e vet politike. Elitat kulturore dhe shkencore të kontinentit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë