Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AUTONÓM,~E mb., drejt. 1. Që ka të drejtën të vendosë në mënyrë të pavarur për punët e popullsisë së vet dhe të qeveriset sipas ligjeve të veta, brenda sistemit të një shteti të madh; që ka autonomi, i pavarur, sovran. Shtet autonom. Republikë (krahinë) autonome. Rajon autonom. Institucion autonom. Sistem autonom. Gjykatë autonome.
2. Që është i pavarur; që vepron vetë, pa iu nënshtruar lidhjeve me një tërësi më të madhe. Ndërmarrje (degë, njësi) autonome. Repart autonom. Ekonomi autonome. Zhvillim autonom. Veprime autonome. Automjet autonom (pa shofer). Teknologji autonome.
✱Sin.: i pavarur, i lirë, i mëvetësuar, sovran, vetëqeverisës, vetudhëheqës, vetëvendosës.
AUTONOMÍ,~A f., drejt. 1. E drejta e një vendi për të vendosur për punët e veta dhe për t’u qeverisur sipas ligjeve të veta, brenda sistemit të administrimit të një shteti më të madh; vetëqeverisje. Autonomi politike (ekonomike, kulturore). Autonomi kombëtare (krahinore). Autonomi territoriale. Autonomi rajonale. I jep (i marr) autonominë. Fitoi (shpalli) autonominë. Lufton për autonominë. Mbron autonominë. Humbi autonominë. Autonomi e kontrolluar. Autonomi e kushtëzuar. Autonomi funksionale.
2. Mundësia për të punuar a vepruar në mënyrë të pavarur, pa iu nënshtruar lidhjeve me një tjetër, zakonisht të një shkalle më të lartë. Veproj në autonomi të plotë. Autonomia personale. Kam autonomi në punë. Lëvizje për autonomi.
✱Sin.: pavarësi, liri, mëvetësi, sovranitet, vetëqeverisje, vetudhëheqje, vetëvendosje.
AUTONOMÍST,~E mb., libr. Që kërkon autonomi, që lufton për autonomi; që përkrah autonominë. Lëvizje autonomiste. Program autonomist. Politikë autonomiste. Ide autonomiste. Prirje autonomiste. Angazhim autonomist. Ndjenja autonomiste.
AUTONOMÍZ/ËM,~MI m., filoz. 1. Lëvizje ose ideologji që mbështet dhe promovon autonominë ose vetëqeverisjen e një rajoni, një komuniteti, një grupi etnik ose një individi. Manifesti i autonomizmit. Autonomizmi në ekonomi, politikë etj. Autonomizmi në arte.
2. Dëshirë, përpjekje për të fituar autonomi, vetëqeverisje. Autonomizmi i tij. Përkushtimi ndaj autonomizmit.
3. Shpërndarje e pushtetit nga autoritetet qendrore tek ato lokale, për të siguruar që vendimmarrja t’u përkasë njerëzve që preken drejtpërdrejt nga këto vendime. Autonomizëm rajonal (krahinor, lokal etj.). Autonomizëm ekonomik. Autonomizmi fiskal. Autonomizëm arsimor. Autonomizmi universitar. Autonomizmi kulturor.
✱Sin.: pavarësi, autonomi, liri, mëvetësi, sovranitet, vetëqeverisje, vetudhëheqje, vetëvendosje, decentralizim.
EKLEZIÁST,~E mb., fet. Që lidhet me kishën, që i përket kishës; kishtar. Një këshill ekleziast ortodoks. Ritualet kryesore ekleziaste. Autonomi ekleziaste. Fazat e pikturës ekleziaste. Tradita ekleziaste e perandorisë.
PAVARËSÍ,~A f. 1. Mëvetësi ekonomike e politike; të qenët ekonomikisht e politikisht i pavarur. Pavarësia kombëtare. Pavarësi e plotë (e kufizuar). Pavarësi politike (ekonomike). Lufta për liri e pavarësi.
2. Të qenët i pavarur nga një tjetër; gjendja e dikujt që është i panënshtruar e i pavarur; kund. varësi.
3. Të qenët i pakushtëzuar nga rrethana e nga shkaqe të caktuara, të qenët i pavarur nga diçka tjetër. Pavarësia e mendimeve (e gjykimit).
4. gjuh. Të qenët i pavarur gramatikisht; kund. varësi.
✱Sin.: mëvetësi, autonomi.
POLITÍK,~E mb. 1. Që ka të bëjë me politikën, i politikës; që shpreh një politikë të caktuar dhe e mbron atë; që bën një politikë të caktuar dhe i shërben asaj; që bëhet në fushën e politikës, sipas një politike. Luftë (veprimtari) politike. Parti politike. Qarqe politike. Programi politik. Mendimi politik. Kërkesa politike. Barazi politike. Fitore politike. Lëshime politike.
2. Që lidhet me jetën shoqërore e shtetërore, të brendshme e ndërkombëtare. Jeta politike. Probleme (çështje) politike. Gjendja politike. Rrethanat (kushtet) politike.
3. Që ka të bëjë me rendin ekonomik e shoqëror të një vendi, që lidhet me shtetin e me ndarjet e tij administrative e tokësore; që ka të bëjë me drejtimin e me organizimin e pushtetit shtetëror në një vend; shtetëror. Kufijtë politikë. Pavarësi (autonomi) politikë. Krizë politike. Formë politike e qeverisjes. Hartë politike. Gjeografia politike. Ekonomia politike.
4. Që lidhet me veprimtarinë e dikujt në çështjet e politikës; që bëhet për çështje të politikës. I burgosur politik. Burg politik burg për të burgosur politikë. Strehim politik.
5. Që përmban e trajton çështje të politikës. Letërsi politike. Libri (shtypi) politik. Shkrime politike. Satirë politike.
PROKLAMÚAR (i, e) mb., libr. I shpallur. As republikë e proklamuar, as autonomi e imponuar!
SHKALLMÚAR (i, e) mb. 1. Që është shkatërruar, i prishur krejt, i shembur nga themeli; që është shkulur nga vendi; i thyer, i zbërthyer. Derë e shkallmuar. Mure të shkallmuara.
2. fig. Që është bërë copë. Autonomi e shkallmuar. Vend i shkallmuar nga kontradiktat.
3. fig. Që është i lodhur e i këputur nga puna e rëndë, i rraskapitur. Ndihej e shkallmuar. Ra në kolltuk i shkallmuar.
✱Sin.: i shkatërruar, i prishur, i shembur, i shkelur, i shpërthyer, i shqyer, i thyer, i hallmuar, i zbërthyer, i rraskapitur.
VETËQEVERÍSJ/E,~A f., libr. 1. Veprimi kur vetëqeveris a kur vetëqeverisem. Vetëqeverisja e vendit. Vetëqeverisje politike (ekonomike). Organet e vetëqeverisjes. Vetëqeverisje vendore. Vetëqeverisje lokale. Ligji për vetëqeverisjen vendore. Misioni dhe parimet e vetëqeverisjes vendore.
2. Gjendja kur vetëqeveris a kur vetëqeverisem; gjendja e një shteti që vetëqeveriset. E drejta për vetëqeverisje. Shpallën vetëqeverisjen.
3. E drejtë për të qeverisur vetë, të qeverisurit me ligjet e veta; formë e organizimit të administratës, në sistemin administrativ territorial të një vendi (vendbanime, bashki, qytete prefektura etj.) autonomi. Kërkojnë vetëqeverisjen.
✱Sin.: vetëqeverim, vetëdrejtim, vetadministrim, autonomi.
VETËSUNDÍM,~I m., libr. Ushtrim, sundim i pushtetit vetë në një vend; pavarësi; autonomi; vetëqeverisje.
✱Sin.: pavarësi, autonomi, vetëqeverisje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë