Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
APATÍ,~A f., mjek. Gjendje plogështie shpirtërore e njeriut kur nuk i bën përshtypje asgjë dhe prandaj nuk kundërvepron ndaj ngacmimeve, pandjesi; moskokëçarje e plotë; mosinteresim për punën e për të tjerët; limonti. Apati e plotë. Apati mendore (shpirtërore, estetike). Bie (zhytet) në apati. Jeton në gjendje apatie. Jam në apati të thellë. Shkundem (dal) nga apatia.
✱Sin.: plogështi, pandjesi, moskokëçarje, limonti, indiferencë, ftohtësi.
APÁTÍK,~E mb., mjek. Që ka rënë në apati, që nuk e shqetëson e nuk e tërheq asgjë, i plogët; që nuk u përgjigjet ngacmimeve të jashtme. Njeri apatik. Me natyrë apatike. Qëndrim apatik.
✱Sin.: i plogësht, i plogët, i pandjeshëm, moskokëçarës, shpërfillës, mospërfillës, i ftohtë, i mpitë, indiferent.
LIMONTÍ,~A f. 1. Gjendja e një njeriu që rri pa punë ose që e kalon kohën kot; të ndenjurit pa bërë asgjë; amulli, plogështi. Ditë limontie.
2. Gjendje plogështie shpirtërore, kur njeriut nuk i bën përshtypje asgjë dhe nuk kundërvepron ndaj ngacmimeve, pandjesi; moskokëçarje e plotë dhe mosinteresim për punën e për të tjerët; amulli shpirtërore. Ra në limonti. E ka zënë një farë limontie.
✱Sin.: amulli, plogështi, apati, pandjesi, moskokëçarje.
MOSKOKËÇÁRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Mungesë kujdesi, shqetësimi e kokëçarjeje për diçka, shkujdesje; të qenët moskokëçarës. Moskokëçarja e tij për punën ishte sfiduese. Aksidenti u shkaktua nga moskokëçarja. Sillej (fliste, u përgjigj) me moskokëçarje.
✱Sin.: mosinteresim, shkujdesje, mëveshti, mospërfillje, shpërfillje, apati.
MËVESHTÍ,~A f. Gjendje plogështie shpirtërore, në të cilën njeriut nuk i bën përshtypje asgjë e prandaj nuk kundërvepron ndaj asnjë ngacmimi; moskokëçarje, pandjesi, apati. Vazhdon të lexojë me një mëveshti shembullore.
✱Sin.: plogështi, moskokëçarje, pandjesi.
PLOGËSHTÍ,~A f. 1. Të qenët i plogësht, vetia e atij që është i plogësht. Ka plogështi. Bie në plogështi. Doli nga plogështia.
2. fiz. Plogëti.
✱Sin.: plogëti, plogështim, ngathtësi, mefshtësi, apati, letargji, mëveshti, vaktësi, përtesë, amulli, amullim, këputje, amti, gjumë, gjumësi, topitje, avashllëk, dobësi, inerci.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë