Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AUTOKRITÍK,~E mb., libr. Që mban qëndrim kritik kundrejt të metave të veta, që zbulon e pranon haptas dhe me vetëdije gabimet e veta dhe përpiqet t’i ndreqë; që përmban autokritikë; që vetëkorrigjohet, vetëkritik. Qëndrim autokritik. Vlerësim (diskutim) autokritik. Frymë autokritike. Me sy autokritik. Qasje autokritike. Shkrim me ton kritik.
AUTOKRITÍK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT libr. Ai që mban qëndrim kritik kundrejt të metave të veta, që zbulon e pranon haptas dhe me vetëdije gabimet e veta, që vetëkorrigjohet; ai që bën autokritikë. Autokritik i përgjegjshëm.
AUTOKRITÍK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. Akt vetëvlerësimi kritik; vlerësimi, analiza dhe shqyrtimi i veprimeve vetjake për të përcaktuar dhe për të pranuar gabimet, mangësitë ose sjelljet e gabuara me qëllim përmirësimin vetjak ose profesional; qëndrimi vetjak kritik kundrejt të metave në punë, në sjellje etj.; vetëkritikë, vetëreflektim. Autokritikë parimore (formale). Autokritikë objektive. Autokritikë e sinqertë. Në frymën e kritikës e të autokritikës. Bëj autokritikë. Autokritika si mjet reflektimi. Autokritika në kontekstin politik. Paaftësi për autokritikë. Mungesë autokritike.
✱Sin.: vetëkritikë, vetëqortim, vetëgjykim, vetëreflektim, vetëkorrigjim.
THÉLLË (i, e) mb. 1. Që ka largësi të madhe nga lart poshtë, duke u nisur nga sipërfaqja e tokës a e ujit; që shkon shumë poshtë sipërfaqes, që ka thellësi; që bëhet a që futet në thellësi; që e ka fundin shumë poshtë nga pjesa e sipërme ose nga buzët kur e krahasojmë me sende të tjera të njëllojta; që nuk është i nderë a i përfushtë; i futur mjaft a shumë brenda; kund. i cekët. Gropë e thellë. Hendek (pus) i thellë. Minierë e thellë. Lumë (det, liqen) i thellë. Në vende (në shtresa) të thella. Tas i thellë. Pjatë (tepsi) e thellë. Lërim (punim, shpim) i thellë. Rrënjë të thella. Me sy të thellë. Rrudha të thella. Plagë e thellë.
2. Që është larg nga kufiri, nga skaji a nga fillimi i një vendi ose larg nga bregdeti; që shtrihet larg në brendësi. Krahinat (zonat) e thella malore. Vende të thella.
3. Që mbush gjithë mushkëritë, që është i plotë; që del nga brendësia e kraharorit dhe është i ulët e i mbytur. Frymëmarrje e thellë. Zë i thellë. Rënkim i thellë. Psherëtimë e thellë.
4. fig. Që është i një kohe të largët, shumë i hershëm. Në mesjetën e thellë. Në lashtësinë e thellë.
5. E mbyllur, e errët (për ngjyrat). Blu e thellë.
6. fig. Që hyn mirë në thelbin e gjërave, i mbështetur e i arsyetuar mirë, që mbështetet në një zbërthim e në një përgjithësim të shumanshëm të gjërave; që i di me themel gjërat, i përgatitur mirë e i pjekur; kund. i cekët. Studim (shqyrtim) i thellë. Njohje e thellë. Njohuri të thella. Mendime të thella. Gjykim i thellë. Kritikë (autokritikë) e thellë. Analizë (sintezë) e thellë. Njeri (mendimtar, studiues) i thellë. Është i thellë ai.
7. fig. Shumë i madh, i theksuar; i fortë; i plotë. Përkulje e thellë. Krizë e thellë. Fitore e thellë. Kontradikta të thella. Dallime (ndryshime) të thella. Errësirë (natë) e thellë. Qetësi (heshtje) e thellë. Gjumë i thellë.
8. fig. Që arrin në një shkallë shumë të lartë, shumë i fuqishëm; që depërton në thellësi të botës së brendshme të njeriut (për ndjenjat). Ndjenjë e thellë. Dëshpërim i thellë. Keqardhje (dashuri, urrejtje, përshtypje) e thellë. Me nderim të thellë. E pata ndier thellë në shpirt rënien e shokëve. Vështrim i thellë vështrim plot kuptim, vështrim që shpreh një ndjenjë të fuqishme.
9. fig. Që mbahet i mbyllur e ruhet me kujdes pa ua treguar të tjerëve, që nuk zbulohet, që nuk duket e nuk kuptohet lehtë. E fshehtë e thellë.
✱Sin.: i ulët, i mbyllur, i errët, i mbytur, i plotë, i hershëm, i theksuar, i fortë, i fuqishëm, i rëndë.
♦ Ka *rrënjë të thella (dikush a diçka). E ka shpirtin të thellë (dikush) nuk vdes një njeri a nuk ngordh një kafshë lehtë e shpejt, është i fortë, qëndron, nuk i del shpirti menjëherë. Lë *gjurmë (të thellë) (diçka a dikush). Lë *tragë (të thellë) (dikush a diçka). *Lis me rrënjë të thella. *Pus i thellë.
VETËKRITÍK/Ë,~A f., libr. Zbulimi, pranimi i vetëdijshëm dhe dënimi i gabimeve të veta për t'i ndrequr; qëndrimi kritik kundrejt të metave të veta në punë, në sjellje etj. Vetëkritikë e sinqertë. Bëri vetëkritike.
✱Sin.: vetëqortim, autokritikë.
VETËQORTÍM,~I m., libr. Qortim ndaj vetes për një faj a gabim që kam bërë, ndreqje e gabimit a gabimeve që kam bërë vetë, vetëkritikë. Vetëqortim i vetvetes. Vetëqortim për gabimet e bëra.
✱Sin.: vetëkritikë, autokritikë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë