Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BARDHEZÍ mb. 1. Që është me ngjyrë të bardhë e të zezë, që përbëhet nga këto dy ngjyra. Fotografi bardhezi. Ky flamur ka vija bardhezi. Ajo kishte veshur një fustan shumë të bukur bardhezi. Filma (televizorë) bardhezi. Dhi me pulla bardhezi. I punonin me teknikën bardhezi. Bardhezi si kusi, / Rrumbullak plot ëmbëlsi. (folk.).
2. fig., keq. I cekët, i pathelluar, i skajshëm në gjykime e në vlerësime. Të menduarit bardhezi. Gjykim bardhezi. Vështrime (analiza, vlerësime etj.) bardhezi. Gjërat nuk ishin aq bardhezi sa i mendoja më parë.
3. Që ka ngjyrën e bardhë e të zezë si ngjyra përfaqësuese simbol në veshjet sportive, në flamur etj. Skuadra bardhezi. Flamuri bardhezi. Tifozët bardhezi.
BARDHEZÍ ndajf. 1. Bardhë e zi, pa ngjyra të tjera. Televizioni dikur transmetonte vetëm bardhezi.
2. fig. Ose vetëm mirë, ose vetëm keq; ose të drejtë, ose të gabuar; në mënyrë të thjeshtuar e të skajshme. E shtroi pyetjen bardhezi. E paraqit gjendjen bardhezi. Jeta njerëzore do të ishte bardhezi. Historia nuk mund të rrëfehet bardhezi. Nuk duhet vështruar gjendja aq bardhezi.
BUZÍN/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Anëse që ndan pjesën e rrugës për këmbësorë nga ajo për makina; anë, bordurë. Buzinat e rrugës. Buzina e lulishtes. Kufizohen me një buzinë. Buzina e faqes së librit. Shportë me buzinë të gjerë. Flutur me krahë në ngjyrë të kuqe të ndezur, me buzinë bardhezi. Gjethe me buzinë të valëzuar.
2. Shirit për zbukurimin e veshjeve etj.; kordon, gajtan. Buzinat e fustanit. Veshjeve u vinte buzina zbukuruese.
✱Sin.: anë, bordurë, kordon, gajtan.
FILM,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Shirit celuloidi ose pllakë e tejdukshme, e bërë prej një lënde të posaçme, që përdoret për të riprodhuar diçka në fotografi, në mjekësi, në kinematografi etj.; shirit i tillë me pamje për t’u shfaqur në ekran. Laj filmin fotografik. Film radiografie. E nxorën në film e filmuan.
2. Shfaqje që regjistrohet në një shirit të tillë dhe jepet në ekran; vepër kinematografike. Film artistik. Film shqiptar. Skenari i filmit. Regjisori i filmit. Shoh një film. Film dokumentar. Film me seri. Film me ngjyra (bardhezi). Film me ekran të gjerë. Film pa zë. Film vizatimor.
PËLLÚMB,~I m. sh. ~A, ~AT zool. (lat. Columbidae) 1. Shpend i butë a i egër me krahë të shkurtër, me pendë të bardha ose ngjyrë hiri në të kaltër, me gushë pak të dalë dhe me pupla në këmbë, që mund të bëjë fluturime të gjata dhe që mbahet si simbol i butësisë, i pastërtisë, i bukurisë dhe i paqes. Pëllumb i butë. Pëllumb i egër. Pëllumb poste. Çift pëllumbash. Gugatje pëllumbash. Kafaz pëllumbash. Mish pëllumbi. Vezë pëllumbi. Gjuetar i pëllumbave. I butë (i bukur, i urtë) si pëllumb. Si pëllumb i shkruar shumë i bukur. Peshk pëllumb (zool.). Nuk bëhet sorra pëllumb. (fj. u.). Në kuvlinë e vogël gjen pëllumbin e madh. (fj. u.).
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje pëllumbash: Pëllumbi bishtunazë (lat. Columba caribaea). Pëllumbi borizan (lat. Streptopelia decaocto) shpend si kumria, me shirit bardhezi në qafë, me pupla të kuqe të çelët në të verdhë. Pëllumbi i dafinës (lat. Columba junoniae). Pëllumbi i dëborës (lat. Columba leuconota). Pëllumbi i egër (lat. Columba oenas L.) Pëllumbi më i përhapur në botë, me pupla të përhime në kafe, me qafë dhe gushë me ngjyrë të gjelbër me shkëlqim. Pëllumbi i egër i shkëmbit (lat. Columba livia) pëllumb me pendë ngjyrë hiri të çelët. Pëllumbi guhak (gugash) (lat. Columba palumbus L.) pëllumb i egër shtegtar me trupin ngjyrë hiri në të kaltër, me kokë e gjoks të kuq në të kaltër dhe krahë të larmë, guhaku. Pëllumb këmbëlesh pëllumb me pupla të mëdha e të dendura në këmbë. Pëllumb kaçulor pëllumb me kaçule. Pëllumbi këmbëverdhë (lat. Columba pallidiceps). Pëllumbi i kodrave (lat. Columba rupestris). Pëllumbi kokëbardhë (lat. Columba leucomela). Pëllumbi krahëbardhë (lat. Zenaida asiatica). Pëllumbi me kurorë (lat. Goura cristata). Pëllumbi kurrizkafe (lat. Leptolila battyi). Pëllumbi bishtgjatë (lat. Gymnophaps mada). Pëllumbi i pyllit (lat. Columba oenas L.) pëllumb i egër. Pëllumbi qafëbardhë (lat. Columba fasciala albilinea). Pëllumbi sqepkuq (lat. Coluniba flavirostris). Pëllumbi sqepshkurtër (lat. Columba nigrirostris). Pëllumbi sqeptrashë (lat. Gallicolumba salamonis). Pëllumbi sykuq (lat. Streptopelia semitorquata). Pëllumbi i tokës (lat. Columbina passerine). Pëllumbi vajtues (lat. Zenaida macrorura).
3. fig., përk. Fëmijë a djalë i vogël, i bukur dhe i dashur. Pëllumbi i nënës! Fli, mor pëllumb!
4. fig., iron., shaka. Përdoret kur i drejtohemi dikujt me një qortim të lehtë etj. Ku ishe, mor pëllumb? Na erdhi ky pëllumbi!
5. fig. Cjap me qimen në ngjyrën e pendëve të pëllumbit të egër. E prin kopenë pëllumbi.
✱Sin.: vidan, gugash, vidan, gogesh, guhak, fëmijë, vogëlush.
♦ Kur të bëhet sorra pëllumb kurrë, asnjëherë; kur të bëhet grerëza bletë; kur të bëhet laraska bilbil; kur të bëhen lendet lajthi; kur të bëjë qarri arra. Pëllumb i shkruar poet. fëmijë shumë i bukur *Vend pëllumbash.
QUKAPÍK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT zool. 1. Zog që jeton në zgavrat e drurëve nëpër pyje, me sqep të fortë, me të cilin shpon drurët për të ngrënë krimba a kandrra ose për të bërë fole; pikth, bredrure. Qukapiku është rikthyer në park për t’u ushqyer. Fole qukapiku.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që shënojnë lloje të ndryshme të këtij zogu. Qukapik barkkuq. Qukapik barkverdhë. Qukapik bishtartë. Qukapik larosh shpinëbardhë. Qukapik jakëkuq. Qukapik i gjelbër (lat. Picus viridis) qukapik me ngjyrë jeshile në pjesën e sipërme që fluturon vrullshëm, në formën e valëve, nga toka në një grumbull drurësh ose nga një fole milingonash në një livadh. Qukapik kokëbardhë. Qukapik kokëkuq. Qukapik i madh (lat. Dendrocopos major) qukapik me pendë bardhezi dhe me një njollë të kuqe në pjesën e poshtme të barkut. Qukapik i madh me pika. Qukapik qafëkuq. Qukapik i tokës. Qukapik trumcak. Qukapik veshverdhë. Qukapik i vogël larosh (lat. Dendrocopos minor) qukapik pyjor, që e kalon shumicën e kohës në majat e pemëve të larta në pyje dhe në parqe. Qukapik i vogël me pika. Qukapik i zi (lat. Dryocopus martius) qukapik që renditet si më i madhi në Evropë dhe në Azi, joshtegtues, që qëndron kryesisht në pyje gjethegjerë dhe në halorë.
✱Sin.: pik, pikth, bredrure, brelise, sqepadruth, sqepthatë, sqeptore, qokaç, qokatëz, qukëlaç, gjelac, takllore, torrkaç, shqepadru.
ZO/G,~GU m. sh. ~GJ, ~GJTË 1. zool. Kafshë e vogël kërbishtore, me trupin të mbuluar me pupla, me sqep të brirtë, me dy këmbë dhe me krahë për fluturim, që shumëzohet me anë të vezëve; emër i përgjithshëm për shpendët e vegjël si trumcaku, dallëndyshja, bilbili etj.. Zog i bukur. Zogjtë shtegtarë. Zog këngëtar. U përngjajnë zogjve të egër. Vezë zogu. Fole zogjsh. Tufë zogjsh. Cicërimat e zogjve. Libër për zogjtë. Zë zogj. Vrau një zog. Si zogjtë në pyll. Zogu në kafaz këndon për maraz. (fj. u.). Një zog në dorë vlen sa për dy në drizë. (fj. u.). Çdo zog kërkon folenë e vet. (fj. u.). Zogu, ngado që të vejë, prapë kthehet në folenë e tij. (fj. u.). Kush ka frikë nga zogjtë, le të mos mbjellë. (fj. u.). Duket zogu që në vezë. (fj. u.). Nuk çelin zogj të gjitha vezët. (fj. u.). Kërko pula zogjtë e zogjtë i ka ndër këmbë. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për llojet e këtij shpendi. Zog bari (lat. Serinus) zog i vogël bojëbari. Zog blete (lat. Merops apiaster) zog sa mëllenja, me pendë të gjelbra, që rron brigjeve të lumenjve dhe ushqehet kryesisht me bletë. Zog bore (lat. Fringila coeleps) borës, zborak. Zogu çaush (lat. Alauda cristata; Galerida cristata) zog arash ngjyra-ngjyra, me sqep të kthyer e me kaçul mbi kokë. Zogu dervish (lat. Alauda cristata; Galerida cristata) çafkëlore. Zog dimri (lat. Fringila coelebs) zog bore. Zog drite bilbil. Zogu i dhenve (lat. Motacilla alba) bishtatundës. Zog ferre (lat. Troglodytes troglodytes) zog i vogël i rendit të harabelave, me ngjyrë të murrme, që rron në gjerdhe e ferra, cinxami. Zog fiku (lat. Oriolus oriolus) zog shtegtar i harabelorëve, me pupla të verdha të ndritura dhe krahë të zinj e sqep të kuq, që ushqehet me fiq. Zog gjembi (lat. Laniidae) shpend i gjatë, me pendë të përhime, kafe ose bardhezi, që dallohet nga zakoni për ta ngulur prenë në gjemb ose diçka tjetër të mprehtë para se ta hajë. Zog i deles zogdele. Zogu i dhenve (lat. Motacilla alba) bishtatundës. Zogu kardinal (lat. Richmondena cardinalis) zog sqeptrashë, kryesisht i Amerikës Veriore e Jugore, që ushqehet me fara; mashkulli i ka puplat në ngjyrë të kuqe të ndezur, ndërsa femra të përhime. Zogu i Krishtit (lat. Galerida cristata) laureshë me kaçirubë. Zogu i natës (lat. Vespertilio) gjitar i vogël si mi, i zi, me krahë të gjerë të mbuluar me lëkurë të hollë, që fluturon natën dhe ushqehet me kandrra e pemë. Zog miu (lat. Troglodytes troglodytes) cinxami. Zogë mizë (lat. Trochilidae) kolibër. Zogu i natës lakuriqësi i natës. Zog nuseje (lat. Fringila carduelis) kryeartëz. Zog qepës (lat. Ramis pendulinus) trishtil. Zog rrëfeshku (lat. Fringila carduelis) kryeartëz. Zog shtrige (lat. Troglodytes troglodytes) cinxami. Zog vejtës zog i familjes policeideve të Afrikës dhe Azisë, që jeton në koloni, i njohur si ndërtues i çerdheve të ndërlikuara.
3. I vogli i një shpendi. Zog pule (pate, shqiponje, petriti). Zogu i dallëndyshes (i korbit). Zogj inkubatori. Rritja e zogjve. Klloçka me zogjtë. Çel zogj.
4. krahin. I vogli i një kafshe, pjella. Zog maceje. Zog gomari. Zogjtë e arushës.
5. krahin. Bir. Zog malësori. Zogu i shqiptarit.
6. anat. Muskuli i gjymtyrëve, zogthi. Zogu i krahut muskuli i llërës. Zogu i këmbës pulpa.
✱Sin.: fluturak, çuç, pjellë, këlysh, zogth.
♦ Me një *gur vret dy zogj (dikush). Gjuan një zog me top (dikush) shih e vret mizën me sëpatë (dikush). I iku (i shpëtoi) zogu nga dora (dikujt) nuk arriti ta shfrytëzonte një rast të mirë si duhej, nuk qe në gjendje të përfitonte kur pati mundësinë; s’e ka më rastin e volitshëm; kund. e ka zogun në dorë (dikush). E ka zogun në dorë (dikush) është në gjendjen më të përshtatshme për të bërë diçka a për t’u marrë me dikë, ka mundësinë më të mirë të shfrytëzojë një rast e të veprojë, është në rrethana të favorshme që të përfitojë; varet nga ai vetë të arrijë diçka; kund. i iku (i shpëtoi) zogu nga dora (dikujt). (E mbaj) si zogun majë gjembit (dikë) shih (e mbaj) në pëllëmbë të dorës (dikë). Nxjerr (çel) zogj (dikush) iron. rri për një kohë të gjatë në një vend pa bërë asnjë punë, rri kot; ngroh vezë; ngrohet (theket) në diell. Me një *të shtënë vret dy zogj (dikush). Zuri zogun (dikush) shaka. ra, u rrëzua sa gjatë gjerë; zuri lepurin shaka. Zog dallëndysheje njeri fare i brishtë e i pafuqishëm, që ka nevojë për ndihmë, për përkrahje e për kujdes të drejtpërdrejtë (për fëmijët); zog klloçke. Zog gomari shar. thjeshtligj. budalla, kërriç. Zog klloçke njeri i vogël e i dobët, që ka nevojë për ndihmë, për mbrojtje e për përkujdesje të veçantë (për fëmijët); zog dallëndysheje. Zogj pa klloçkë njerëz pa mbrojtje e pa përkujdesje; njerëz që nuk ka kush të merret me ta (kryesisht për të vegjlit jetimë). Si zogjtë e korbit (e qyqes). 1. Të shpërndarë në të katër anët, kur asnjëri nuk di ku gjendet tjetri; të përhapur andej-këtej në vende të ndryshme; si vezët e qyqes. 2. Rrugëve, pa ndihmë e pa përkrahje; pa shtëpi a në vend të huaj, ku s’e njeh e s’e mbron njeri; pa plëng e pa shtëpi (pa cak). Zog pa pupla njeri fare i pambrojtur e në mëshirën e fatit; njeri i kërthinjtë, i pafuqishëm a i dobët; njeri i papërgatitur për jetën; njeri i pafuqishëm e pa përkrahje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë