Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►AKOMOD/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Rehatohem.
2. vetv. Përshtatem me një situatë, me një mjedis me kushte të reja, në mënyrë të shkallëshkallshme dhe të vetvetishme. U akomodua në hotel (në suitë). Ajo akomodohet shpejt. Akomodohem në kushtet klimatike. Makinat moderne akomodohen automatikisht. E moshuara u akomodua ndaj vapës. E ka të vështirë të akomodohet në kulturën e re.
3. pës. e AKOMODÓJ. U akomodua me orarin e ri.
✱Sin.: përshtatem, mësohem, rregullohem, adaptohem, sistemohem, rehatohem.
►AKTUALIZ/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR libr., vet. v. III 1. vetv. Bëhet aktual a bashkëkohor, përditësohet e zbatohet në praktikë; bartet në realitetin e tashëm. Programi aktualizohet automatikisht.
2. pës. e AKTUALIZÓJ. U bë aktualizimi i të dhënave të kontratës. Të dhënat aktualizohen çdo ditë. Kjo temë mund të aktualizohet.
✱Sin.: përtashësohet, përditësohet, përshtatet, bashkëkohorizohet, modernizohet, jetësohet, sendërtohet, realizohet, zbatohet.
AUTOFORMÁT,~I m. sh. ~E, ~ET inf. Mundësi që ofrojnë softuerët për të redaktuar, për të rregulluar dhe për të formatuar automatikisht dokumentet, tekstin, numrat ose elemente të tjera në një dokument, sipas një modeli të paracaktuar (në Microsoft Word, në Excel, në Google Docs etj.). Autoformati i titujve. Autoformati i stilit të tekstit. Autoformat korrektues për gabimet gjuhësore.
►AUTOFORMAT/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR inf., vetv., vet. v. III Formatohet automatikisht teksti sipas modeleve të përcaktuara të programeve kompjuterike. Po autoformatohet dokumenti.
AUTOFORMAT/ÓN vep., ~ÓI, ~ÚAR inf., kal., vet. v. III Formaton automatikisht tekstin sipas modeleve të përcaktuara të programeve kompjuterike. Programi autoformatoi tekstin.
AUTOFORMATÚAR (i, e) mb., inf. I formatuar automatikisht, që është autoformatuar, Dokument i autoformatuar.
AUTOMATIKÍSHT ndajf. 1. Me ndihmën e një mekanizmi të posaçëm, pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të njeriut, në mënyrë automatike. Punon automatikisht. Kryhet automatikisht.
2. fig. Në mënyrë mekanike, sipas një rregullsie të caktuar, por pa u menduar, pa vetëdije; si automat. Flet (vepron) automatikisht. Përsërit automatikisht. Automatikisht m’u përgjigj.
3. Vetvetiu, pa qenë nevoja për ndonjë veprim plotësues ose për ndonjë kusht a rrethanë tjetër. E fiton automatikisht. Kalon automatikisht në kategori tjetër. Automatikisht e rregulloi.
►AZHURN/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR libr. 1. vetv. Njihem me të rejat e fundit të një fushe të diturisë; pajisem me të dhënat më të fundit për një çështje. Azhurnohem me të rejat. Azhurnohem vazhdimisht. Azhurnohem me versionin e ri të tastierës.
2. pës., vet. v. III e AZHURNÓJ. Azhurnohet loja (ndeshja). Azhurnohet automatikisht një sistem, një informacion ose një proces.
✱Sin.: përditësohem, rifreskohem, përmirësohem, pajisem.
NËNEKSPOZÍM,~I m. Të qenët nën efektin e ndriçimit nën masën normale ose nën nivelin e pranueshëm për aparatin fotografik, kamerën etj.; teknikë fotografike në të cilën drita e pamjaftueshme jep imazhe të errëta ose të pazhvilluara; kund. mbiekspozim. Nënekspozimi i pamjes i bën elementet përreth të duken më të errët. Korrigjojmë automatikisht problemet e zakonshme të fotografisë si nënekspozimi.
PULT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Tryezë e vogël dhe e pjerrët, që shërben për të vendosur mbi të një libër, partiturat etj.; katedër. Pulti i dirigjentit. Pulti i mësuesit. Vuri partiturat në pult.
2. tek. Pajisje e pajisur me sinjale, me aparatura matëse, kontrolluese etj., që shërben kryesisht për të drejtuar automatikisht punën në një fabrikë, në një sektor të caktuar etj. Pulti qendror. Pult elektrik. Pulti i drejtimit (i komandimit). Drejton nga pulti. Pulti i televizorit. Pulti i garazhit. Pulti i kondicionerit.
►QENDËRZ/OHET jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR pës., vet. v. III. e QENDËRZÓJ. Përqendrohet. Qendërzohet automatikisht. Harta qendërzohet.
ROBÓT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Aparat automatik, që kryen në mënyrë të pavarur sipas një programi veprime të ndërlikuara dhe që mund të zëvendësojë pjesërisht punën e njeriut në disa fusha. Robot pastrimi (kuzhine). Dërgimi i robotëve në Hënë. Mekanizmi i robotit. Robotët mund të rrezikojnë vendet e punës së njerëzve.
2. fig. Ai që e kryen automatikisht punën e ngarkuar, pa kuptuar çfarë bën dhe pse e bën; njeri që nuk ka vullnetin e vet e që nuk ka fare aftësi të veprojë në mënyrë të pavarur; njeri që punon nën presion të madh duke përsëritur të njëjtat veprime për një kohë të gjatë. Punon si robot. Përsërit fjalët e tjetrit si robot. Është bërë robot i punës.
SOLENOÍD,~I m. sh. ~E, ~ET Pjesë elektrike që përdoret për të prodhuar një fushë magnetike kur kalon rrymë elektrike përmes tij; ka formën e një spiraleje ose bobine dhe përdoret në aplikacione të ndryshme, përfshirë sisteme kontrolli, automjete dhe pajisje të tjera. Në një automjet solenoidi përdoret për të aktivizuar sistemin e ndezjes së motorit. Në një sistem ndihmës me ajër, solenoidi kontrollon drejtimin e ajrit që kalon përmes pajisjes. Solenoidi tek automjeti mund të përdoret për të hapur ose mbyllur kapakun automatikisht.
TELEPRÍNTER,~I m. sh. ~A, ~AT Aparat telegrafik printimi me tastierë alfanumerike që merr dhe jep automatikisht tekste e lajme me shkrim në largësi, aparat printimi në largësi.
TRANSPOZITÓR,~E mb., muz. Që lejon automatikisht ose mekanikisht një transpozicion (zakonisht për veglat muzikore). Piano transpozitore. Tastierë transpozitore.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë