Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BARKBÁRDHË mb. Që e ka barkun të bardhë (për kafshë e për shpendë). Lopë barkbardhë. Pëllumb barkbardhë.
BRETKÓS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Rana) Kafshë e vogël me ngjyrë të murrme a të gjelbër, me këmbët e prapme të gjata, që ecën duke kërcyer dhe që mund të jetojë në ujë dhe në tokë. Bretkosë e gjelbër. Bretkosë bari. Zë bretkose. Tufë bretkosash. Këndojnë (kuakin) bretkosat. Stil bretkosë (sport.) mënyrë të notuari si bretkosë, duke i lëvizur anash me hapje të gjerë këmbët dhe duart brenda në ujë. S’këndon bretkosa në të thatë. (fj. u.).
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje bretkosash. Bretkosë barkverdhë (lat. Bombina variegata) bretkosë me një gjatësi deri në pesë cm, me kurriz të ashpër e të murrmë me pika ngjyrë kafe, me barkun dhe anët e brendshme të këmbëve me ngjyrë të verdhë me pika të zeza, që haset në pjesën më të madhe të Evropës. Bretkosë e dejeve (lat. Rana esculenta) bretkosë e gjelbër që hahet. Bretkosë e drurëve (lat. Hyla arborea) bretkosë e gjatë katër-pesë cm, me këmbë më të gjata se bretkosa e zakonshme, me kurriz zakonisht të gjelbër ose të përhimë, me bark të bardhë e me vija të zeza në të dyja anët. Bretkosë e gjelbër (lat. Pelophylax esculentus) bretkosë e zakonshme e Evropës. Bretkosë jeshile (lat. Hyla arborea) bretkosë e drurëve. Bretkosë kërcimtare (lat. Rana dalmatina) bretkosë e gjatë deri në tetë cm, me kurriz në ngjyrë kafe të çelur, me bark të bardhë, me këmbë shumë të gjata, që mund të kërcejë deri në dy metra. Bretkosë e leshterikut (lat. Rana lessonae) bretkosë e pellgjeve e përhapur në Evropë. Bretkosë e përrenjve (lat. Rana graeca) bretkosë petashuqe me kurriz ngjyrë kafe, që jeton në ujëra të ëmbla dhe në livadhe të viseve të Ballkanit. Bretkosë e zakonshme (lat. Rana ridibunda) bretkosë shumë e ngjashme me bretkosën e dejeve.
✱Sin.: breqe, çallkatore, çapërkosë, çapriskë, shapulicë, barkbardhë, zhabë.
NGATARRÍC/Ë, ~A f. sh. ~A, ~AT zool. (lat. Sciurus vulgaris) Lloj ketri më i gjatë se geri, kërcen larg nëpër degë; ketër, lëkitër. Ngatarricë barkbardhë. Kërcen ngatarrica dru më dru. Ngjitet pemëve si ngatarricë. E dredh bishtin si ngatarrica është dredharak.
✱Sin.: ketër, lëkitër.
SHAPULÍC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Bufo viridis) Amfib me madhësi mesatare, që gjendet më së shumti në vende malore, me trup të mbuluar me njolla të gjelbra dhe të bardha; zhabë, çapërkosë. Shapulica doli nga uji. Pellgu ishte mbushur me shapulica. Shapulica është një amfib. Shapulica barkbardhë (lat. Rana ridibunda) bretkosa e zakonshme, zhaba.
2. si mb., fig. Që është trupvogël, jo e bukur dhe e ngathët. Grua shapulicë.
✱Sin.: zhabë, bretkosë, breq, bretk, çapërkosë, bretkosë, thith, thithëlopë.
TANAGÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zool. (lat. Thraupinae) 1. Zog i familjes së Harabelorëve, me ngjyra shumë të gjalla (të ndezura). Tanageri ushqehet me kandrra të vogla.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa tanagerë, që tregon veçanti të tij. Tanageri barkbardhë (çafkëndezur, gjoksartë, i artë, i Darvinit, i ullinjtë, kokëkuq, kryekaltër, kryeportokalltë, shumëngjyrësh, etj.).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë