Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ATÉST,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Dokument që dëshmon një kualifikim, një aftësi ose vërtetësinë e diçkaje. Atest profesional. Atest mjekësor. Atest teknik. Atest për përfundimin e kursit të informatikës (të gjuhës së huaj etj.).
2. Certifikatë ose vërtetim me shkrim i një organi zyrtar ose i një kompanie me autorizim të veçanta për të dëshmuar cilësitë e pranueshme standarde të një prodhimi ose për të licencuar një patentë (një zbulim). Atest për prejardhjen e një malli. Atest për cilësinë e prodhimeve të qumështit. Atest për një pajisje elektronike.
✱Sin.: certifikatë, dëshmi, vërtetim, dokument, diplomë.
►ATEST/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR zyrt. 1. vetv. Më njihet ose më pranohet ligjërisht një diplomë, një titull, një gradë me anë të një dëshmie, të një certifikate, të një vërtetimi. Atestohem me dëshmi zyrtare për titullin shkencor.
2. pës. e ATESTÓJ. U atestua me dëshmi zyrtare për gradë më të lartë.
✱Sin.: certifikohem, njihem, pranohem, dëshmohet, vërtetohet, konfirmohem, verifikohet, dokumentohet.
ATEST/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR zyrt., kal. 1. Njoh zyrtarisht me anë të një dëshmie një gradë a një titull që i jepet dikujt pas mbarimit të një forme studimi a të një shkalle kualifikimi; vërtetoj, dëshmoj, lëshoj dëshmi; përcaktoj shkallën e aftësive profesionale dhe të përgatitjes arsimore e kulturore të një individi. Atestoj shkallën e aftësive profesionale. Atestoj diplomën universitare të arritur jashtë shtetit.
2. Njoh me shkrim zyrtarisht, si përfaqësues i një organi kompetent me autorizim të veçantë, një prodhim ose një patentë (zbulim) sipas verifikimit të cilësive përkatëse standarde të përcaktuara me ligj.
✱Sin.: certifikoj, njoh, pranoj, dëshmoj, vërtetoj, konfirmoj, verifikoj, dokumentoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë