Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BËRRÚC,~I m. sh. ~E, ~ET [BËRRÚC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT] etnogr. Lloj gune e leshtë për burra, zakonisht e zezë, e trashë e me thekë të gjata, e gjerë e pa mëngë, që hidhet krahëve për t’u mbrojtur nga të ftohtët e nga shiu; shark, gunë me flokë. Bërruc i leshtë. Hodhi bërrucin krahëve. Shtroi bërrucin. U mbulua me bërrucë. S’kanë me kë të këmbejnë dy fjalë, / Po me lisa, po me male, / Më bërruc, me tallagane. (folk.). Delja e ka bërrucin me vete. (fj. u.).
✱Sin.: gunë, shark, shegune, strugë.
♦ Shtroi bërrucin (*gunën) (dikush) keq.
GÚN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Veshje e sipërme dhe e trashë e barinjve, zakonisht me lesh dhie, e gjatë deri poshtë gjunjëve e me kapuç; petk grash prej shajaku të bardhë, pa mëngë, i hapur përpara dhe i gjatë deri nën gjunjë; etnogr. veshje e sipërme kombëtare për burra e për gra, prej leshi ose prej liri, e qepur njësh si një fustan i hapur në kraharor. Gunë e dhirtë. Gunë pa mëngë. Kishte veshur një gunë. Mënga e gunës së dhirtë. Gusht e gunë. (fj. u.) koha e dimrit kërkon veshje të trasha; Mos i shiko gunën, po shikoji punën. (fj. u.). Rrëfen puna, s’rrëfen guna. (fj. u.).
2. fig. Dukje e jashtme që fsheh qenien e vërtetë; petk. Zërat e grave të pambrojtura shpuan gunën e zezë të asaj nate. U rivesh me gunën tradicionale të ortodoksizmës.
✱Sin.: bërruc, shark, strugë, tallagan, kllashë, llacë, leshnik, qimush, zhgun, xhurdi, grathore, gubere, pasten.
♦ Çau *linjë e gunë (dikush). I hodhi gunën (diçkaje) e mbuloi, e mbylli pa e zgjidhur ose për të mos e zgjatur më tej; i vuri kapak (kapakun); kund. ia hoqi gunën. Ia hoqi gunën (diçkaje) e zbuloi, i nxori të fshehtat e të palarat; ia hoqi petën lakrorit (byrekut); kund. i hodhi gunën. Gunë pa gjumë dikush që punon shumë; e bën natën ditë. Kaloi me *kallaj mbi gunë (dikush a diçka). E ka në gunë (dikë a diçka) keq. e ka në ngarkim, atij i mbetet përgjegjësia për atë; e ka si barrë; e mban mbi kurriz (në shpinë). I ka guna *gjumë (dikujt). I kanë hutat nën gunë janë zemëruar shumë dhe nuk e shfaqin jashtë inatin që kanë ndaj njëri-tjetrit; e mbajnë zemërimin brenda. Kthen gunën nga të fryjë *era (dikush). Sa kthen *shpatullat të rreh gunën (dikush) keq. (E lë) si *çobani gunën (dikë a diçka) keq. Ia mori gunën *lumi (dikujt). E mban sëpatën nën gunë (dikush) është i pabesë, rri gati që të të godasë pas shpine; fsheh (mban) gurin në gji. Më mbeti në gunë (dikush a diçka) shih më mbeti (më ngeli) në derë2 (dikush a diçka). Më polli në gunë (me dikë) bised. shih më polli (më ndezi) belaja (me dikë). Punon nën gunë (dikush) vepron fshehurazi, pa u kuptuar e me dredhi; punon nën rrogoz; punon pas krahëve; punon nën dhe. Shih *punën e jo gunën. Shtroi gunën (bërrucin) (dikush) keq. mbeti si mysafir te dikush për një kohë të gjatë; erdhi diku e u ngul, nuk ka ndërmend të shkulet, nuk ikën më; shtroi rrogozin; ka lëshuar (ka zënë, ka hedhur) rrënjë; leu e mbiu (aty). Vë *sapun mbi gunë (dikush). Ia ka zgjatur gunën (dikujt) keq. e ka përkëdhelur shumë dikë, e ka lënë të bëjë si të dojë, nuk e ndalon e nuk e pengon për asgjë; ia lëshoi (ia liroi) kapistrën (kapistallin) (dikujt) keq.
PLAF,~I m. 1. Lloj velenxe e trashë dhe sipër me thekë, që përdoret për shtrojë a mbulojë; çdo lloj shtrese a mbulese e trashë; çull, shkorsë. Plaf i dhirtë. Shtroi plafin. E mbështolli me plaf. Fjeti në plaf.
2. fig. Shtresë e trashë e diçkaje; mbulesë. Plafi i barit. Një plaf i bardhë bore.
3. Bërruc.
✱Sin.: çull, velenxë, batanije, mbulesë, mutaf, shkorsë, belcë, shtresë, plis.
SHAR/K,~KUII m. sh. ~QE, ~QET Zhgun leshi, i zi ose i bardhë, pa mëngë e me thekë; bërruc, gunë, tallagan. Sharku ishte bërë me lesh të fisëm. Hodhi sharkun e bardhë krahëve. E zuri gjumi mbështjellë me shark.
✱Sin.: bërruc, gunë, qimush, tallagan, zhgun, llacë, strugë, kilashë, xhurdi, leshnik, gubere, kozhun, postehe.
SHÁRK/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Petk i sipërm grash, i leshtë, i qepur gjerë e me kinda dhe pa mëngë ose me mëngë që nuk vishen. Sharkë e leshtë. Ndihej rehat me sharkën e saj. I ishte grisur pak sharka.
2. Xhokë e gjatë. Kishte veshur një sharkë me thekë. Sharkë e bardhë.
✱Sin.: sharkë, xhokë, flokje, flokatë, lakore, xhurdi, qashë, gubere, gunë, poste, gunë, bërruc, loznik, zhgun, mantel.
SHÍT/Ë,~AII f. sh. ~A, ~AT 1. Petk i gjatë i grave prej cope të zezë dhe pa mëngë, që e mbajnë kryesisht gratë çame; xhokë. Shitja i rri bukur. Veshi shitën. Shitën e vishnin gratë çame.
2. Pallto a gunë e vjetër. Hodhi shitën krahëve.
✱Sin.: bërruc, shark, strugë, tallagan, kllashë, llacë, leshnik, qimush, zhgun, xhokë, xhurdi, grathore, gubere, pasten.
ZHGUN,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Shajak i trashë, zakonisht i bardhë, i punuar me dy liq në vegjë e i dërstiluar, që përdoret për veshje të sipërme. Rroba (tirq) prej zhguni. - A i shkele zhgunat? Copë e madhe prej zhguni të parrahur. Veshja me tirq zhguni të bardhë. Mbështjell me zhgun. Në atë lagje fabrikoheshin zhguna e pëlhura të kushtueshme. Merr një latë zhguni e m’i arno tirqet. Rripa zhguni për xhubleta.
2. Veshje e sipërme dhe e gjatë si pallto, me mëngë ose pa mëngë, që bëhet me këtë lloj shajaku; gunë. Zhguni i grave të Shoshit. Mëngët e zhgunit. I zoti i zhgunave. Veshi zhgunin. Hodhi zhgunin krahëve. Gjithë verës me zhgun, gjithë dimnit culla. (fj. u.).
3. fet. Veshje e sipërme e murgjve françeskanë, prej cohe ngjyrëkafe, e gjatë deri te këmbët dhe e lirshme. Frati me zhgun. Më 1904 veshi zhgunin e rishtarit për frat në Rubik. Mbante veshur një zhgun të gjatë.
✱Sin.: shajak, gunë, bërruc, shark, grathore.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë