Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANTILÓP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Antilope) Gjitar i egër ripërtypës i vendeve të Azisë e të Afrikës, me pamje e madhësi të ndryshme, me brirë të gjatë, me lëkurë me qime të shkurtra, me këmbë të gjata, që vrapon shumë shpejt. Kope antilopash. Këmbëshpejtë si antilopa. Çantë antilope.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje antilopash: Antilopa bricjape (lat. Capricornis sumatraensi) antilopë e zakonshme, gazelë. Antilopa bricjape japoneze (lat. Capricornis crispus) antilopë e ngjashme me dhinë, me brirë të gjatë e me lëkurë në ngjyrë kafe të errët a të hapët. Antilopa bridre (lat. Antilope cervicarpa) antilopë e ngjashme me drerin, me brirë të zgavruar, të drejtë ose të lakuar, me këmbë të gjata e të holla dhe me një tufë flokësh në bishtin e shkurtër. Antilopa bridredhur (lat. Tragelaphus strepsiceros) antilopë me trup të madh, me bisht të gjatë, me lëkurë në ngjyrë kafe a gri e kaltër në të kuqërremtë, me vija të bardha në trup. Antilopa brihollë (lat. Pelea capreolus) gazelë e vogël afrikane shumë e shpejtë dhe e shkathët, me lëkurë në ngjyrë gri të zbehtë në të kuqërremtë e me veshë të gjatë e të ngritur lart. Antilopa brikthyer (lat. Hippotragus niger) antilopë që jeton në savanet e Afrikës Jugore dhe të asaj Lindore, me kreshtë në pjesën e epërme të qafës, me brirë në formë unaze që shtrihen prapa në formën e një shpate. Antilopa brisfurk (lat. Antilocapra americana) antilopë bribardhë, që jeton në perëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Kanadasë dhe të Meksikës, me trup të trashë, me këmbë të gjata e të holla, me thundra të mprehta, që mund të kërcejë deri në tetë metër gjatësi, kur vrapon. Antilopa briunazë e malit (lat. Tragelaphus buxtoni) antilopë me gëzof të hirtë ngjyrë kafe, me dy deri në pesë shirita të bardhë në shpinë, në fytyrë, në fyt e në këmbë, me bisht të gjatë deri te thembrat, me veshë të mëdhenj shumë të ndjeshëm e me qime të bardha, që jeton në pyje të larta malore. Antilopa e butë (lat. Alcelaphus buselaphus) antilopë me lëkurë në ngjyrë kafe të errët te meshkujt e në ngjyrë kafe në të verdhë te femrat, me bisht të gjatë, që jeton në kope dhe ushqehet në mëngjes herët dhe në pasdite vonë. Antilopa e egër (lat. Connochaetes gnu) antilopë njëthundrake, me kokën si të demit e me trupin si kalit; gnuja, antilopa e zakonshme, antilopa afrikane. Antilopa e hirtë e vogël (lat. Raphicerus campestris) antilopë e vogël, me trup të hijshëm, me sy të vegjël, me lëkurë në ngjyrë gështenjë të zbehtë në pjesën shpinës e në ngjyrë të bardhë nga barku, me një njollë të bardhë në fyt dhe mbi sy. Antilopa jugafrikane (lat. Damaliscus lunatus lunatus) antilopë e madhe, me brirë të gjatë unazorë, me gëzof qimeshkurtër dhe të shndritshëm në ngjyrë kafe në të kuqërremtë, me bisht me tufë të zezë, me bark të bardhë, me këmbët e para dhe kofshët me njolla ngjyrë gri, vjollcë të errët ose të kaltër të mbyllët, me gjymtyrët e pasme ngjyrë kafe të verdhë, që jeton në tufa e ushqehet në kullota të hapura. Antilopa gjigante jugafrikane (lat. Taurotragus derbianus) antilopë shumë e madhe, me brirë të përdredhur. Antilopa e kaltër (lat. Boselaphus tragocamelus) antilopë trupmadhe e Azisë, me këmbë të holla, me shpinë të pjerrët, me qafë të thellë me një njollë të bardhë në fyt, me kreshtë të shkurtër e qime përgjatë qafës që përfundon në një tufë dhe me njolla të bardha në fytyrë, që vrapon duke galopuar. Antilopa e kallamishtes (lat. Redunca arundium) antilopë me gëzof të shndritshëm, me lëkurë në ngjyrë të hirtë kah e kafenjta, më e çelët në qafë dhe në kraharor e me barkun në ngjyrë të bardhë, me brirë të shtrembër (mashkulli) e pa prirë (femra); antilopa e kallamishtes malore. Antilopa katërbrirëshe (lat. Tetracerus quadricornis) antilopë e vogël me këmbë të holla dhe me bisht të shkurtër, me katër brirë të gjatë, që rri në tufa të vogla e që ushqehet me barishte, shkurre, gjethe, lule, fruta etj. Antilopa e kepit (lat. Taurotragus oryx) antilopë trupmadhe e fushave dhe e savaneve, që ushqehet kryesisht me bar dhe gjethe e jeton në tufa të mëdha. Antilopa e kënetave (lat. Tragelaphus spekei) antilopë me trup mesatar, me bisht të gjatë, me veshët si disk, me lëkurë në ngjyrë të kuqe dhe gështenjë me njolla të bardha në fyt, afër kokës dhe në gjoks. Antilopa kërcyese (lat. Aepyceros melampus) antilopë me trup mesatar, që rritet në Afrikën lindore dhe jugore, që është shumë e shkathët e që vrapon duke kërcyer. Antilopa larane (lat. Damaliscus dorcas) antilopë trupmesatare briunazore, e ngjashme me rinoqerontin e bardhë, me gëzof ngjyrëgështenjë ose të kafenjtë, me barkun të bardhë, me njolla të bardha te hunda, te sytë dhe midis brirëve, me feçkë katërkëndëshe. Antilopa e lumit (lat. Kobus ellipsiprymnus, Limnotragus silatunga) antilopë trupmadhe, që jeton në vise nënsahariane, me lëkurë në ngjyrë kafeje dhe të hirtë, me brirë të gjatë si spirale (vetëm mashkulli), që ushqehet në tufë e në kullosa pranë burimeve të ujit; dhia e ujit. Antilopa e vogël e malit (lat. Oreotragus oreotragus) antilopë e vogël, e fortë, e shkathët, me veshë të shkurtër të shënuar me ngjyrë të zezë, me mjekër të bardhë dhe me brirë të shkurtër me majë që i ka vetëm mashkulli. Antilopa mbretërore (lat. Neotragus pygmaeus) antilopë trupvogël, në madhësinë e një lepuri, me këmbë të gjata dhe të holla, me këmbët e pasme më të gjata se këmbët e parme, me gëzof të butë me ngjyrë të kuqërremtë dhe kafe në shpinë, me barkun e pjesën e brendshme të këmbëve në ngjyrë të bardhë, me një brez të kafenjtë që përshkon gjoksin e barkun dhe me brirë shumë të vegjël me ngjyrë të zezë të lëmuar në trajtë koni. Antilopa e ujit (lat. Kobus leche) antilopë truplartë e thundërgjerë, me gëzof në ngjyrë si thjerrëza e kuqe, të errët ose të zezë, me barkun të bardhë, brirët e mashkullit janë në trajtë spiraleje, me gjymtyrët e pasme më të gjata se të përparmet. Antilopa xhuxhe (lat. Madoqua) antilopë trupshkurtër, që jeton në vise malore në lartësi deri dy mijë metër në zonat e Afrikës lindore dhe jugore; antilopa mbretërore.
GNU,~JA f. sh. ~, ~TË zool. (lat. Connochaetes) Antilopë e Afrikës. Gnuja bishtbardhë. Gnuja laramane. Gnuja mjekërbardhë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë