Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKTUALIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. E bëj aktual a bashkëkohor dikë a diçka, e lidh me të sotmen, ua përshtat kërkesave të ditëve tona; e bëj që të ketë vlerë për të sotmen; përtashësoj, përditësoj; bashkëkohorizoj. Aktualizoj tematikën (përmbajtjen). Aktualizoj mësimin. Aktualizoj metodat e punës. Aktualizoj celularin me aplikacion të ri. Aktualizoj informacionet e fundit. Aktualizoj softuerin. Aktualizova planin e biznesit.
✱Sin.: përtashësoj, përditësoj, përshtat, bashkëkohorizoj, modernizoj, jetësoj, sendërtoj, realizoj.
APLIKACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET inf. Program kompjuterik i instaluar në një pajisje të mbartshme (smartfon, tablet etj.) për të kryer funksione të ndryshme ose për të ofruar shërbime të veçanta (lojëra, muzikë, filma, libra, foto, shfaqje televizive, shërbime sociale, platforma për blerje online, informacione etj.); aplikim. Krijoji në aplikacion. Aplikacion online për hapje të llogarisë bankare. Aplikacion edukativ. Aplikacion me kod. Aplikacion për punësim. Instalo një aplikacion.
AUTOTAKSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Automjet i vogël, i licencuar nga autoritetet lokale, me leje qarkullimi, që përdoret për të mbartur udhëtarë brenda qyteteve kundrejt një pagese; taksi. Autotaksi elektrike. Autotaksi me aplikacion. Autotaksi i vjetër. Udhëtonte me autotaksi. Në aeroport shkova me autotaksi. Ai punon si shofer në një autotaksi private. Shoferët e autotaksive kanë licencë zyrtare.
2. Tërësia e automjeteve që shërbejnë si autotaksi, që janë të regjistruara në një kompani ose në një shoqatë që kujdeset për mbarëvajtjen e punës dhe të drejtat e pronarëve të taksive. Regjistrimi i automjetit në autotaksinë e qytetit.
MARKÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që mund ta markoj; që mund të markohet; kund. i pamarkueshëm. Përdor një aplikacion që është plotësisht i personalizueshëm dhe i markueshëm. Zgjedh një emër domeni që është i markueshëm. Ambalazhet duhet të jenë lehtësisht të identifikueshme, të markueshëm e të etiketueshëm. Ai është vështirësisht i markueshëm kur e ka topin në këmbë.
MESAZHÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që ka si punë të përcjellë mesazhe ose dokumente te një njeri, parti a qeveri tjetër; lajmëtar. Është mesazher i qeverisë në Uashington.
2. kompj. Aplikacion i veçantë që i lejon përdoruesit të shkëmbejnë mesazhe të çastit me përdorues të tjerë.
3. mjek. Molekulë (acidi ribonukleik – ARN) e cila mbart informacionin e koduar që të sintetizohen proteinat nga ADN-ja, në vendin e sintezës së proteinave (ribozomet).
✱Sin.: lajmëtar, kumtues, njoftues, lajmërues, lajmprurës.
MULTIMEDIÁL,~E mb. Që kombinon tekstin, imazhin, audiot, videot etj.; që përdor multimedien; i multimedies. Aplikacion multimedial.
NDALÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pushim i shkurtër; qëndrim i shkurtër i një mjeti udhëtimi. Ndalesat në rrugë. Ndalesat e alpinistëve gjatë marshimit. Bën shumë ndalesa. Po shkonim drejt e në rivierë pa ndalesa.
2. Ndërprerje e përkohshme e një aktiviteti ose e një procesi, ndalim i punës. Ndalesat gjatë leximit. Ndalesë e shkurtër (e paparashikuar) e eksperimentit. Ndalesat e makinerisë. Punon pa ndalesa.
3. Vend ku qëndrojnë mjetet e udhëtimit për të hipur a për të zbritur udhëtarët, stacion. Ndalesat e autobusit. Zbriti në ndalesën pranë katedrales. Në ndalesën e tretë.
4. Sportel ku punonjës të shtetit ofrojnë shërbime të ndryshme fizikisht ose elektronikisht, si: dhënie e informacionit, pranim aplikimesh, dërgim kërkesash etj. Në sportelet me një ndalesë individët mund të marrin shërbime në mjedise me infrastrukturë moderne. Pikë shërbimi me një ndalesë. Zyra me një ndalesë.
5. Pengesë, vështirësi. Thyej çdo ndalesë. Nuk njeh ndalesë nuk ndalet para pengesave.
6. Shumë të hollash që mbahet për të shlyer një detyrim. Në aplikacion u shfaqën ndalesat e përmuajshme nga paga. Mori të dhëna të detajuara për pagën, për ndalesat, për shpërblimet.
7. Diçka që nuk lejohet të bëhet, të qenët i ndaluar. Ndalesa e abortit me ligj në disa vende. Urdhëresave dhe ndalesave të doktrinës. Situata të veçanta monopoli krijojnë ndalesa apo pengesa për zhvillimin.
✱Sin.: ndalje, shkyçje, ndalë, qëndresë, qëndrim, pushim, ndërprerje, stacion, vendqëndrim, ndalim, pengesë, vështirësi, gardh, mburojë, zbritje, mbajtje, heshtje.
PËRDORÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. I përdorshëm. Pajisje e përdorueshme. Aplikacion lehtësisht i përdorueshëm.
RRJET,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Tërësia e rrugëve, e kanaleve, e përçuesve, e vijave etj., që kanë lidhje ndërmjet tyre dhe që shtrihen në një vend të caktuar. Rrjeti elektrik (telefonik, televiziv, hidraulik). Rrjeti rrugor (hekurudhor, ajror). Rrjeti i internetit është shtrirë në çdo vend. Rrjeti i ujësjellësit (i ujërave të zeza, i kanaleve kulluese).
2. inf. Faqe interneti apo një aplikacion që u mundëson përdoruesve të komunikojnë me njëri-tjetrin duke postuar informacione, komente, mesazhe, fotografi, video etj. Rrjet social.
3. Tërësia e ndërmarrjeve, e institucioneve ose e organizmave të tjerë të njëjtë, që zhvillojnë veprimtari të përbashkët në një fushë; sistem. Rrjet shkollor (arsimor, tregtar). Rrjeti i shërbimit mjekësor po zgjerohet.
4. spec. Tërësia e vijave që hiqen në një hartë a në një rrafsh sipas një shkalle të caktuar për të shënuar vendin ku ndodhet një pikë; skemë. Përpunoj rrjetin gjeografik në kompjuter. Hedh rrjetin në hartë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë