Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AMORTIZÚAR (i, e) mb. 1. Që i është ulur shkallë-shkallë vlera ose cilësia diçkaje për shkak të përdorimit të gjatë ose të zhvillimeve të reja. Shkalla e amortizuar. Vlera e amortizuar. Shpenzimet e amortizuara. Mjete të amortizuara. Automjet i amortizuar. Laborator i amortizuar.
2. Që është zbutur ose është dobësuar (një goditje, një zhurmë etj.). Zhurmë e amortizuar. Goditje të amortizuara. Krismë e amortizuar.
3. fig. Që është i zbutur, i dobësuar, i lehtësuar, i konsumuar (një ndjenjë, një marrëdhënie, një gjendje emocionale, një konflikt etj.). Dhembje (pikëllim, zemërim) i amortizuar. Marrëdhënie e amortizuar. Konflikt i amortizuar. Lidhje e amortizuar. Gjendje e amortizuar. Vlerë e amortizuar.
✱Sin.: i zbutur, i dobësuar, i pakësuar, i lehtësuar, i konsumuar.
AUTO-II fjalëform., libr. 1. Pjesë e parë e fjalëve të përbëra, që ka kuptimin: “vetëlëvizës, që lëviz me motor të vetin” (p.sh. autokombajnë, automjet, autoqerre etj.).
2. Pjesë e parë e fjalëve të përbëra, që ka kuptimin: “automatik, që punon në mënyrë automatike” (p.sh. autopilot, autotimonier etj.).
AUTOAMBULÁNC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Automjet i specializuar për bartjen e të sëmurëve dhe të të plagosurve drejt qendrave spitalore për trajtimin e mëtejshëm dhe për të mbartur pacientë ndërmjet qendrave spitalore; ndihma e shpejtë, automjet urgjence. Autoambulanca e spitalit (e poliklinikës). Autoambulanca e ndihmës së shpejtë. Autoambulancë private. Shoferi i autoambulancës. Ekipi mjekësor i autoambulancës. Shkoj (marr) me autoambulancë. Autoambulanca erdhi me kohë.
AUTOBETONIÉR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Automjet i pajisur me një kazan rrotullues, që përdoret për përzierjen dhe mbartjen e betonit në kantieret e ndërtimit; lloj automjeti i projektuar për të mbajtur përzierjen e betonit në gjendje të lëngët gjatë transportit, duke siguruar që të mos ngurtësohet para se të arrijë në vendin e duhur. Autobetonierë me kazan rrotullues. Autobetonierë me shtrirje (zgjatim). Autobetonierë me vetëngarkim. Autobetonierë me krahë lëvizës. Autobetonierë për rrugë të vështira. Ndërmarrja bleu tri autobetoniera.
AUTOBIBLIOTÉK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. Automjet i veçantë që ofron shërbime bibliotekare për njerëzit që jetojnë në vende të largëta ose që për ndonjë arsye tjetër nuk mund të vijnë vetë në bibliotekë, bibliobus. Autobiblioteka klasike. Autobibliotekë malore. Pajisjet e autobibliotekës. Autobibliotekë edukativo-kulturore. Autobiblioteka multimediale dhe digjitale bibliotekë që ofron kompjuterë, tableta, internet, libra elektronikë etj.
AUTOBITUMATRÍÇ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Automjet i pajisur me një makineri për shpërndarjen dhe përdorimin e bitumit ose të asfaltit në rrugë; automjet që përdoret për ndërtimin dhe për mirëmbajtjen e rrugëve me asfalt; asfaltshtruese. Autobitumatriçe me ngrohje të drejtpërdrejtë. Autobitumatriçe me ngrohje të tërthortë. Autobitumatriçe me pompë dhe spërkatës automatik. Autobitumatriçe me kontroll elektronik. Blej autobitumatriçe. Shtroj rrugë me autobitumatriçe.
AUTOBLÍND/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT usht. Automjet i blinduar luftarak me rrota ose zinxhirë dhe i pajisur me armë, që përdoret nga forcat ushtarake ose policore për mbrojtje, për luftë, për zbulim e për ndërlidhje. Autoblindë e lehtë (e mesme, e rëndë). Autoblindë për mbartje të ushtarëve. Autoblindë për forcat policore (njësitë speciale). Kulla e autoblindës. Qëlloi një autoblindë. Patrulluan me autoblindë. Prodhon autoblinda. Modeli i ri i autoblindës. Autoblindë me armë të lehta.
AUTOBÓT,~I m. sh. ~E, ~ET Automjet i pajisur me një cisternë të madhe e të gjatë metalike ose plastike të fortë, me ndarje të brendshme, që shërben për mbartjen e ujit, të benzinës e të lëngjeve të tjera; autocisternë. Autoboti i ujit. Autobot për qumësht (për verë). Çoj me autobot. Mbush autobotin. Zbraz autobotin.
AUTOBÚS,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Automjet i mbuluar për transportin e një numri të madh udhëtarësh. Autobus i madh (me dy pjesë). Autobus i qytetit. Autobus periferik. Stacion autobusi. Shofer autobusi. Biletë autobusi. Hipi në autobus. Zbres nga autobusi. Niset (vjen) autobusi. Autobus ndërqytetës. Autobus-bibliotekë automjet i përshtatur për të shërbyer si bibliotekë lëvizëse. Autobus-fizarmonikë automjet i gjatë e i ndarë në dy ose më shumë pjesë, që janë të lidhura me një lloj lidhjeje të lakueshme në formën e një fizarmonike. Autobus-taksi mjet transporti që kombinon funksionet e një autobusi dhe një taksie.
AUTOFRIGORIFÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Automjet i pajisur me sistem ftohës, frigorifer i lëvizshëm që shërben për mbartjen e prodhimeve ushqimore në gjendje të freskët a të ngrirë ose të produkteve që ruhen në temperatura shumë të ulëta. Mbartje me autofrigorifer. Autofrigorifer i certifikuar. Autofrigorifer për shpërndarjen e vaksinave. Transportimi i prodhimeve të qumështit me autofrigorifer.
AUTOKINEMÁ,~JA f. sh. ~, ~TË hist. Automjet i pajisur me aparat projektimi, që shërben si kinema lëvizëse, për të shfaqur filma artistikë ose dokumentarë, zakonisht në vende të hapura dhe në zona rurale. Autokinemaja e Kinostudios. Ekipi i autokinemasë. Ndoqën një film historik. Autokinemaja, mënyrë për të përhapur kulturë filmike në mjedise të ndryshme.
AUTOMJÉT,~I m. sh. ~E, ~ET Mjet me madhësi e forma të ndryshme që përdoret për të mbartur njerëz ose për të mbartur ngarkesa nga një vend në tjetrin, duke përdorur një burim energjie të brendshëm, siç është motori me djegie të brendshme ose motori elektrik. Automjet elektrik. Automjete ushtarake. Goma automjetesh. Qarkullimi i automjeteve. Dërgoj me automjet. Ngas një automjet.
AUTOMOBÍL,~I m. sh. ~A, ~AT Automjet që shërben për qarkullim personal ose publik, për mbartjen e udhëtarëve ose të mallrave, për gara sportive etj. Automobil sportiv. Automobil udhëtarësh. Boria e automobilit. Rrugë automobili. Sallon automobilash. Udhëtoj (shkoj) me automobil. Ngas automobilin. Hipi në automobil. Frenimi i automobilit.
✱Sin.: automjet, makinë, veturë.
AUTOMOBILÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. sport. Pjesëmarrës në garat sportive me automobil, ai që merret me automobilizëm, garues në automobilizëm. Automobilisti me medalje të artë.
2. vjet. Ai që drejton një automjet, shofer, ngasës i automobilit. Automobilist i shkathët.
✱Sin.: ngasës, shofer, vozitës.
AUTOMOBILÍST/E,~JA f. sh. ~E, ~ET sport. 1. Pjesëmarrëse në garat sportive me automobil, ajo që merret me automobilizëm, garuese në automobilizëm. Automobiliste fituese.
2. vjet. Ajo që drejton një automjet, shofere, ngasëse e automobilit. Mori patentën e automobilistes. Automobiliste e kujdesshme.
✱Sin.: ngasëse, shofere, vozitëse.
AUTONÓM,~E mb., drejt. 1. Që ka të drejtën të vendosë në mënyrë të pavarur për punët e popullsisë së vet dhe të qeveriset sipas ligjeve të veta, brenda sistemit të një shteti të madh; që ka autonomi, i pavarur, sovran. Shtet autonom. Republikë (krahinë) autonome. Rajon autonom. Institucion autonom. Sistem autonom. Gjykatë autonome.
2. Që është i pavarur; që vepron vetë, pa iu nënshtruar lidhjeve me një tërësi më të madhe. Ndërmarrje (degë, njësi) autonome. Repart autonom. Ekonomi autonome. Zhvillim autonom. Veprime autonome. Automjet autonom (pa shofer). Teknologji autonome.
✱Sin.: i pavarur, i lirë, i mëvetësuar, sovran, vetëqeverisës, vetudhëheqës, vetëvendosës.
AUTOOFIÇÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT tek. 1. Punishte ose servis i specializuar për ndreqje, për riparime dhe për mirëmbajtjen e automjeteve; punishte e vogël mekanike. Autoofiçinë e përgjithshme (e specializuar etj.) Riparoj motorin në autoofiçinën e lagjes. Ndërroj vajin e motorit dhe filtrat në autoofiçinë. Autoofiçinë e karrocerisë.
2. Ofiçinë e vendosur në një automjet për ndreqjen e prishjeve dhe dëmtimeve gjatë rrugës; automjet i lëvizshëm me ofiçinë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë