Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
APÁTÍK,~E mb., mjek. Që ka rënë në apati, që nuk e shqetëson e nuk e tërheq asgjë, i plogët; që nuk u përgjigjet ngacmimeve të jashtme. Njeri apatik. Me natyrë apatike. Qëndrim apatik.
✱Sin.: i plogësht, i plogët, i pandjeshëm, moskokëçarës, shpërfillës, mospërfillës, i ftohtë, i mpitë, indiferent.
MOSKOKËÇÁRËS,~E mb. Që nuk shqetësohet e që nuk e çan kokën për dikë a për diçka, që nuk bëhet merak, që nuk tregon fare kujdes për diçka a për dikë; që shpreh moskokëçarje; kund. kokëçarje. Mbajti qëndrim moskokëçarës. U shfaq me një pamje moskokëçarëse. I hodhi një vështrim moskokëçarës. I kaloi ato vite në mënyrë moskokëçarëse.
✱Sin.: i mëveshët, i shkujdesur, mospërfillës, shpërfillës, apatik.
PANDJÉSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk është i aftë të kapë ngacmimet nga bota e jashtme ose që i kap ato me shumë vështirësi; që nuk u përgjigjet ngacmimeve të jashtme (për lëkurën ose pjesë të ndryshme të trupit); kund. i ndjeshëm. Lëkurë e pandjeshme. Vesh i pandjeshëm. Pjesë të pandjeshme të trupit.
2. Që nuk preket në ndjenja, që nuk ka zemër; që nuk i bën përshtypje pothuaj asgjë; i ftohtë. Njeri i pandjeshëm. Grua e pandjeshme. Me zemër të pandjeshme.
3. Që ka një ndryshim aq të vogël sa që nuk ndihet pothuajse fare, shumë i vogël. Ngritje (rritje, ulje) e pandjeshme. Dëme (humbje) të pandjeshme. Dallime të pandjeshme. Në mënyrë të pandjeshme pak.
4. Shumë i ulët, sa mezi dëgjohet.
5. spec. Që nuk pëson ndryshime nga ndikimi i jashtëm; që ka ndjeshmëri të ulët. Pllakë e pandjeshme.
✱Sin.: i ftohtë, i pandjenjë, i ngurtë, zemërftohtë, zemërakull, zemërgur, apatik, i pangacmueshëm, i papërfillshëm.
PLÓGËT (i, e) mb. 1. Që duket si i përgjumur kur ecën, kur flet ose kur bën diçka, tepër i ngadaltë e i ngathët; që nuk ka dëshirë e vullnet për të punuar; që është karakteristik për një njeri të tillë, që shpreh një gjendje të tillë; i mefshtë; kund. i shkathët; i gjallë. Njeri i plogët. Zë i plogët. Ishte i plogët në punë.
2. Që lëviz a ecën ngadalë, që s’ka gjallëri; që mezi shkon a mezi shtyhet. Lojë e plogët. Jetë e plogët. Ditë të plogëta.
3. fig. Që ka fuqi vepruese të ngadalshme. Lëndë e plogët. Gaz i plogët (kim.) gaz që nuk bashkëvepron a nuk lidhet kimikisht me lëndë të tjera.
✱Sin.: plogët, i plogësht, i plogshëm, plogan, plogajkë, plogujë, plogsh, plogarash, plogështan, plogështajkë, plogështojë, i ngathët, i ngurrët, i mefshtë, i flashkët, i pagjak, apatik, i përgjumur, i ngadalshëm, i ngadaltë, i ngalët, ngalaq, ngalakaq, i avashtë, i avashëm, i mëveshët, pasiv, i vakët, i plantë, i shastisur, shodol, i qullët, qullash, buf, lluq, i tultë, ngordhalaq, i shogët, përtac, mëngjarash, mendjeplogët, duarngrirë, duarmpirë, dorëtharë, duartharë, dorëthatë, duarthatë, krahëthatë, shalëngjitur, shalavriq, derëmbyllur, punëzi, letargjik.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë