Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►APASION/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR psikol., vetv. Pasionohem, jepem me zjarr ndaj dikujt ose ndaj diçkaje. Apasionohem pas leximit. Apasionohet pas kafshëve. U apasionua pas pikturave. Nuk apasionohet lehtë.
✱Sin.: jepem, rrëmbehem, përkushtohem, pasionohem.
►JÉP/EM jovep., DHÁSHË (u), DHË́NË 1. vetv. Më tërheq shumë dikush a diçka, e dua shumë, më rrëmben; i kushtohem me zell një gjëje, kam dëshirë të zjarrtë të merrem me diçka; e lëshoj veten pas diçkaje, më është bërë ves diçka. Jepem pas nënës (pas familjes, pas fëmijëve, pas shoqërisë). Jepem pas punës (pas librave, pas muzikës, pas pikturës, pas sportit...). Është dhënë pas shkencës. Ishte dhënë pas pijes (pas rakisë, pas lojës, pas kumarit, pas qejfeve). Ishte dhënë pas lekut. U dha plotësisht (i tëri, me mish e me shpirt).
2. fig., vetv. Thyhem përpara vështirësive, përpara kundërshtarit etj. dhe tërhiqem, nuk i bëj dot ballë dikujt a diçkaje, e lëshoj veten, dorëzohem; i bie dikujt në dorë, i dorëzohem. Vendi (qyteti, fshati, kështjella) nuk u dha. S’jepem i gjallë. Iu dha kokë e këmbë. Jepet shpejt (lehtë).
3. njëvet. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Kam prirje të veçantë për të bërë një gjë, kam aftësi për të kuptuar mirë dhe shpejt diçka, më vjen ndoresh; më shkon menjëherë në mendje, më vete mendja aty për aty si t’ia bëj, si ta zgjidh shpejt diçka. I jepet për çdo gjë. S’i jepet për muzikë. Si t’u dha? S’m’u dha t’i përgjigjesha (t’i flisja, ta lajmëroja).
4. vetv., kryes. v. III. Dukem, dal menjëherë, shfaqem papritur. U dhanë vullnetarët. U dhanë të gjithë. U dha kamioni te kthesa. U dha dita (mëngjesi). U dha në derë.
5. vetv., vet. v. III Përkulet, lakohet, epet. Jepet teli (purteka). Jepen majat e plepave.
6. pës., vet. v. III e JAP. I jepet rëndësi vlerësohet. S’i jepet besë nuk i besohet. U dha një darkë (një pritje). Jepen lajmet. U jepet ndihmë. M’u dha rasti m’u dha mundësia të bëja diçka. Jepej me qira. Jepen me shumicë (me pakicë).
✱Sin.: nepem, epem, dorëzohem, nënshtrohem, mposhtem, bie, përkushtohem, apasionohem, shtihem, prirem, dukem, shfaqem, lidhem, përkulet, lakohet, epet.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë