Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BILÁNC,~I m. sh. ~E, ~ET 1. fin. Përfundim që del nga krahasimi i të ardhurave me shpenzimet kur mbyllim një llogari; pasqyra përmbledhëse me këtë përfundim. Bilanci vjetor (mujor). Bilanc përmbledhës. Bilanci i pagesave. Bilanci i fuqisë punëtore. Bilanci i kompanisë. Pasqyra e bilancit. Hartimi i bilancit. Bëj (nxjerr, mbyll, paraqit) bilancin.
2. ek. Shprehje me shifra e marrëdhënieve ndërmjet anëve të një veprimtarie, të cilat baraspeshojnë njëra-tjetrën. Bilanci i industrisë (i eksportit). Metoda e bilancit. Bilanc aktiv (fin.) bilanc në të cilin të ardhurat janë më të mëdha se shpenzimet. Bilanc i likuidimit (fin.) pasqyrë e gjendjes së një kompanie të falimentuar. Bilanc pasiv (fin.) bilanc në të cilin shpenzimet janë më të mëdha se të ardhurat. Bilanci tregtar (fin.) pasqyrë e raportit midis eksportit dhe importit të mallrave.
3. fig. Pasqyrë e përfundimeve të arritura në një fushë veprimtarie brenda një kohe të caktuar, vështrim përmbledhës e vlerësues i arritjeve. Bilanc i pasur (i shkëlqyer). Bilanci i punës. Bilanci i ditës. Bëj bilancin.
4. spec. Marrëdhënie ose përpjesëtime ndërmjet dy anëve të një dukurie, të një veprimi etj. Bilanci ushqimor. Bilanci i ngrohtësisë. Bilanci i kohës. Bilanc termik (fiz., meteor., tek.) baraspeshë midis energjisë termike të rrezatuar nga një burim drejt një trupi dhe rrezatimit të energjisë nga trupi marrës.
KLÁS/Ë, ~A f. sh. ~A, ~AT 1. Grup a grupim i madh shoqëror, shtresë e madhe njerëzish me disa tipare ose veçori të përbashkëta, që shquhen nga vendi që zënë në shoqëri, nga niveli ekonomik, nga puna që bëjnë, nga marrëdhëniet në prodhim dhe nga interesat që kanë. Klasë e pasur (e varfër, punëtore, fshatare). Interesa klasash të ndryshme.
2. Vit mësimor i nxënësve që ndjekin të njëjtin program shkollor; tërësia e një grupi të caktuar prej këtyre nxënësve, që kanë të njëjtën moshë dhe të njëjtin program mësimor. Klasa e parë (e dytë) fillore. Klasa paralele nxënësish. Shok klase. Kaloj klasën. Mbetem në klasë.
3. Dhoma e shkollës ku mëson a bën mësime ky grup i caktuar nxënësish. Pastrojmë klasën. Hyj në klasë. Sa nxënës ka klasa?
4. spec. Nënndarje e madhe qeniesh të gjalla (bimë ose kafshë) sipas tipareve gjenetike ose vetive të tyre të përbashkëta dhe dalluese; rend. Klasë biologjike. Klasa e gjitarëve (e zvarranikëve). Klasa e zogjve këngëtarë.
5. Nënndarje e shkallëzuar në disa kategori sendesh, dukurish etj.; kategori. Klasa e njësheve (në matematikë). Klasa e foljeve (në gjuhë).
6. edhe sport. Shkallë a renditje e lojtarëve sipas rezultateve të arritura në një garë, kampionat etj.; klas. Lojtar i klasës së parë.
✱Sin.: shtresë, grupim, kategori, rend, klas, shkallë, renditje.
PASTÁJ ndajf. 1. Më vonë, pas pak kohe, më prapa, pas kësaj; në kohën që vjen më pas, në vijim. Ta them pastaj. E la për pastaj. E ke ti radhën pastaj. Pastaj u ul dhe ndezi një cigare. Pastaj hidroplani u ul në ujë. Heshti pak, pastaj bëri disa pyetje.
2. Më pas në radhë, më prapa (në hapësirë). Ishin dy shtëpi, pastaj një fushë e vogël. Vinte një kthesë, pastaj rruga zgjerohej.
3. Më poshtë, më tej (përdoret për të treguar se ai që flet kalon në një mendim tjetër të lidhur me të parin). Pastaj ai foli për sukseset e arritura.
4. Veç kësaj, përveç të tjerave. Pastaj është edhe i vjetër. Pastaj isha edhe i lodhur. Pastaj të ma kishe thënë më parë.
5. Ndryshe, përndryshe (kur duam të kërcënojmë dikë). Nisu sa më parë, se pastaj do ta pësosh keq.
✱Sin.: mandej, pasandaj, mbasandaj, ani, pa, pra, prapa, ndryshe, përndryshe, tutje.
POPULLARIZÍM,~I m. Veprimi kur popullarizoj dikë a diçka e kur popullarizohem. Popullarizimi i përvojës së fituar (i sukseseve të arritura). Popullarizimi i shkencës. Popullarizimi i ligjeve.
✱Sin.: propagandim, përhapje, thjeshtëzim, vulgarizim.
PËRGËZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Përshëndet e uroj dikë përzemërsisht me rastin e një përvjetori, të një feste, të mbarimit me sukses të një pune etj. E përgëzoi nxehtësisht (nga zemra). I përgëzuan për fitoren e olimpiadës së matematikës. Ju përgëzoj për sukseset e arritura!
2. Përkëdhel dikë, ledhatoj; gëzoj e luaj me të. Përgëzoj fëmijën. Fëmija përgëzonte qenin (macen).
✱Sin.: uroj, përshëndet, lumturoj, ngjatjetoj, përhiroj, hiroj, përkëdhel, ledhatoj, gëzoj.
SINTÉZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Metodë studimi, me të cilën anët e veçanta përmblidhen e përgjithësohen me qëllim që të vështrohen sendet dhe dukuritë si një tërësi e vetme e pandarë, me lidhje e marrëdhënie ndërmjet pjesëve të tyre përbërëse; kund. analizë. Sintezë shkencore. Metoda e sintezës. Analiza dhe sinteza.
2. Vështrimi i pjesëve e i anëve të veçanta të sendeve, të dukurive, të ngjarjeve etj. në tërësi e në mënyrë përgjithësuese, përgjithësim; vepër që i paraqet dukuritë, ngjarjet etj. në mënyrë të tillë, vepër sintetizuese. Sintezë e re e letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Si sintezë e rezultateve të arritura. Ka paraqitur një sintezë të veprimtarisë ekonomike e financiare.
3. kim. Procesi me anën e të cilit prodhohen lëndë të ndryshme kimike nga bashkimi i elementeve ose i përbërësve të tyre më të thjeshtë. Sinteza e ujit. Përgatitja e një acidi me anën e sintezës.
TABÉL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pllakë me shkrime a me shenja të posaçme, e cila shërben për të treguar vendin ku ndodhesh, ku mbërrin, drejtimin e lëvizjes etj. Tabela e sheshit (e repartit) “N”. Tabela rrugore. Tabelat e dyqaneve. Tabela e shkollës (e spitalit, e portit, e aeroportit).
2. Pllakë dërrase, mermeri, xhami, metali, pleksiglasi etj., e vendosur diku, që shërben për qëllime të caktuara. Tabela e zezë (mësimore) dërrasa e zezë. Tabelat e basketbollit (sport.) dërrasat ku janë vendosur koshat në lojën e basketbollit.
3. Stendë, në të cilën jepen njoftime të ndryshme për punonjësit, për nxënësit, për rezultatet e arritura etj. Tabelë nderi vend i posaçëm në klasë, në shkollë, ku vendosen emrat dhe fotografitë e nxënësve më të dalluar. E kanë nxjerrë në tabelën e nderit.
4. Pasqyrë përmbledhëse, që përmban një varg elementesh, numrash, emrash etj., të ndarë në shtylla ose të renditur sipas rregullave të caktuara. Tabela matematike (mat.) tabela përmbledhëse me vlera e me përfundime të zgjidhura për problema e funksione të caktuara. Tabela e klasifikimit (sport.). Tabela e reshjeve. Tabela e orarit të trenave. Tabela e çmimeve. Tabela e shumëzimit (e pjesëtimit, e mbledhjes, e zbritjes) (mat.). Tabelë elektronike. Tabelë e kufizimit të shpejtësisë. Tabela periodike e elementeve. Tabela e Mendelejevit (kim.) tabela që grupon të gjitha elementet kimike, të renditura sipas numrit të protoneve ose numrit atomik. Tabelë kubimi (pyllt.) tabelë që përcakton vëllimin e drurëve pyjorë sipas parametrave të matshëm (diametër e lartësi). Tabelë ujore (bujq.) sipërfaqe e ujit tokësor ose niveli i poshtëm, në të cilin toka është e ngopur me ujë. Tabelë e qitjes (usht.) stendë e palëvizshme (ndonjëherë edhe rrotulluese ose e lëvizshme vertikalisht ose horizontalisht), zakonisht me rrathë nga 1-10, mbi të cilën qëllohet me armë nga njëfarë largësie, nën masa të rrepta sigurie.
✱Sin.: pllakë, stendë, pasqyrë.
♦ E ka bërë tabelë qitjeje (dikë) libr. e kritikon a e sulmon vazhdimisht, e godet vazhdimisht; e ka vënë (e ka) në shenjë (në shënjestër).
THÝEJ vep., THÉVA, THÝER kal. 1. E ndaj një gjë më dysh a në shumë copa me dorë ose duke e përpjekur pas diçkaje të fortë; e bëj pjesë-pjesë a copa-copa diçka të ngurtë; e copëtoj duke e goditur me diçka a duke e përpjekur pas diçkaje të fortë. Thyej shkopin. Thyej bukën. Thyej pemën (degët). Thyej vezët (arrat). Thyej pjatën (gotën, xhamin). Thyej këmbën (dorën, dhëmbët).
2. E përkul, e lakoj a e harkoj diçka; e bëj më dysh, më tresh etj., e palos. Thyej trupin (mesin, gjunjët, duart). Mos i thyej gishtërinjtë! Thyej më dysh letrën.
3. fiz. I kthen drejtimin dritës, rrezes etj., e bën të ndërrojë drejtimin, e përthyen. Prizmi e thyen dritën. I thyen rrezet.
4. Kthej a këmbej një monedhë në disa njësi monetare më të vogla, shkoq; kthej paratë e huaja në para vendi; e këmbej një çek me para, e kthej çekun në të holla. Thyej qindëshen me dhjetëshe e pesëshe. Theu dollarët (eurot). E theu çekun në bankë. Ke të ma thyesh? S'kam të t'i thyej.
5. fig. Zmbraps diçka që pengon zhvillimin; shkatërroj diçka të keqe. Thyejmë konceptet e vjetra (paragjykimet, besëtytnitë). E thyen mitin e pandëshkueshmërisë. E thyem zakonin.
6. fig. Prish a shkel diçka të pranuar ose të vendosur që më parë, nuk i qëndroj besnik asaj, e ha, e mohoj (fjalën, besën etj.); shkel a cenoj diçka, nuk e zbatoj, e prish. Nuk e thyen fjalën (besën, marrëveshjen). Theu disiplinën. Theu urdhrin. Mos i thyej rregullat! Armiqtë nuk e thyejnë dot bashkimin tonë.
7. fig. E mund dikë në një luftë, në një betejë, në një ndeshje, në një lojë etj., e bëj që të dorëzohet, të jepet, të tërhiqet etj., e mposht diçka, e përballoj dhe e kapërcej me sukses diçka. E thyen ushtrinë armike (armikun, kundërshtarin). E theu mbrojtjen (sulmin). Nuk e thyen dot kryengritjen (qëndresën, luftën). Nuk e thyen vështirësitë. Nuk e theu dot as me para dikë nuk e bleu dot me para, nuk e bëri dot për vete me para. I thyen me forcë (me dredhi). E thyen shpejt (lehtë, plotësisht).
8. fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). I pres dikujt forcat, e bëj të pafuqishëm, e dobësoj shumë; e rrëzoj shumë nga shëndeti, e vras shpirtërisht. Nuk e theu sëmundja (mosha, pleqëria). E theu moralisht. E theu keq. Nuk e thyen dot.
9. fig. E shuaj a e zhduk diçka; nuk e lë diçka të veprojë a të jetë ashtu si më parë; i pakësoj forcën, e dobësoj; e bëj të ulet a të bjerë; ia ul, ia zbres vlerësimin. I theu vullnetin (besimin, vrullin). Thyej urinë (gjumin).
10. fig. Arrij të tejkaloj diçka, kapërcej caqet e vendosura për një punë a të arritura më parë. Thyen parashikimet. Thyejnë normat. Theu rekordin.
11. jokal., vet. v. III, fig. Shkon, kapërcen në pjesën e fundit, i afrohet mbarimit (për ditën dhe natën). Po thyen dita (nata).
✱Sin.: copëtoj, çokis, çaj, copëzoj, kris, palos, përkul, përthyej, lakoj, kthej, këmbej, prish, shkoq, shkatërroj, shkreh, shkel, çart, cenoj, mohoj, mund, mposht, shpartalloj, gjunjëzoj, nënshtroj, lodh, zmbraps, përul, kapërcej, dobësoj, shuaj, zhduk, kaloj, tejkaloj.
♦ Theu (zuri) *arrëzën (dikush). Ia thyej *bririn (brirët) (dikujt). Më theu (më këputi) *brinjët (dikush) iron. I theu brinjët (dikujt) keq. E thyej *dorën (për diçka). Theu *dhëmbët (dikush). I theu *dhëmbët (dikujt) përçm. Theu *gërmicën (dikush) përb. krahin. Theu *hundët (dikush). I theu *hundët (dikujt) përçm. E theu *këmbën (dikush) përb. Nga theva *këmbën! I theu *kërbishten (dikujt). Theu *kokën (kryet) (dikush). Të thyen *kokën (kryet) (dikush). I thyen *krëndet. Theu kryet (*kokën) (dikush). Të thyen kryet (*kokën) (dikush). E theu në *mes (dikë). I theu *nofullat (dikujt) përçm. Nuk i kam thyer (nuk i kam ngrënë) *poganikun (dikujt a diçkaje). Theu (këputi) *qafën (zverkun) (dikush) përb. Theu (këputi) *rruazën (dikush) përb. Ia theu *samarin (dikujt) përb. Theu *turinjtë (dikush). I theu *turinjtë (dikujt) përçm. Thyej (këput) *vargonjtë. Thyej *veshin (me diçka). Ma theu *zemrën (dikush). Theu (këputi) zverkun (*qafën) (dikush) keq.
VETËKËNÁQ/EM jovep., ~A (u), ~UR libr., vetv. Kënaqem me atë që kam bërë ose që kam arritur dhe nuk luftoj për të ecur më tej, bie në vetëkënaqësi. Nuk vetëkënaqemi me përfundimet e arritura. Vetëkënaqej me pak.
✱Sin.: shendohem, ngazëllehem, gëzohem.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë