Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKREDITÚAR (i, e) mb. Që është i akredituar. Program studimor i akredituar. Inspektor i akredituar. Institucion shkollor i akredituar. Gazetar i akredituar. Laborator i akredituar.
✱Sin.: i autorizuar, i besueshëm, i njohur, i prokuruar, i certifikuar.
AKREDITÚAR,~A (e) f. sh. ~A, ~AT (të) Ajo që është autorizuar në mënyrë ligjore për të ushtruar një të drejtë profesionale, juridike, administrative etj. E akredituara për hetim ndërkombëtar.
✱Sin.: e autorizuar, e besueshme, e njohur, e prokuruar, e certifikuar.
AKREDITÚAR,~I (i) m. sh. ~, ~IT (të) Ai që është autorizuar në mënyrë ligjore për të ushtruar një të drejtë profesionale, juridike, administrative etj. I akredituari për licencimin e patentave të reja.
✱Sin.: i autorizuar, i besueshëm, i njohur, i prokuruar, i certifikuar.
AKSÉS,~I m. 1. Leje, liri, qasje për të hyrë a për të kaluar diku ose për t’u afruar pranë dikujt e për të komunikuar të. Kam akses për të parë dosjen. Akses i lejuar (i ndaluar). Akses i shpejtë. Akses i lehtë. Akses për të huajt. Akses publik.
2. Liri ose aftësi për të marrë ose përdorur diçka. Akses i drejtpërdrejtë bankar. Akses i koduar. Akses i autorizuar.
3. Mundësi ose mjet për të hyrë ose për t’u afruar diku. Mbikalimi krijon akses për lehtësimin e qarkullimit.
4. mjek. Shpërthim a fillim i një sëmundjeje.
5. fin. Shpërthim i papritur emocioni.
6. kompj. Qasje, leje, mundësi që ka një përdorues, një program ose një pajisje për të bashkëvepruar me të dhënat, me përmbajtjen ose me pajisjet e tjera.
AUDITÓR,~III m. sh. ~Ë, ~ËT fin. Ekspert i financave; person i autorizuar për të kryer auditime, për të shqyrtuar dhe për të vlerësuar pasqyrat financiare, sistemet kontabël ose veprimtarinë financiare të një institucioni, një ndërmarrjeje, një organizate ose një individi, për të siguruar përputhshmërinë me standardet e kontabilitetit dhe me ligjet në fuqi. Auditor financiar. Auditor i brendshëm. Auditor ekzekutiv. Auditor i certifikuar. Raporti i auditorit. Roli i auditorit.
AUDITÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET fin. Eksperte e financave; profesioniste e autorizuar për të kryer auditime, për të shqyrtuar dhe për të vlerësuar pasqyrat financiare, sistemet kontabël ose veprimtarinë financiare të një institucioni, një ndërmarrjeje, një organizate ose një individi, për të siguruar përputhshmërinë me standardet e kontabilitetit dhe me ligjet në fuqi. Auditore e jashtme financiare. Auditore e certifikuar. Vlerësimi i auditores.
►AUTORIZ/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR pës. e AUTORIZÓJ. Jam autorizuar të veproj. Është autorizuar për të nënshkruar.
AUTORIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR drejt., kal. 1. Ngarkoj dikë zyrtarisht të kryejë një punë, ia besoj dikujt një detyrë, duke i dhënë fuqi të plotë; i jap dikujt të drejtën, fuqinë apo lejen zyrtare për të kryer një veprim në emrin tim apo sipas kompetencave të përcaktuara me ligj ose me marrëveshje; i jap, i lëshoj dikujt një autorizim. Autorizoj një përfaqësues. E autorizoj të tërheqë të holla. Autorizoi avokatin e tij. Banka autorizon transaksione të tilla. Autorizova pagesën përmes kartës së kreditit.
2. Lejoj dikë të bëjë diçka, i jap të drejtën për të kryer një veprimtari. Nuk e ka autorizuar kush të flasë. Kush të ka autorizuar? E autorizoj t’i nënshkruajë kontratat.
✱Sin.: ngarkoj, lejoj, mundësoj.
AUTORIZÚAR (i, e) mb., drejt. Që ka autorizim ose miratimin ligjor për një veprim, që ka marrë lejen ose fuqinë zyrtare për të kryer një veprim ose për të marrë një vendim në emër të dikujt tjetër. Person i autorizuar. Dokument i autorizuar. Një grua e autorizuar. Agjenci e autorizuar. Personi i autorizuar hyri në zonën e ndaluar. Inspektori i autorizuar kreu kontrollin sipas rregullores.
✱Sin.: i ngarkuar, i lejuar, i mundësuar.
DÉR/Ë,~A f. sh. DÝER, DÝERT 1. Vend i hapur në murin e një ndërtese, të një dhome etj., që shërben për të hyrë e për të dalë dhe që mbyllet me kanat a me diçka tjetër; kanati që mbyll këtë vend të hapur; hyrje. Derë e ngushtë (e gjerë). Derë e hapur (e çelur, e mbyllur, e kyçur). Derë e jashtme (e brendshme, e fshehtë). Derë druri (hekuri, xhami). Dera e shtëpisë (e dhomës, e sallës, e zyrës). Dera e kopshtit. Dera e oborrit porta. Derë automatike. Derë e blinduar. Derë rrëshqitëse. Derë e vogël (euf.) nevojtore. Pragu i derës. Kanati i derës. Doreza e derës. Kyçi (çelësi) i derës. Vë (vendos) dyert. Hap (mbyll, kyç) derën. Shkallmoi (theu) derën. Përplasi derën. Trokiti në derë. I ra derës. Rri (fshihet, përgjon) prapa derës. E vunë rojë te dera. S’ka derë. I bëri (i hapi) një derë. E la derën hapur. E gjeti derën mbyllur. E drejta i ka pemët te dera. (fj. u.). Nuk ka shtëpi pa derë. (fj. u.). Është më afër dera se qilari. (fj. u.). Për çdo derë (për çdo shteg) ka një lesë. (fj. u.). Çelet dera, rritet ndera. (fj. u.).
2. Vend i hapur në një mjet transporti, në një aparat, në një orendi etj., që shërben për të hyrë e për të dalë ose për të futur e për të nxjerrë diçka dhe që zakonisht mbyllet me kanat a me kapak; kanati a kapaku që mbyll këtë vend të hapur. Dera e autobusit (e vagonit). Dera e furrës. Dera e dollapit. Dera e sobës. Dera e kafazit. Dera e frigoriferit. Ujku në derë të vathës dhe ti m’i bie zurnasë. (fj. u.).
3. fig., bised. Familja, shtëpia; fisi. Derë e mirë (e dëgjuar, e madhe, e fisme, e parë). Derë e huaj. Derë pushke. Derë trimash. Dera e babait. I vajti në derë. Nga një njeri për derë. Punonte dyerve të botës. Ua heq dera trimërinë e kanë për fis trimërinë. Mbeti në derë të prindërve nuk është martuar (për vajzat, kur u kalon koha). E nxori nga dera (vajzën) e martoi. Erdhi me derë pas erdhi me të gjithë njerëzit e vet pa përjashtim. Derë e botës s’është strehë e kokës (fj. u.). Është dera që gostit përhera. (fj. u.). I pinë dhe verën, i shanë dhe derën. (fj. u.). Katër burra në një derë, e bëjnë dimrin verë. (fj. u.).
4. fig., bised. Rrugëdalje, zgjidhje. E ka një derë. S’kishte derë tjetër. S’i gjejnë dot derë kësaj pune. Në derën e hapur nuk trokitet (fj. u.).
✱Sin.: portë, hyrje, familje, shtëpi, fisi, dinasti, rrugëdalje, zgjidhje.
♦ Është bërë për në *plasë të derës (dikush). E ka bërë prapa derës (diku) përçm. shkon shpesh në një vend, vete dendur diku e bëhet i mërzitshëm; mbeti duke vajtur aty; na mbiu në derë (dikush); nuk e lë rrugën (udhën) të mbijë bar (dikush) iron.; (dikush) përçm. I bie derës të dëgjojë qilari (dikush) flet tërthorazi për diçka ose i flet dikujt që të marrë vesh një tjetër; e ka gjetkë fjalën; i bie pragut të dëgjojë dera; godit strallin të marrë eshka; rreh (vret) gjetkë. I bie *pragut të dëgjojë dera (dikush). I bie *shiu në prag të derës (dikujt). Çel njëqind (dyzet) dyer (dikush) përditë vete te njëri e te tjetri; bredh kot gjithë ditën duke bezdisur të tjerët; (shkon) derë më derë; (shkon) portë më portë; (shkon) prag më prag. S’del për dere (dikush) rri mbyllur, nuk shkon te të tjerët, rri i veçuar; nuk e ka parë dielli; s’ka parë diell me sy. *Daulle për derë. Derë më derë. 1. Shumë afër, pranë e pranë me shtëpi, ngjitur. 2. Sa te njëri e te tjetri, nga një familje në tjetrën, shtëpi më shtëpi; shumë bredharak; portë më portë; prag më prag; çel njëqind (dyzet) dyer në ditë (dikush). Derë hani keq. vend ku mund të hysh lirisht, pa pengesa e pa kontroll; han me dy (me katër) porta; derë pa mandall; hyn derri e dosa. Derë e hapur (e çelur) shtëpi mikpritëse për këdo e në çdo kohë. Me dyer të hapura libr. që zhvillohet a që bëhet duke pasur të drejtë të marrin pjesë edhe njerëz të tjerë; me hyrje të lirë, i hapur (për një mbledhje a për një gjyq); kund. me dyer të mbyllura. (Politikë) e dyerve të hapura libr. politikë që lejon kapitalin e huaj të hyjë lirisht dhe e vë vendin në varësi ekonomike të një fuqie tjetër. Derë pa mandall shtëpi a vend tjetër ku mund të hyjë kush të dojë; derë hani keq.; hyn derri e dosa. Me dyer të mbyllura libr. që zhvillohet a që bëhet pa marrë pjesë kushdo, ku janë vetëm njerëzit e interesuar drejtpërdrejt dhe të autorizuar a të lejuar zyrtarisht, pa njerëz të huaj; kund. me dyer të hapura. Pa derë e pa portë pa rrugëdalje, pa zgjidhje. Dy Kamberë në një derë dy të mira ose dy të këqija në të njëjtën kohë a në të njëjtin vend; mospërf. dy a më shumë njerëz të pazotë në një vend. Ia ferrosi derën (dikujt) krahin. e shkretoi krejt dikë; s’i la asnjë të gjallë; ia mbylli derën me ferrë. I fik derën (dikujt). 1. I bën një dëm të madh, e dëmton rëndë, e shuan. 2. E lë të shkretë, e lë pa njeri; ia mbyll derën (me ferrë); i shuan (i fik) portën; i shuan binanë. *Gëzim për derë iron. Hap (çel) dyert. 1. Fillon nga puna a nga veprimtaria (një sipërmarrje, një institucion etj.). 2. (dikush). E mirëpret këdo, është derëçelë. I hap derën (dyert) (dikujt a diçkaje) e lë të hyjë pa pengesa kushdo e të kalojë çdo gjë; i hap portën (portat); kund. i mbyll derën (dyert). I hap derën e të rrëmben shtëpinë (dikush) po i bëre një lëshim a një të mirë të vogël, të kërkon një gjë shumë më të madhe; i jep gishtin e të merr (të rrëmben) dorën; i jep dorën e të merr (të rrëmben) krahun; i jep krahun e të merr (të rrëmben) kokën. Iu hap dera (dikujt) siguroi vijimësinë e familjes me lindjen e një fëmije, zakonisht të një djali (sipas mendësisë popullore); kund. iu mbyll dera. T’u haptë dera! shaka. qofsh i uruar!; paç mbarësi! Iu hapën dyert (dikujt) iu hoq gjithandej çdo pengesë për të vepruar, iu dha mundësia të bëjë diçka a të përparojë në një fushë. Ma harroi derën (dikush) nuk më vjen më dikush në shtëpi; ka kohë që s’është dukur; më harroi adresën shaka. Ia heq dera (dikujt) e ka për fis, e ka traditë (trimërinë, mikpritjen etj.). E hoqi dere (dikë) mospërf. shih i tregoj derën (dikujt) keq. S’të hiqet nga dera (dikush) vjen shpesh e qëndron gjatë sa të mërzit; s’të ndahet, të qepet për diçka. Hyri në këtë derë e doli në atë derë (dikush) shih si hyri doli (dikush). Është në *prag të derës (diçka). Është prapa derës (diçka) është fare pranë, është afruar shumë, zëre se ka ardhur; është në prag të derës; po troket në derë; po troket në portë. E ka derën të çelur (*të hapur) (dikush). I ka kënduar *qyqja në derë (dikujt). Këtej të pi *verën e andej të shan derën (dikush). Ma la në derë (dikush) ma ngarkoi mua përgjegjësinë, një punë të vështirë ose një gabim a faj; ma bëri një të keqe, më turpëroi dhe iku; ma la kopilin (dobiçin, doçin) në derë (në prehër); ma la në dorë; ma la shtupë; ma la shuk. S’lashë derë e deriçkë (për dikë a për diçka) e kërkova gjithandej, s’lashë vend pa kërkuar; rraha (çava) dheun; rraha vendin; rraha jetën. Ma la *kopilin (dobiçin, doçin) në derë (në prehër) (dikush) bised. Ia la *turpin te dera (dikujt). Lip për derë e ndaj për shpirt është shumë bujar dikush, edhe atë që e lyp e ndan me të tjerët; nuk kursehet për të tjerët. Matu në derë! 1. tall. As mos guxo të kërkosh a të qahesh, e ke të kotë të pretendosh më tej për diçka. 2. Largohu prej këtej!, qërohu!; thyej (këput) qafën! E mban derën *hapur (çelur) (dikush). Më mbeti (më ngeli) në derë. 1. (dikush). Më është qepur për një punë a për diçka tjetër, nuk më ndahet; më vjen orë e çast; më mbiu në derë; më mbeti pajë. 2. (diçka). Më mbeti përgjithnjë si barrë; nuk largohet prej diku, s’hiqet; ma lanë mua përsipër. Më mbiu në derë. 1. (dikush) keq. Më vjen shpesh e qëndron gjatë sa më është mërzitur, nuk shkulet; nuk më ndahet; më mbeti (më ngeli) në derë. 2. (diçka). Nuk më hiqet, më është ngjitur, aty e kam gjithnjë. Të mbiftë *ferra në derë! mallk. E mbylli derën (dikush) vdiq pa lënë njeri pas nga gjaku a nga familja e tij, s’la pasardhës a trashëgimtar; shkretoi shtëpinë a familjen; e mbylli shtëpinë; i vuri (i hodhi) rezen shtëpisë (derës); e thau vatrën. I mbyll derën (dyert). 1. (dikujt). Nuk e qas më në shtëpi; nuk e pranoj më diku. 2. (dikujt a diçkaje). I sjell pengesa të mëdha, nuk e lë të shkojë përpara; ia ndërpret zhvillimin. 3. (diçkaje). Ndaloj përhapjen e një ideje, të një ndikimi etj., nuk e pranoj, nuk e lejoj, e pengoj; i mbyll portën (portat); ia pres rrugën; ia mbyll shtegun; kund. i hap derën (dyert). Ia mbylli derën me ferrë (dikujt) i bëri gjëmën, e shoi krejt, e fiku me tërë familjen, e la pa njeri, pa pasardhës a pa trashëgimtar, e shkretoi, e mjeroi; ia ferrosi derën krahin.; ia thau derën; i fiku derën. I mbyll dymbëdhjetë dyer me një shul (dikush) është shumë i zoti e i shkathët; bën shumë punë njëherësh; ua kalon e ua hedh të gjithëve; të jep ujë me bisht të lugës. Iu mbyll dera (dikujt) u shkatërrua krejt, mbaroi me gjithçka; u fik; i vdiqën të gjithë, u shkretua; iu mbyll shtëpia; iu shua pragu; s’i këndon më gjeli në shtëpi; kund. iu hap dera. T’u mbylltë dera (t’u mbylltë)! mallk., edhe shaka. u shofsh me gjithë sa ke!; të mbiftë ferra në derë! Nuk e nxë dera (dikë) është shëndoshur shumë, është trashur nga trupi. S’e nxë as derë e as portë (dikë) keq. shih nuk e nxë dera (dikë). M’u nxi dera më gjeti një e keqe e madhe, më ra një fatkeqësi e rëndë në familje, rashë në zi. E nxjerr nga dera (dikë) e largoj nga shtëpia, e bëj të iki; keq. e përzë nga shtëpia, e dëboj. E nxorën nga dera e hyri nga dritarja (dikush a diçka) e dëbuan dikë a e hodhën poshtë diçka botërisht, por u rikthye përsëri pa rënë në sy, me dredhi, pa u diktuar e me rrugë të tërthorta. Përmjerr në derë të xhamisë (dikush) bised. vulg. bën a thotë gjëra të rrezikshme, e kërkon vetë të keqen; do ta pësojë keq; ia bën të keqen vetes; del si gjarpri në mes të rrugës. Ia përplas derën në fytyrë (dikujt) e përzë me inat e me përbuzje dhe nuk e qas më (në shtëpi a në zyrë). *Pilaf në derë keq. Na prishi *llozin e derës (dikush). *Pyll në prag të derës. Shikoj derën (portën) pres me padurim të vijë dikush, mezi po e pres; mbaj shpresa për diçka. Nuk ia kam shkelur derën (*pragun) (dikujt). Nuk ia kam parë derën (dikujt) mospërf. nuk kam qenë kurrë në shtëpinë e tij, nuk e di fare se ku banon dhe si jeton; keq. as që dua t’ia di për të. Të pafsha në (nëpër) dyert e botës (dyerve të botës)! mallk. të pafsha duke lypur!; mbetsh i varfër e i mjerë! Shpërthen një derë (një portë) të hapur (dikush) iron. libr. përpiqet të zgjidhë një gjë që është e zgjidhur prej kohësh; nuk ka asnjë pengesë a kundërshtim për diçka. Iu shua dera (*pragu) (dikujt). T’u shoftë dera (*pragu)! mallk. I tregoj derën (dikujt) keq. e përzë, e nxjerr jashtë; nuk e qas në shtëpi. Po troket në derë (diçka) është fare afër diçka, thuajse ka ardhur; është prapa derës; është në prag të derës; po troket në portë. I trokas në derë (dikujt a diçkaje). 1. I drejtohem për të më ndihmuar, për të më plotësuar një kërkesë, për të më kryer një punë etj.; i kërkoj diçka, i lutem për diçka. 2. v. III Sjell diçka të mirë; është fat. Troket në derë (në portë) të hapur (dikush) thotë diçka të njohur, merret me diçka që ka gjetur zgjidhje më parë. Troket në derë të mbyllur (dikush) i drejtohet a i kërkon ndihmë dikujt, që s’ia vë veshin e s’e përfill fare. Troket në derën (në portën) e shurdhit (dikush) i drejtohet dikujt që nuk ua vë veshin fare fjalëve të tij, që nuk e dëgjon e nuk i bindet. Po troket në derën tënde iron. për ty po flasin, për ty është fjala (i thuhet dikujt që bën sikur nuk merr vesh që flitet për të). Tund (luan) derën (e hanit) (dikush) shpërf. nuk bën asnjë punë, rri fare pa punë; merret me gjëra të kota, bën sikur punon; vret (numëron) miza; dredh (tund) zinxhirin; (hyn e del e) tund peshqirin; numëron qimet e postiqes; prashit (mih, lëron) në ujë; numëron (heq) tespihet; numëron thanat; shtie rruaza në pe; ngul hunj e shkul hunj; ngul qepë e shkul hudhra; rruan vezë; i bie legenit; kruan thonjtë; kruan dhëmbët; trazon baltën me shkop; kërcet gishtërinjtë; hap e mbyll dollapin. I thau derën (dikujt) ia zhduku gjithë njerëzit e familjes a fëmijët, e la pa njeri, e la të shkretë. I vuri *rezen derës (shtëpisë) (dikush). Më vjen *e mira në derë. I vjen *vera te dera (dikujt). Iu zbraz *qerrja në derë (dikujt). Ia zë derën (dikujt) i shkoj dikujt në shtëpi pa më ftuar e pa dëshirën e tij; e mërzit dhe e rëndoj dikë duke i vajtur shpesh në shtëpi a në zyrë, kur ai nuk e do një gjë të tillë; ia zë shul. Ia zuri këmbët me derë (dikujt) e përcolli shpejt e shpejt, thuajse e përzuri dikë që nuk donte t’i rrinte në shtëpi a në zyrë. Ia ka zënë kokën me derë (dikujt). 1. E ka kapur dhe e ka mbërthyer mirë, s’ka nga të lëvizë; e ka në dorë (dikë). 2. E detyron të bëjë siç do ai, e ka detyruar t’i nënshtrohet; e ka vënë në mengene (dikë).
HAKERÍM,~I m. sh. ~E, ~ET inf. Veprimi kur ndërhyj në mënyrë të pa autorizuar në sistemet kompjuterike për të dëmtuar të dhënat a për të vjedhur informacione. Mjetet e hakerimit.
LEGÁT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT hist. 1. Mëkëmbës romak, nëpunës romak që ngarkohej nga senati për të mbikëqyrur sundimtarët e provincave.
2. I dërguar personal i Papës në kombet e huaja, i autorizuar për çështjet e besimit katolik dhe për zgjidhjen e çështjeve kishtare.
3. Përfaqësues i shtetit ose monarkisë.
4. drejt. Pasuri e lënë me testament që trashëgimlënësi nga pasuria e tij i lë një personi të caktuar.
LÉJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Miratimi ose e drejta që i jepet dikujt për të bërë diçka, për të kryer një punë a veprimtari të caktuar, për të përdorur a për të marrë diçka etj.; shkresa që vërteton këtë miratim a të drejtë. Leje profesioni (ushtrimi). Marr leje. I dha leje. Ka ikur (është larguar) me (pa) leje. - Me leje të të them diçka? - Mos folni pa leje! Ka leje për të hyrë (për të dalë, për të kaluar). I dha leje ta përdorë diçka. Me lejen tuaj... Leje zyrtare. Leje automjeti. Leje banimi (qëndrimi). Leje hyrjeje. Leje kalimi (qarkullimi, fluturimi). Leje peshkimi (gjuetie). Leje shfrytëzimi. Nxori lejen. I dha (i paraqiti, i tregoi) lejen. Ia hoqën (ia morën) lejen.
2. E drejta për t’u shkëputur nga puna për një kohë të caktuar dhe për të pushuar, për t’u mjekuar, për t’u marrë me një punë tjetër etj.; koha gjatë së cilës e gëzojmë këtë të drejtë. Leje e zakonshme (plotësuese). Leje vjetore. Leje shëndetësore (krijuese). Leja e lindjes (e shtatzënisë, e barrës). Leje pushimi. Leje me (pa) të drejtë page. Koha e lejes. Mori lejen. Është me leje. Ka një muaj (dy javë) leje.
3. Dokument ligjor publik i lëshuar nga një organ shtetëror i autorizuar në një procedurë administrative, që njeh të drejtën e subjekteve juridike për të ushtruar një veprimtari ose për të realizuar një të drejtë; miratimi ose e drejta që i jepet dikujt për të kryer një punë, për të përdorur ose për të marrë diçka; shkresa që vërteton këtë miratim ose të drejtë (p.sh., patentë shoferi). Leje zyrtare. Leje ndërtimi. Leje përmbarimi (drejt.) akt juridik në formë aktvendimi, ku gjykata në procedurën përmbaruese konstaton se janë plotësuar të gjitha supozimet e nevojshme për realizimin e ekzekutimit. Leje pune (drejt.) dokument zyrtar i dhënë një të huaji nga organi kompetent, për qëllime biznesi, për t’u punësuar ose për t’u vetëpunësuar. Leje qëndrimi (drejt.) dokument që i jepet një të huaji prej një organi shtetëror, që vërteton se i huaji gëzon të drejtën të jetojë në atë shtet. Leje transporti (drejt.) akt i caktuar me ligj ose me marrëveshje ndërkombëtare, në bazë të cilës kryhet transporti rrugor i udhëtarëve ose i mallrave, të cilën e lëshon organi kompetent shtetëror. Leje ujore (drejt.) e drejtë e dhënë me shkrim nga institucionet e përcaktuara me ligj për të përdorur apo shkarkuar një sasi uji për një qëllim dhe kohë të caktuar.
✱Sin.: miratim, liratë, pushim.
LEJELËSHÚES,~E mb. Që lëshon lejet, që pajis me leje, që jep licencë (për një organ të autorizuar).
MERCERIZÍM,~I m. Lustrim i fijeve të pambukut me metoda fizike e kimike; veprimi dhe gjendja kur mercerizoj ose kur mercerizohet diçka. Punon për mercerizimin e tekstileve. Mercerizimi i pambukut kryhet në laboratorët e autorizuar. Procesi i mercerizimit rrit shkëlqimin, forcën dhe butësinë e pëlhurës.
MONÉDH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Para prej metali; para. Monedha argjendi (floriri, bakri). Shkëmbimi (këmbimi) i monedhave. Vuri në qarkullim monedha të reja. Preu një seri monedhash. Monedhë ari.
2. fig. Mënyrë sjelljeje. Iu përgjigj (ia ktheu) me të njëjtën monedhë.
3. ek. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta në fushë të ekonomisë: Monedhë e butë monedhë kombëtare vlera e së cilës pritet të luhatet ose të bjerë në raport me monedhat e tjera, shpesh për shkak të paqëndrueshmërisë ekonomike ose politike. Monedhë e dobët monedhë me vlerë të ulët ose në rënie në krahasim me monedhat e tjera. Monedhë e drejtuar monedhë, kursi i këmbimit të së cilës kontrollohet nga banka qendrore, zakonisht duke blerë dhe duke shitur transaksione. Monedhë e falsifikuar monedhë e prodhuar pa miratimin ligjor të një shteti a të një qeverie, zakonisht në një përpjekje të qëllimshme për të imituar monedhën reale aq sa të mashtrojë marrësin e saj. Monedhë e fortë monedhë, vlera e së cilës në krahasim me monedhat e tjera është duke u përmirësuar, që tregohet nga një rënie në kurset e këmbimit të drejtpërdrejtë të asaj monedhe. Monedhë e huaj monedhë që përdoret në një vend tjetër si formë monetare e autorizuar zyrtarisht. Monedhë e kthyeshme monedhë që mund të blihet ose shitet lehtësisht në tregun e huaj të këmbimit valutor, me pak ose aspak kufizime. Monedhë në ar monedhë që, sipas një sistemi standardi të arit, e ka vlerën të lidhur drejtpërdrejt me një sasi të caktuar ari të atij vendi a kombi. Monedhë e (mbi)çmuar rritje e vlerës së një monedhe ndaj një tjetre në tregjet e huaja të këmbimit valutor. Monedhë e mbivlerësuar monedhë, vlera e së cilës është më e lartë se sa duhet të jetë në tregjet e këmbimit valutor, bazuar në faktorë ekonomikë. Monedhë e ndërhyrjes në tregun e parasë veprim i bërë nga qeveria dhe banka qendrore që të përmbajë luhatjet e tepërta në kurset e këmbimit valutor dhe t'i stabilizojë ato. Monedhë e nënçmuar rënia e vlerës së një monedhe në krahasim me monedhat e tjera. Monedhë e nënvlerësuar monedhë, vlera e së cilës është më e ulët nga sa duhet të jetë realisht në tregjet e këmbimit valutor. Monedhë e pakthyeshme monedhë që nuk konvertohet lirshëm në tregun e huaj të këmbimit valutor. Monedhë e paqëndrueshme monedhë e butë ose monedhë e dobët. Monedhë e qëndrueshme monedhë me vlerë të qëndrueshme. Monedhë e rrallë monedhë që kufizohet nga vendi i prerjes, vendi i origjinës, viti, gjendja etj. Monedhë e shëndetshme monedhë që nuk gjeneron inflacion dhe nuk ecën me një normë monetare ligjore të përcaktuar nga autoritetet. Monedhë e shportës grup monedhash të ndryshme, secila me një peshë specifike, që përdoren për të përcaktuar vlerën e një monedhe tjetër ose për të zvogëluar rrezikun e luhatjeve valutore. Monedhë kombëtare forma kryesore e parasë që përdor një vend në mënyrë zyrtare. Monedhë kryesore kombinimet më të tregtuara të monedhave nga disa prej ekonomive më të mëdha në botë. Monedhë kyç monedhë me vlerë relativisht të qëndrueshme që ndihmon në vendosjen e kursit të këmbimit dhe mbështet transaksionet ndërkombëtare. Monedhë ligjore monedhë e pranuar dhe e autorizuar ligjërisht në një vend. Monedhë metalike monedhë prej metali. Monedhë rezerve monedhë e mbajtur në sasi të mëdha nga një bankë qendrore si pjesë e rezervave të saj të këmbimit valutor. Monedhë standarde njësi monetare e caktuar nga një qeveri për të shërbyer si bazë e sistemit të saj monetar dhe për të konvertuar llojet e tjera të parave në vend. Monedhë vendi monedha zyrtare që përdoret në një vend. Monedhë vendore formë parash e ndryshme nga monedha kombëtare, e krijuar dhe e menaxhuar në nivel lokal.
♦ E di çfarë monedhe është (dikush) keq. e njoh shumë mirë, hollësisht, me virtytet e veset që ka, deri në imtësi, pa asgjë të fshehtë, ashtu si është; (ia di) sa dhëmbë e dhëmballë ka në gojë (dikush); (e njoh) me rrënjë e me degë (dikë); e njoh me lëkurë e me brinjë (dikë); kund. s’i kam dëgjuar as emrin (dikujt). Monedhë shkëmbimi (tregu) libr. mjet për të bërë allishverishe, matrapazllëqe e dallavere. Me të njëjtën monedhë libr. ashtu si sillet dikush me mua, në të njëjtën mënyrë a me të njëjtën gjuhë ia kthej; si më shtron ashtu e mbuloj (dikë).
PAAUTORIZÚAR (i, e) mb. Që nuk është i autorizuar për të bërë diçka, për të përfaqësuar dikë etj. Person i paautorizuar.
PËRFAQËSÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përfaqësoj dikë apo diçka ose kur përfaqësohem.
2. drejt. Veprimi juridik që kryen një përfaqësues në emër dhe në interes të të përfaqësuarit. Përfaqësimi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Përfaqësim ligjor (i autorizuar).
SERVITÚD/Ë,~A f., drejt. E drejtë reale absolute mbi sendet e huaja, që nënkupton se titullari i servitudës është i autorizuar që deri në një masë ta shfrytëzojë sendin e huaj, kurse pronari i sendit i mundëson atij ta shfrytëzoj në një mënyrë dhe vëllim të caktuar sendin e vet. E drejta e servitudës duhet të njihet nga të gjithë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë