Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BARRËTÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që mbart një barrë a një ngarkesë në kurriz; hamall, bartës, mbartës, barrëtar. Barrëtor skele. Jastëk që e vënë barrëtorët në kurriz. Krahë barrëtori.
2. Ai që çon kafshët e ngarkuara me drithë për të bluar në mulli; qiraxhi i karvanit. Po na vjen barrëtor i ri, / Na sjell grurin si flori, / Thuaja këngës, mullixhi. (folk.).
3. Përgjegjës për diçka, ai që është i detyruar të japë llogari për diçka që ka ndodhur; fajtor. Barrëtori i dasmës. Barrëtor për këtë jam unë.
BÁRTËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që bart diçka me krahë ose me mjet; mbartës. Bartës qymyri. Bartës sëmundjesh (mikrobesh). Bartës të energjisë diellore (të elektricitetit). Bartësit e virusit. Numri i madh i bartësve.
2. tekst. Shul i prapmë i vegjës (i tezgjahut). Bartësi i tezgjahut.
3. fig. Ai që krijon a që mban dhe ruan me kujdes diçka të vyer, duke e përcjellë ndër breza. Bartës i këngës legjendare. Bartës kujtimesh. Bartës i traditave (i trashëgimis). Bartës i vlerave njerëzore. Bartës i gjuhës shkencore. Bartës të së mirës.
DEBITÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT fin. Shteti, institucioni ose personi që i ka borxh dikujt, ai që i detyrohet diçka (para, sende etj.) dikujt; që është bartës i ndonjë detyrimi dhe që është i detyruar ta përmbushë; kund. kreditor. Detyrimi i debitorit. Debitor kryesor. Debitor në procedurën e përmbarimit. Është debitor ndaj tij.
EKTOPARAZÍT,~I m., biol. Parazit që jeton në sipërfaqen e trupit të organizmit bartës. Janë ektoparazitë që ushqehen me gjakun e gjitarëve. Ektoparazitët janë organizma shumëqelizorë. Ektoparazitët dëmtojnë shëndetin.
ELEKTRÓN,~I m. sh. ~E, ~ET fiz. Çdonjëra prej grimcave më të imëta elementare me ngarkesën më të vogël elektrike negative, që sillet rreth bërthamës së atomit dhe që vepron si bartës kryesor i elektricitetit. Elektron i lirë. Lëvizja e elektroneve. Elektronet lëvizin në mënyra të caktuara. Dy elektrone që ndodhen në një orbital atomik. Atom që ka humbur elektrone.
INDIVIDUALITÉT,~I m. 1. Tërësia e veçorive karakteristike dhe e tipareve të veçanta që shquajnë një individ nga një tjetër; njeriu si bartës i tipareve të veçanta dhe si individ që shquhet nga të tjerët; të qenët i ndryshëm nga të tjerët, të qenët diçka më vete. Individualiteti kombëtar. Individualitet i theksuar (i dallueshëm). Individualiteti i një njeriu (i një kafshë, i një sendi).
2. art., let. Tërësia e tipareve dhe e veçorive individuale të krijimtarisë së një artisti a të një shkrimtari në organizimin e përmbajtjes dhe të formës artistike, që përcaktohen nga botëkuptimi i tij dhe që e dallojnë atë nga të tjerët. Individualitet krijues. Individualiteti i shkrimtarit (i artistit).
✱Sin.: origjinalitet, veçori.
MBÁJTËS,~E mb. 1. Që shërben për të mbajtur a për të përforcuar diçka për të mos rënë; mbështetës, përforcues. Shtyllat mbajtëse të ndërtesës. Mur mbajtës. Blloqe mbajtëse. Digë mbajtëse. Hu mbajtës i gardhit. Dru mbajtës. Pikën mbajtëse e kishte në mes.
2. Që mban a që nxë diçka; mbartës. Kapaciteti mbajtës i kamionit. Llojet e tokave dhe aftësia mbajtëse e tyre.
✱Sin.: mbështetës, përforcues, mbartës, bartës.
MÉNDJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Aftësia e njeriut për të menduar, për të njohur e për të pasqyruar botën, për të arsyetuar e për të gjykuar, që arrihet me anë të veprimtarisë së trurit; arsyeja si veti e njeriut; truri si qendër e veprimtarisë mendore; mend (edhe në një varg njësish frazeologjike). Mendje e shëndoshë. Njeri i penës dhe i mendjes. Aq ia preu mendja. I punon mendja për... Është i mprehtë (i hollë, i trashë, i lehtë) nga mendja. Iu trash (iu hollua) mendja. I pret hollë mendja. E ka mendjen të hollë. I pjell mendja ka aftësi mendore krijuese. E ka mendjen femër. E ka mendjen akull (brisk, qiqër). E shtrydhi mirë mendjen u mendua fort për diçka, e vrau shumë mendjen. E lodh mendjen. Më zien mendja. Gjykon (vepron) me mendje të vet bën ashtu si e mendon e si do vetë, nuk pyet njeri. S’ia kap (s’ia pret, s’ia rrok) mendja. E ka (e tha) nga mendja e vet. E ka nxjerrë nga mendja e vet. S’i ka nga mendja e tij. I është bërë mendja sport (muzikë) (bised.) mendon vetëm për sportin (për muzikën). Bluaj me (në) mendje.
2. bised. Ajo që mendon dikush për dikë a për diçka; pikëpamje, bindje; gjykim, vlerësim, mendim. Sipas mendjes sime... Jam i mendjes që... Jam i një mendjeje me të. Nuk pajtohem me atë mendje. I erdhi një mendje. Ndërroi mendje hoqi dorë nga një mendim i mëparshëm. M’u kthye (m’u ndërrua) mendja nuk e kam me atë mendim që kisha, tashti mendoj ndryshe. Nuk i lot mendja nuk tundet nga mendimi që ka. Ia bleu (ia gjeti, ia zgjodhi) mendjen. Ia di mendjen. Ç’mendje keni për atë? Shkon pas mendjes së tjetërkujt. U vijnë gjithfarë mendjesh. Jam dy mendjesh jam më dysh, ndërdyshas, kam dy mendime, s’di si t’ia bëj. Një mendje më thotë po, një mendje jo jam në mëdyshje.
3. bised. Këshillë, mendim si këshillë; mësim. Më jep një mendje! Donte (kërkonte) një mendje nga i ati. S’e do (s’e pëlqen) atë mendje.
4. Kujdesi e vëmendja që tregojmë për diçka a për dikë, vëmendje. Ki mendjen! ki kujdes!, hap sytë! S’e ka mendjen aty. S’ia vuri mendjen këshillës që i dhanë. E hoqi (e largoi) mendjen nga dikush a nga diçka nuk kujdeset, nuk shqetësohet më për të. I vë mendjen dikujt a) kujdesem për të që të shkojë mirë; b) e dëgjoj me vëmendje. Atje (tek ai) i rri mendja për atë është i shqetësuar, për atë ka merak.
5. Të menduarit. Higjiena e mendjes. E marr me mendje e kuptoj, jam në gjendje ta kuptoj nëpërmjet të menduarit. E kaloi nëpër mendje. E çoj (e shpie) mendjen te dikush a te diçka.
6. Kujtesë, mend (edhe në një varg njësish frazeologjike). E kam (e ruaj) në mendje. Nuk me hiqet (nuk e largoj) nga mendja. E hoqi nga mendja. E fshiu nga mendja nuk e kujton më fare, e harroi krejt. M’u ngul në mendje. Më doli (më iku) nga mendja e harrova fare. Më erdhi (më shkoi, më vajti) në mendje m’u kujtua. E sjell në mendje e kujtoj, e sjell ndër mend. E fut (e shtie) në mendje.
7. fig. Njeriu si bartës i të menduarit; njeri me aftësi mendore në një gjendje a në një shkallë të caktuar. Mendje e ndritur (e madhe). Mendje e re (e vjetër). Mendje krijuese. Mendje e ngushtë (e thatë, e mykur). Mendjet më të shquara të njerëzimit.
8. bised. Qëllim, synim. Kishte mendje të mirë (të ligë). Erdhi me mendje të keqe. Nuk ia dinim mendjen. Ia kuptoi mendjen. Ia njoh mirë mendjen. Me atë mendje që ka, do ta pësojë. Mendja e madhe e zeza e të zot. (fj. u.) mendjemadhi e pëson vetë. Mendja e madhe ta thyen qafën (zverkun). (fj. u.) mendja e madhe e zeza e të zot.
✱Sin.: mend, tru, fiqir, të menduarit, arsye, gjykim, vëmendje, kujdes, mendim, kujtesë, këshillë, qëllim, synim.
♦ Me *akull të mendjes. Iu arratis mendja (dikujt) u shpërqendrua fare; u hutua krejt; i bredh mendja në kujtime, në vende të largëta, në ngjarje të jetuara etj.; i bredhërin mendja. Aq ia arrin (ia pret) mendja (dikujt) mospërf. aq di e aq mund të kuptojë; nuk është shumë i zgjuar, është i kufizuar në arsyetim; aq e ka. I është bërë mendja... e ka gjithnjë mendjen te diçka, mendon vazhdimisht vetëm për të; i është bërë koka...M’u bë mendja (koka) *bozë. M’u bë mendja *çarçaf. M’u bë mendja *çorap. M’u bë mendja (koka) *çorbë. M’u bë mendja (koka) *dhallë. M’u bë mendja *havale. M’u bë mendja (koka) *lëmsh. M’u bë mendja (koka) *llum. M’u bë mendja (koka) *përshesh. M’u bë mendja *top (për diçka). M’u bë mendja (koka) *tym. M’u bë mendja *ujë. M’u bë mendja *veri. Ia bëj mendjen (kokën) *bozë (dikujt). Ia bëri mendjen *çapraz (dikujt). Ia bëj mendjen *çarçaf (dikujt). Ia bëj mendjen *çorap (dikujt). Ia bëri mendjen *çorbë (dikujt). Ma bëri mendjen (kokën) *dhallë (dikush).Ia bëri mendjen *firifiu (dikujt). Ia bëj mendjen *hirrë (dikujt). E bën mendjen *hu (dikush). Ia bëj mendjen *livadh (dikujt). Ma bëri mendjen *mulli (dikush).E bëra mendjen *okë. Ia bëri kokën (mendjen) *përshesh (dikujt). Ia bëri mendjen *pordhë (dikujt) bised. vulg. E bëra mendjen *pupa. Ma bëri mendjen (kokën) *sallatë (dikush). E bëra (e mblodha) mendjen *top (për diçka). Ia bëj mendjen (kokën) *tym (dikujt). Ia bëri mendjen *ujem (dikujt). Ma bëri mendjen *ujë (dikush a diçka). Ia bëri mendjen *veri (dikujt). Ra në mendje (dikush). 1. Erdhi në gjendje normale, kupton se ku është, ç’po ndodh etj.; e mblodhi mendjen; erdhi në vete; ra në vete. 2. U kujtua; i shkoi (i vajti) mendja (dikujt); i shkoi ndër mend (dikujt). I ra në mendje (dikujt). 1. Nuk i hiqet mendimi për dikë a për diçka, për atë mendon vazhdimisht; iu ngul (iu ngulit) në mendje. 2. Kujtohet për dikë a për diçka pas shumë kohësh, i vjen dikush a diçka në kujtesë; e mendon; i ra në tru. I ra mendjes (prapa) (dikush) e mblodhi veten, e kuptoi më në fund diçka; u bë më i zgjuar; erdhi në udhë (të mbarë). Bie në një mendje (me dikë) pajtohem në mendim me dikë; merrem vesh, kuptohem me të; i puq fjalët. I blej mendjen (dikujt) e gjykoj dhe e kuptoj se ç’mendon për një çështje të caktuar a për diçka; e marr vesh se ç’ka ndër mend të bëjë, duke e hetuar e duke e ngacmuar që t’i zbuloj mendimin. E bluaj në mendje (diçka) e mendoj mirë e mirë dhe për një kohë të gjatë, e rrah me vete nga të gjitha anët; bluaj me mend. I bredhërin mendja (dikujt) është i shpërqendruar, është i shpërndarë e i hutuar, mendon për gjëra të ndryshme kalimthi; nuk përqendrohet dot në një gjë, shikon si i hutuar, nuk e ka mendjen aty; është si i çoroditur; iu arratis mendja; i kullot mendja (gjetkë); i fluturon (i ikën) mendja3; kullot retë (dikush). M’u çakërdis mendja u hutova krejt e nuk di si të veproj; m’u prish mendja. Çalon nga mendja (dikush) keq. shih nuk ka (as) pesë (as dy) para mend (dikush).E çoj (e shpie) mendjen (te dikush a te diçka) nis të mendoj për dikë a për diçka; e sjell ndër mend (dikë a diçka); e hedh mendjen; kund. e heq (e largoj) mendjen (nga dikush a nga diçka). Më doli nga mendja (diçka) e harrova fare; më doli (më iku) nga mendtë; më iku nga trutë. I ka dalë mendja mbi kapë (dikujt) keq. shihi bie kashtës përmbi kalli (dikush). (Del) mendje mbi mendje (dikush) iron. del mbi të gjithë, e bën veten për më të zgjuarin; i duket se po thotë mendimin më të zgjuar. Ma do mendja besoj; kujtoj se...; ma ha (ma merr, ma pret) mendja; ma thotë mendja; shkoj (vete) me mendjen se... I ecën (i bredhërin) *gjuha para mendjes (dikujt). M’u errësua mendja. 1. Nuk e kam mendimin aq të qartë, jam i turbulluar e nuk mendoj si duhet; m’u turbullua (m’u mjegullua) mendja. 2. Më hipi inati a zemërimi dhe nuk arsyetoj më, humba kontrollin e vetes dhe nuk di ç’bëj; m’u veshën sytë. Ma errësoi mendjen (dikush a diçka) më bëri të mos i shoh më gjërat qartë ashtu siç janë e të veproj gabim; ma turbulloi (ma mjegulloi) mendjen. I ka fërshëllyer mendja (dikujt) tall. e vlerëson veten më shumë nga ç’është, i pëlqen vetja e mburret; i ka hyrë vetja në qejf (dikujt); mbahet më të madh (dikush); shet mend (dikush); i është rritur mendja; është dashuruar me vetveten (dikush). E fjeti mendjen (dikush) është i qetë për diçka; e hoqi merakun, nuk shqetësohet më, është i sigurt për diçka që pret, për një porosi etj.; e hodhi (e vuri) festen (qeleshen, kapelen, takijen) mbi sy; e hedh (e vë) këmbën mbi këmbë; i shtiu veshët në lesh. Më fle mendja (te dikush a te diçka) kam besim të plotë te dikush a te diçka; jam i qetë e i sigurt plotësisht; qetësohem, duke u bindur për diçka a duke i besuar diçkaje; jam i vendosur; m’u mbush mendja; më fle kandari. Më fluturoi (më iku) nga mendja (diçka) e harrova shumë shpejt, nuk kujtohem më për të; e harrova pa dashje; më doli nga mendja; më doli (më iku) nga mendtë. I fluturoi (i iku) mendja (dikujt). 1. U çmend dikush, shkalloi; po i luan mendja (e kokës); i kapërceu (i kaloi) mendja. 2. U hutua fare, s’është në vete, s’e di ku është a ç’të bëjë; i ka mendtë në tra (nga trarët) (dikush); i ka mendtë në tufë të festes (dikush).3. (diku). I shkoi mendja gjetkë, mendoi për diçka tjetër; i bredhërin mendja; i livadhis mendja; i kullot mendja (gjetkë). E fshij (e shlyej) nga mendja (dikë a diçka) e harroj përfundimisht, nuk dua të mendoj fare për të; nuk e kujtoj më; e fshij (e shlyej) nga kujtesa; e heq (e fshij) nga koka. Ia fut (ia shtie) në mendje (dikujt) ia kujtoj; e bëj të kujtohet ose të mendojë për dikë a për diçka; ia fut (ia shtie) në mend. E gënjen (e rren) mendja (dikë) ashtu kujton, gabon duke e marrë diçka si të vërtetë; shpreson më kot, gënjehet, mashtrohet; bën dy pendë me tre qe (dikush).E gjen mendjen (dikush) është i zgjuar, i kap a i zbulon gjërat shpejt; e zgjidh vetë problemin që ka; bën atë që duhet bërë; më në fund e kupton; e ka mendjen femër; i pjell mendja (dikujt). Gjeti mendja mendjen mendojnë njëlloj si njëri e tjetri, të dy një kokë kanë; gjeti tenxherja kapakun keq. Me *gjysmë mendje. Më ha mendja (për dikë a për diçka) dyshoj, kam dyshim për dikë a për diçka; më ha zemra (te dikush a te diçka); më gërryen zemrën (dikush a diçka). Ma ha (ma merr, ma pret) mendja besoj se..., kujtoj se..., më duket se...; ma do mendja; ma thotë mendja; shkoj (vete) me mendjen se...Hajde mendje, hajde! iron. ama ç’mendje më paske! (kur dikush bën diçka të papëlqyeshme, të çuditshme a mendon gabim). E hedh mendjen nis të mendoj për dikë a për diçka; e kujtoj si rastësisht e shkarazi; e çoj (e shpie) mendjen. E heq (e largoj) mendjen (nga dikush a nga diçka) nuk mendoj më për dikë a për diçka, e harroj; nuk kujdesem e nuk shqetësohem më për dikë a për diçka; e heq (e shkul) nga mendja (dikë a diçka);kund. e çoj (e shpie) mendjen (te dikush a te diçka).E heq (e shkul) nga mendja (dikë a diçka) e harroj krejt, s’e kujtoj më kurrë; e heq (e largoj) mendjen (nga dikush a nga diçka);kund. e ngul (e ngulit) në mendje. I ka hipur mendja mbi kësulë (dikujt) shihi ka hipur mendja në qafë (në qiell) (dikujt).I ka hipur mendja në qafë (në qiell) (dikujt) është bërë shumë mendjemadh; i pëlqen shumë vetja; i është rritur mendja. Nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja (dikush a diçka) s’e harroj dot kurrë, më kujtohet vazhdimisht, më është ngulitur në kujtesë; nuk më hiqet (nuk më shkulet, nuk më shqitet) nga mendtë; më rri mendja (te dikush a te diçka);(atje) e kam mendjen; më ka mbetur (më ka ngelur) në mendje; s’më hiqet nga koka; e kam plagë në zemër (diçka).I është holluar mendja (dikujt) është bërë më i zgjuar, është bërë më i ditur e më i mprehtë; i është holluar truri; kund. i është trashur mendja. Humbi mendjen (dikush) është dhënë aq shumë pas dikujt a pas diçkaje, sa s’është më në gjendje të gjykojë në mënyrë të shëndoshë; u harrua pas dikujt a pas diçkaje, nuk mendon për gjë tjetër; la mendjen; humbi mendtë (e kokës); s’është në vete. I iku (i fluturoi) mendja (dikujt) u çmend, lajthiti; iku nga mendtë (dikush); luajti nga mendja (dikush); luajti mendsh (nga mendtë) (dikush); doli mendsh (dikush); u prish nga mendja (dikush); u prish nga mendtë (mendsh) (dikush).Është afër mendjes (diçka) kuptohet vetvetiu, është fare e qartë; është afër mendsh; s’do mend; ta merr (ta pret) mendja; s’do fjalë; kund. është jashtë mendjes. Është më afër mendjes (diçka) ka më shumë të ngjarë, është më e mundshme; lë të kuptohet vetvetiu; është më afër mendsh. (Jam) me dy mendje s’di si të veproj a ç’anë të marr; nuk kam vendosur ende të bëj diçka, mund të pranoj ose mund të mos pranoj, jam mëdyshas; e kam (mendjen) më dysh; përkundem në dy djepe. Është *fushë nga mendja (nga mendtë, nga koka) (dikush) mospërf. Është *fyell nga mendja (nga mendtë, nga koka) (dikush) mospërf. Është jashtë mendjes (diçka) as që mund të mendohet diçka, s’ta pranon arsyeja, nuk mund të pajtohesh me të; s’ka të ngjarë, është i paqenë; është larg mendsh; kund. është afër mendjes. Është *kërcu nga mendja (dikush). Jam në një mendje (i një mendjeje) (me dikë) mendoj si dikush, pajtohem në mendim me të, nuk kam mendim tjetër nga ai; kam një mendje (me dikë).Është *poç nga mendja (nga koka) (dikush). Është *pupël (nga mendja) (dikush). Është *qyp nga mendja (nga koka) (dikush). Është *trëndelinë nga mendja (dikush) mospërf. Është *trokë nga mendja (dikush) keq. Jap një mendje propozoj diçka; jap një mendim se si mund të zgjidhet a të bëhet diçka. Ka katërqind mendje (dikush) nuk ka një mendim të përcaktuar qartë; i vijnë mendime të ndryshme; ndryshon shpejt mendim, nuk është i qëndrueshëm në një mendim. E ka mendjen (dikush). 1. Mendon të bëjë diçka; ka ndër mend. 2. shih e mban mendjen (te dikush a te diçka). Kam mendjen. 1. Ruhem, kam kujdes. 2. Mendohem mirë para se të bëj diçka, jam i kujdesshëm; hap sytë. Kam një mendje (me dikë) mendoj njësoj si ai; kam të njëjtën mendësi a mënyrë të menduari; jam në një mendje (i një mendjeje) (me dikë). E ka mendjen *aguridhe (dikush) keq. E ka mendjen *akull (dikush). E ka mendjen *brisk (dikush). E ka mendjen *çarçaf (dikush). E kam mendjen (kokën) *çorbë. E ka mendjen *esëll (dikush). E ka mendjen *femër (dikush). E ka mendjen *fije peri (dikush). E ka mendjen *firifiu (dikush). E ka mendjen *të fjetur (dikush). Ka mendje të ftohtë (dikush) e ka gjykimin të kthjellët; mendon e arsyeton me gjakftohtësi, qartë e me logjikë të shëndoshë; e ka mendjen akull. E ka mendjen (trurin) *fushë shpërf. E ka mendjen *të hollë (dikush). E ka mendjen *hu (dikush). E ka mendjen *kobure (dikush). E ka mendjen (i ka mendtë) në *kokë (dikush). E ka mendjen (i ka mendtë) prapa *kokës (dikush). E ka mendjen *të kthjellët (dikush). E ka mendjen *të kulluar (dikush). E ka mendjen *lëndinë (dikush) keq. E ka mendjen në *majë të kësulës (të qeleshes) (dikush). E ka mendjen *të mbledhur (dikush). E ka mendjen *të mprehtë (dikush). E ka mendjen *okë (dikush). E kam mendjen *të prishur. E ka mendjen (i ka mendtë) pas *qafe (dikush). E ka mendjen për *sorra (dikush).E ka mendjen *qiqër (dikush). E kam mendjen (kokën) *rrëmujë. E ka mendjen *të shkurtër (dikush). E ka mendjen (i ka mendtë) pas *shpine (dikush). E ka mendjen *tel (dikush). E ka mendjen *top (dikush). Nuk e ka mendjen (kokën) në *vend (dikush). E ka mendjen *veri (dikush). E ka mendjen *xham (dikush). I kapërceu mendja (dikujt) shih luajti nga mendja (dikush). *Karafil nga mendja (dikush) tall. Nga këmbët *borroviq e nga mendja eksiq mospërf. *Kërcu nga mendja. Të kripsha mendjen! iron. mospërf. shih të kripsha trutë! iron. mospërf. I krisi mendja (dikujt) shih i krisi koka (dikujt). I krisur nga mendja i vrazhdë e i pasjellshëm; jo i arsyeshëm; kokëkrisur; i shartuar në degë përb. M’u kthye (më ndërroi) mendja u binda për diçka dhe nisa të mendoj ndryshe ose të mos bëj atë që kisha menduar më parë; e lashë një mendim të mëparshëm, u tërhoqa nga ajo që kisha vendosur; m’u prish mendja; m’u kthjellua mendja; hoqa dorë. Ia kthej (ia ndërroj) mendjen (dikujt) e bëj dikë të mendojë ndryshe ose të mos bëjë atë që kish menduar më parë; e bind që të ndryshojë mendim ose të tërhiqet nga ajo që kish vendosur; ia prish mendjen. M’u kthjellua mendja. 1. U qartësova e nisa të gjykoj mirë e drejt; më iku lodhja a turbullimi dhe e kujtoj fare qartë diçka. 2. Nuk kam më atë mendim që kisha, mendoj ndryshe; m’u kthye (më ndërroi) mendja. Ia kulloi mendjen (dikujt) e bëri që të njohë mirë e të kuptojë diçka, e bëri t’i shohë gjërat ashtu siç janë; ia shpëlau mendjen; ia shpëlau kokën. I kullot mendja (gjetkë) (dikujt) mendon për dikë a për diçka tjetër ose që ndodhet larg, mendimi i shkon për një kohë të gjatë te dikush a te diçka, nuk e ka mendjen këtu, mendon për shumë gjëra të tjera lirisht e vetvetiu; sodit lirisht; i bredhërin mendja; i livadhis mendja; i fluturon (i ikën) mendja3. S’i kuqet *e bija e mendjes (dikujt) përçm. E laj mendjen (nga dikush a nga diçka) nuk mendoj më për dikë a për diçka, ndërpres së menduar për të; nuk shpresoj më që ta shoh dhe e harroj; e heq (e shkul) nga mendja (dikë a diçka); e hedh (e lë) pas mendsh (dikë a diçka).Është lehtësuar nga mendja (dikush). 1. I është dobësuar kujtesa dhe përgjithësisht aftësia mendore (zakonisht nga pleqëria). 2. tall. Është bërë mendjelehtë; është trëndelinë (nga mendja). La mendjen (pas dikujt a pas diçkaje) u habit shumë, u çudit, u mahnit, mbeti si i shastisur; shkalloi fare, u çmend pas dikujt a pas diçkaje; humbi mendjen; la mendtë (e kokës); humbi mendtë (e kokës); la sytë. E ka lënë mendja (dikë) është bërë budalla; është marrosur, është çmendur; e lanë (e lëshuan) mendtë; e kanë lënë trutë; është prishur nga mendtë (dikush). Të lësh mendjen (pas dikujt a diçkaje) është shumë i bukur, shumë i mirë; t’i marrësh (t’i rrëmbesh) kokën (dikujt); shtie hënën përdhe (dikush); të rrëzon nga kali (dikush). E la mendja në udhë (dikë) u hutua fare, s’është në vete, s’di ku është a ç’duhet të bëjë, u shastis; e humbi toruan (dikush); e humbi busullën (dikush);e humbi si lepuri në thekra (dikush). I livadhis mendja (dikujt). 1. Nuk është i përqendruar, e ka mendjen të shpërndarë, i shkon mendja lirisht nga një gjë në një tjetër; i bredhërin mendja; i kullot mendja (gjetkë); i fluturon (i ikën) mendja3. 2. Ëndërron lirisht për gjëra të paarritshme, fantazon. Lodh mendjen (për diçka) mundohem të kuptoj diçka a të gjej një zgjidhje; përpiqem me këmbëngulje të mësoj a të përvetësoj diçka; vras mendjen; më hahen mendtë (ndër vete); lodh trurin; lodh kokën (kryet). Nuk më luan mendja nuk tundem nga mendimi që kam; jam i vendosur për diçka; nuk ndërroj (nuk kthej) mendje. Luajti nga mendja (dikush) u çmend, shkalloi, lajthiti, shkau; luajti mendsh (nga mendtë); lajthiti nga mendtë; i iku mendja (dikujt); u prish nga mendja; doli mendsh; mori malet. E luajti nga mendja (dikë) e çmendi, e shkalloi; e luajti mendsh (nga mendtë) (dikë). (Po) më luan mendja (e kokës) po çmendem nga dhembje të mëdha, nga shumë shqetësime, telashe a probleme që s’di si t’i zgjidh; s’di ç’të bëj nga gjithë ato halle; po humbas arsyen e gjykimin; po çmendem; (po) më luan (më ikën) kapaku i kokës; (po) më digjet mjekra. Ia mori mendjen (dikujt) shih ia mori mendtë (dikujt). Ma merr (ma ha, ma pret) mendja jam i bindur për diçka; besoj se mund ta bëj një punë a se mund të ndodhë diçka; besoj, kujtoj se...; ma do mendja. Ta merr (ta pret) mendja natyrisht, kuptohet vetvetiu, kuptohet lehtë që ashtu është; s’ka se si të jetë ndryshe; sigurisht, patjetër, s’ka dyshim; s’do mend; është afër mendsh; del (vjen) vetvetiu; merret vesh; s’do fjalë. Merr mendjen (e dikujt) dëgjon vetëm fjalët e dikujt, vepron siç thotë ai, nuk gjykon vetë në mënyrë të pavarur; merr mendtë (e dikujt). I ka marrë mendja (koka) *erë (dikujt). I ka marrë mendja *revan (dikujt) përçm. Mbaj mendjen! kujdes, të mos lajthitësh!; eja në vete!;mos u lësho e mos e humb! E mban mendjen (te dikush a te diçka) mendon vazhdimisht për të, nuk e harron për asnjë çast; e ka mendjen (te dikush a te diçka); i punon mendja; i rreh mendja; i rri mendja; i mbeti (i ngeli) mendja; i qan mendja (për dikë a për diçka). Më mban mendja (për diçka a te dikush) shpresoj te dikush a te diçka; vetëm nga ai ose nga ajo pres diçka; besoj; kam shpresë; i var shpresat (te dikush a te diçka);e kam syrin (i kam sytë) (te dikush a te diçka); i mbaj sytë (te dikush a te diçka). E mban mendjen në *vend (dikush). I mbeti (i ngeli) mendja (te dikush a te diçka) nuk e harron; i ka bërë përshtypje a ka merak dhe gjithnjë për të mendon; e ka mendjen; e mban mendjen; i punon mendja; i rreh mendja; i rri mendja; i qan mendja (për dikë a për diçka). Më ka mbetur (më ka ngelur) në mendje (diçka) nuk e harroj dot, për atë mendoj; nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja. Më mbiu në mendje (diçka) më erdhi papritur një mendim e m’u ngul në kokë; aty e kam mendjen; më shkrepi në mendje; më mbiu në kokë (në krye); më mbiu në tru. E mblodhi mendjen (dikush). 1. Vendosi për diçka, pasi s’kishte ç’të priste më ose të shpresonte për një gjë; u mendua mirë e u bind të kthehej në rrugë të mbarë; e ndau mendjen; e mblodhi (e ndau) mendjen top; i ra mendjes prapa; i erdhi mendja në vend (dikujt); i thirri mendjes; i vuri gishtin kokës; i shtrëngoi rrathët. 2. U qetësua pasi u sigurua për diçka, nuk ka më frikë a dyshime. Mbuloi *balta baltën përb. Ia mbush mendjen (dikujt) e bind më në fund për diçka, e bëj që të mos jetë më i lëkundur a mëdyshas; ia mbush kokën (kryet). M’u mbush mendja u binda plotësisht për të bërë diçka; e vendosa, s’kam më lëkundje, nuk jam më mëdyshas; jam i bindur e nuk dyshoj më; m’u mbush mendja top; m’u mbush mendja qyp; më fle mendja. Nuk i mbushet mendja (dikujt) nuk bindet a nuk beson për diçka; dyshon shumë dhe s’është i vendosur për diçka; nuk arsyeton mirë; nuk i mbushet koka (kryet); nuk ha arsye (dikush); s’lidhet as për bishti as për krye (dikush); s’i fle kandari. M’u mbush mendja *qyp. M’u mbush mendja *top. Me mendje të arratisur. 1. I shpërqendruar fare; krejt i hutuar, sa s’di si të veprojë; me mendje të çakërdisur.2. Që ka humbur diku, i tretur larg; i shpërndarë. Me mendje të çakërdisur krejt i hutuar, sa s’di si të veprojë; i shpërqendruar fare; me mendje të prishur; me mendje të arratisur. Me mendje të errësuar i paaftë për t’i parë gjërat ashtu si janë, i shastisur. Me mendje të errët me synime të këqija; me gjykim të errësuar. Me mendje të fjetur. 1. I qetë, pa ndonjë shqetësim; i sigurt për diçka që pres; pa merak. 2. I ngathët nga mendja; jo shumë i zgjuar. Me mendje të ftohtë jo i lodhur a i ngarkuar mendërisht, i qartë; që e merr diçka shtruar e me qetësi, i qetë; kund. me mendje të nxehtë. Me mendje të lehtë me mendjelehtësi. Mendja e madhe mendjemadhësia. Me mendje të mbledhur. 1. Duke qenë i vendosur për të vepruar ose për të mos vepruar, kur e ke punën të qartë dhe nuk ke ç’pret më a nuk shpreson më për diçka; pa lëkundje e pa mëdyshje; me mendje të mbushur; me mendje të ndarë. 2. I qetë, pa ndonjë shqetësim; qetësisht; me mendje të shtruar. Me mendje të mbushur i bindur përfundimisht për diçka, i palëkundur, i pamëdyshje; me mendje të mbledhur; me mendje të ndarë. Me mendje të ndarë i vendosur njëherë e mirë për diçka, i bindur e i palëkundur; pa mëdyshje; me mendje të mbledhur; me mendje të mbushur. Mendje e ndritur lart. njeri i ditur, me veti e merita të larta, shumë i ngritur e i shquar; kokë e madhe. Me mendje të ndriçuar (të ndritur) i ditur e i kulturuar; i arsimuar e i civilizuar. Me mendje të ndryshkur keq. që ka mbetur prapa zhvillimit të jetës e të shoqërisë, i prapambetur, i vjetruar, i mykur. Me mendje të ngritur i shqetësuar për diçka, që i punon mendja për diçka, i paqetë; kokën këtu e këmbët atje (dikush); kund. me mendje të shtruar. Me mendje të nxehtë shumë i shqetësuar dhe i nxituar; me inat a me zemërim, i nxehur, i ndezur; me kokë të ndezur (të nxehtë); kund. me mendje të ftohtë. Me mendje të njomë ende i papjekur, si fëmijë; i parrahur në jetë, delikat. Me mendje plot i mençur, i ditur; me kokë plot. Me mendje të prishur i hutuar e i çoroditur, sa s’di ku jam e ç’duhet të bëj; i shqetësuar e i shpërqendruar; me mendje të çoroditur. Me mendje të shtruar duke e parë punën me gjakftohtësi; i qetë; me mendje të mbledhur; kund. me mendje të ngritur. Me mendje të tredhur keq. i mpitë nga trutë, i paaftë të mendojë si duhet, torollak. Me mendje të turbullt (të turbulluar) i hutuar; i trullosur; i paqartë në të menduar. *I metë (çyryk, sakat) nga mendja (nga trutë) (dikush). E ndava mendjen (për diçka) e vendosa një herë e mirë për diçka, jam i bindur e nuk kam më lëkundje; e mblodha mendjen; e mblodha (e bëra) mendjen top; lidha mendjen; i dhashë karar (diçkaje). Ndriçoj mendjen fitoj dije e kulturë, arsimohem, bëhem i ditur. Ia ngriti mendjen (dikujt) e bëri të mendojë me shqetësim për diçka, e nxiti a e bindi që të bëjë diçka sa më shpejt; ia bëri mendjen veri; ia bëri mendjen firifiu. M’u ngrit mendja. 1. Nuk jam më i qetë, e kam mendjen te diçka tjetër që më shqetëson. 2. Më erdhi menjëherë një mendim për të bërë diçka dhe s’rri dot pa e bërë; më shkrepi, më hipi; m’u bë mendja veri. E ngul (e ngulit) në mendje (diçka) e shoh a e dëgjoj me kujdes ose e mësoj shumë mirë që të mos e harroj, bëj që të më mbetet në kujtesë për shumë kohë; e mbaj mend; e ngul (e ngulit) në kokë (në krye); e ngul (e ngulit) në tru; e var (e vë, e mbaj, e kam) vath në vesh; e vë (e fut) në xhep; kund. e heq (e shkul) nga mendja. Iu ngul (iu ngulit) në mendje (dikujt) i ka lënë mbresa të forta e të pashlyeshme sa nuk e harron për shumë kohë; i ra në mendje; iu ngul në kokë; iu ngul (iu ngulit) në tru; i ka rënë në tru të vogël. S’ma nxë mendja (diçka) shih s’ma nxë koka (diçka). E nxjerr nga mendja (dikë a diçka) e harroj vetë, nuk dua të mendoj më për dikë a për diçka; e lë në harresë, nuk dua ta kujtoj; heq dorë nga një mendim. I pëlqen mendja (e vet) (dikujt). 1. Është mendjemadh, i duket vetja si më i zgjuari, s’dëgjon askënd; shet mend (dikush); ika hyrë vetja në qejf; u jep mend të tjerëve (dikush). 2. Vepron në kokë të vet, pa pyetur njeri; i duket e mirë vetëm ajo që bën ai. S’ma përthekon mendja (diçka) shih s’ma merr (s’ma pret) mendja. Piu mendjen (dikush) mospërf. shih u bë tapë (dikush).E pjek mendjen (për diçka) vendos për diçka; e ndaj mendjen; i jap karar. I pjell mendja (dikujt). 1. Është i zoti për të shpikur dhe për të krijuar gjëra të reja; e ka mendjen femër (dikush); i pjell koka; i pjell truri. 2. keq. Sajon gjëra të paqena, trillon. S’ia pret (s’ia kap, s’ia rrok) mendja (dikujt) nuk e kupton, nuk e kap dot diçka; s’i hyn në kokë; s’ia pret koka; s’ia pret truri; nuk ka (as) pesë (as dy) para mend (dikush).I pret mendja *hollë (dikujt). Të bën atë që s’ta pret mendja (dikush) të bën një të keqe të madhe; është njeri i pamëshirshëm, që bën shumë të këqija e nuk përgjigjet përpara askujt; është kriminel; të bën gjëmën; të vret e s’të paguan; vret e pret. Ia prish mendjen (dikujt). 1. E bëj të mendojë ndryshe; e bëj të besojë atë që i them unë, të mendojë a të veprojë si i them unë; ia kthej (ia ndërroj) mendjen; ia marr mendtë. 2. E hutoj dikë, e turbulloj; ia marr mendtë; ia bëj kokën (mendjen) dhallë; ia bëj kokën (mendjen) sallatë. M’u prish mendja. 1. Fillova të mendoj ndryshe; nuk ruaj po atë mendim; m’u kthye (më ndërroi) mendja. 2. U hutova, u turbullova; m’u çakërdis mendja; m’u bë mendja ujë; më merren mendtë; e kam mendjen të prishur. U prish nga mendja (dikush) u çmend, u marros; u prish nga mendtë (mendsh); luajti mendsh (nga mendtë); i iku mendja (dikujt); iku nga mendtë; doli mendsh. I punon mendja (dikujt). 1. Është i zgjuar, i kap a i zbulon gjërat shpejt; i punon truri; i punon koka. 2. (për diçka). Mendon gjithnjë për diçka; e ka mendjen; e mban mendjen; i rri mendja (te diçka); i rreh mendja; i mbeti (i ngeli) mendja (te diçka); i qan mendja.*Pykë nga mendja. I qan mendja (për dikë a për diçka) mendon shumë për dikë a për diçka, është i shqetësuar për të; ku ta gjejë që ta ketë, e dëshiron shumë; e ka mendjen; e mban mendjen (te dikush a te diçka); i rri mendja (te dikush a te diçka); i punon mendja; i rreh mendja; i mbeti (i ngeli) mendja (te dikush a te diçka); i qan syri. *Qyqe nga mendja. Është ronitur nga mendja (dikush) është matufosur; ka rrjedhur, ka lënë; ka rrjedhur nga mendja; është ronitur nga trutë. E ruaj në mendje (dikë a diçka) nuk e harroj, e kujtoj vazhdimisht me dashuri. Rrah mendjen (për diçka) mendohem mirë e mirë për diçka, e shoshit si duhet diçka; lodh mendjen; vras mendjen; bluaj me mend. I rreh mendja (për diçka) është i shqetësuar për diçka dhe për atë mendon vazhdimisht; e ka mendjen (te diçka); e mban mendjen (te diçka);i punon mendja; i rri mendja (te diçka); i mbeti (i ngeli) mendja (te diçka); i qan mendja. Rrëshqiti nga mendja (dikush) u çmend, lajthiti, shkau; luajti nga mendja; luajti mendsh (nga mendtë); lajthiti nga mendtë; doli (iku) nga faza. I rri mendja (diku ose te dikush a te diçka) mendon vazhdimisht për dikë a për diçka; është i shqetësuar e ka merak vetëm për të; nuk i hiqet (nuk i shqitet) nga mendja (dikush a diçka);i mbeti (i ngeli) mendja; i qan mendja (për dikë a për diçka); e ka syrin (ika sytë) (te dikush a te diçka). I rri (i rreh) mendja në një *vend (dikujt). *Rrip nga mendja përb. Ia rrit mendjen (dikujt) i bëj lëvdata të tepruara, e bëj të mburret e t’i pëlqejë vetja; bëj që ta ndiejë veten mbi të tjerët. I është rritur mendja (dikujt) është bërë mendjemadh, është fodull, mburret e krekoset; shet mend (dikush); i ka hipur mendja në qafë (në qiell); i është rritur hunda; i ka ngritur veshët (dikush); ka ngritur bishtin (dikush); mbahet më të madh (dikush); i ka hyrë vetja në qejf; i ka hipur kalit lakuriq (dikush);e mban bishtin përpjetë (dikush) iron. Ka rrjedhur nga mendja (dikush) është matufosur, nuk kupton shumë e nuk mban mend, ka rrjedhur; bën si budalla, bën budallallëqe; ka rrjedhur nga trutë; i është trashur mendja (dikujt); është ronitur nga mendja. Nuk ta rrok (nuk ta kap) mendja (diçka) është e pabesueshme a shumë e çuditshme, as që mund të mendohet; nuk ka anë e udhë.*Rrotë nga mendja përb. I sillet (i vjen) mendja (koka) përqark (*rrotull) (dikujt). Ia sjell mendjen përqark (*rrotull) (dikujt). E sjell në mendje (dikë a diçka) e kujtoj; e sjell ndër mend; e shkoj në mendje. Ia sjell mendjen përqark (dikujt) shih ia sjell mendjen rrotull (dikujt).Ia sjell mendjen *rrotull (përqark) (dikujt). Me sytë e *mendjes. E shkoj në mendje (diçka) e mendoj; e kujtoj rrëshqitazi; e sjell në mendje. Më shkon (më vete) mendja. 1. Mendoj se është..., them se...; kujtoj. 2. (për diçka). Kam dëshirë për diçka, më teket për diçka. 3. Mendoj për dikë a për diçka; kujtohem për dikë a për diçka; më erdhi (më vajti) në mendje. Shkoj (vete) me mendjen (se)... kujtoj (se)..., besoj (se)...; ma thotë mendja (se)... I shkrepi në mendje (diçka) i erdhi një mendim i shpejtë e i papritur për diçka; i mbiu në mendje; i shkrepi në kokë. Ia shkuli nga mendja (diçka) bëri që të mos e kujtojë më, ta harrojë, të mos mendojë më për të a të heqë dorë prej saj; ia shkuli nga koka. Na shkuli mendjen e kokës (dikush) na lodhi e na mërziti shumë me të bërtitura, me ankime etj., na dhemb koka prej tij; na shkuli nga mendtë. I shtegton mendja (dikujt) nuk është i përqendruar; mendon kalimthi për gjëra të ndryshme; i bredhërin mendja; i livadhis mendja. E shtroi mendjen (dikush) arriti në një përfundim të caktuar dhe mori një vendim për një çështje, e gjykon tashmë me gjakftohtësi; e mblodhi mendjen. Shtrydh mendjen (për diçka) mendohem fort për të kujtuar diçka, për të gjetur një zgjidhje etj.; vras mendjen; shtrydh trutë; shtrëngoj kokën me duar. I është trashur mendja (dikujt) nuk është më i zgjuar, është bërë si budalla; ka rrjedhur nga mendja (dikush); i është trashur koka; i është trashur truri; i ka zënë dhjamë truri (truri dhjamë); kund. i është holluar mendja. *I trashë nga mendja (nga trutë, nga koka). E tret mendjen mendoj për diçka të largët ose që ka ndodhur shumë kohë më parë; harrohem duke menduar për dikë a për diçka të largët. Trupi *boçkë e mendja lomçkë mospërf. Trupi (shtati) *pyll e mendja fyell. M’u turbullua (m’u mjegullua) mendja nuk mendoj më qartë e nuk e kam më veten në dorë, jam i turbulluar; m’u errësua mendja. Ma turbulloi (ma mjegulloi) mendjen (dikush a diçka) më bëri që të mos i shoh më gjërat qartë ashtu siç janë, të mos i kuptoj drejt dhe të veproj gabim; më errësoi mendjen. E kam tharë mendjen (për diçka) shih e ndava mendjen (për diçka). Ma thotë mendja se... mendoj se..., kujtoj se...; pandeh; ma do mendja; ma ha (ma merr, ma pret) mendja se...; shkoj (vete) me mendjen (se)...Më thotë një mendje (një mendje më thotë) mendoj një herë të veproj në një mënyrë të caktuar, prirem për të vepruar kështu ose ashtu. Ç’të thotë mendja. 1. Ç’mendim ke për diçka; ç’ke ndër mend të bësh, si mendon të veprosh. 2. iron. Ç’pandeh ti, kujton se je ashtu si mendon vetë?!; sigurisht që gabon. I thërras mendjes përpiqem të përmbahem e të mendoj mirë për një veprim, nis të arsyetoj si duhet e të kuptoj drejt; e mbledh mendjen; i vë gishtin kokës; e vë gishtin në tëmth; i bie veshit; i thërras arsyes. Të ka vdekur mendja! mospërf. mendon a flet gjëra të kota e pa vlerë, nuk e kupton drejt realitetin; s’je në rregull nga mendtë, ke rrjedhur. I vë mendjen (dikujt a diçkaje). 1. E dëgjoj me vëmendje. 2. Shqetësohem për dikë e kujdesem që të shkojë mirë. 3. (diçkaje). E shoh a e ndjek me kujdes, e trajtoj me vëmendje; i vë mend; vë re (dikë a diçka). E vë në mendje. 1. (diçka). E ruaj në kujtesë për të mos e harruar, kam kujdes që ta kujtoj kur duhet; e vë ndër mend; e mbaj (e kam) parasysh. 2. Mendoj të bëj diçka; bëj mend. Më vërtitet mendja jam i shqetësuar, mendoj lloj-lloj gjërash; kam shumë kokëçarje e nuk di si t’ia bëj; jam krejt i hutuar; më buçet koka; më vjen (i sillet) festja (takija) rrotull (përqark); më vjen (m sillet) mendja (koka) vërdallë; më vjen tjegulla përqark. E vërtit nëpër mendje (diçka) mendoj shumë për diçka, e shoshit nga të gjitha anët, mendoj gjatë para se të marr një vendim për diçka; vras mendjen. Më erdhi (më vajti) në mendje m’u kujtua; synova, mendova se...; më shkon (më vete) mendja; më erdhi (më shkoi) ndër mend; më erdhi në kokë. I vjen mendja të marrit (diku) është rrëmujë e madhe, s’kupton dot ku je, me kë je e çfarë bëhet; s’e njeh qeni të zotin; nuk e merr vesh (nuk e njeh) i pari të dytin. Më vjen (më sillet) mendja (koka) *rrotull (përqark). I erdhi mendja në vend (dikujt). 1. U përmend, e mblodhi veten, kupton se ku është. 2. U bind e u ndreq pas një çoroditjeje, u shtrua, u përmblodh, mendon si duhet; tregon pjekuri; e mblodhi mendjen (dikush). Më vjen (më sillet) mendja (koka) *vërdallë (dikujt). Vras mendjen (për diçka) mendohem shumë, përpiqem shumë për ta zgjidhur diçka; e arsyetoj dhe e rrah nga të gjitha anët diçka; shtrydh mendjen; rrah mendjen; më hahen mendtë (ndër vete); vras trutë; vras kokën; shtrëngoj kokën me duar. Më zien mendja jam shumë i shqetësuar për dikë a për diçka, aty e kam mendjen dhe s’di ç’të bëj; më zien (më mizëron) koka; më ziejnë trutë.
NDËRMJÉTËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që hyn në mes të dy palëve për të arritur një marrëveshje, për të bërë një punë ose për të zgjidhur një grindje. Ndërmjetës tregtar. Ndërmjetës për mosmarrëveshjen (për zgjidhjen e konfliktit). Në rolin e ndërmjetësit. Hyri si ndërmjetës. Ndërmjetës ndërkombëtar. Ndërmjetës financiar. Si ndërmjetës ka një familjar të afërt. Roli i ndërmjetësit. Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve.
2. etnogr. Ai që ndërhyn për të bërë një fejesë; lajmës, mbles. Fejesë pa ndërmjetës. U martua me ndërmjetës. E gjeti nusen me ndërmjetës.
3. etnogr. Ndërmjetës bese ai që shkon të kërkojë besë nga familja e të vrarit për familjen e vrasësit; pajtues gjaqesh.
4. Ai që shërben si bartës, si ndërlidhës a si pikë kalimi në mes të dy sendeve a dy dukurive. Ndërmjetës e përhapës të baktereve. Ndërmjetës për kryqëzimin e pemëve.
✱Sin.: ndërhyrës, sekser, lajmës, shkues, mbles, mesit, mestar, bartës, ndërlidhës, dëshmitar, mesës, i ndërmjetëm, ndërhyrës.
NJERÍ,~U m. sh. NJÉRËZ, NJÉRËZIT 1. Qenia e gjallë më e lartë, që është e aftë të mendojë e të flasë, të bëjë vegla e t’i përdorë ato në procesin e punës shoqërore; pjesëtar i shoqërisë njerëzore. Njeriu i parë. Njerëzit e lashtë. Njeriu i shpellave. Njeri i zhvilluar (i qytetëruar). Organizmi i njeriut. Të drejtat e njeriut. Një grup njerëzish. Shfaqja e njeriut në Tokë. Njeriu për njeriun është. (fj. u.). Njeriu, sa rron, mëson. (fj. u.). Mali me mal s’piqen, njeriu me njeriun piqen. (fj. u.).
2. Pjesëtar i shoqërisë njerëzore, i parë si mishërues e bartës i disa tipareve dalluese të karakterit, i cilësive morale e i aftësive mendore dhe i lidhur me mjedisin a me rrethin ku jeton e punon. Njeri i mirë (i ndershëm, i drejtë). Njeri i butë (i urtë, i dashur, i thjeshtë, i qeshur). Njeri i pjekur (i vendosur). Njeri i mrekullueshëm. Njeri i madh (i njohur, i dëgjuar). Njeri i keq (i lig, i poshtër, gënjeshtar, i ulët, i dobët). Njeri i marrë. Njeri i ftohtë. Njeri i punës. Njeri i artit (i kulturës, i shkencës, i pendës, i pushkës). Njeri i besës (i fjalës, i gojës). Njeri i rrugëve (i qejfit, i lekut). Njeri me mend. Njeri me shkollë. Njeri me vullnet të mirë. Ç’njeri është?
3. Pjesëtar i shoqërisë njerëzore, i cili mishëron e përfaqëson vetitë më të mira të qenies së gjallë të zhvilluar në shkallën më të lartë (në kundërvënie me kafshën). Para së gjithash duhet të jesh njeri. Ai s’është njeri. Puna të bën njeri. - Sillu si njeri! - Atij i them njeri unë! Të trajton si njeri. Flet (përgjigjet) si njeri.
4. kryes. sh. Farefisi, të afërmit më të ngushtë. Njerëzit e mi. Njerëzit e shtëpisë. Njerëzit e nuses (e dhëndrit). Te njerëzit e vet. Njeri pa njeri njeri që ka mbetur i vetëm, pa të afërm.
5. I besuar i dikujt, mbrojtës a përkrahës i dikujt; ai që është në shërbim të dikujt. Ishte njeriu i ministrit. Është njeriu ynë (i tyre). Është njeri i miqve tanë.
✱Sin.: vdekatar, i vdekshëm, rob, njerëzim, person, vetë, shpirt, frymë, gojë.
♦ Ç’ha *goja e njeriut. Është bërë *gjysmë njeriu (dikush). E bëri *gjysmë njeriu (dikë). Një *grusht njeri. Njeri pa njeri dikush që është fare i vetëm, jetim a i braktisur; ai që s’ka kush ta mbrojë, ta mbështetë a ta përkrahë. Pesë (dy) *para njeri (burrë). S’ia pret njeri *qimen (dikujt). Nuk sheh dy *sy njeriu (dikush). *Shpirt njeriu. S’e zë (s’e kap) njeri për bishti (dikë a diçka) shpërf.
PUNËTÓR,~E mb. 1. Që merret me punë prodhuese, që punon drejtpërdrejt në prodhim, që punon në ato fusha ku përdoret fuqia e krahut. Gruaja punëtore. Rinia punëtore.
2. Që ka të bëjë me punëtorët, që u përket punëtorëve, i punëtorëve; që përbëhet nga punëtorë; që është karakteristik për punëtorët. Shtresa punëtore. Lëvizja punëtore. Ndërgjegjja punëtore.
3. Që punon shumë, që e do punën, që nuk ia përton punës. Njeri (nxënës, djalë) punëtor. Grua (vajzë) punëtore. Është shumë punëtor.
4. Që mund të punojë; që shërben për të bërë një punë, që mund të futet në punë; që lidhet me punën, i punës. Fuqia punëtore. Forca e lirë punëtore. Ditë punëtore.
✱Sin.: punëdashës, punëmadh, bonjë, punonjës, krahatar, bartës, mbartës, hamall, mëditës, argat, ndërtues, i zellshëm, punëmbarë, mbarë, i përpjekur, llërëdjegur, langore.
PËRBÁRTËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që bart a mbart; ai që transporton.
2. elekt. Bartës, mbartës; përcjellës, përçues.
✱Sin.: bartës, mbartës, transportues, përcjellës, përçues.
SHENJÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që ka shenjë në qitje me armë, shenjëtar, nishanli. Ishte shenjues i zoti. Shenjues me përvojë. Ishte stërvitur si shenjues.
2. Mjet, objekt, që shërben për të shënuar mbi diçka a për të mbajtur shenjë (në një libër, në ndërtim etj.). Shenjues librash. Shenjues me ngjyra. Shenjues për punimin e pllakave. Shenjues metalik.
3. gjuh. Entitet që përfaqëson imazhin akustik, ana e jashtme e shenjës gjuhësore (që përfshin tingujt, fonemat etj.); simbol. Shenjues tingullor. Shenjues i pamotivuar. Për një shenjues mund të ketë më shumë se një të shënuar. Karakteri arbitrar i shenjuesit.
4. fig. Ai që është përfaqësues i një cilësie, ideje etj., që e simbolizon atë. Shenjues kulturor. Shenjues estetik. Bartës dhe shenjues i historisë.
✱Sin.: shenjëtar, gjuetar, qitës, nishanli, sytar, tregues, dëftues, simbol.
STREHÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që fsheh dhe mban dikë në shtëpinë e vet për ta ndihmuar që t'u shpëtojë ndjekjeve, armiqve ose për shkak të krimeve a të veprimtarisë armiqësore që ka kryer e kryen. Strehues i kriminelëve. Kishte marrë dënim si strehues. Kishte qenë strehues i një personi në kërkim.
2. mjek. Njeriu ose kafsha që bart në trupin e vet mikrobin e një sëmundjeje ngjitëse. Strehues i sëmundjes. U morën masa që strehuesit e mikrobit të mbahen në karantinë.
✱Sin.: bartës, mbartës.
ZÉM/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT 1. anat. Organi qendror i sistemit të qarkullimit të gjakut te njeriu dhe te kafshët, në trajtën e një koni muskulor me majë poshtë, që gjendet në anën e majtë të zgavrës së kraharorit në mes të mushkërive; pjesa e majtë e kraharorit, nën të cilën gjendet ky organ; ky organ i disa kafshëve që përdoret si ushqim. Zemër e shëndoshë (e sëmurë). Zemër artificiale. Zemra e njeriut (e lopës, e kalit). Muskujt e zemrës. Barkushet e zemrës. Rrahjet e zemrës. Sëmundjet e zemrës. Operacion në zemër. Bar për zemër. Zemra viçi (qengji) të skuqura. I rrihte zemra shpejt. Iu zmadhua zemra. Vuan nga zemra. S'i punon (i pushoi) zemra. E mori plumbi në zemër. I ka zënë zemra dhjamë. E mbante (e vuri) dorën në zemër. E shtrëngoi në zemër. Buza qesh e syri qan, zemra bën durim e mban. (fj. u.).
2. Send i vogël në trajtën e një koni me majë poshtë, që i ngjan këtij organi të qarkullimit të gjakut. Varëse grash me zemër. Qëndisje me zemra. Gdhendi një zemër.
3. fig. Vatra simbolike e ndjenjave të ndryshme (e dhembshurisë, e mirësisë, e dashurisë, e gëzimit, e hidhërimit etj.) ose e dëshirave më të thella, e gjendjes shpirtërore etj.; tërësia e ndjenjave të njeriut, ndjenjat vetjake më të fshehta; bota shpirtërore, jeta e brendshme e njeriut, e parë si tërësi e vetive dhe e tipareve të karakterit të tij; njeriu si bartës i këtyre ndjenjave, vetive e tipareve, shpirt, zhan. Zemër nëne. Zemër rinore. Zemër e thjeshtë (e dashur). Zemër e madhe njeri i dashur, bujar e zemërgjerë. Zemër e njomë (e brishtë). - Zemra ime! (thirrje dashurie). Zemër trimi. Bir (njeri) i zemrës. Mik (shok) zemre. Thirrja e zemrës. Lidhje zemrash. Plagët e zemrës. Me mendje e me zemër. Ngushëllime nga zemra. I gëzon zemra. E falënderoi (e uroi, e përshëndeti) nga zemra. Na del urimi nga zemra. Duhen me zemër. E priti me zemër. E mori me zemër (punën). Punon pa zemër. E dëgjoi (i vajti pas) pa zemër. Gëzoi (pushtoi, helmoi) zemrat. Kam gëzim në zemër. E kam në zemër. Më shkon për zemër. I vjen (i shkon) pas zemrës. Më vete sipas zemrës. Më shkon (më vete) në zemër. S'e ndan nga zemra. Më vlon në zemër. Bën ç'i thotë zemra. Dëgjon zemrën e vet. Lidhën zemrat. I ka dhënë zemrën. I fitoi (i rrëmbeu) zemrën. Ia njoh zemrën. Është njeri me zemër (pa zemër). Bën zemrën e botës u bën qejfin të tjerëve. S'ma do (s'ma heq) zemra. Nuk ia di (nuk ia njoh) zemrën. Zemra ia donte që të vinte. U nis me gjysmë zemre. S'kam zemër të qesh. E ka zemrën zjarr (flake, barut). Ka zemër të mirë (të butë, të gjerë, të artë, të keqe, të ngushtë, të ligë). Ka zemër të fortë duron shumë. S'ka zemër s'ka dhembshuri; është i pashpirt, është i pamëshirshëm; b) nuk i duron dot pamjet e rënda a tregimet për ngjarje të hidhura, tronditet e mallëngjehet shpejt, është shumë i ndjeshëm. Ka zemër luani është trim. Ka zemër pule (lepuri) është frikacak. S'ka zemër të keqe. Do të mbetet në zemrat tona. E mban të fshehtë (e ka mbyllur) në zemër. I vlonte (i ziente) në zemër dashuria (urrejtja). Ia mbushi zemrën me gëzim (me hare, me krenari, me hidhërim, me urrejtje). E ndien zemrën më të lehtë. Ndiej një zbrazëti në zemër. Me zemër të mirë! (ur.) me gëzim, gëzuar. Atje ku jep fjalën, vër zemrën. (fj. u.). Kur fjala del nga zemra, godet në zemër. (fj. u.). E thotë goja, po s'e thotë zemra. (fj. u.). Ç'ka zemra, e tregon fytyra. (fj. u.). Larg sysh, larg zemrës. (fj. u.). Bukë e kripë e zemër. (fj. u.). Burri matet me zemër. (fj. u.). Zemra ndien zemrën. (fj. u.). Shtëpia e vogël, zemra e gjerë. (fj. u.). Buza mjaltë e zemra vrer. (fj. u.). Çfarë thotë gjuha, del prej zemre. (fj. u.). Kur fjala del nga zemra, godet në zemër. (fj. u.). Zemër e kulluar, zemër e gëzuar. (fj. u.).
4. fig. Guxim. Njeri (burrë) me zemër. Mori zemër. Bëri zemër. I dha zemër. I ra zemra. S'ka zemër. Humb zemrën u bë frikacak, s'ka më guxim. Më iku zemra. E la (e lëshoi) zemra. Lufta kërkon zemër. Ka nevojë për zemër. - Zemër, djema! Burri s’matet me pëllëmbë, po me zemër. (fj. u.). Kur ke zemër, ke dhe krahë. (fj. u.). Kali që ka zemër s’vë mish kurrë. (fj. u.).
5. Pjesa e brendshme e pemëve, ku janë vendosur farat; pjesa e brendshme e diçkaje, bërthama, qendra; ajo që mbush zbrazëtinë në mesin e diçkaje. Me zemër të kalbur. Zemra e shalqirit (e pjeprit, e mollës, e ftoit, e domates). Zemër gjembaçi (pishe). Zemra e drurit. Me zemër çeliku (gize, dërrase). Zemra e gomës. Zemra e Tokës. Trashësia e zemrës. Kalbëzimi i zemrës. Bar me zemër. Derë me zemër. Derdhje me anë të zemrave (tek.). Qëroj (heq) zemrat. Ia ka ngrënë zemrën krimbi. Shpuan zemrën e malit. Palca e drurit rrethohet nga zemra. Ia ngul gozhdën gjer në zenër. Fiku i zi e ka zemrën të kuqe. (fj. u.).
6. Pjesa qendrore e diçkaje; pika a pjesa që gjendet pak a shumë në mes të një vendi, mesi. Në zemër të maleve (të bjeshkëve, të fushës, të qytetit, të fshatit). Në zemër të Shqipërisë. Në zemër të Europës. Në zemër të zjarrit. Arritëm në zemër të malësisë. U futën në zemrën e turmës.
7. Mesi (për kohën). Në zemër të ditës (të natës). Në zemër të dimrit. Në zemër të javës.
8. fig. Forca qendrore lëvizëse e diçkaje, ajo që frymëzon, që organizon dhe që udhëheq dikë a diçka; pjesa më e rëndësishme a më kryesore, ajo që përbën thelbin e diçkaje; shpirti, loçkë. Zemra e uzinës. Zemra e industrisë së rëndë. Zemra e lëvizjes demokratike. Ajo ishte zemra e çetës. Ai grup të rinjsh përbënin zemrën e lëvizjes sonë. Asgjë nuk ka dritë e tinguj sa zemra e bardhë e nënës. Më mirë kuq në faqe se zi në zemër. (fj. u.).
9. krahin. Lukthi; zgavra e barkut, barku. Gropa e zemrës. E preu zemra. Hëngri sa për të zënë zemrën. E zëntë zemra e keqe! (mallk.).
✱Sin.: ajëz, ajth, palcë, bukë, myjë, bërthamë, thelb, loçkë, shpirt, xhan, bark, pikë, kulm, mes, guxim, durim, kraharor, lugth.
♦ Me *afshin e zemrës. Me *ankth në zemër. Me *ashkun e zemrës. I anon zemra (nga dikush) e do dikë më shumë se të tjerët, priret nga ai, i pëlqen më shumë se të tjerët. M’u bë *plagë (lungë) në zemër (në shpirt). U bëra për *ujë në zemër. M’u bë zemra *akull. Më bëhet zemra *behar. M’u bë zemra *borë. M’u bë zemra (gjaku) *bozë. M’u bë zemra *bukë. M’u bë zemra *bunar. M’u bë zemra *copë. M’u bë zemra *eshkë. M’u bë zemra *gropë. M’u bë zemra (shpirti) *helm. M’u bë zemra *hon. M’u bë zemra *kala. M’u bë zemra *mal. M’u bë zemra *plagë. M’u bë zemra *pus. M’u bë zemra *shpellë. Më bëhet zemra *shtupë. M’u bë zemra *thëngjill. M’u bë zemra *ujë. M’u bë zemra (shpirti) *vrer. M’u bë zemra *zhur. Bëj zemër e mbaj veten, i jap guxim vetes; e trimëroj veten; marr guximin për të bërë diçka. S’më bën zemra (për diçka) nuk dua të bëj diçka të keqe a të shoh një gjë të rëndë, më prek shumë e s’mundem a s’kam dëshirë për diçka; prekem shpejt, ligshtohem lehtë, jam zemërdobët; s’më bën dora. Ma bëri zemrën *akull (dikush a diçka). Bën zemrën e botës (dikush) u bën qejfin të tjerëve, punon për të tjerët a sillet ashtu si duan ata, kënaq të tjerët. Ma bëri zemrën (shpirtin) *copë (dikush). E bëj zemrën *gur. Nuk i bën zemra *lak (dikujt). Ma bëri zemrën *mal (bjeshkë) (dikush). Ma bëri zemrën *plagë (dikush a diçka). Ma bëri zemrën *shtupë (dikush a diçka). E bëj zemrën *top. Ma bëri zemrën *thëngjill (dikush a diçka). Më bëri për *ujë në zemër (dikush a diçka). Ma bëri zemën *ujë (dikush). Ma bëri zemrën *zhur (dikush a diçka). Më ra (më mbeti) *thikë në zemër (diçka). Më ra zemra në *bark. Ma bie (ma sjell) zemrën në *vend (dikush). Më bren (më ha) zemra (te dikush a te diçka) dyshoj për dikë a për diçka, më ha dyshimi, më duket se ai e ka bërë diçka të keqe; më heq zemra; më qan zemra. Më bren zemrën (diçka) më shqetëson vazhdimisht, nuk më lë të qetë një dyshim a një çështje që kërkon zgjidhje; më mundon, më gërryen, më bën të vuaj shumë; më gërryen zemrën (shpirtin). M’u copëtua zemra (shpirti) (për dikë a për diçka) u pikëllova shumë, ndjeva një dhembje të madhe, u preka thellë; m’u ça (m’u çor) zemra; m’u bë zemra (shpirti) copë; m’u nda zemra dysh. Ma copëtoi zemrën (shpirtin) (dikush) më mallëngjeu shumë e më preku thellë sa vuaj shpirtërisht, kam dhembje të madhe shpirtërore për të; ma bëri zemrën (shpirtin) copë; ma çau (ma çori) zemrën; ma ndau zemrën dysh. M’u ça zemra (për dikë) u pikëllova shumë për dikë, u dëshpërova shumë; vuaj për të; m’u copëtua zemra (shpirti); m’u nda zemra dysh; m’u bë zemra (shpirti) copë; m’u këput shpirti. Ma çau zemrën (dikush) shih ma copëtoi zemrën (shpirtin) (dikush). Më çon zemra *avull (për diçka). Më doli nga *zemra (dikush a diçka) nuk e dua më, sepse nuk është aq i mirë sa mendoja, nuk më pëlqen më, m’u ftoh; më iku dashuria që kisha për të; më doli nga qejfi; m’u bë ujk; kund. më ka hyrë në zemër (në shpirt). M’u dogj (m’u përvëlua) zemra (shpirti) (për dikë a për diçka). 1. Më ka marrë malli shumë për dikë; dua me gjithë shpirt që ta kem diçka, vuaj thellë për dikë a për diçka; m’u dogj xhani vjet.; m’u dogj buza; m’u dogj kraharori. 2. Jam shumë i vrarë shpirtërisht, jam shumë i dëshpëruar nga një fatkeqësi, jam i dërrmuar shpirtërisht; m’u bë zemra zhur; më çon zemra avull; më mori flakë shpirti; m’u dogj kraharori. Ma dogji (ma përvëloi) zemrën (shpirtin) (dikush a diçka). 1. Më ka marrë shumë malli për dikë që është larg dhe vuaj shpitërisht shumë për të, më ka mallëngjyer; kam mall të madh për diçka, më ka bërë të vuaj thellë; ma bëri zemrën (shpirtin) zhur; ma dogji xhanin vjet. 2. Më ka vrarë shpirtërisht, më ka dëshpëruar shumë. Më digjet zemra *flakë (për diçka). Më digjet zemra *prush (për dikë). Më është dobësuar zemra jam bërë më i butë e më i ndjeshëm; prekem shpejt e nuk duroj dot dhembjet shpirtërore, mallin për dikë etj. Me *dorë në zemër. M’u drodhën *telat e zemrës. Më dridhet (më përpëlitet) zemra (shpirti) (për dikë a për diçka). 1. Shqetësohem shumë, tronditem; trembem shumë për dikë a për diçka, më hyn frika; kam frikë se mos pësojë gjë a se mos mbetem pa të; më ngjethet zemra. 2. Prekem thellë në shpirt, mallëngjehem pa masë; tronditem shpirtërisht; ndiej mall të madh, përmallohem; më ngjethet zemra; më drithëron (më përpëlitet) zemra. Ma do zemra (shpirti) (diçka) e dëshiroj shumë, dua me shpirt që ta kem, më pëlqen shumë; është sipas dëshirës sime, më tërheq; më heq zemra (shpirti) (për diçka); më qan zemra (shpirti) (për dikë a për diçka). Ç’të të dojë zemra (e bardha zemër) çfarë të kesh dëshirë, pa asnjë kufizim, çfarëdo që të pëlqen. Më dhemb (më ther) zemra (shpirti, në zemër, në shpirt) (për dikë a për diçka) vuaj thellë, më vjen shumë keq për dikë a për diçka; mallëngjehem, jam shumë i pikëlluar; e kam zemrën (shpirtin) të vrarë; m’u ngushtua zemra; më sëmbon në zemër (në shpirt); më ther në kraharor; më ra zemra në bark. Më fitoi (më rrëmbeu, më grabiti) zemrën (dikush) më bëri krejtësisht për vete me lajka e me mënyra të tjera tërheqëse, më bëri që ta dua shumë e t’i besoj pa asnjë lëkundje, më magjepsi; më mori zemrën; më bëri për vete. Më ka fjetur në zemër (në shpirt) (dikush) më ka pëlqyer shumë, e dua dhe e nderoj; më jep qetësi e kënaqësi shpirtërore; më ka hyrë në zemër (në shpirt); e kam në (për) zemër (në shpirt) (dikë); më është ngulur (më është ngulitur) në zemër (në shpirt). Më flakëron zemra. 1. Jam shumë i gëzuar, s’përmbahem nga gëzimi; më këndon zemra (shpirti); më qesh zemra (shpirti); më gufon zemra; më hidhet (më brof) zemra (përpjetë). 2. (për diçka). Kam shumë dëshirë për të bërë diçka, jam i gatshëm dhe mezi pres t’ia hyj diçkaje; më vlon në zemër (në shpirt) (diçka). M’u fry (m’u enjt) zemra u hidhërova shumë, u dëshpërova mjaft; u mërzita e u shqetësova shumë; më plasi zemra. Më fryu (më enjti) zemrën (dikush a diçka) më mërziti shumë; më shkaktoi dhembje të madhe shpirtërore, më hidhëroi mjaft, më dëshpëroi thellë. Më ftohet zemra (shpirti). 1. Më mpaket guximi, tutem; më lëshon zemra. 2. Nuk ndihem i qetë e i sigurt për diçka; nuk kam më dëshirën e zjarrtë, nuk më jepet më për diçka; nuk kam më dashurinë e miqësinë e mëparshme për dikë; kund. m’u ngroh zemra. Nga *fundi i zemrës (i shpirtit). E fut në zemër (në shpirt) (dikë a diçka) nis ta dua me shpirt, më pëlqen e përpiqem që të mos e harroj kurrë; e ruaj me dashuri në zemër; kund. e nxjerr nga zemra. *Gazi i zemrës. Më gërvisht në zemër (për dikë a për diçka) më shkakton një shqetësim a një dhembje shpirtërore; më prek thellë; më prek në zemër (në shpirt); më këput shpirtin. Më gërryen zemrën (shpirtin) (diçka). 1. Më mundon shumë shpirtërisht, më pikëllon, më shqetëson shumë; më bren zemrën. 2. Më bren dyshimi e s’kam durim sa ta marr vesh diçka; më bren zemrën; më ha mendja (për dikë a për diçka). Më goditi në zemër (dikush a diçka) më preku aty ku nuk duroj dot; më preku thellë; më preku në zemër (në shpirt); më preku në plagë. Më grabiti (më fitoi, më rrëmbeu) *zemrën (dikush). Më gufon zemra (shpirti) jam shumë i gëzuar, s’e përmbaj dot gëzimin që kam; më hidhet (më brof) zemra (përpjetë); më flakëron zemra (shpirti); më këndon zemra (shpirti); më qesh zemra (shpirti). Me *gjak të zemrës. Ma gjeti zemrën (dikush a diçka) më kënaqi shumë, është ashtu si e dua unë, më plotësoi pikërisht dëshirën time, më dha atë kënaqësi që prisja; ma gjeti midenë; m’i gjeti (m’i preku) telat; më erdhi pas qejfit. Me gjithë zemër (me gjithë shpirt). 1. Shumë, pa kufi; me afshin e zemrës; me ashkun e zemrës; me gjak të zemrës; me mish e me shpirt; me trup e me zemër. 2. Me kënaqësi e me dëshirë të madhe dhe pa asnjë lëkundje (kur bëjmë një urim a një premtim, kur dhurojmë a pranojmë diçka, kur ia hyjmë një pune etj.); me trup e me zemër; me plot zemrën; me zemër të mirë; me gjithë qejf. Me *gjysmë zemre. Më ha një *limë në zemër. Ia hëngri zemrën (*shpirtin) (dikujt). Më ha zemra (te dikush a te diçka) dyshoj, kam dyshim për dikë a për diçka; më gërryen zemrën (shpirtin) (dikush a diçka); më ha mendja (për dikë a për diçka). S’ma ha zemra s’më besohet, s’dua ta besoj se është ashtu a se ka ndodhur diçka, nuk kam ndjesinë për të. Ma hëngri zemrën (dikush) më bëri për vete; më bindi me të mirë e me të butë për diçka; më tërhoqi shumë dhe e dua; më fitoi (më rrëmbeu, më grabiti) zemrën; më mori zemrën; ma hëngri kokën; më bëri për vete. Ka ngrënë zemër lepuri (pule) (dikush) tall. shih ka zemër pule (lepuri) (dikush). I hap zemrën (dikujt) i tregoj hallet a shqetësimet e mia me çiltërsi e me mirëbesim, i zbuloj ndjenjat e mia në mënyrë të çiltër, i them se ç’mendoj e ç’ndiej; i zbraz zemrën; i hap barkun; i qaj hallin. M’u hap zemra. 1. U tremba shumë; u trondita thellë e po vuaj keq; m’u hap (më iku) barku. 2. (për dikë) shih m’u ça zemra (për dikë). Më helmoi zemrën (shpirtin) (dikush a diçka) më hidhëroi shumë, më pikëlloi; më dëshpëroi pa masë; më bëri vrer; më hapi barkun. Më heq zemra (për diçka). 1. Kam dëshirë për diçka; e dëshiroj a e dua shumë; ma do zemra (shpirti) (diçka); më qan zemra (shpirti) (për diçka); më qan zemra (shpiri) (për diçka). 2. E ndiej sikur do të ndodhë a do të kem diçka. 3. (te dikush). Dyshoj te dikush, më bren dyshimi për të; më bren (më ha) zemra; më qan zemra (shpirti). Heq në zemër (me shpirt) (për dikë a për diçka) e ndiej diçka thellë; vuaj shumë për dikë a për diçka, ndiej dhembje të madhe; shfryj me të gjitha forcat; vuaj për diçka dhe psherëtij me shpirt. E hoqi *cipën e zemrës (dikush). Më hidhet zemra përpjetë jam shumë i gëzuar, më rreh zemra me forcë nga një ndjenjë; kam shumë emocione; më këndon zemra (shpirti); më qesh zemra (shpirti); më gufon zemra (shpirti). E humbi zemrën (dikush) u bë frikacak, s’ka më guxim, trembet për hiçgjë, e la trimëria; humbi besimin. Më ka hyrë në zemër (në shpirt) (dikush a diçka) kam filluar ta dua shumë, është bërë i dëshiruar për mua; më pëlqen shumë; më ka fjetur në zemër (në shpirt); e kam në (për) zemër (në shpirt) (dikë a diçka); m’u ngjit në zemër (në shpirt) (dikush); më është ngulur (më është ngulitur) në zemër; më ka hyrë në qejf; kund. më doli nga zemra. Më iku zemra (shpirti). 1. U ligështova a u trondita shumë nga një punë e rëndë, nga një ngjarje e hidhur, nga diçka e pështirë etj., nuk e duroj dot; kund. më erdhi zemra (shpirti) në vend. 2. U tremba shumë, humba guximin; më la trimëria; më ngriu zemra; më ngriu gjaku; kund. më erdhi zemra (shpirti) në vend. Jam me zemër (me shpirt) *të vrarë. I jap zemër (dikujt) i flas a e ndihmoj dikë të fitojë besim në vetvete, e mbush me besim dhe e bind se ia del një pune a diçkaje tjetër; e nxit e i jap guxim për t’ia hyrë diçkaje a për ta vazhduar diçka; e bëj ta ndiejë veten më të sigurt; e trimëroj; i ndez zjarr në zemër (në shpirt); i ndez gjakun; ia ngre (ia çoj) zemrën peshë; i jap krahë; e bëj me krahë (dikë); i jap frymë. I jap (i fal) zemrën (dikujt) e dua shumë dikë dhe i besoj pa asnjë lëkundje, lidhem fort shpirtërisht me dikë; dashurohem pas dikujt dhe i jap besën; jepem plotësisht pas tij a pas saj, bëhem tërësisht me të e nuk kursej asgjë për të. E kam *ballgam në zemër (diçka). E kam *brengë në zemër (në shpirt) (diçka). E kam *dregëz në zemër (diçka). E kam *gozhdë në zemër (në shpirt) (diçka). E kam *gur në zemër (në shpirt) (diçka). Kam një *lëmsh në zemër (në gjoks, në kraharor). E kam *merak (në zemër) (diçka). E kam *peng në zemër (në shpirt) (diçka). E kam (më mbeti) *peronë (në zemër) (diçka). E kam *pikë në zemër (në shpirt) (diçka). E kam *plagë në zemër (diçka). E kam (më ra) *plumb në zemër (në shpirt) (diçka). E kam *thikë në zemër (diçka). E ka zemrën *ahur (dikush). E ka zemrën *akull (dikush). Ka zemër të artë (dikush) është shumë i mirë, është zemërgjerë, i dashur dhe i drejtë; e ka zemrën të artë; e ka zemrën flori. E ka zemrën *të artë (dikush). Ka zemër (*shpirt) të bardhë (dikush). E ka zemrën (shpirtin) *të bardhë (ka zemër të bardhë) (dikush). E ka zemrën (shpirtin) *barut (dikush). E ka zemrën *blozë (dikush). Ka zemër (shpirt) të butë (dikush) është zemërbutë; e ka zemrën (shpirtin) të butë. E ka zemrën (shpirtin) *të butë (dikush). E ka zemrën *det (dikush). Ka zemër (shpirt) të dobët (dikush) nuk duron shumë, është zemërdobët; e ka zemrën (shpirtin) të dobët; nuk ka zemër; kund. ka zemër (shpirt) të fortë. E ka zemrën (shpirtin) *të dobët (dikush). E ka zemrën (shpirtin) *flori (dikush). Ka zemër (shpirt) të fortë (dikush) duron shumë, është zemërfortë; e ka zemrën (shpirtin) të fortë; e ka zemrën me kockë; kund. ka zemër (shpirt) të dobët. E ka zemrën (shpirtin) *të fortë (dikush). E kam zemrën (barkun) *të ftohtë2. E ka zemrën *gur (dikush). Ka zemër (shpirt) të gjerë (dikush) është zemërgjerë; e ka zemrën (shpirtin) të gjerë; kund. ka zemër (shpirt) të ngushtë. E ka zemrën (shpirtin) *të gjerë (dikush). E ka zemrën *hazine (dikush). E ka zemrën *hekur (dikush). Ka zemër të keqe (shpirt të keq) (dikush) është zemërlig; e ka zemrën të keqe (shpirtin te keq); kund. ka zemër (shpirt) të mirë. E ka zemrën *të keqe (shpirtin të keq) (dikush). E ka zemrën me *kockë (dikush). E ka zemrën *të kulluar (dikush). E kam zemrën (shpirtin) *të lehtë. E ka zemrën *limë (dikush). Ka zemër luani (dikush) është shumë trim, nuk trembet nga askush e nga asgjë, është zemërluan; kund. ka zemër pule (lepuri). E ka zemrën *të madhe (shpirtin të madh) (dikush). Ka zemër (shpirt) të mirë (dikush) është zemërmirë; e ka zemrën (shpirtin) të mirë; kund. ka zemër të keqe (shpirt të keq). E ka zemrën (shpirtin) *të mirë) (dikush). E kam zemrën (barkun) *të ngrohtë. Ka zemër (shpirt) të ngushtë (dikush) është zemërngushtë; e ka zemrën (shpirtin) të ngushtë; kund. ka zemër (shpirt) të gjerë. E ka zemrën (shpirtin) *të ngushtë (dikush). E ka zemrën *pasqyrë (dikush). E ka zemrën *të pastër (dikush). E kam zemrën *plagë. E kam zemrën (shpirtin) *pleh. E kam zemrën (shpirtin) *plot. E ka zemrën *prush (dikush). Ka zemër pule (lepuri) (dikush) është frikacak i madh, është zemërpulë, është zemërlepur; kund. ka zemër luani. E ka zemrën (shpirtin) *qelibar (dikush). E kam zemrën (shpirtin) *të qetë. E ka zemrën (shpirtin) *të qëruar (dikush). E ka zemrën (shpirtin) *sterrë (dikush). E ka zemrën *shpuzë (dikush). E ka zemrën (shpirtin) *të vogël (ka zemër të vogël) (dikush). E kam zemrën (shpirtin) *të vrarë. Ka zemër të zezë (shpirt të zi) (dikush) është zemërzi, është shpirtlig; e ka zemrën të zezë (shpirtin të zi); kund. ka zemër (shpirt) të bardhë. E ka zemrën *zjarr (dikush). Nuk ka zemër (shpirt) (dikush). 1. Është i pamëshirshëm, nuk ndien e s’ka dhembshuri për dikë, është zemërgur e mizor. 2. Nuk i duron dot dikush pamjet e rënda a ngjarjet e hidhura, mallëngjehet e tronditet shpejt, është shumë i ndjeshëm e ligështohet lehtë; nuk duron dot t’i bëjë keq dikujt; ka zemër (shpirt) të dobët; e ka zemrën (shpirtin) të dobët. 3. S’ka guxim dikush, nuk guxon; nuk është aq trim, tutet. E kam në (për) zemër (dikë a diçka) e dua shumë, kam dobësi për të; e marr me qejf e me dëshirë; më pëlqen; më ka hyrë në zemër (në shpirt) (dikush a diçka); më ka fjetur në zemër (në shpirt) (dikush a diçka); më është ngulur (më është ngulitur) në zemër (në shpirt) (dikush a diçka). Më kënaq zemrën (*shpirtin) (dikush a diçka). Më kënaqet zemra (*shpirti) (nga diçka). Më këndon zemra (shpirti) jam shumë i kënaqur e i gëzuar; jam i lumtur; më qesh zemra (shpirti); më gufon zemra (shpirti); më hidhet (më brof) zemra (përpjetë); më bëhet zemra behar. Të këndoftë zemra! ur. qofsh i gëzuar e i lumtur! Më këput zemrën (*shpirtin) (dikush a diçka). M’u këput zemra (*shpirti) (për dikë). E kam kyçur në zemër (në shpirt). 1. (dikë). E dua shumë e përgjithmonë, e ruaj me dashuri në shpirt; e ruaj në zemër (në shpirt); e mbaj në zemër (në shpirt); nuk e nxjerr nga zemra; ka mbetur në zemrën time (dikush). 2. (diçka). E mbaj të fshehtë, e ruaj në kujtesën time si diçka të shtrenjtë, nuk e shfaq, nuk ua tregoj të tjerëve; e mbaj në zemër (në shpirt). E lau zemrën (ndaj dikujt) e hoqi dyshimin që kishte për dikë; u qetësua kur mësoi se ai nuk kishte faj. M’u lehtësua zemra (*shpirti). S’ia lë *peng në zemër (dikujt). Ia la *plagë në zemër (në shpirt) (dikujt). Ia lë zemrën në *dorë (dikujt). M’u lëmek zemra. 1. U tremba shumë, u trondita thellë nga një e keqe; shtanga, ngriva në vend; m’u ligshtua (m’u lig) zemra. 2. U trishtova; e ndjeva veten të dobët; më lëshoi (më la) zemra; m’u ligshtua (m’u lig) zemra. (shpirti). M’u lëndua zemra (shpirti) më vjen keq, u preka shumë nga diçka e vuaj shpirtërisht; m’u plagos zemra; u preka në zemër (në shpirt); më preku në zemër (në shpirt) (diçka). Më lëndoi në zemër (në shpirt) (dikush). 1. Më preku thellë, më mallëngjeu; më preku në zemër (në shpirt); më plagosi zemrën. 2. Më fyeu pa të drejtë dikush, më lëndoi; ma prishi zemrën. Më lëngon zemra (*shpirti). Më lëshoi (më la) zemra nuk e mbajta dot veten, më la guximi e më zuri frika, u tremba; s’kam më forca për të përballuar diçka; humba besimin; m’u ligështua (m’u lig) zemra (shpirti); m’u mpak zemra; m’u lëmek zemra; m’u ftoh zemra; m’u bë zemra ujë; u bëra për ujë në zemër; m’u bë barku ujë; m’u prenë krahët. Nuk e lëshon zemrën (dikush) nuk afrohet me dikë, nuk zbutet e nuk pajtohet me të, nuk e jep veten, i mban inat dikujt. M’u ligështua (m’u lig) zemra (shpirti). 1. U preka thellë në shpirt, u mallëngjeva; më lëshoi (më la) zemra; m’u mpak zemra; m’u lëmek zemra. 2. M’u dobësuan guximi e vendosmëria, rashë në dëshpërim, u ligështova; më lëshoi (më la) zemra; m’u mpak zemra; m’u bë zemra ujë; u bëra për ujë në zemër; m’u lig (m’u ligështua) ora. Më ligjëron zemra (shpirti) jam shumë i gëzuar, fluturoj nga gëzimi; më këndon zemra (shpirti); më qesh zemra (shpirti); më gufon zemra (shpirti); më hidhet (më brof) zemra (përpjetë). Më lindi në zemër (diçka) më erdhi një dëshirë për diçka; më lindi vetiu një ndjenjë për dikë. *Loçka e zemrës përk. Më luan zemra (për dikë a për diçka) ndiej shqetësim për dikë a për diçka që e dua; më hyn frika a kam merak për të. Më lufton zemra (për diçka) ndizem shumë e marr hov për të bërë diçka; më rreh (më troket) zemra. Më lulëzon zemra jam shumë i gëzuar, kam hare, çelem, qeshem; më këndon zemra (shpirti); më ligjëron zemra (shpirti); më qesh zemra (shpirti); më gufon zemra (shpirti); më hidhet (më brof) zemra (përpjetë). Marr zemër fitoj besim në vetvete, mbushem me guxim e bindem se ia dal një pune a diçkaje tjetrë; nxitem për t’ia hyrë diçkaje a për ta vazhduar atë, fitoj siguri nga një përkrahje a nga një sukses; trimërohem; bëhem burrë; më ndizet zemra (shpirti) (flakë); më ndizet zjarr në gji; më ndizet zjarr në zemër (në shpirt); më ngrihet (më çohet) zemra peshë. Më mori zemrën (dikush) më bëri për vete, më bëri që ta dua shumë, më fitoi; më magjepsi; më fitoi (më rrëmbeu, më grabiti) zemrën; më hëngri zemrën; më bëri për vete. E mbaj në zemër (dikë a diçka) e dua shumë e nuk e harroj kurrë; e kam kyçur në zemër (në shpirt); e ruaj në zemër (në shpirt); nuk e nxjerr nga zemra (nga shpirti); ka mbetur në zemrën time (dikush a diçka). Më mbeti *birë në zemër (diçka). Më mbeti *brengë (në zemër) (diçka). Më mbeti *gozhdë në zemër (diçka). Më mbeti *merak (në zemër) (diçka). Më mbeti *murriz në zemër (diçka). Më mbeti *peng në zemër (në shpirt) (diçka). Më mbeti *plagë në zemër (në shpirt) (diçka). Më mbeti (më ra) *thikë në zemër (diçka). Më ka mbetur në zemër (dikush a diçka) shih e mbaj në zemër (dikë a diçka). M’u mblodh zemra lëmsh u preka thellë; u pikëllova shumë për diçka; u mërzita shumë, u ligshtova; m’u ndrydh zemra; m’u ngushtua zemra; m’u shtyp zemra. Ma mbushi zemrën (shpirtin) (plot) (dikush a diçka) më gëzoi shumë, më bëri të ndihem i kënaqur; më lumturoi; ma ngopi shpirtin (zemrën). M’u mbush zemra (shpirti) (plot) u gëzova shumë, e ndiej veten të kënaqur; u lumturova; m’u ngop zemra (shpirti). M’u mbush zemra (shpirti) me helm u hidhërova shumë, u dëshpërova pa masë, u helmova; vuaj shpirtërisht. M’u mpak zemra e humba guximin, u ligështova; u mpiva e u lëshova; më lëshoi zemra; m’u ligështua (m’u lig) zemra (shpirti). M’u nda zemra dysh shih m’u copëtua (m’u thërrmua) zemra. Ma ndau zemrën dysh (dikush) shih ma copëtoi (ma thërrmoi) zemrën (dikush). Ia ndez zemrën (flakë) (dikujt) i ngjall guxim a një dëshirë të zjarrtë për të bërë diçka, e bëj që ta ndiejë me shpirt diçka; e nxit dhe e gjallëroj, i jap hov; e trimëroj; i ngjall gëzim të madh dhe e mbush me besim; i jap zemër; i ndez një zjarr në gji; ia ngre (ia çoj) zemrën peshë; e ngre (e çoj) peshë (dikë). I ndez *zjarr në zemër (dikujt). Më ndizet zemra (flakë) (për dikë) më ngjallet guxim a një dëshirë e zjarrtë për të bërë diçka, e ndiej me shpirt diçka; nxitem e gjallërohem, marr hov; trimërohem; më ngjallet një gëzim i madh e mbushem me besim; më pushton një ndjenjë e fortë dashurie a malli për dikë; më digjet (më përvëlohet) zemra (shpirti); më merr flakë shpirti; më ndizet zjarr në zemër (në shpirt); më ngrihet (më çohet) zemra (shpirti) peshë. Më ndizet *zjarr në zemër. M’u ndrydh zemra më erdhi shumë keq, u dëshpërova e u mërzita shumë; u preka thellë; m’u shtrëngua zemra; m’u shtyp zemra; m’u mblodh zemra lëmsh; m’u ngushtua zemra. Ma ngopi zemrën (*shpirtin) (dikush a diçka). M’u ngop zemra (*shpirti). Ia ngre (ia çoj) zemrën *peshë (dikujt). Më ngriu *fleta e zemrës. Më ngriu zemra u tremba e u shqetësova shumë, shtanga në vend nga frika për dikë a për diçka, ngriva; më iku zemra (shpirti); më pushoi zemra; më ngriu gjaku; m’u bë zemra akull; m’u drodh këmisha (në trup, në shtat); kund. më shkriu zemra. Ma ngroh zemrën (shpirtin) (dikush a diçka). 1. Më qetëson më jep shpresë e më ngjall besim, më bën të ndihem më i qetë e më i sigurt. 2. Më kënaq ashtu si dua unë, më pëlqen; ndihem më mirë nga dikush a nga diçka; më ngjall gëzim. Më ngrohet zemra (shpirti) ndihem më i qetë, më ngjallet besimi e shpresa, e ndiej veten të çliruar nga një dyshim a nga frika; jam më i qetë e më i sigurt; kund. më ftohet zemra (shpirti). Më është ngulur (më është ngulitur) në zemër (në shpirt) (dikush a diçka) e dua aq shumë sa nuk e harroj për asnjë çast, e ruaj në shpirt si të shtrenjtë; më ka hyrë në zemër (në shpirt); e kam në (për) zemër (në shpirt) (dikë a diçka); më ka hyrë në beben e syrit (dikush). M’u ngushtua zemra. 1. Ndiej një dhembje a një pikëllim të thellë; u mërzita shumë, u ligështova; m’u mblodh zemra lëmsh; më dhemb (më ther) zemra (në zemër, shpirti). 2. U bëra dorështrënguar; u bëra zemërgur. Më ngjeth zemrën (shpirtin) (dikush a diçka). 1. Më shtie frikë, më shtie të dridhura, më tmerron. 2. Më prek thellë, më mallëngjen shumë; më trishton. Më ngjethet zemra (shpirti). 1. Dridhem nga frika, tmerrohem; më dridhet zemra. 2. Prekem thellë, mallëngjehem shumë; trishtohem; më dridhet zemra; më drithëron (më përpëlitet) zemra (shpirti). M’u ngjit në zemër (në shpirt) (dikush a diçka) më ka pëlqyer shumë dikush dhe ndiej dashuri për të, më bëhet i dashur e i shtrenjtë, më ngjiti; më pëlqen shumë diçka, dëshiroj ta kem; më ka hyrë në zemër (në shpirt); e kam në (për) zemër (dikë a diçka); më është ngulur (më është ngulitur) në zemër (në shpirt). Ma nxiu (ma nxirosi) zemrën (shpirtin) (dikush) më hidhëroi shumë, më pikëlloi, më dëshpëroi pa masë. M’u nxi (m’u nxiros) zemra (shpirti) u hidhërove shumë, u pikëllova, u dëshpërova pa masë. E nxjerr nga zemra (nga shpirti) (dikë a diçka) nuk e dua më, nuk më pëlqen; nuk jepem me shpirt pas dikujt a pas diçkaje, përpiqem ta harroj; e harroj përgjithnjë; e shkul nga zemra (nga shpirti); kund. e fut në zemër (në shpirt). Përpiva zemrën u frikësova shumë, për pak sa s’më pushoi zemra nga frika; m’u hap (më iku) barku1. Më pikon në zemër (në shpirt) (për dikë a për diçka). 1. Më vjen shumë keq për humbjen e dikujt a të diçkaje, jam i pikëlluar, jam hidhëruar shumë, vuaj thellë; më sëmbon në zemër (në shpirt); më pikon zemra vrer; më mori barkun (dikush a diçka). 2. Më pëlqen shumë dikush; më ka rënë në kokë (për dikë). Më pikon (më kullon, më rrjedh) zemra *gjak (për dikë a për diçka). Më plagosi zemrën (shpirtin) (dikush a diçka). 1. Më shkaktoi një plagë e një dhembje të madhe shpirtërore, më krijoi një brengë, më pikëlloi, më brengosi; më shpoi zemrën; më lëndoi në zemër (në shpirt). 2. Më bëri të bie në dashuri me dikë. M’u plagos zemra (shpirti) (nga dikush a nga diçka). 1. M’u shkaktua një plagë e një dhembje e madhe shpirtërore, m’u krijua një brengë, u pikëllova, u brengosa; m’u lëndua zemra (shpirti). 2. Rashë në dashuri me dikë. Më plasi zemra (*shpirti). Ma plasi zemrën (*shpirtin) (dikush). Me plot zemrën shih me gjithë zemër. Më preku në zemër (në shpirt) (dikush a diçka) më mallëngjeu shumë, më bëri të më vijë keq, më tronditi e më bëri të vuaj; m’u lëndua zemra (shpirti) (nga diçka); më lëndoi në zemër (në shpirt); më preku në zemër (në shpirt). U preka në zemër (në shpirt) u mallëngjeva shumë, më vjen shumë keq për dikë a për diçka, u trondita dhe vuaj; m’u lëndua zemra (shpirti); m’u prish zemra. E prishi zemrën (dikush). 1. U zemërua me dikë a për diçka, u pezmatua; u bë i pakënaqur; iu prish qejfi. 2. I lindi një ndjenjë dashakeqe a një dyshim për dikë, nisi të mendojë keq për të dhe nuk ia do të mirën. Ma prishi zemrën (dikush) më lëndoi; më mërziti; nuk më doli ashtu si e doja unë; më preku në zemër (në shpirt); ma theu zemrën (shpirtin); më lëndoi në zemër (në shpirt); ma prishi qejfin. M’u prish zemra u bëra i pakënaqur nga dikush a për diçka; u zemërova, u pezmatova; u mallëngjeva shumë e vuaj për dikë a për diçka; u preka në zemër (në shpirt); m’u thye zemra; m’u lëndua zemra (shpirti); m’u prish qejfi. Më punon zemra (për dikë a për diçka) e dua fort dikë a diçka, për atë jetoj e mendoj gjithnjë, dëshiroj ta kem; e kam në (për) zemër (në shpirt) (dikë a diçka); e ruaj në zemër (në shpirt) (dikë a diçka). I pushoi zemra (dikujt). 1. Vdiq. 2. U shtang nga frika a nga emocioni, sa s’vdiq; i ngriu zemra; i ngriu gjaku. Më qan zemra (shpirti) (për dikë a për diçka). 1. Vuaj shumë shpirtërisht për dikë a për diçka; kam dëshirë të madhe që ta kem pranë dikë ose që të bëj diçka; e dua shumë dikë; më pëlqen shumë diçka, e dëshiroj shumë, ku ta gjej ta kem; ma do zemra (shpirti) (diçka); më heq zemra (shpirti) (për diçka). 2. (te dikush). Dyshoj te dikush (për një vjedhje, për një shpifje etj.), tek ai e kam dyshimin; më bren (më ha) zemra; më heq zemra (shpirti). Qesh me *sy e qaj me zemër. Më qesh zemra (shpirti) jam i gëzuar e i lumtur; më këndon zemra (shpirti); më ligjëron zemra; më flakëron zemra (shpirti); më gufon zemra (shpirti); më hidhet (më brof) zemra përpjetë; më lulëzon zemra (shpirti); më bëhet zemra (shpirti) behar. M’u rëndua zemra (shpirti) u pikëllova, u hidhërova pak; më vjen keq; kund. m’u lehtësua zemra (shpirti). Më rëndon në zemër (në shpirt) (diçka) kam ndjenjën e fajit për diçka dhe jam i pikëlluar, më vjen shumë keq, më brengos; më shqetëson gjithnjë; e kam brengë në zemër (në shpirt). E ruaj në zemër. 1. (dikë a diçka). E dua vazhdimisht, nuk e heq dashurinë e mallin për dikë a për diçka; nuk e harroj kurrë, e ruaj në kujtesë si diçka të shtrenjtë; e kam kyçur në zemër (në shpirt); nuk e nxjerr nga zemra (nga shpirti). 2. (diçka). Nuk e shfaq, e mbaj përbrenda, nuk e nxjerr për të tjerët. Më rreh zemra (për dikë a për diçka). 1. E dua shumë, mendoj gjithnjë për dikë a për diçka, dua që ta kem; dëshiroj shumë që të më plotësohet qëllimi. 2. Kam ndjenja të forta, emocionohem shumë; ndizem e marr hov për të bërë diçka; më lufton zemra. Sa të më rrahë zemra gjithë jetën, sa të jem gjallë (kur dua t’i përkushtohem dikujt a diçkaje). Më rrëmbeu (më fitoi, më grabiti) *zemrën (dikush). I rri me *dorë në zemër (dikujt). M’u rrit zemra ndjeva kënaqësi të madhe për diçka; u gëzova shumë; m’u bë zemra mal. M’u rrudh zemra humba shpresat e u mblodha në vetvete; u mërzita shumë, u pezmatova; u pikëllova, u ligshtova; m’u ndrydh zemra; m’u ngushtua zemra; m’u mblodh zemra lëmsh. Më sëmbon (më ther) në zemër (në shpirt) (për dikë a për diçka) ndiej keqardhje të thellë ose shqetësohem shumë për dikë a për diçka; më shpon diçka, më ther e s’më lë të qetë; më pikon në zemër (në shpirt); më dhemb zemra (shpirti). Ia sjell zemrën (shpirtin) në *vend (dikujt). Me *sytë e zemrës. Më shkoi (më vajti, më ra) zemra te *thembra. Më shkriu zemra m’u hoq frika a brenga që kisha, u lehtësova; u çlirova nga një ankth a nga një shqetësim i madh, u qetësova; më erdhi zemra (shpirti) në vend; më shkriu gjaku; kund. më ngriu zemra. E shkul nga zemra (dikë a diçka) shih e nxjerr nga zemra (dikë a diçka). Më shkuli zemrën (dikush) më shkaktoi një dhembje të thellë shpirtërore një njeri shumë i dashur, që më braktis, që vdes ose që largohet përgjithnjë a për një kohë të gjatë; më pikëlloi pa masë. Shih me *sy e plas me zemër (e s’është për ty). Më shpon zemrën (dikush a diçka) më prek thellë, më hidhëron shumë, më pikëlloin më plagos zemrën (shpirtin). M’u shqye zemra shih m’u bë zemra (shpirti) copë. Me shtatë zemra shumë trim, që nuk i trembet asgjëje, që nuk di se ç’është frika. M’u shtrëngua zemra kam një shqetësim të madh, ndiej diçka të rëndë në shpirt; më vjen shumë keq për dikë a për diçka; m’u ndrydh zemra (shpirti); m’u ngushtua zemra; m’u mblodh zemra lëmsh. M’u shtyp zemra rashë në një gjendje të rëndë shpirtërore; u brengosa; m’u ndrydh zemra (shpirti); m’u shtrëngua zemra; m’u mblodh zemra lëmsh. Me *trup e me zemër. M’u tha zemra (*shpirti). Ma thau zemrën (*shpirtin). Nga *thelbi i zemrës (i shpirtit). Nga *thellësia e zemrës. Ma thotë (ma ndien, ma ndjell) zemra (diçka) e parandiej, e ndiej se do të ndodhë diçka a do të vijë dikush. *Thikë në zemër. M’u thye zemra u brengosa; u mërzita a u dëshpërova nga dikush a për diçka; m’u prish qejfi nga dikush a nga diçka dhe nuk e dua a nuk e pëlqej më si më parë; jam ftohur ca nga diçka e papëlqyer që ka ndodhur; nuk më tërheq më; u thye buka (me dikë). Ma theu zemrën (dikush) më lëndoi në shpirt, më brengosi; më mërziti a më dëshpëroi shumë; nuk e dua a nuk e pëlqej më dikë si më parë, nuk më tërheq më; ma prishi zemrën; ma prishi qejfin. Vë dorën në zemër (për dikë). 1. Më vjen keq për dikë, mendoj me dhembshuri për të; ia kuptoj hallin dhe e mëshiroj, e ndihmoj a i bëj një lëshim, tregohem zemërmirë. 2. Gjykoj si për vete, marr parasysh rrethanat, arsyetoj me drejtësi, me ndjenjë e me ndërgjegje. I vuri *gurët në zemër (dikujt). I vë (një) *gur zemrës. Më erdhi zemra (shpirti) në *fyt. Më erdhi zemra (shpirti) në vend u qetësova, e mora veten (pas një tronditjeje të fortë a pas një shqetësimi të papritur); më erdhi gjaku në vend; më erdhi fryma në vend; më shkriu zemra; kund. më iku zemra. Më vlon në zemër (në *shpirt) (diçka). I zbraz zemrën (dikujt) i tregoj të gjitha hallet, shqetësimet, mendimet e ndjenjat e mia, ia them gjithçka që mbaj përbrenda, i zbrazem; i hap zemrën; i zbraz barkun. M’u zbut zemra. 1. U qetësova, më ra zemërimi, u bëra më i butë; m’u zbut hidhërimi që kisha, gjeta ngushëllim, u ngushëllova. 2. U preka në shpirt, u mallëngjeva, u bëra më i ndjeshëm; u bëra më i dhembshur, më vjen keq për të tjerët; m’u bë zemra bukë. Me zemër (me shpirt) të bardhë zemërbardhë; kund. me zemër të zezë (me shpirt të zi). Me zemër të copëtuar shumë i pikëlluar, me dhembje të madhe në shpirt; i prekur thellë; me zemër të çjerrë. Me zemër të çiltër i hapur, i sinqertë; çiltërsisht, me sinqeritet; me zemër të hapur; me zemër në dorë; me dorë në zemër. Me zemër të çjerrë i dërrmuar shpirtërisht, shumë i pikëlluar; me zemër të copëtuar. Me zemër (me shpirt) të djegur (të përvëluar). 1. Me mall të madh për dikë a për diçka, i djegur nga dashuria a nga malli për të; i zhuritur për ta parë a për ta pasur. 2. I lënduar a i brengosur rëndë nga humbja e një njeriu të dashur, shumë i pikëlluar, i zhuritur; që ka vuajtur shumë në jetë, që nuk ka parë ditë të mira ose që i kanë rënë shumë fatkeqësi; i vrarë. Me zemër në dorë shih me dorë në zemër. Me zemër të dridhur. 1. I pikëlluar a i lënduar thellë; shumë i tronditur, me hidhërim të madh. 2. Me frikë të madhe, tërë ankth se ç’do të ndodhë, shumë i shqetësuar. Me zemër të fortë që përballon pa u epur vuajtjet a dhembjet, që ka vullnet të çeliktë, i papërkulshëm; që nuk ndikohet a nuk preket lehtë, që e mban veten edhe në rrethana të rënda, që duron shumë. Me zemër (me shpirt) në fyt me zemërim të madh, me inat të papërmbajtur; pa pasur durim fare. Me zemër të gëzuar i gëzuar, i kënaqur; i lumtur; kund. me zemër të helmuar. Me zemër (me shpirt) të gjerë zemërgjerë; me zemërgjerësi; me zemër të madhe (me shpirt të madh); me bark të gjerë; kund. me zemër (me shpirt) të ngushtë. Me zemër të hapur haptas, sinqerisht, me çiltërsi e pa të keq, pa fshehur asgjë; bujarisht; me dorë në zemër; me zemër në dorë; me bukë e kripë (e zemër të bardhë). Me zemër (me *shpirt) të helmuar. Me zemër të keqe (me *shpirt të keq). Me zemër të kyçur i mbyllur në vetvete e i heshtur, që nuk tregon ç’mendon e ç’ndien. Me zemër (me shpirt) të lënduar. 1. I prekur thellë, i mallëngjyer; i vrarë shpirtërisht. 2. I fyer rëndë pa të drejtë, i prekur thellë, i lënduar. Me zemër luani trim i madh, që ka shumë guxim e nuk i trembet askujt e asgjëje; kund. me zemër pule (lepuri). Zemër e madhe njeri i dashur, bujar e zemërgjerë; njeri zemërmirë. Me zemër të madhe (me shpirt të madh) zemërgjerë, bujar, zemërmirë; shumë njerëzor; bujarisht; me zemër (me shpirt) të gjerë; kund. me zemër (me shpirt) të vogël. Me zemër (me shpirt) të mirë. 1. Zemërmirë; zemërgjerë; me zemërgjerësi; kund. me zemër të keqe (me shpirt të keq). 2. Me kënaqësi e me dëshirë; pa keqdashje; me gjithë zemër. Me zemër të mirë! ur. gëzuar!, me gëzime!, me mbarësi! Me zemër të mpirë pa hov, pa vrull e pa gjallëri, pa shpirt, si i mpirë, në plogështi; pa vullnet e pa dëshirë. Me zemër të ngrirë shih me gjak të ngrirë. Me zemër të ngrohtë që ka fituar besim e shpresë nga dikush a nga diçka; me shpresë e me besim; me dëshirë e me dashuri. Me zemër (me shpirt) të ngushtë zemërngushtë; me zemërngushtësi; me zemër (me shpirt) të vogël; kund. me zemër (me shpirt) të gjerë. Me zemër (me shpirt) të pastër (të kulluar). 1. Pa djallëzi e pa prapamendime, me sinqeritet, çiltërisht. 2. I padjallëzuar, i dëlirë, i çiltër, i kulluar; me shpirt të qëruar. Me zemrën pezull shih me frymën pezull. Me zemër (me shpirt) të plagosur me dhembje të thellë shpirtërore, i lënduar rëndë në shpirt; që ka pësuar një fatkeqësi të rëndë, një humbje të madhe etj. e vuan shpirtërisht; shumë i hidhëruar, i pikëlluar, i brengosur, i prekur thellë; i vrarë; me zemër (me shpirt) të vrarë. Me zemër (me shpirt) të plasur shumë i mërzitur, i dëshpëruar, i brengosur; zemërplasur; me buzë të plasur. Me zemrën (me shpirtin) plot me gëzim e me kënaqësi të madhe (kur i kam të gjithë ata ose të gjitha ato që dua); shumë i kënaqur. Me zemër të plotë me kënaqësi, me gjithë dëshirë, pa asnjë ngurrim; me gjithë zemër (shpirt); me trup e me zemër. Me zemër pule (lepuri) shpërf. frikacak i madh, që s’ka fare guxim, që i trembet gjithkujt e çdo rreziku; kund. me zemër luani. Me zemër (me *shpirt) të qëruar. Me zemër të thyer. 1. Jo me dëshirë, jo me qejf; me qejf të prishur; mëdyshas. 2. I pikëlluar, me dhembje të madhe; i prekur thellë. Me zemër (me shpirt) të vogël. 1. Që mendon vetëm për vete, i ngushtë nga shpirti, zemërngushtë; zemërkeq, jonjerëzor; me zemër (me shpirt) të ngushtë; kund. me zemër të madhe (me shpirt të madh). 2. Që merret me vogëlsira, që nuk duron e nuk të fal gabimet, i ngushtë; meskin; dorështrënguar; jo i dashur; kund. me shpirt të madh (me zemër të madhe). Me zemër (me shpirt) të vrarë shumë i prekur, me dhembje të thellë shpirtërore, i pikëlluar; që vuan shumë nga diçka, i dëshpëruar e i goditur në shpirt, i lënduar; shpirtvrarë; me shpirt (me zemër) të brengosur; me zemër (me shpirt) të plagosur. Me zemër (me *shpirt) të vrerosur. Me zemër të zezë (me *shpirt të zi). Me zemër (me shpirt) të zjarrtë që ka dëshirë të madhe e guxim për të bërë diçka, i dhënë me mish e me shpirt pas diçkaje; i vendosur, guximtar e luftarak; i flaktë; me dëshirë të madhe, me zjarr. Zë zemrën. 1. E mbledh veten pas të fiktit a pas një tronditjeje të madhe; e marr veten. 2. shih zë barkun. M’u zgjerua zemra. 1. U gëzova e u qetësova nga një lajm i mirë, e ndiej veten mirë e të qetë; jam i lumtur; m’u hapën (m’u çelën) qiejt. 2. Kam dëshirë të bëj mirë, mëshiroj e fal, më vjen keq për dikë e bëhem zemërgjerë me të. Me *zjarrin e zemrës.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë