Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
A pj. 1. Përdoret në fillim të një fjalie pyetëse për të shquar më shumë pyetjen më së shpeshti në një fjali pyetëse retorike për të përforcuar pohimin, mohimin a dyshimin. - A do të ma thuash? - A po më dëgjon? - A e ke harruar? - A je mirë? - A mos e di? - A thua? - A ka gjë më të bukur? - A s’ke dyshuar ti? - A do të vijë ajo kohë? - A je, si je? pyetje që përdoret në vend të përshëndetjes, kur takohen dy veta.
2. Përdoret në krye të njërës prej dy fjalive pyetëse të zhdrejta, kur e dyta lidhet me lidhëzën veçuese «apo», për të theksuar kundërvënien e veprimeve. A u shtrua ajo çështje apo u la për më vonë? - Shih a u kthyen fëmijët apo do të vonohen si mbrëmë?
3. Përdoret zakonisht në fund të një fjalie pyetëse, që shpreh habi, ironi, qortim, zemërim, tallje, miratim etj. - Nuk e solle, a? - Po largohet, a? - S’e dashka, a?
4. Përdoret zakonisht në fillim të fjalisë për të theksuar përçmimin, talljen ose ironinë; ama. - A, trimi qenka! - A, ç’qenka bërë për qortim! A thua se ... sikur.
ABSTRAKT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. 1. Veçoj ose largoj përmes procesit mendimor diçka nga konteksti i saj konkret dhe e trajtoj në një mënyrë më të përgjithshme ose më konceptuale; përgjithësoj tiparet e lidhjet e veçanta të sendeve e të dukurive, bëj abstraksion, bëj përgjithësim. Abstraktoj veçoritë e njëmendësisë. Abstraktoj metodën e punës. Abstraktoj idenë e veprës. Abstraktova mendimet e shprehura në punim.
2. filoz. Nxjerr një ide të përgjithshme duke lënë mënjanë hollësitë ose detajet e veçanta. Abstraktoj një koncept filozofik. Astrakton forma simbolike. Ai ka abstraktuar konceptimin mbi jetën.
3. inf. Veçoj detajet specifike të një sistemi dhe krijoj një strukturë më të përgjithshme. Abstraktoj modele komplekse për t’i bërë ato të kuptueshme ose të thjeshta. Abstraktoj një softuer.
4. mat. Përgjithësoj një koncept duke e thjeshtuar me modele ose simbole. Abstraktoj një rregull matematike. Abstraktoj struktura algjebrike. Abstraktoj rregullat gjeometrike.
5. art. Mënjanoj shprehjen realiste duke krijuar forma simbolike ose të thjeshtëzuara. Abstraktoi figura ekspresioniste. Abstrakton figurën e drurit.
ACARÚAR (i, e) mb. 1. Që është ftohur, që ka acar. Moti i acaruar. Janar i acaruar.
2. Që është prishur, që është keqësuar, që është i nderë. Marrëdhënie të acaruara. Gjendje e acaruar. Me nerva të acaruara.
3. Që është bërë me nerva, i ashpër e i vrazhdë, që është i zemëruar. Zë (ton) i acaruar. Grindje e acaruar. Çdo herë është i acaruar.
4. Që është pezmatuar, që është malcuar (për plagët); që është keqësuar e rënduar më shumë (për sëmundjet). Pankreas i acaruar. Me bajame të acaruara. Lëkurë e acaruar.
✱Sin.: i egërsuar, i tendosur, i nderë, i nevrikosur, i nervozuar, i tendosur, tendosës, i pezmatuar, pezmatues, malcues, i malcuar, rëndues, i përkeqësuar.
♦ Me *nerva të acaruara (të ngritura).
ACIDIFIKÚAR (i, e) mb., kim. Që i është shtuar acid një substance, një lënde ose një mjedisi dhe për rrjedhojë është bërë më acidik. Ujë i acidifikuar. Tokë e acidifikuar. Tretësirë e acidifikuar. Pije e acidifikuar.
✱Sin.: i thartuar, i aciduar.
ADALÉT,~I m. sh. ~E, ~ET bised. Gjendje, ngjarje a pamje e rëndë; shqetësim i madh, hall; brengë vështirësi. Ishin bërë adalet. Kishte ndodhur adaleti. Ishin në adalet të madh. I doli shpirti me adalet. Adaletet s’na u ndanë kurrë. E kishte zënë adaleti. Ishte bërë për adalet dukej shumë keq. Erdhi e shkoi për (me) adalet. E kishte rrokur punën me adalet.
✱Sin.: nxitim, nguti, padurim.
ADÉT,~I m. sh. ~E, ~ET bised. Mënyrë veprimi ose sjelljeje etj., që përsëritet vazhdimisht nëpër kohë; shprehi e fituar nga përsëritja e vazhdueshme, normë shoqërore, rregull, praktikë. Adet i vjetër (i keq, i ri). Është adet. E ka adet. E ka bërë adet. Adetet tona. Bëj adetet. E kemi (për) adet. Sipas adetit të tyre. Siç është adeti. E do adeti. Sa për adet. Ruaj (shkel) adetet.
✱Sin.: zakon, shprehi, traditë, ves.
AEROKLINOSKÓP,~I m. sh. ~Ë, ~ËT meteor. Pajisje për matjen e rrymave ajrore, për të bërë parashikimin e lëvizjes dhe të drejtimit të tyre në atmosferë. Aeroklinoskop me panel diellor (me bateri të ringarkueshme). Aeroklinoskop meteorologjik.
AFIRMÚAR (i, e) mb. 1. Që është afirmuar; që është vërtetuar me fakte, prova e të dhëna se diçka është e saktë dhe e vërtetë. Lajm i afirmuar. Padi e afirmuar. E vërteta e afirmuar.
2. Që është bërë i njohur, i çmuar, i vlerësuar për diçka, në një fushë të dijes a në një veprimtari të rëndësishme.
✱Sin.: i pohuar, i vërtetuar, i provuar, i pranuar i konfirmuar, i njohur, i çmuar, i vlerësuar.
AFIRMÚES,~E mb. 1. Që ka pohuar ose që pohon një të vërtetë me fakte, dëshmi e prova; që ka provuar vërtetësinë e një supozimi, pretendimi a dyshimi. Nënshkrim afirmues. Aktpadi afirmuese.
2. Që është bërë i njohur dhe i pranuar nga të tjerët me diçka. Krijimtari a veprimtari afirmuese. Zbulim afirmues. Politikë kulturore afirmuese.
✱Sin.: pohues, vërtetues, provues, konfirmues, popullarizues, afirmativ.
AFISHÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur afishoj ose kur afishohet.
2. Vënie e afisheve në vende të dukshme publike për të bërë të ditur një njoftim, një lajmërim, një shpallje për një ngjarje politike, shoqërore, artistiko-kulturore, publicitare etj. Mur afishimi. Vend i caktuar për afishim. Njoftim përmes afishimit.
AFORFÉ,~JA f. sh. ~, ~TË libr. Llogaritje ose përcaktim i një shume mesatare ose të përgjithshme që duhet të paguhet pa marrë parasysh punën e bërë, koston etj.; llogaritje e përafërt, llogaritje me hamendje. Aforfeja e energjisë elektrike. Aforfetë dhe faturat abuzive e të padrejta. Operatori i shpërndarjes hoqi aforfetë për shumë konsumatorë. Aforfe qesharake.
►AFR/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Lëviz duke iu afruar dikujt a diçkaje, i shkoj më pranë dikujt e diçkaje; kund. largohem. I afrohem rrugës kryesore. I afrohem banesës sime. I afrohem parkut. Afrohem te djepi. Iu afrua nënës. Afrohu! (usht., sport.) komandë për të zvogëluar largësinë midis rreshtave, për t’i bërë rreshtat më të shpeshtë.
2. vetv., vet. v. III Vjen më afër kohësisht, ndodh më afër, afrohet në kohë, zvogëlohet koha për të kryer a për të përfunduar diçka; kund. largohet. Afrohet të ftohtët. Afrohen të korrat. Afrohet agimi (muzgu). Afrohet pranvera (vera, vjeshta, dimri). Afrohet Viti i Ri. Afrohet Dita e Mësuesit. U afruan pushimet e dimrit. Po afrohet dasma e djalit. Iu afrua fundi.
3. fig., vetv. Mbërrij afër një qëllimi, një caku; arrij përfundimin e diçkaje; është në të mbaruar e sipër. I afrohem fundit (zgjidhjes).
4. fig., vetv. Shoqërohem ose bëhem i afërt e i dashur me dikë, miqësohem, lidhem ngushtë me dikë; i ndihmoj, i jap krahun, i rri pranë dikujt, e bëj për vete dikë me qëllim të caktuar; kund. largohem. Afrohem me shoqërinë. Afrohem me njerëzit. Afrohem me fqinjët.
5. vetv. Jam si dikush, jam i ngjashëm me dikë ose përngjaj me dikë; bëhem pothuajse i njëjtë me dikë a me diçka tjetër; kund. largohem. Afrohem në mendime. Afrohen nga botëkuptimi (qëndrimet, shijet). Afrohen nga shprehitë. Afrohem në interesimet. Nuk i afrohet (nuk i vjen) as te gishti (te thoi) i këmbës dikujt nuk mund të krahasohet aspak me dikë, është shumë më lart se dikush.
6. pës. e AFRÓJ.
♦ I janë afruar *ditët (dikujt).
AFTËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Të qenët i aftë, i shkathët, i zoti për diçka; mundësia për të bërë diçka; shkalla e përgatitjes dhe gatishmëria për të kryer një veprimtari, mundësia për të përballuar diçka; kund. paaftësi. Aftësi fizike (mendore, shpirtërore, morale). Aftësi pune. Aftësi të mëdha (mbimesatare, të kufizuara, të pakta). Aftësi mbrojtëse (luftarake). Aftësi kreditimi (fin.). Aftësim pagimi (paguese) (fin.). Aftësi shlyerëse (shlyerjeje) (fin.). Aftësia blerëse (shitëse). Aftësia për punë. Fitoj (humbas) aftësinë. Vë (shkrij) të gjitha aftësitë. Ka aftësi tretëse (thithëse). Me aftësi ndryshe (kufizuese).
2. Prirje dhe mjeshtëri që ka dikush për të kryer me sukses një veprim, një detyrë ose një aktivitet të caktuar. Aftësi të rralla. Aftësi fizike. Aftësi intelektuale. Aftësi teknike. Aftësi krijuese (drejtuese, pedagogjike). Aftësi për muzikë (për art, për matematikë). Ka (s’ka) aftësi.
3. Mundësia, gatishmëria për të nxënë, për të përpunuar ose për të prodhuar; kufiri më i lartë i kësaj mundësie. Aftësi prodhuese. Aftësi e nxënësisë. Aftësi ujitëse (lundruese). Aftësi në punë. Aftësi programimi. Zgjeron aftësitë. Aftësi komunikimi. Aftësi analitike.
✱Sin.: mjeshtëri, zotësi, shkathtësi, prirje, kompetencë, kapacitet.
ÁFËR ndajf. 1. Pranë, në largësi të vogël nga dikush a nga diçka; kund. larg. Është afër tij. Rri afër dikujt. Afër e afër shumë pranë, ngjitur me të. Banon aty afër. Janë afër. Rri afër. Bie më afër. Është më afër dera se qilari. (fj. u.).
2. Pas një kohe, pas pak kohe, së shpejti, së afërmi; pak kohë më parë; kund. larg. Tash afër. Është afër dita e dasmës. Sa afër është fillimi i mësimit?
3. Me lidhje gjaku ose me lidhje familjare të ngushta ose farefisnie; kund. larg. Është afër me të. Janë afër me rrënjë e me gjak.
4. Që nuk kanë dallime të dukshme, pa, dallime, që kanë ngjashmëri; kund. larg. Janë afër të dy. Aty afër janë ata.
5. Afërsisht. Aty afër aty përreth. Afër moshës së tij.
6. fig. Për së afërmi, drejtpërsëdrejti; duke i ndenjur pranë, me kujdes dhe me vëmendje të veçantë; kund. larg. I rri afër. E ndihmon nga afër. E ndien nga afër. Mbaj afër dikë. I gjendet përherë afër.
✱Sin.: afras, afrazi, ngjitur, bri, përbri, buzë, rrëzë, përkrah, ngatë.
♦ I gjendem afër (dikujt) jam me të në çaste të vështira dhe e ndihmoj sa herë ka nevojë; marr pjesë shpirtërisht në fatkeqësinë e dikujt; i rri (i qëndroj) afër; i gjendem (i ndodhem) pranë. Është afër *mendsh (diçka). Është më afër *mendsh (diçka). Është afër *mendjes (diçka). Është më afër *mendjes (diçka). E kam afër atje ku është (dikë) iron. nuk dua të kem të bëj më me dikë që është sjellë keq ose që më ka bërë një të keqe, nuk dua ta takoj më kurrë; nuk dua t’ia shoh sytë (dikujt). E mbaj afër (dikë). 1. E kam kujdes, e përkrah dhe e ndihmoj; përpiqem të krijoj marrëdhënie të ngrohta e afri me të; i rri (i qëndroj) pranë (dikujt); kund. i rri (i qëndroj) larg (dikujt). 2. Përpiqem të përfitoj sa më shumë prej përvojës e prej zotësisë së dikujt, e ndjek dhe e vëzhgoj që të mësoj prej tij; i rri (i qëndroj) pranë (dikujt). I rri (i qëndroj) afër (dikujt) shih i rri (i qëndroj) pranë (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë