Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
THES,~I m. sh. THÁSË, THÁSËT 1. Trastë e madhe prej pëlhure të trashë (prej kërpi, liri, pambuku etj.) ose prej letre të trashë etj., të palosur më dysh për së gjati dhe të qepur në tri anë, që shërben si enë për të shtënë në të lëndë të ndryshme në trajtë kokrrizash, copash të vogla, pluhuri a fijesh (drithë, miell, sheqer, çimento, lesh etj.) dhe që lidhet a qepet në grykë; sasia e lëndës (e drithit, e miellit, e çimentos etj.), që përmban një enë e tillë, aq sa nxë kjo lloj traste e madhe. Thes i vjetër (i grisur, i shpuar). Thes i mbushur (i zbrazur). Thes liri (letre). Thes çimentoje. Një thes me oriz (me sheqer). Një thes me qymyr (me kashtë, me lesh). Një thes grurë. Një gjysmë thesi misër. Katër thasë miell. Gryka e thesit. Fundi i thesit. Mbush (zbraz, shkund, lidh, zgjidh) thesin. Ngarkoi thasët. Qep thasë. I rrinë rrobat si thes i rrinë rrobat shumë të gjera, shumë lirshëm.
2. fig. Sasi e madhe, shumicë. Një thes me fjalë (me budallallëqe). Një thes me pyetje (me premtime). Gënjeshtra me thes. Gabon me thes. Fitonte me thes. Ka çrregullime me thes.
✱Sin.: burdhë, verzomë, harar, balun, deng, shumicë.
♦ *Derr në thes keq. E di Gjoni çfarë ka thesi shih e di Gjoni çfarë ka trasta. E fut (e fsheh) hostenin në thes (dikush) është shumë i shkathët, sa bën edhe diçka të pamundur; është i jashtëzakonshëm; e fut (e fsheh) minaren në thes; fut (shtie) shejtanin (djallin) në shishe. E fut (e fsheh) minaren në thes (dikush). 1. Është shumë i shkathët, sa bën edhe diçka të pamundur; është i jashtëzakonshëm; e fut (e fsheh) hostenin në thes; fut (shtie) shejtanin (djallin) në shishe. 2. Përpiqet të mbulojë diçka (një gënjeshtër, një hile, një paudhësi, një poshtërsi etj.) aq të madhe, sa është e pamundur të fshihet. Fut *pleshta në thes (dikush) iron. E fut në një thes (me dikë a me diçka) keq. e barazon me dikë a me diçka tjetër, e quan njëlloj me të; e ngatërron me një tjetër; përzien pa dallim njerëz a gjëra që nuk janë njësoj. Futet (hyn) në një thes (me dikë a me diçka) keq. barazohet me dikë a me diçka tjetër, merret pa dallim si i njëjtë a quhet i njëllojtë me dikë a me diçka tjetër. Gjeti arna thesin shih gjeti tenxherja kapakun. Gjeti hajduti thesin keq. shih gjeti tenxherja kapakun keq. Kemi ngrënë një thes me kripë (bashkë) shih kemi ngrënë një furrë bukë (bashkë). S’më hyn (gjë) në thes s’më përket mua, s’është puna ime, s’ka ç’më duhet; s’përfitoj gjë unë. Janë *arnë për thes keq. S’ka gjë në thes (dikush) shih s’ka gjë në torbë (dikush). E ka *lëmsh në thes (dikë). E ka në thes (dikë) e ka bërë për vete a të vetin dhe e ka nënshtruar e bën ç’të dojë me të; e ka në torbë; e ka në dorë. Me *kokë (me krye) në thes (në torbë, në trastë). E la thes në vend (dikë) e vrau menjëherë, e la të vdekur në vend; e la top në vend; e la në vend. Nuk të lëshon *krunde në thes (dikush). Nuk e lidh dot thesin (dikush) është i pavendosur, i lëkundur, nuk di si të bëjë. E mori *gjalmin e thesit (e kacekut) (dikush) përbuz. Merr nga *torba e hedh në thes (dikush). Mban *draprin në thes e majën jashtë (dikush). Mbeti thes në vend (dikush) vdiq menjëherë, ra i vdekur në vend; mbeti top në vend; mbeti lëmsh në vend; mbeti në vend. E mbushi thesin (dikush) keq. e teproi me gabime e paudhësi, sa nuk durohet më, kaloi çdo cak e nuk mban më; e mbushi kupën. *Miell i një thesi. *Miell nga thesi i botës (i huaj) iron. *Misër në thes e tenxheret bosh (dikush) iron. U ndesh arna me thesin shih gjeti arna thesin. Qan me thes në kokë (dikush) ankohet e qahet shumë për diçka, ulërin për diçka; vë ulërimën. Ruan me *trastë e prish me thes (dikush). E shkundi thesin (dikush). 1. Harxhoi gjithçka, harxhoi edhe gjënë e fundit; s’mbajti asgjë, mbeti fare pa gjë; u zbraz nga të gjitha; e zbrazi thesin. 2. I tha të gjitha ç’dinte, tregoi gjithçka, i nxori të gjitha; e zbrazi thesin. Sheh *drithin e jo thesin (dikush). Nuk shtiu (nuk futi) gjë në thes (dikush) nuk përfitoi ndonjë gjë për vete; s’arriti të nxirrte gjë për vete; nuk shtiu (nuk futi) gjë në xhep. E shtie shpatën (pallën) në thes (dikush) bën diçka që nuk duhet a që nuk mund të bëhet; bën diçka të pamundur, të pangjashme a të çuditshme. E shtiu (e futi) në thes (dikë) keq. 1. E mashtroi, e gënjeu me fjalë të mira e me premtime dhe e bëri për vete; e shtiu (e futi) në grackë; e shtiu (e futi) në kurth; shtiu (e futi) në lak. 2. shih e shtiu në dorë (dikë). Thes me arna përb. shih teneqe e shpuar mospërf. Thes me dy gryka përb. 1. Njeri që s’ngopet kurrë, hamës i madh, llupës, grykës; lakmitar, tamahqar; thes i shpuar. 2. Njeri me dy faqe, që pranon çdo gjë e pajtohet me çdo gjë; mësallë me dy faqe. 3. shpërf. Njeri që nuk di të mbajë asgjë të fshehtë; daulle e shpuar (e çarë)2; portë pazari1; legen i shpuar mospërf. Me thes në kokë. 1. Verbërisht, symbyllur, pa e ditur se ku vete e çfarë po bëj; kuturu. 2. Shumë i turpëruar. Thes me lesh tall. njeri i fryrë e shumë i zbrujtur nga trupi; njeri shumë i shëndoshë e i plogët. Thes i lidhur keq. njeri i mbyllur në vetvete, që nuk hapet me të tjerët. Si thesi e mielli mospërf. pothuajse njëlloj, shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, që i përshtaten njëri-tjetrit (zakonisht për keq); si peri e gëzofi; si tenxherja e kapaku. Thes me pleshta tall. grumbull njerëzish të paaftë ose që nuk mblidhen e nuk shtrohen në një punë; njerëz të papërshtatshëm për një punë; diçka krejt e pamundshme; stan me lepuj. Thes i shpuar. 1. Ai që s’ka asgjë, varfanjak, i shkundur, i këputur. 2. Njeri që nuk kursen, dorëlëshuar, dorëshpuar. 3. Ai që s’ngopet së ngrëni, sado që t’i japësh, llupës, grykës; thes me dy gryka. 4. mospërf. Njeri që s’mban gjë të fshehtë, ai që i tregon të gjitha ç’di; teneqe e shpuar; daulle e shpuar; thes me dy gryka3. As në thes e as në torbë i paqëndrueshëm, që s’gjen karar; që nuk kënaqet me asgjë; njeri i pavendosur, i papërcaktuar e i lëkundur. *Ulërimë me thes në kokë! E zbrazi thesin (dikush). 1. Harxhoi gjithçka, harxhoi edhe gjënë e fundit; s’mbajti asgjë, mbeti fare pa gjë; u zbraz nga të gjitha; e shkundi thesin. 2. Nxori gjithçka kishte në mendje e në zemër, i tha të gjitha, s’la gjë pa thënë (zakonisht me inat); e shkundi thesin; i zbrazi barkun (dikujt). Iu zgjidh *gryka e thesit (dikujt). E zgjidhi thesin (dikush). 1. shih e zgjidhi qesen (dikush). 2. shih e zgjidhi gjuhën (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë