Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ASIMIL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. 1. Përshtat ose tjetërsoj zakonet, gjuhën, kulturën, vlerat e dikujt, duke ia humbur ato të mëparshmet; e shkrij një popull ose një komb, duke e bërë të humbasë veçoritë e tij kombëtare dhe të përvetësojë gjuhën, zakonet etj. të një populli ose të një kombi tjetër; tjetërsoj. Asimiloj dhunshëm. Asimiloi me shpejtësi gjuhën dhe zakonet e vendit të ri.
2. fig. Përvetësoj, marr, thith (dije, njohuri, përvojë, zakone, shprehi etj.). Asimiloj mësimin. Asimiloj një lëndë.
3. biol. Përvetësoj një lëndë të jashtme, duke e përpunuar në organizëm; tret, thith. Asimiloj ushqimin. Asimilon oksigjenin.
4. kim. Thith ose integron përbërës të tjerë në një sistem kimik.
5. vet. v. III, gjuh. E bën të njëjtë ose të ngjashëm me veten (për veprimin e një tingulli mbi një tjetër), përngjashmoj.
✱Sin.: përvetësoj, përvetoj, marr, thith, përthith, nxë, mësoj, shkrij, tret, tjetërsoj, integroj, përngjashmoj.
BLÚAJ vep., BLÓVA, BLÚAR kal. 1. E bëj drithin a diçka tjetër miell ose pluhur, thërrmoj imët kokrrat (zakonisht në mulli); grimcoj, thërrmoj. Bluaj drithin (misrin, grurin). Bluaj kafenë. Bluan ashpër (butë, imët, trashë). Mulliri bluan mirë (keq, hollë, trashë). Mulli për të bluar. S’bluan më ai mulli (fig.) nuk është më i ri dikush, s’ka fuqi të punojë si më parë, i kanë rënë këllqet. - Jam nisur për në mulli, / Të bluaj grurë kutruli! (folk.). Ai mulli s’e bluan dot atë misër (fig.) nuk është i zoti dikush, nuk arrin të kuptojë diçka të vështirë. Kush mëngon, bluan. (fj. u.). Mulliri bluan me aq ujë sa ka. (fj. u.). Langoi gjuan kur mulliri bluan. (fj. u.). Bluan misër e ha grurë. (fj. u.).
2. Shtyp e shtrydh ullinj në mulli.
3. vet. v. III E grin, e bren. E ka bluar mola qilimin.
4. edhe fig. Thërrmoj me dhëmbë a tret në stomak një ushqim; çap, mbllaçit. Bluan stomaku. Bluan ushqimin. Bluan me dhëmbë diçka. Dhëmbi bluan malin. (fj. u.). Stomaku bluan ç’t’i hedhësh. (fj. u.).
5. fig. Arrij ta kuptoj një mësim, një dije etj. dhe ta ngulit mirë në mendje; e zotëroj dhe e bëj timen; e përvetësoj mirë diçka, duke e përsëritur ose duke e përpunuar. E ka bluar mësimin. E bluante me etje të madhe çdo gjë që i thoshin.
6. fig. Sjell e përsjell nëpër mend diçka për të gjetur një zgjidhje; e rrah me mend diçka nga të gjitha anët, shoshit, shestoj. Bluan një mendim. Bluaj me mend (në mendje, në kokë). Bluaj gjatë. Bluaj me vete (përbrenda). E blova nëpër mend gjithë ditën. Secili bluante me kokë të vet. Bluaje, pa thuaje! (fj. u.).
7. fig. Mendoj t'i bëj tjetrit keq, shestoj me mend një veprim të keq, mendoj diçka të keqe. - Seç bluan ai (në kokë)! Bluan diçka të fshehtë.
8. fig., kryes. v. III I sjell dhembje të thella ose mundime të vijueshme, e mundoj shumë. Më bloi reumatizmi.
9. bised. Flas shumë dhe kot, llomotit, grij, turtullit. Bluan kot. - Le të bluajë sa të dojë!
✱Sin.: grimcoj, thërrmoj, miellzoj, imtoj, imshtoj, brej, përtyp, grij, përçap, zotëroj, përvetësoj, përtyp, thith, tret, asimiloj, shoshit, përbluaj, shpërbluaj, shestoj.
♦ Bluan mbi *anët (dikush) keq. Bluan *ashpër (dikush). E bluan në *bark (diçka). Bluan *butë (dikush). Bluan *egjër (dikush). Bluan e s’gatuan (dikush) shih mbjell e nuk korr (dikush). Bluan edhe *gurë (dikush). Bluan *hollë (dikush). Bluan *imët (dikush). I bloi *kockat (dikujt). E bluan në *kokë (diçka). Bluan nën *lëkurë (dikush). Bluaj me *mend. E bluaj në *mendje (diçka). S’të bluan *miell (dikush). Bluan *trashë (dikush). Bluan *të trasha (dikush). Nuk ma bluan *truri (diçka). Bluan *thatë (dikush). Bluan në *të thatë (dikush).
NGASHËNJ/ÉJ vep., ~ÉVA, ~ÝER kal. 1. Bëj për vete dikë ose e shtyj të veprojë në një mënyrë të caktuar duke përdorur fjalë të bukura, lajka e premtime; josh. Ngashënjej me lajka (me fjalë të ëmbla). Ngashënjej me të mirë.
2. Tërheq shumë a bëj për vete dikë me pamjen e jashtme ose me ndonjë veti a cilësi; magjeps. Bukuri (poezi) që të ngashënjen. Ky peizazh ngashënjen cilindo.
3. Asimiloj. Nuk e ngashënjen mirë ushqimin.
✱Sin.: lajkatoj, josh, tërheq, tundoj, magjeps, asimiloj.
PËRVETËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Bëj timen një plaçkë, një pasuri etj. që nuk më takon, e marr dhe e bëj pronën time; vjedh. Përvetësonin të ardhurat kombëtare. Nuk e lanë të përvetësonte pronën e dikujt tjetër.
2. biol. Përvetoj. E përvetëson mirë ushqimin.
3. Arrij ta bëj të shfrytëzueshëm e të dobishëm, e bëj të përdorshëm (për një vendburim xeheror, për tokën etj.). Përvetësuan shumë tokë të re. Përvetësuan disa vendburime të reja nafte.
4. Arrij ta kuptoj një mësim, një dije etj. dhe ta ngulit mirë në mendje, fitoj njohuri në mënyrë të shëndoshë, duke i tretur mirë; zotëroj, mësoj mirë. Përvetësoj mënyrën e përdorimit.
5. E kuptoj mirë një teori, një tezë, një ide etj. dhe bëhem i aftë ta zbatoj, e bëj timen dhe e vë në jetë a e përdor. Përvetësuan teknikën e re (metodat e reja të punës). E përvetësoi mirë drejtimin e makinës.
✱Sin.: vjedh, marr, zaptoj, zotoj, asimiloj, zotëroj, përtyp, bluaj, thith, tret (tres), rrëmbej, grep, ha, përvetoj, mësoj, fitoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë