Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ASNJANËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. 1. E bëj një shtet ose një vend të jetë asnjanës, të jetë i paanshëm. Ai i ka politizuar dhe i ka asnjanësuar grupet.
2. I heq mundësinë të veprojë; e bëj të paaftë të veprojë, i dobësoj fuqinë. Asnjanësoj një kundërshtar. Asnjanësoj ndikimin e dikujt. Asnjanësoj një pozicion.
3. kim. I heq diçkaje vetitë acide me anë të reaksionit me një bazë ose anasjelltas. Asnjanësoj një tretësirë.
4. spec. I heq diçkaje një veti karakteristike (ngjyrimin, ngarkesën etj.) dhe e bëj asnjanës. Asnjanësoj një forcë. Asnjanëson ngarkesën e një grimce.
✱Sin.: paanësoj, neutralizoj, mënjanoj, bllokoj, eliminoj.
BOSHT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Shkop i shkurtër, i holluar në të dyja majat, që përdoret për të tjerrë dhe për të mbledhur fillin, duke e rrotulluar me dorë, drugë, drugëz; pjesë e makinës së tjerrjes që shërben për të dredhur dhe për të mbledhur fillin, dredhës, mëqik; sasia e fillit e mbledhur në një shkop të tillë. Me furkë e me bosht. Dredh boshtin. Mbledh në bosht. Ndërroj boshtet. Boshtin shtëllungë e tora! (folk.). I dha boshtin e ngarkoi të tjerrë (lesh, li etj.); fig. e vuri të punojë, e vuri në punë. Fëmija i vogël- si boshti i tjerrë. (fj. u.).
2. mek., aut. Pjesë e makinave, e mjeteve dhe e veglave të punës, që ka trajtën e një druri të rrumbullakët dhe që shërben për të bashkuar rrotat ose pjesë të tjera që rrotullohen a që lëvizin. Boshti qendror (kryesor). Boshti i qerres. Boshti i dërstilës (i mullirit). Boshti i çadrës. Makinë me dy boshte. Bosht i bashkorit bosht që përcjell lëvizjen nga bashkori në grupin e ingranazheve. Bosht bërrylor (me bërryla) bosht gungor; kollodok. Bosht gungor (bosht me gunga) bosht që kontrollon lëvizjet e valvulave të motorit me djegie të brendshme. Bosht kryesor (parësor) bosht që e përcjell lëvizjen nga motori në pjesët e tjera të makinës. Bosht lëkundës bosht me leva, i mbështetur në qafa, që lëkundet në vend që të rrotullohet dhe që përcjell lëvizjet alternative në motorët me avull. Bosht motorik bosht në një makinë ose në një motor, që përdoret për të kthyer lëvizjen vajtje-ardhje drejtvizore në lëvizje rrotulluese ose anasjelltas; bosht me gunga. Bosht ngarës bosht që përcjell përdredhjen ose rrotullimin në boshtin e rrotave. Bosht i shkallëzuar bosht me seksione që kanë diametra të ndryshëm. Bosht i shlizuar bosht me disa kanale rrethore. Bosht i shpërndarjes bosht me disa gunga; bosht gungor. Bosht i shtangët bosht që nuk përcjell lëvizje.
3. Pjesë kryesore e një mjeti a e një vegle pune, ku lidhen pjesë të tjera më të vogla; shtizë. Boshti i parmendës.
4. spec. Drejtëz që kalon përmes qendrës së simetrisë ose përmes qendrës së rëndesës së një trupi; vija e mesit për së gjati një trupi. Boshti horizontal (pingul). Boshti optik. Boshti i simetrisë. Boshti i rrotullimit. Boshti i tangjenteve. Boshti i rrugës. Boshti i tunelit. Boshti i koordinatave (mat.) njëra nga drejtëzat që ndërpriten në sistemin e koordinatave. Boshti i koordinatave (mat.) një nga drejtëzat (x ose y) që ndërpriten në sistemin e koordinatave. Bosht i madh (mat.) më i madhi nga dy boshtet e elipsit. Bosht optik (fiz.) vijë e përfytyruar e drejtimit të rrezes së dritës pa dy përthyerje. Bosht i përfytyruar (mat.) bosht pingul (y) në diagramin e Argandit ose në një plan të përbërë. Bosht i simetrisë (gjeom) vijë që ndan një figurë në dy pjesë simetrike në mënyrë të tillë që njëra anë të përputhet plotësisht me anën tjetër. Bosht i vogël (mat.) më i vogli nga dy boshtet e elipsit.
5. astr. Vijë e përfytyruar që bashkon dy polet e një trupi qiellor, duke kaluar përmes qendrës së tij. Bosht i tokës vijë e drejtë e përfytyruar, që kalon përmes qendrës së Tokës dhe të dy poleve rreth së cilës ajo bën një rrotullim të plotë në 24 orë. Boshti i planetit.
6. Pjesa qendrore, pjesa e mesit e diçkaje, e përfytyruar për së gjati (kryesisht për bimët dhe për pjesët e tyre). Boshti i misrit (i grurit). Boshti i rrënjës. Boshti i trungut (të drurit). Bosht i këmbës (anat.) kërciri i këmbës. Boshti i kurrizit (anat.) shtylla kurrizore. Bosht i plakës (lat. Lepidium draba) (bot.) bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të trashë e të drejtë, deri tetëdhjetë cm të lartë, me push të dendur, që nxjerr gjethe të ngushta përgjatë kërcellit dhe lule të bardha si tufë në majë të tij.
7. fig. Drejtimi kryesor i një pune ose i një veprimtarie; vija kryesore ideore e një vepre shkencore, letrare etj.; vija themelore rreth së cilës shtjellohet një veprim, një tok ngjarjesh etj.; pjesa që mban peshën kryesore. Boshti kryesor. Boshti i debateve shkencore. Boshti i punës. Boshti i dramës (i romanit). Boshti i ngjarjeve. Boshti i rrëfimit. Kanë një bosht të përbashkët semantik (gjuh.). Boshti i fuqive të mëdha.
8. fig. Njeriu a gjëja kryesore për diçka; ai që mban barrën më të madhe a që luan rolin kryesor në diçka; fig. shtylla, mbështetja. Boshti i shoqërisë. Boshti i suksesit. Boshti i të gjitha të këqijave.
✱Sin.: drugë, drugëz, dredhës, mëqik, shtizë, shtyllë, mbështetje, strumbullar, direk.
♦ (U bë) si boshti i furkës (dikush) u dobësua e u hollua shumë; ka rënë shumë nga shëndeti prej ndonjë sëmundjeje a nga pleqëria; mbeti gisht; u bë shkop; u bë gjalmë; u bë fshikull; u bë kallam. (Del) si boshti para furkës (dikush) keq. flet e thotë mendimin e vet para se t’i vijë radha, hyn në bisedë kur nuk i takon për të folur ose futet pa radhë në një veprim edhe kur nuk i kërkohet; flet para të mëdhenjve, nuk respekton rendin; (del) si mëzi para pelës; (del) si kërriçi para gomarit. Ç’ngre *maja e boshtit.
DRÉJTË (i, e) mb. 1. Që është pa lakime, pa dredha, pa shtrembërime e nga njëri skaj te tjetri pa kthesa, që shkon në një drejtim, që zgjatet drejt; që nuk pritet me një tjetër; kund. i shtrembër. Vijë e drejtë. Rrugë (udhë) e drejtë. Gardh (mur) i drejtë. Fill i drejtë. Shkop i drejtë. Me trup të drejtë. Me këmbë të drejta. E ka hundën të drejtë. I ka degët të drejta. Druri i drejtë, mjeshtri i keq (fj. u.). E drejtë është dhe pushka, por shtie ndonjëherë shtrembër. (fj. u.). I drejtë mund të jetë vetëm ai që është njerëzor. (fj. u.).
2. Që ka sipërfaqe të sheshtë e të papërkulur, që nuk është me gropa, me nyja a me gunga; kund. i shtrembër. Trung (tra, dërrasë) me faqe të drejta. Dysheme e drejtë. Kalldrëm i drejtë. Çati e drejtë.
3. Që është pingul me një rrafsh, i pingultë; që qëndron drejt, që nuk priret a nuk kërruset nga njëra anë; kund. i shtrembër; i pjerrët. Plep (qiparis) i drejtë. Shtyllë e drejtë. Mur i drejtë. Shkrim i drejtë. Kon i drejtë (gjeom.) Cilindër i drejtë (gjeom.).
4. Që ka tipare të rregullta, i rregullt; kund. i shtrembër. Me fytyrë të drejtë.
5. fig. Që mendon, gjykon e vepron në përputhje me të vërtetën, që nuk i mban anën askujt; që flet hapur, pa fshehur gjë e pa bërë dredhi; i çiltër; kund. i padrejtë. Është njeri i drejtë. Ashtu siç është i mençur dhe i fortë, është dhe i drejtë. (fj. u.).
6. fig. Që mbështetet në të vërtetën a që i përgjigjet së vërtetës, realitetit; që mbron të vërtetën, drejtësinë, lirinë, përparimin, të mirën kundër së keqes; që nuk ka gabime e shtrembërime; kund. i padrejtë. Fjalë e drejtë. Mendim (gjykim, veprim) i drejtë. Politikë (vijë) e drejtë. Çështje e drejtë. Luftë e drejtë. Fjala e drejtë është e hidhur. (fj. u.).
7. Që është provuar shkencërisht, që është vërtetuar nga praktika; i vërtetë; kund. i gabuar. Tezë (teori) e drejtë. Taktikë e drejtë. Përfundim i drejtë. Doli se ishte e drejtë.
8. fig. Që përputhet me parimet e me kërkesat e shoqërisë e të moralit ose që bëhet sipas rregullave e ligjeve; që është me vend, i arsyeshëm; kund. i padrejtë. Shoqëri e drejtë. Marrëdhënie (lidhje) të drejta. Është në rrugë të drejtë. E çoi (e solli, e ktheu, hyri, u vu) në rrugë të drejtë.
9. fig. Që bëhet ashtu siç duhet, i mirë; që bëhet sipas rregullave e ligjeve; që është me vend, i arsyeshëm; kund. i gabuar. Normim i drejtë. Shfrytëzim i drejtë i kohës së punës. Kuptim i drejtë i një çështjeje. Dënim i drejtë. Kërkesë (ankesë) e drejtë.
10. mat. I tillë që rritja e njërës anë ose e njërit faktor sjell rritjen e anës ose të faktorit tjetër dhe anasjelltas; kund. i zhdrejtë. Përpjesëtim i drejtë.
11. spec. Që bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, që kryhet jo tërthorazi; që bëhet pa ndërmjetësinë e dikujt a të diçkaje tjetër; i drejtpërdrejtë; kund. i zhdrejtë, i tërthortë. Kënd i drejtë (gjeom.). Kundrinor i drejtë (gjuh.). Ligjëratë e drejtë (gjuh.). Përpjesëtim i drejtë (mat.). Pjalmim i drejtë (bot.). Rasë e drejtë (gjuh.).
✱Sin.: i pakthyer, i palakuar, i papërkulur, i rrafshët, i pingultë, i rregullt, i ndershëm, i çiltër, i sinqertë, i vërtetë, i mbështetur, i bazuar, i arsyeshëm, i mirë, i shëndoshë, i drejtpërdrejtë.
♦ I drejtësi *drapri iron. I drejtë si *laku (dikush) iron. Ka hyrë në *rrugë (në udhë) të drejtë (të mbarë). Është në *rrugë (në udhë) të drejtë (të mbarë). E sjell në *rrugë (në udhë) të drejtë (të mbarë). E sjell në udhë (në *rrugë) të drejtë (të mbarë) (dikë). Në *vijë të drejtë.
ELEKTROAKUSTÍK/Ë,~A f., fiz. Degë e fizikës dhe elektronikës që studion shndërrimin e valëve zanore në rrymë elektrike dhe anasjelltas.
MAGJÍK,~E mb. 1. Që përdor fuqitë e magjisë për të realizuar gjëra të pamundura; që ka të bëjë me magjinë, i magjisë. Ka një shkop magjik. Fluturoi me qilimin magjik. Hap kyçin magjik. Përdor unazën magjike. Pasqyra magjike fliste të vërtetën. Di formula (fjalë) magjike. Shfaq fuqi magjike. Ai veshi çizmet magjike.
2. Që të josh me forcë të madhe si me magji, që të sjell kënaqësi të madhe me cilësitë misterioze të jashtëzakonshme që ka; tërheqës, joshës, i mrekullueshëm, magjepsës. Ajo vajzë njihej për burinë e saj magjike.
3. Që ka ndikim të madh, të fshehtë e të pashpjegueshëm mbi dikë ose diçka. Nëna kishte aftësi magjike për të të qetësuar. Asaj iu duk se aparati magjik ia shëroi veshin. Pushteti vendor është një çelës magjik.
4. Pjesë e dytë e togut sy magjik, i cili është një vrimë e vogël e rrumbullakët në derë, e mbuluar me xham zmadhues përmes të cilit mund të shohësh nga brenda jashtë, por jo edhe anasjelltas.
✱Sin.: tërheqës, joshës, i mrekullueshëm, magjepsës.
♦ *Çelës magjik. *Shkop magjik. Me *shkopin magjik.
MERÁ/K,~KU m. sh. ~KE, ~KET dhe ~QE, ~QET bised. 1. Dëshirë e madhe për të marrë vesh a për të mësuar diçka për një njeri, për një ngjarje ose për një gjë tjetër; kureshtje. Ka merak ta dijë. Sa për të hequr (sa për të nxjerrë) merakun.
2. Dëshirë e madhe a lakmi që ka dikush për të provuar diçka, për të pasur një gjë që nuk e ka etj. Kishte merak (i ka hipur merak) për një biçikletë të re. Plasi nga meraku për çokollatën që kishte sjellë ajo. Hëngri dhe e nxori merakun.
3. Shqetësim i madh që ndiejmë për një njeri të afërm a të dashur kur është larg, kur është i sëmurë ose kur ndodhet në një gjendje të keqe; shqetësimi dhe përgjegjësia që ndiejmë për diçka. Ka merak për djalin (për vajzën). U sëmur nga meraku për të birin. Meraket e prindërve s’kanë të sosur. Ka merak për punën. Më ha meraku për diçka shqetësohem shumë, merakosem. S’e zë meraku për asgjë. E futi në merak e shqetësoi shumë. Jam në merak për dikë a për diçka shqetësohem, merakosem. Fle me merak. Mos ki merak! mos u shqetëso! E hoqi merakun nuk shqetësohet më, u qetësua.
4. Dashuri e një mashkulli për një femër dhe anasjelltas, sevda. Pati (zuri, hodhi) merak në të ra në dashuri. E zuri meraku. U martuan me merak. Iu bë merak ajo e dashuroi.
5. Kujdesi i madh që tregojmë për një punë a për diçka tjetër dhe përpjekja për ta kryer atë sa më mirë. Ndërtesë (punë) e bërë me merak. E punoi me merak.
6. Të dhënët me mish e me shpirt pas diçkaje, prirje për t’u marrë me diçka, gjakim. Ka merak për muzikë (për sport). Merakun e ka për gjueti i pëlqen gjuetia. Ka merak të madh pas librave.
7. Dyshim, frikë a pasiguri që kemi përpara diçkaje të panjohur, të dëmshme a të rrezikshme, të papastër etj. Kishte merak se mos i ngjiste sëmundjen. Ka merak t’i japë dorën. Pije pa merak!
8. Dyshim që kemi për dikë. Më ha meraku se ai e ka bërë. Merakun e ka tek ai. M’u hoq meraku për të.
9. fig. Peng; gozhdë. Më mbeti merak që s’ia dhashë. I mbeti merak që s’e pa. Merak në zemër e kam që s’erdha.
✱Sin.: dëshirë, kureshtje, lakmi, shqetësim, kujdes, brengë, kasavet, përgjegjësi, gajle, qeder, dert, dashuri, sevda, sëkëlldi, gjakim, dyshim, frikë, pasiguri, peng.
♦ Bëhem merak (për dikë a për diçka) shqetësohem shumë, merakosem; nuk jam i qetë, se nuk e di si është. Më ha meraku se... dyshoj se..., kam dyshim se... Nuk më ha meraku (për dikë a për diçka) nuk shqetësohem fare për dikë a për diçka, nuk dua t’ia di për të. E kam merak vetë (diçka) iron. di unë si ta vërtis punën, shqetësohem e merrem unë me diçka, që ta bëj si dua vetë. E kam merak (në zemër) (diçka) shihe kam peng (në zemër) (diçka). Më mbeti merak (në zemër) (diçka) shih më mbeti peng (në zemër) (diçka). Nxora merakun (për dikë a për diçka) e pashë a e provova dhe e di si është, jam i qetë që është mirë, nuk kam më merak, nuk jam më i shqetësuar. Vuri (zuri) merak (në diçka) i pëlqeu shumë dhe do patjetër ta ketë, e do; nis t’i pëlqejë dikush e ta dashurojë. S’e zë meraku (dikë) nuk pyet fare për dikë a për diçka, nuk shqetësohet, as që do t’ia dijë; nuk bëhet merak (dikush); nuk i bëhet vonë (dikujt); nuk çan kokën (dikush).
NÁT/Ë,~A f. sh. NET, NÉTËT 1. Koha që kur erret deri në agim, në pjesën e Tokës që, gjatë rrotullimit të saj, nuk ndriçohet nga Dielli; errësira gjatë kësaj kohe; kund. ditë. Natë e gjatë (e shkurtër). Natë e errët. Netët e bardha (polare). Natë dimri (vjeshte). Natë pa hënë. Nata e Vitit të Ri. Natën e asaj dite. Errësira e natës. Mesi i natës. Një ditë e një natë. Gjatë natës. Për natë. Çdo natë. Gjithë (tërë) natën e natës. Nata me natë. Natë për natë. Net me radhë. Që me natë pa u gdhirë; herët në mëngjes. Në mes (në pikë) të natës. Në orën një të natës. Me dy orë natë. U bë natë. Ra (erdhi) nata. U thye nata. Kaloi një natë. E gdhiu gjithë natën. E zuri nata diku. Para se të zërë nata. Natën e mirë! përshëndetje kur ndahen dy njerëz në mbrëmje ose urim për të fjetur mirë. U bë natë në fytyrë u bë sterrë, u nxi në fytyrë. Nata është me barrë. (fj. u.) nata ka të papritura, nuk dihet se ç'ndodh. Dita ka sy e nata ka veshë. (fj. u.).
2. Përdoret si pjesë e dytë në disa togje, të cilat shënojnë diçka që lidhet me kohën nga të ngrysurit deri në mëngjes ose kryhet në këtë kohë a nevojitet për këtë kohë. Rojë nate. Shërbim nate. Turni i natës. Këmishë nate.
3. Përdoret si pjesë e dytë përcaktuese në emërtimet e disa kafshëve ose disa bimëve. Lakuriq nate. Flutur nate. Zog nate. Lule nate.
4. bised. Përdoret kur i drejtohemi me dhembshuri një gruaje me kuptimin «e mjera, e zeza, korba».
5. etnogr. Pjesë e parë e emërtimeve të ndryshme për festa a për ditë të shënuara. Nata bojës (etnogr.) dita kur fillon dasma në shtëpinë e vajzës. Nata e Buzmit (etnogr.) nata e Krishtlindjeve kur bëhet edhe riti i vënies në zjarr të buzmit, si dhe kryhen një numër praktikash që synojnë sigurimin e mbarësisë dhe të pjellorisë si bekim nga festa e buzmit. Nata e çojës (etnogr.) nata e fundit e qëndrimit të barinjve në bjeshkë para se të çohen të nesërmen herët për të udhëtuar nga bjeshka në vërri ose anasjelltas; festohet me të ngrëna të mira, sidomos me prodhime të qumështit dhe raki, duke uruar që t’u shkojë udhëtimi mbarë. Nata e kanës (nata e konaxheçit, nata e kollit) (etnogr.) nata kur e vë kanën vajza, rit që lajmëron ditën kur fillon dasma në shtëpinë e vajzës. Nata e Kshtellave (etnogr.) nata e Krishtlindjeve. Nata kulaçit (etnogr.) dita (zakonisht dita e mërkurë) kur gatuhet kulaçi në shtëpinë e dhëndrit me rastin e fillimit të dasmës. Nata e peshtelkave (etnogr.) një natë para se të marrin nusen ose para dasmës së synetisë, kur vajzat dhe nuset vishen me kostumin tradicional kombëtar; të gjitha pjesëmarrëset në këtë natë vështrojnë me xhelozi se cila nga dasmoret i ka më të bukura veshjet. Nata e qeshkekut (etnogr.) nata në shtëpinë e djalit kur të rinjtë e shtypin grurin që nusja të sjellë bereqet; zakonisht të rinjtë e rrotullojnë gurin që të tregojnë se a janë të pjekur për martesë. Nata pulës (etnogr.) nata para fillimit të dasmës kur bëhet sofër e mirë me pula të pjekura dhe luhet e vallëzohet deri në mëngjes. Oj nana lules, nana lules, sonte te ne nata e pulës (folk.). Nata e Kadrit [Nata e Katrave] (etnogr.) nata kur të afërmit shkojnë e bëjnë shërbime tek varret dhe falen.
✱Sin.: errësirë, terr, sterrë, i errët, i ngrysur, i nxirë.
♦ E bëj natën *ditë. *Ditë e natë. Si *dita me natën. Natë e ditë shih ditë e natë. Si nata me ditën me shumë dallime njëri nga tjetri; e kundërta e njëri-tjetrit, as që mund të krahasohen; si dita me natën. E ndez *kandilin pa rënë nata (dikush)
NDËRKAL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. 1. E kaloj bisedën nga një temë në tjetrën. Kur u shndërrova në dikë tjetër, unë s’kisha më frikë, - nisi t’ia ndërkalonte bisedën varrmihësi.
2. Kaloj nga një anë në tjetrën; lëviz në një nivel tjetër. Teknikat shkrihen, ndërkalojnë te njëra-tjetra. Letërsia që ndërkalon nga modernizmi te postmodernizmi dhe anasjelltas.
NGIL,~I m. 1. Lojë fëmijësh ndërmjet dy a më shumë vetëve, ku secili pjesëmarrës i mban gishtat e vegjël të duarve lidhur me njëri-tjetrin dhe, nëse e prek tjetrin kur s’i ka gishtat lidhur, i thotë ngil dhe ai quhet i humbur derisa ta bëjë të njëjtën gjë anasjelltas. Fëmijët e lagjes po luanin ngil.
2. Fjalë që e thotë me zë të lartë fituesi gjatë kësaj loje.
3. fig. Situatë në të cilën ia hedhim dikujt me zgjuarsi. Ia lë ngil dikujt. Ia la ngilin e shkoi.
NËNSTACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Qendër me pajisje elektrike, ku shndërrohet tensioni nga i ulët në të lartë e anasjelltas; nëncentral. Nënstacion elektrik. Nënstacion i tensionit të lartë. Rikonstruksioni i nënstacionit.
2. Qendër ndërmjetëse, që lidh dy stacione, që lidh dy stacione telefonike ose dy stacione kryesore të radios.
3. Njësi policore me strukturë më të vogël, nën varësinë e një komisariati. Nënstacion policor.
QÁRKULLÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur qarkullojmë ose kur qarkullohemi. Qarkullim i shpejtë (i ngadaltë). Qarkullim i dendur (i rrallë). Qarkullimi i këmbësorëve. Qarkullimi i mjeteve. Qarkullimi në qytet. Rregullat e qarkullimit. Qarkullimi rrugor. Qarkullimi nga ana e djathtë. Qarkullimi nga ana e majtë. Qarkullim topi në fushë (sport.). Ndalohet qarkullimi.
2. Varg shndërrimesh ose procesesh, që kryhen duke e përshkuar një rrugë a një rreth sipas një rregullsie të përsëritur; pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta e të qëndrueshme. Qarkullimi i gjakut (fiziol.) lëvizja e vazhdueshme e gjakut nga zemra nëpër arterie deri tek enët më të vogla të gjakut dhe pastaj nëpër vena përsëri në zemër e në mushkëri. Qarkullim i madh i gjakut. Qarkullim i vogël i gjakut lëvizja që bën gjaku nga barkushja e djathtë në mushkëri. Qarkullim i mbyllur. Qarkullim ujor qarkullimi që bën uji në tokë dhe në atmosferë. Qarkullimi i ujit në natyrë avullimi i ujit nga toka dhe rënia e tij përsëri në trajtë reshjesh. Qarkullim azoti procesi i lëvizjes së azotit nga atmosfera në tokë dhe anasjelltas, përmes të cilit përcaktohen rrugët e ardhjes së azotit në tokë dhe të humbjes së tij. Qarkullimi bujqësor këmbimi sistematik dhe metodik i kulturave bujqësore brenda të njëjtit vit, nga njëri vit në tjetrin, që lidhet edhe me bimët që kanë një periudhë të shkurtër prodhimi. Sistemi njëvjeçar (dyvjeçar) i qarkullimit të kulturave bujqësore. Qarkullim ushqimor cikël a rrugë rrethore nëpërmjet së cilës lëvizin elementet ose molekulat kimike të një ekosistemi; cikël gjatë të cilit qarkullojnë elementet nëpërmjet faktorëve të ekosistemeve, si uji (hidrosfera), toka (litosfera) dhe ajri (atmosfera); cikël biogjeokimik. Qarkullimi njëkulturor qarkullimi bujqësor, gjatë të cilit në të njëjtën ngastër toke kultivohet e njëjta bimë nga viti në vit. Qarkullim shumëkulturor qarkullimi bujqësor kur kultivohen në të njëjtën ngastër toke në mënyrë të njëpasnjëshme bimë të ndryshme. Qarkullim i automatizuar. Qarkullim i dokumenteve sistemi i qarkullimit të dokumenteve me nënshkrim elektronik. Qarkullim i kontrolluar i librit (i gazetës). Qarkullim i kufizuar. Qarkullim i librave ndërmjet personelit. Qarkullim i përgjithshëm.
3. ek., fin. Shitje e blerje e prodhimeve dhe e mallrave; përdorimi i të hollave në veprimet tregtare e financiare; sasia e mallrave të shitura brenda një kohe, e shprehur në të holla. Qarkullimi i mallrave. Qarkullimi i parave. Qarkullimi i kapitalit. Vëllimi i qarkullimit. Mallra me qarkullim të ngadaltë. Hedh në qarkullim e nxjerr në shitje (një mall, një prodhim); nxjerr të përdoret në veprime (një monedhë). Doli në qarkullim doli në shitje. E hoqën nga qarkullimi.
4. Përdorim i diçkaje nga shumë njerëz dhe për një kohë të vazhdueshme. Hyn në qarkullim një fjalë e re. Është në qarkullim në rrethet shkencore. Nxjerr në qarkullim një këngë të re. Ka dalë nga qarkullimi nuk përdoret më.
5. Kalim në një detyrë tjetër si metodë për të përtëritur përbërjen e organeve drejtuese, për të shmangur rrezikun e burokratizimit të nëpunësve, duke i kaluar këta në një detyrë ose në një vend tjetër. Qarkullimi i nëpunësve. Qarkullim në bazë. Bëj qarkullimin. Shkon (vjen) me qarkullim.
6. Pajisje e automjeteve me një dokument që vërteton gjeneralitetet e automjetit dhe pronësinë e tij; autorizim; dokument; librezë. Leje qarkullimi e makinës. Qarkullim prove autorizim për qarkullim prove për mjetet që qarkullojnë për prova teknike e eksperimentale.
✱Sin.: ecje, lëvizje, kalim, rrotullim, përcjellje, shpërndarje, shitblerje, përhapje, shndërrime, zhvendosje.
SHTEGT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. 1. Bëj udhë të gjatë, zakonisht me këmbë a me kafshë; udhëtoj në vende të huaja. Ka shtegtuar shumë.
2. Shkoj vazhdimisht nga një vend në një vend tjetër, duke marrë me vete gjithë ç'kam, bëj jetë endacake. Shtegtonin vazhdimisht.
3. Shkoj nga një vend në një vend tjetër për punë a për një qëllim të caktuar; shkoj nga kullotat verore në kullota dimërore e anasjelltas (për bagëtitë dhe barinjtë e tyre). Shtegtojnë larg. Shtegtonin me kopetë e tyre. Shtegtojnë qytezat së bashku me vullnetarët.
4. vet. v. III Largohet në vjeshtë për të shkuar në vende të ngrohta dhe kthehet përsëri në pranverë (për shpendët). Shtegtuan dallëndyshet (lejlekët).
5. kal. E shpie nga një vend në një vend tjetër për kullotë të mirë (për bagëtitë a për bletët). I shtegtojnë bagëtitë (bletët).
♦I shtegton *mendja (dikujt).
TUND vep., ~A, ~UR kal. 1. Lëviz dikë a diçka disa herë; lëkund, përkund; valëvit; shkund. Tund djepin (krevatin). Tund fëmijën. Tund kolovajzën. Tund flamurin.
2. Lëkund a shkund diçka, zakonisht disa herë, sa nga një anë në tjetrën, sa para prapa ose sa lart poshtë; lëviz nga një anë në tjetrën ose para e prapa (kokën, krahët etj.). Tund degën (pemën). Tund kokën nga lart poshtë pohoj. Tund kokën nga e majta në të djathtë (ose anasjelltas) mohoj. Qeni tund bishtin. Tund këmbët. E tund nga supet. I tund dorën dikujt e përshëndet. Zogu tundte krahët. Tund zilen (këmborën). Mos e tund, se po fle. Tërmeti i tundi shtëpitë. Na tundi makina tërë rrugës. Tund shishen kur e laj llokoçit. Tund shishen me raki për të parë rruazat. Tund nga themelet trand, trondit. Tund dhe lëkund diçka fort tundulloj.
3. Lëkund lehtë; bën të lëvizë lehtë a të valëvitet diçka në ajër (për gjethet, për flamurin etj.). Era tundte gjethet (flamujt, rrobat, barin).
4. Rrah qumështin a kosin në tundës për të nxjerrë gjalpë. Tund qumështin (kosin). Tund në tundës.
5. edhe fig. E lëviz dikë nga vendi ku është ngulur, e bëj të luajë nga vendi; e shkund nga plogështia, e bëj të punojë, e lëviz. Mezi e tundi nga vendi. S'ka njeri që e tund atë.
6. moh. Nuk më bën të dorëzohem, të heq dorë a të luaj nga imja; s'tutem, s'më trembet syri. S’e tund asgjë. S’më tund dot nga imja. As e vrau, as e tundi.
7. bised. Shquhem, dallohem në një veprimtari a në ndonjë rast tjetër, ia bëj fora, lë nam të mirë. E tundën partizanët në luftë. E tundi në mbledhje! E kemi tundur mbrëmë! E tundi në dasmën e të birit. Tundi skenën. E tundën futbollistët tanë në fushën kundërshtare.
8. Bëj gjithçka, s’lë gjë pa bërë për të arritur një qëllim; bëj përpjekje e zhurmë të madhe për të arritur timen; nuk lë gur pa lëvizur për të arritur një qëllim; kthej botën përmbys. Tundi malet. Tundi dynjanë. E tundi, po s'nxori gjë. Do ta tundë për këtë punë.
✱Sin.: lëviz, lëkund, përkund, luhat, përhedh, djepoj, londit, shalakat, trand, tundulloj, shkund, dynd, zhabarit, llokoçit, llapashit, luaj, rrah, tundulloj, valëvit, valëzoj, trondit, shkund, shquaj, dalloj.
♦ I tund (i luan) *bishtin (dikujt) keq. Tund *degën e ullirit (dikush) iron. Hyn e del e tund *peshqirin (dikush) mospërf. Tund (luan) *derën (e hanit) (dikush). E tund (e përkund) në *djep (dikë). S’i kam tundur *djepin (dikujt). I tund *gishtin (dikujt). Tund e ha (dikush) gjithçka që fiton e harxhon, nuk vë mënjanë diçka, nuk kursen. Tund *këmbët (dikush). Tundi *këmbën (këmbët) (dikush) mospërf. iron. Tund pallën (*shpatën) (dikush). Tund (dredh) *shaminë (dikush) keq. Tund e mos shkund (dikush) shih mbjell e nuk korr1 (dikush). Tund *shpatën (pallën) (dikush). S’e tund (s’e luan) (as) *topi (dikë a diçka). Tund (luan) *vithet keq. vulg. Tund (dredh) *zinxhirin (dikush) keq.
ZHDRÉJTË (i, e) mb. 1. spec. I tërthortë, që nuk bëhet drejtpërdrejt; që bëhet nëpërmjet të dikujt a të diçkaje tjetër; që bëhet në drejtim tjetër a në drejtim të kundërt; kund. i drejtë. Raport i zhdrejtë. Përdorim i zhdrejtë. Pyetje e zhdrejtë. Tregim i zhdrejtë (let.) tregim që i bëhet jo nga autori i veprës, por nëpërmjet një personazhi. Reaksion i zhdrejtë (kim.) reaksion, gjatë të cilit lënda e krijuar shpërbëhet përsëri në elementet e saj. Pjalmim i zhdrejtë (bot.) pjalmim që bëhet ndërmjet dy luleve. Fjali pyetëse e zhdrejtë (gjuh.) fjali, në të cilën pyetja bëhet në mënyrë të tërthortë. Kundrinor i zhdrejtë. (gjuh.). Ligjëratë e zhdrejtë. (gjuh.). Rasë e zhdrejtë. (gjuh.).
2. mat. Që është i tillë saqë rritja e njërës anë ose e njërit faktor sjell zvogëlimin e anës tjetër ose të faktorit tjetër dhe anasjelltas; kund. i drejtë. Përpjesëtim i zhdrejtë. Rregulla e treshit e zhdrejtë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë