Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
EC/I vep., ~A, ~UR jokal. 1. Lëviz më këmbë në një drejtim. Ecën njeriu. Ecën kali (lopa, macja). Eci në rrugë (nëpër fushë, nëpër dhomë). Ecën shpejt (ngadalë). Ecën në majë të gishtave. Eci përpara (prapa, djathtas, majtas). Eci poshtë e lart. Ecte me zor. Ecim drejt malit. Eci gjunjas. Ecën si mbi vezë.
2. Lëviz me një mjet transporti ose mbi një kafshë (me kalë etj.). Eci me biçikletë (me motor, me makinë, me karrocë). Eci me kalë. Ecte me shpejtësi të madhe.
3. vet. v. III Lëviz, shkon diku (për një mjet transporti); përshkon një rrugë të caktuar. Ecën treni (makina, biçikleta). Ecën dyzet kilometra në orë. Ecën në rrugë të asfaltuar (në rrugë malore, mbi binarë).
4. vet. v. III Rrjedh (për ujin). Ecën uji. Ecën lumi (përroi).
5. vet. v. III, bised. Është në lëvizje a në veprim, punon (për një makineri). Motori ecën mirë.
6. vet. v. III. Kalon, ikën (për kohën). Ecën koha. Nuk ecte ora.
7. fig. Përparoj; zhvillohem. I ecën puna. Ecën bujqësia (industria). Ecën me këmbët e veta. Ecën me kohën. Ecën me të tjerët.
8. fig., bised. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor). Më vete mbarë. Nuk më ecte. Atij i ecte gjithnjë. I ecën puna si sahat. I ecën biznesi.
9. fig., bised. Veproj siç më thotë dikush; shkoj. - Mos ec me ato që dëgjon poshtë e lart!
10. vet. v. III, fig., bised. Ka vlerë, shkon. Nuk ecën kjo para këtu.
11. vet. v. III, bised. Paguhet. Ecën dita. I ecën rroga.
12. bised. (në urdhërore) Shko. - Ec e pyete se ç’thotë?! - Ec e thuaji të vijë!
13. bised. (në urdhërore) Eja. - Ec me mua tani! - Ec lart, se kam një fjalë!
14. bised. Përdoret së bashku me një folje tjetër kur duam të tregojmë se është e pamundur të kryhet a të mos kryhet veprimi që shpreh folja e dytë. - Ec e mbushja mendjen atij! - Ec e fol me të, po deshe! - Ec e (mos) ia thuaj pastaj! - Ec e mos u nis pastaj!
15. Mund të lëviz a të shkoj diku (vepruesi nënkuptohet që është dikush në vetën e parë njëjës ose shumës, por është i pashprehur në fjali). Nuk mund të ecja më tej. Ishte e pamundur të ecnim.
✱Sin.: lëviz, shkoj, përshkoj, vete, çapit, qarkulloj, bares, rrjedh, kaloj, iki, punon, përparoj, zhvillohem, paguhet, eja.
♦ Ecën mbi *driza (dikush). Ecën (baret) pa *fener (dikush) keq. I ecën (i shkon, i dëgjohet, i zë vend) *fjala (dikujt). Më ecën (më shkon, më vete) *fjollë (diçka). Ecën drejt *greminës (dikush). Eci mbi *gjemba. Eci (shkoj) pas *gjurmëve (të dikujt). Eci në një *hap (me dikë) Ecën drejt *hundës (së vet) (dikush). Ec me *karvanin (dikush). Ecën me *kohën (dikush). I ecën (i shket) *pena (dikujt). Ecën (vete) *sahat (diçka). Ecën mbi *vezë (dikush). I ecën *zari (dikujt).
PAASFALTÚAR (i, e) mb. Që nuk është i shtruar me asfalt; kund. i asfaltuar. Rrugë e paasfaltuar.
SHTRÚAR (i, e) mb. 1. Që është ndrequr e ka qilima të hapur në dysheme, mbulesa të reja etj. Dhomë (shtëpi) e shtruar. E mbajnë shtëpinë të shtruar.
2. E mbushur me gjellë e ushqime të ndryshme, me pije etj. dhe e pajisur me sendet e me mjetet që përdorim kur hamë e pimë. E gjetën tryezën (sofrën) të shtruar.
3. I asfaltuar ose i veshur me kalldrëm, me pllaka etj.; kund. i pashtruar. Rrugë të shtruara. Oborr i shtruar.
4. I sheshtë, i rrafshët, i butë (për relievin e një vendi, për sipërfaqen e diçkaje etj.). Vend i shtruar. Tokë e shtruar. Rrugë e shtruar. Kodër e shtruar. Flokë të shtruar. Dumreja është më e shtruar se Skrapari.
5. Që bie qetë e ngadalë dhe mban shumë (për shiun). Shi i shtruar.
6. fig. I urtë, i bindur, i dëgjueshëm; që nuk rrëmbehet, që i gjykon punët qetë e pa u ngutur; që punon qetë e me durim. Grua e shtruar. Njeri (burrë, djalë) i shtruar. Është i shtruar në punë (me shokët).
7. fig. I qetë, i ngadalshëm, jo me ritëm të shpejtë. Zë i shtruar. Bisedë e shtruar. Valle (këngë) e shtruar. Lojë e shtruar. sport. Me hap të shtruar.
8. Që ka rënë klloçkë. Ka dy pula të shtruara.
9. krahin. I vënë turshi, i regjur. Tranguj të shtruar.
♦E ka jatakun të shtruar (dikush) është i mirëpritur, mund të vijë sa herë të dojë. Me *mendje të shtruar. *Udhë (rrugë) e shtruar.
VAZHD/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. E çoj më përpara diçka që kam nisur, nuk e ndërpres një punë a një veprim; e nis përsëri një punë atje ku e kam lënë ose ku e kam ndërprerë; bëj ende diçka, merrem ende me diçka; vijoj. Vazhdoj punën (mësimin). Vazhdon përpjekjet (përgatitjet). Vazhdoj rrugën (udhëtimin). Vazhdojnë bisedimet. Vazhdoj tregimin. Vazhdon të shkruajë (të flasë, të punojë). Vazhdoj studimin (leximin).
2. kal. Shkoj pas gjurmës ose pas mësimeve të dikujt; shpie më tej diçka që ka nisur një tjetër; ndjek, vijoj. Vazhdojmë traditat e mira të të parëve. Vazhduan punën e rilindësve. Vazhdojmë traditën e fitores në futboll.
3. kal. Shkoj rregullisht diku për të mësuar, për të fituar përvojë a për t'u stërvitur, ndjek mësimet në një shkollë etj., vijoj. Vazhdoj shkollën (universitetin). Vazhdoj kursin e anglishtes.
4. jokal., vet. v. III Zgjat ende; zhvillohet, shkon më tej, nuk ndërpritet, nuk pushon; vijon; zgjat një kohë të caktuar nga fillimi deri në mbarim. Vazhdon puna. Vazhdon emisioni. Vazhdon shfaqja. Vazhdojnë bisedimet (përgatitjet, takimet). Vazhdon shiu (dëbora, era, shtrëngata). Loja vazhdoi dy orë. Nuk vazhdon shumë. Vazhdojnë bisedimet (përgatitjet, takimet). Vazhdon shfaqja. Vazhdon gjyqi. Festivali vazhdoi dhjetë ditë.
5. jokal., vet. v. III Shtrihet më larg, shkon më tutje, zgjatet, nuk mbaron (në hapësirë); vijon. Udha vazhdon deri në majë të malit. Lumi vazhdon drejt perëndimit, duke kaluar nëpër fushat e gjelbra. Rruga e asfaltuar vazhdon përtej pyllit deri në qytet.
✱Sin.: çoj, zgjat, vijon, zhvillohet.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë