Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ZANÁT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Mjeshtëria që ushtron dikush përditë, duke punuar zakonisht me dorë a me vegla të thjeshta, duke pasur shprehi e aftësi të posaçme, të fituara duke mësuar nga të tjerët e nga përvoja e vet; zeje; mjeshtëri, profesion. Zanat i lehtë (i rëndë). Zanati i babait. Është mjeshtër në zanat. Ka zanat. Hyri në zanat. Zgjodhi (mësoi) një zanat të mirë. E vuri (e futi) djalin në zanat. Ndërroi zanatin. Ia dha (ia mësoi) zanatin. U bë me zanat. Është i zanatit është mjeshtër i mirë. Di tre-katër zanate. Ka njëzet vjet në zanat. Zanati nuk vdes. (fj. u.). Sa ka zanati, një torbë me hallate. (fj. u.). Zanati nuk të lë pa bukë. (fj. u.). Mos mëso mjeshtrin, po merri zanatin. (fj. u.). Me ç'mjeshtër do të bjerë, atë zanat do të nxjerrë. (fj. u.). Zanati të hap derën, puna të rrit vlerën. (fj. u.). Njeri me shumë zanate është prishja e shtëpisë. (fj. u.). Ustai ustain e njeh në zanat. (fj. u.). Duhet ta kesh zanat, pa të vishesh hoxhë në fshat. (fj. u.).
2. bised. Ajo që e ka zakonisht për detyrë ta bëjë një njeri, detyra e zakonshme e dikujt. E ka për zanat. Ajo punë është zanati i tij. E bën sa për zanat.
3. Zakon, shprehi a ves që është fituar me kohë. Po atë zanat. S'është zanat. Ky zanat ka qenë dhe më parë. Nuk i ka lënë zanatet e mëparshme. Zuri zanatin e vjetër (e dikurshëm). Ka zanatin e ujkut (dikush) grabit, zhvat. Fshat e zanat, derë (shtëpi) e tabiat. (fj. u.). Ujku plak nuk e harron zanatin. (fj. u.).
✱Sin.: zeje, zejtari, mjeshtëri, profesion, specialitet, artizanat, ustallëk, zakon, shprehi, huq, ves.
♦ *Fshat e zanat. E ka zanat (dikush) keq. ashtu i është bërë shprehi, e përsërit vazhdimisht atë që bën; nuk ndryshon. Sa ka zanati! edhe iron. është puna e atij që e di, ka gjëra që i njeh vetëm ai që merret me to, janë punë që s’mund t’i dinë të gjithë; duhet ta njohësh mirë diçka që ta bësh ashtu siç duhet. E ka zanatin *të ngopur (dikush). Lë zanatin e zë zurnanë (dikush) përçm. lë një punë të rëndësishme e më të mirë dhe zë një punë pa rëndësi e pa shumë dobi; lë dasmën dhe shkon për shkarpa. Ia mori zanatin (diçkaje) e di mirë se si bëhet diçka, e njeh mirë, e ka përvetësuar; ia mori dorën.
ZÉJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Mjeshtëria që ushtron dikush përditë, zakonisht duke punuar me dorë a me vegla të thjeshta, duke pasur shprehi e aftësi të posaçme, të fituara nga përvoja; zanat, mjeshtëri. Zeje popullore. Zeje ndihmëse. Zeja e këpucëtarit (e rrobaqepësit, e furrtarit). Punishte zejesh. Ushtrimi i zejeve të reja. Mësoi një zeje. Ia mori zejen (diçkaje) e mësoi, e përvetësoi mirë; ia mori dorën punës. Nuk ka ndonjë zeje tjetër përveç të kënduarit. Këto zeje tashmë janë harruar. Shumë familje mbiemrat i kanë marrë sipas zejeve që ushtronin.
✱Sin.: mjeshtëri, zanat, zejtari, artizanat.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë