Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AUTOMÁT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. tek. Makinë ose aparat që punon vetë me anë të një mekanizmi të posaçëm, pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të njeriut; robot. Automat i programuar. Automatë elektrikë. Automati i tharjes. Automat me gaz. Automat kafeje. Automat për bileta. Automat uji. Automat monedhash. Pajis me automat. Blej automat. Punon me automat.
2. fig. Ai që vepron a që kryen diçka pa vetëdije ose pa u menduar; ai që vepron në mënyrë mekanike sipas dëshirave ose udhëzimeve të një tjetri.
AUTOMATÍK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. usht. Armë zjarri afërsisht sa pushka, me tytë jo të gjatë, që përdoret për qitje të shpejta automatike. Karikatori i automatikut. Breshëri automatiku. Qitje me automatik. Mbush automatikun. Shtie me automatik. Përdorën automatikë. Blej automatik.
2. tek. Mekanizëm i posaçëm që vë në lëvizje një makinë ose një pajisje pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të njeriut; automat. Automatiku i ndërruesit të dritave. Automatiku i frenave të dorës.
3. Sistem ose pajisje që funksionon vetvetiu pa ndërhyrje njerëzore (në elektronikë, në inxhinieri, në armatim dhe në mekanikë), përmes teknologjisë dhe programimit të brendshëm.
4. bised. Qendra për lidhjen automatike të telefonave midis tyre. Linja e automatikut. Lidhem me automatikun. S’fola se nuk punonte automatiku.
AUTOMATIKÍSHT ndajf. 1. Me ndihmën e një mekanizmi të posaçëm, pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të njeriut, në mënyrë automatike. Punon automatikisht. Kryhet automatikisht.
2. fig. Në mënyrë mekanike, sipas një rregullsie të caktuar, por pa u menduar, pa vetëdije; si automat. Flet (vepron) automatikisht. Përsërit automatikisht. Automatikisht m’u përgjigj.
3. Vetvetiu, pa qenë nevoja për ndonjë veprim plotësues ose për ndonjë kusht a rrethanë tjetër. E fiton automatikisht. Kalon automatikisht në kategori tjetër. Automatikisht e rregulloi.
NDJÉSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që është i aftë të kapë ngacmimet nga bota e jashtme; që u përgjigjet në një shkallë të lartë ngacmimeve të jashtme; kund. i pandjeshëm. Lëkurë e ndjeshme. Vesh i ndjeshëm. Pjesë e ndjeshme e trupit. Në pikën më të ndjeshme.
2. Që preket lehtë në ndjenja; që i ndien shumë dhe thellë përshtypjet nga bota e jashtme, që i bën përshtypje lehtë çdo gjë, i prekshëm. Njeri (fëmijë) i ndjeshëm. Zemër e ndjeshme. Shpirt i ndjeshëm. Natyrë e ndjeshme.
3. spec. Që ka aftësinë t’u përgjigjet ndryshimeve dhe ndikimeve nga mjedisi i jashtëm; që kap ndryshimet më të vogla të madhësive për t’u matur. Aparat i ndjeshëm. Pllakë e ndjeshme. Sektor i ndjeshëm. Automat i ndjeshëm.
4. fig. Që arrin përmasa të mëdha e të dukshme, i rëndësishëm; që ka një ndryshim të tillë, i cili bie në sy; mjaft i madh, i dukshëm. Ngritje (rritje, ulje, rënie) e ndjeshme e çmimeve (e shpenzimeve). Përmirësim i ndjeshëm. Shtim (tejkalim) i ndjeshëm. Përparim i ndjeshëm. Dëme (humbje) të ndjeshme. Dallime të ndjeshme. Në mënyrë të ndjeshme.
✱Sin.: i brishtë, i prekshëm, sentimental, njerëzor, emocional, i ngacmueshëm, ëndërrues, ëndërrimtar, i hollë, i rëndësishëm, i madh, i dukshëm.
NDËRPRÉRËS,~E mb. Që ndërpret diçka. Vijë ndërprerëse. Automat ndërprerës.
ROBOTIZÚAR (i, e) mb. 1. Që ka vënë në punë robotët. Industri e robotizuar. Profesion i robotizuar.
2. fig. Që është kthyer në robot, që vepron si automat ose pa vullnet të lirë. Punëtor i robotizuar. Elektorat i robotizuar.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë