Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ALKOÓL,~I m. sh. ~E, ~ET kim., mjek. 1. Lëng pa ngjyrë, që avullohet e ndizet shpejt dhe që nxirret nga distilimi i verës, i lëngjeve të frutave të ndryshme, nga drithërat etj. dhe që përdoret në mjekësi, në industri etj. Alkool i pastër (i çnatyruar). Alkool rrushi (kumbulle, dardhe, misri...). Fabrikë (punishte) alkooli. Llambë me alkool. Fërkoj (pastroj) me alkool. Pastroi plagën me alkool. Metanoli dhe etanoli janë dy lloje alkoolesh.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje alkooli: Alkool etilik alkool me veti antiseptike, që përdoret në pije alkoolike, si në verë, birrë etj., si dhe në industri si tretës. Alkool metilik alkool që përdoret në industri si tretës që dëmton rëndë shëndetin, duke shkaktuar verbëri dhe vdekje.
3. kryes. sh., kim. Bashkime organike, që dalin nga hidrokarburet duke zëvendësuar një a disa atome të hidrogjenit me grupin prej një atomi oksigjeni e një hidrogjeni. Alkool parësor (dytësor). Alkool druri.
4. bised. Pije e fortë dehëse, raki. Dëmet e alkoolit. Pi alkool.
►ALKOOLIZ/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Pi vazhdimisht e me tepri pije alkoolike, saqë arrij një gjendje të sëmurë; bëhem i varur nga alkooli, bëhem i alkoolizuar. Alkoolizohem çdo natë me shoqërinë time.
2. vetv., vet. v. III. Shndërrohet në alkool.
3. pës. e ALKOOLIZÓJ. U alkoolizua në moshë shumë të re.
ALKOOLPÍRËS,~E mb. Që pi alkool me tepri; pijanec.
ALKOOLPÍRËS,~I m. sh. ~, ~IT Ai që pi alkool me tepri; pijanec.
ALKOOLPÍRËS/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Ajo që pi alkool me tepri, pijanece.
ANTIBAKTERÓR,~E mb., mjek. Që ka të bëjë me masat dhe mjetet kundër baktereve; që lufton bakteret; kundërbakterial. Dezinfektim antibakteror. Bar antibakteror. Prodhim antibakteror. Sapun (shampo, krem, alkool etj.) antibakteror.
DEH vep., ~A, ~UR kal. 1. I jap dikujt të pijë alkool, derisa t’i turbullohet mendja e të humbasë kontrollin e vetvetes. E dehu me raki (me verë, me konjak). E dehën avujt e kazanit të rakisë.
2. fig. Ia turbulloj mendjen dikujt, e çoj në një gjendje kënaqësie të madhe shpirtërore sa të harrojë gjithçka tjetër. E dehën lavdërimet (sukseset). E dehu muzika.
DISTILÚESHËM (i),~ME (e) mb., tek. Që mund të distilohet, që i nënshtrohet distilimit; i kullueshëm. Alkool i distilueshëm. Lëndë të para kimike të distilueshme. Vaji esencial i limonit është i distilueshëm dhe mund të përftohet me avull.
DJEG vep., DÓGJA, DJÉGUR kal. 1. I vë zjarrin diçkaje a e hedh në zjarr dhe e bëj shkrumb e hi, e shkatërroj, e asgjësoj a e prish në zjarr; e dëmtoj diçka me zjarr a me një send shumë të nxehtë, e përflak, e shkrumboj. Djeg drutë (barin, kashtën). I dogjën shtëpinë. Djeg me benzinë. Djeg në zjarr (në flakë). E dogji fare. I dogjën kufomat. Dogji flokët (vetullat). Dogji këmishën (fustanin, pantallonat). E dogji rrobën me hekur. Shqiptari për mikun djeg shtëpinë. (fj. u.).
2. Përcëlloj një pjesë të trupit në zjarr a në flakë; bëj një plagë në trup me zjarr, me hekur a me ujë shumë të nxehtë, me lëndë gërryese etj.; përvëloj. Dogji dorën (këmbën, gishtat, gjuhën, buzët). E dogji me acid. I dogji duart në gëlqere. Kur ka mashën, pse të djegë dorën. (fj. u.). Duhet t’i frysh lugës para se të të djegë. (fj. u.).
3. Skuq, ziej a pjek jashtë mase diçka në zjarr, sa merr një ngjyrë të errët a të zezë ose shije të hidhur (zakonisht për gjellët e lëndët ushqimore); ciknos; skuq shumë miellin, gjalpin etj. për të gatuar një gjellë. E dogji gjellën (bukën, mishin, tavën, lakrorin). Djeg vajin (gjalpin). Djeg sheqerin (miellin).
4. Harxhoj një lëndë në zjarr a në flakë për ngrohje, për ndriçim, për gatim etj.; konsumoj. Djeg dru (qymyr, vajguri). Djeg shumë benzinë (elektrik). - Mos e digj kot dritën! Cungu i moçëm, s’e lëshon zjarrin pa u djegur. (fj. u.).
5. Prish gjatë përdorimit një llambë elektrike, një mjet elektrik a një aparat, motor etj. që punon me rrymë elektrike. E dogji llambën (motorin, radion). E dogji kompjuterin e prishi rryma elektrike.
6. Dezinfektoj një plagë, një lugë etj. me një bar të caktuar a e përcëlloj me hekur të nxehtë për ta mjekuar. E dogji vendin e prerë me alkool (me jod). Më parë i digjnin plagët me hekur.
7. vet. v. III E than shumë, e dëmton aq shumë sa fishket a thahet dhe prishet. E dogji vapa duhanin. I dogji thatësira të lashtat.
8. Lëshon nxehtësi të madhe, është shumë i nxehtë, përvëlon. Djeg shumë dielli. Djeg hekuri. Të djeg gjella. Të djeg dielli i mesditës.
9. vet. v. III (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). Ta përcëllon a ta bën plagë lëkurën ose të jep djegësirë në gojë, në fyt, në stomak etj, (për disa bimë, disa lëndë e mjete gërryese, disa lloje ushqimesh etj.). E dogjën hithrat. Ia dogji duart acidi. Më djeg brisku. Qepa (hudhra, piperi) të djeg. E dogji rakia në grykë.
10. vet. v. III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Kam zjarrmi ose ndiej djegësirë në trup a në një pjesë të tij. I djeg balli (fytyra, koka). I djegin duart. Më djegin sytë. Më djeg fyti (stomaku). Po i fryve tymit, do të të djegin sytë. (fj. u.).
11. fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. k. a me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dh.). Më bën të brengosem e të vuaj shumë, më mundon, s'më lë të qetë; më vjen hidhur, s'më pëlqen diçka; më ngacmon, më ther. E dogji malli (dashuria, dëshira). I dogjën fjalët e mia. I dogji kritika (shakaja). I dogji ai shikim. - E di unë ku i djeg atij.
12. fig., bised. E marr më qafë dikë, e fik; e bëj të humbasë e të dalë jashtë lojës ose jashtë garës. E dogji, e përvëloi. E dogji keq. E dogjën pa të drejtë. E dogji kundërshtarin. Ia dogjën dy lojtarë.
13. edhe fig., bised. Bëj që diçka të shkojë dëm, e bëj të pavlefshëm; bëj t'i dështojë dikujt plani që kishte përgatitur. Ia dogjën biletat. E dogjën fondin. Ia dogji planet. Ia dogji diskutimin.
14. bised. Pi duhan, e ndez. E djeg ndonjëherë.
15. Nxeh shumë me zjarr e me flakë një furrë të re para se ta vë në përdorim; nxeh furrën para se të fut në të diçka që të piqet. Djeg furrën.
16. Pjek në furrë tullat; pjek në furrë gurin gëlqeror për të bërë gëlqere. Djeg tulla (tjegulla). Djeg gëlqere. Dogji pesë furra gëlqere.
✱Sin.: përflak, përflakoj, hijoj, frugulloj, shkrumboj, përdjeg, pjek, zhurit, zhuzhit, përvëloj, përcëlloj, fërgoj, cërrit, ndez, mbaroj, konsumoj.
♦ T’i djeg *barkat (dikush) libr. Dogji (përvëloi) *dheun (dikush). Djeg *etapat (dikush) libr. E dogji *hithra (dikë). I djeg *kësula (dikujt). Më djeg *lëkura. Ia dogji (ia përvëloi) *lëkurën (dikujt). I djeg *miza (në shapkë) (dikujt). Djeg e pjek (dikush) vret e pret këdo, bën dëm në masë, shkatërron çdo gjë e nuk do t’ia dijë nga askush. Ia dogjën *pleshtat (dikujt) tall. Djeg (përmbys) *shtëpinë ((për dikë). Më djegin *veshët. Edhe i *ha, edhe i djeg (dikujt) iron. bised. Ku të *dhemb e ku të djeg. Kujt i djeg (i ha) le të kruhet! ai që ka gabuar le ta kuptojë; nuk bëhem merak fare, se vetë ai ka faj dhe le ta kuptojë. As të *pjek e as të djeg (dikush). Ma dogji *xhanin (dikush). Ma dogji (ma përvëloi) *zemrën (shpirtin) (dikush). E djeg me *zjarr (diçka).
DÓBËT (i, e) mb. 1. Që e ka trupin të pafuqishëm ose të hollë, të thatë e të brishtë; që e ka lënë fuqia (nga mungesa e ushqimit, nga ndonjë sëmundje, nga lodhja, mundimet etj.) (për njerëzit e për kafshët); që ka pak forcë fizike, që nuk i ka të gjitha vetitë e aftësitë e duhura fizike për t'i kryer mirë funksionet e veta; që mezi u qëndron kushteve të vështira natyrore, punëve të lodhshme, sëmundjeve etj. (për pjesët e organet e trupit); jo i shëndoshë; kund. i fortë, i shëndoshë. Fëmijë (plak) i dobët. Kalë (ka) i dobët. Me trup të dobët. Me krahë (me muskuj, me qafë) të dobët. I dobët nga trupi (nga krahët, nga këmbët).Me duar (me këmbë) të dobëta. E ka zemrën të dobët. I ka mushkëritë (veshkat) të dobëta. I ka veshët (sytë, nervat) të dobët. Ka lindur (ka mbetur) i dobët. E la sëmundja të dobët. Miza e dobët të pickon më tepër. (fj. u.).
2. Që nuk ka dhjamë e që ka pak vlera ushqyese, që nuk është i majmë (për mishin e për kafshët që theren); kund. i shëndoshë; i majmë. Mish i dobët. Berra të dobët.
3. Që thyhet, këputet, griset, çahet, shthuret, shprishet, rrëzohet a prishet lehtë, kur mbi të ushtrohet një forcë e jashtme (për shkak të vetive të lëndës, nga e cila përbëhet ose të mënyrës së punimit a të ndërtimit); që nuk mban a nuk duron shumë; jo i fortë; kund. i fortë, i qëndrueshëm. Dru i dobët. Tulla (tjegulla) të dobëta. Letër e dobët. Xham i dobët. Mur (gardh, ledh, cfrat) i dobët. Urë e dobët. Shkallë (shtylla) të dobëta. Me themele të dobëta. Pe (tel, krehër) i dobët. Pëlhurë (stof, lëkurë, mushama) e dobët. Këpucë (çorape) të dobëta.
4. Që nuk është i lidhur e i shtrënguar fort, i lirshëm; që nuk është i ngjitur mirë. Nyjë e dobët. Lidhje e dobët. Ngjitje e dobët.
5. spec. Që nuk ka shumë forcë, që shfaqet, lëviz a vepron me fuqi të paktë e ngadalë; jo i theksuar; kund. i fortë, i fuqishëm. Erë e dobët. Rrjedhë (rrymë, dallgë) e dobët. Goditje e dobët. Puls i dobët. Tërmet i dobët. Dritë e dobët. Zë i dobët.
6. edhe fig. Që nuk është shumë i qartë e i dukshëm, që nuk është i thellë, i theksuar a i përvijuar mirë; i zbehtë, i cekët; kund. i thellë; i qartë. Gjurmë (shenja, vija) të dobëta. Ngjyra të dobëta. Mbresa (përshtypje) të dobëta. Parafytyrim i dobët.
7. Që është në një shkallë më të ulët nga mesatarja për shkak të të metave të ndryshme të organeve të trupit; kund. i fortë; i mprehtë. Shikim i dobët. Ndijim i dobët. Nuhatje e dobët. E ka kujtesën të dobët.
8. Që ka pak fuqi lëvizëse a tërheqëse, që ka pak energji; që ka aftësi vepruese të kufizuar; kund. i fuqishëm (edhe spec). Motor i dobët. Rryma të dobëta (elektr.). Pushkë (kobure) e dobët. Hark i dobët.
9. Që nuk vepron menjëherë ose në mënyrë të ndjeshme në organizëm (për ilaçet etj.); që nuk ka shumë alkool ose thartor, i butë (për pijet etj.); kund. i fortë. Bar (ilaç) i dobët. Duhan i dobët. Raki (verë) e dobët. Uthull e dobët. Tretësirë e dobët.
10. Që nuk ka aftësi të madhe sulmuese a mbrojtëse dhe frymë të lartë luftarake, që mund të thyhet me lehtësi; kund. i fortë, i fuqishëm. Ushtri e dobët. Njësi e dobët. Mbrojtje kundërajrore (bregdetare) e dobët. Pikë e dobët e frontit.
11. Që nuk ka ekonomi të shëndoshë; që nuk mbështetet në baza të qëndrueshme, nuk ka ndikim të gjerë të njerëzit, nuk gëzon përkrahjen e masave dhe nuk ka pushtet të fortë e autoritet,; kund. i fortë, i fuqishëm. Shtet (vend) i dobët. Qeveri e dobët. Regjim i dobët. Klikë e dobët.
12. I pafuqishëm nga ana ekonomike; që ka pak të ardhura; i varfër; kund. i fortë, i fuqishëm. Është i dobët ekonomikisht.
13. I një cilësie jo të mirë, që nuk plotëson kërkesat e duhura. Prodhime (mallra) të dobëta. Grurë (misër, pambuk) i dobët. Tokë e dobët tokë e varfër, jopjellore. Gjellë e dobët. Vepër (vjershë) e dobët. Roman (tregim, artikull, studim) me përmbajtje (me gjuhë) të dobët.
14. Që nuk është ose nuk bëhet në masën, në shkallën a në lartësinë e duhur, që ka mjaft të meta; jo i plotë, i pamjaftueshëm, i pakënaqshëm. Punë (stërvitje) e dobët. Lojë e dobët. Mësim i dobët. Disiplinë e dobët. Kontroll i dobët. Ndihmë e dobët. Lidhje të dobëta. Pjesëmarrje e dobët.
15. Që ka dije, aftësi e shprehi të pakta ose i përvetëson këto me vështirësi; që nuk e zotëron mirë profesionin e vet, që nuk e kryen mirë detyrën a punën e vet ose që nuk e njeh mirë një lëndë a një fushë të caktuar; që nuk ecën përpara si duhet në një punë; i paaftë;; kund. i fortë. Nxënës (student) i dobët. Mësues (mjek, shkrimtar, lojtar) i dobët. Klasë (skuadër) e dobët. Orkestër e dobët. I dobët në matematikë (në fizikë, në gjuhë).
16. Që nuk ka baza të shëndosha dhe që nuk të bind, që nuk ka forcë bindëse; që nuk mbështetet në diçka të sigurt. Argumente (prova) të dobëta. Arsyetim i dobët. Mbrojtje e dobët. Shpresa të dobëta.
17. Që nuk bëhet me tërë forcën e duhur, me këmbëngulje dhe në mënyrë të vendosur e të plotë. Kërkesa të dobëta. Përpjekje (përçapje, orvatje) të dobëta. Protesta (kundërshtime) të dobëta.
18. fig. Që nuk ka karakter a vullnet të fortë, që ligështohet para vështirësive e goditjeve, që nuk ka kockë të fortë; që ndikohet e preket lehtë, që nuk e përmban veten në rrethana të rënda dhe përkulet shpejt, tepër i butë e i prekshëm; që nuk është i qëndrueshëm, i vendosur e i patundur; kund. i fortë. Njeri i dobët. Me karakter (me vullnet) të dobët. E ka zemrën të dobët. U tregua i dobët.
19. Që ka veti të ulëta ose qëllime e synime të këqija; që bie në kundërshtim me rregullat e me normat morale të shoqërisë dhe nuk pëlqehet e nuk pranohet prej saj; i ulët. Njeri i dobët. Sjellje e dobët. Qëndrim (veprim) i dobët. Me moral të dobët.
✱Sin.: i pashëndet, i pafuqishëm, fuqiprerë, fuqipaktë, i sëmurë, i ligur, i hequr, i lëmekët, trupdobët, trupbrishtë, shëndetlig, i tukequr, i thatë, i mekur, i shuar, i paktë, i bëshnjakur, shtatanik, eshtak, kockanjar, i zbrujtur, i grymosur, hallkeq, i varfër, ngordhalaq, delikat, anemik, rakitik, verdhacuk, i brishtë, i hollë, dështak, i paaftë, i pazoti, i pavendosur.
♦ *Baltë e dobët. E ka zemrën (shpirtin) të dobët (dikush) është shumë i butë a i ndjeshëm, s’e duron dot të keqen; ligështohet lehtë; ka zemër të dobët; kund. e ka zemrën të fortë. *Pikë e dobët.
FÓRTË (i, e) mb. 1. Që i qëndron peshës, shtypjes a veprimit të një force të jashtme, që nuk thyhet, nuk thërrmohet, nuk çahet, nuk këputet a nuk prishet lehtë; i ngjeshur, i ngurtë, i qëndrueshëm; kund. i dobët. Mur i fortë. Dru i fortë. Shkëmb i fortë. Arrë e fortë. Laps i fortë. Tokë e fortë. Bukë e fortë.
2. Që nuk ndryshon lehtë trajtën e vet kur ushtrohet mbi të një forcë, që nuk epet a që nuk shtypet lehtë; që përkulet a që përpunohet me vështirësi (për metalet); kund. i butë. Tel i fortë. Metale të forta. Sustë e fortë.
3. Që është i ashpër në sipërfaqe, që të shpon a të vret kur e prek; kund. i butë. Sipërfaqe e fortë. Mjekër e fortë. Qime të forta.
4. Që ka forcë të madhe trupore, që ka qëndresë, i fuqishëm; i shëndetshëm, jo i sëmurë; kund. i dobët. Burrë i fortë. Grua e fortë. Me trup të fortë. Ka mushkëri të forta (zemër të fortë). Është bërë i fortë.
5. Që del ose që shfaqet me forcë të madhe dhe të vret veshin a syrin, që vepron shumë mbi dikë a mbi diçka, jo i shtruar, jo i butë, jo i ëmbël; kund. i butë. Zë i fortë. Ngjyra të forta.
6. fig. Që ka karakter të qëndrueshëm e vullnet të çeliktë, që nuk trembet nga vështirësitë, që i duron pa u epur vuajtjet, që nuk përkulet; që nuk ndikohet lehtë e nuk preket shpejt, që e përmban veten në rrethana e kushte të rënda; kund. i butë. Njeri i fortë. Me zemër të fortë. Tregohem i fortë.
7. Që ka pjerrësi të madhe; që formon menjëherë një kënd të ngushtë dhe kalohet me vështirësi; kund. i butë. Tatëpjetë e fortë. Kthesa të forta.
8. Që bie me forcë e në sasi të madhe (për shiun etj.); që ka forcë e shpejtësi të madhe (për erën); i madh. Shi (breshër) i fortë. Erëra të forta.
9. Që shoqërohet me të ftohtë të madh, me ngrica, me acar e me stuhi (zakonisht për dimrin); i ashpër, i madh; kund. i butë. Dimër i fortë.
10. Që nuk mund të thyhet lehtë, që ka forca të mëdha, është i armatosur mirë etj. (për një ushtri); që ka themele të qëndrueshme e ekonomi të zhvilluar (për një shtet); që ka unitet të plotë e lidhje të ngushta (për një parti; organizatë etj.); i fuqishëm; kund. i dobët. Ushtri e fortë. Shtet i fortë.
11. Që bëhet me energji e me forcë të madhe, shumë i vrullshëm; i fuqishëm; kund. i dobët. Sulm i fortë. Ndeshje e fortë. Qëndresë e fortë.
12. fig. I rreptë, i prerë e pa lëshime. Disiplinë e fortë. Rregull i fortë. Kërkesa të forta. Masa të forta. Censurë e fortë.
13. Që vepron me forcë të madhe, që shfaqet në një shkallë të lartë; i qëndrueshëm. Ethe të forta. Vullnet i fortë. Mbështetje e fortë.
14. I rreptë, i ashpër; i vrazhdë; që ka forcë të madhe goditëse; kund. i butë. Përgjigje e fortë. Kritikë e fortë.
15. Që karakterizohet nga një luftë e madhe mendimesh e pikëpamjesh, që ka kritikë të ashpër; i zjarrtë, i flaktë. Diskutim i fortë. Debate të forta.
16. Që e zotëron mirë një profesion a që e kryen mirë punën e vet; që i përvetëson mirë e shpejt dijet; shumë i ditur; i zoti; kund. i dobët. Mjek i fortë. Nxënës i fortë. Lojtar i fortë.
17. Që të lë gjurmë të thella, që nuk shlyhet lehtë nga kujtesa, që të prek e të mallëngjen shumë, i thellë; i qëndrueshëm. Mbresa (përshtypje) të forta. Ndjenja të forta.
18. Që ka baza të shëndosha e të mbush mendjen, bindës. Argumente të forta. Logjikë e fortë.
19. Që ka alkool ose thartor në sasi të madhe; që të djeg fytin kur e pi a kur e thith (për pijet, duhanin); kund. i butë. Raki (verë) e fortë. Uthull e fortë. Duhan i fortë.
20. Që përmban shumë lëndë të tretur në të dhe që vepron menjëherë në organizëm. Kafe e fortë. Bar (ilaç) i fortë. Helm i fortë.
21. edhe fig. I fuqishëm. Ekonomi e fortë. Përkrahje e fortë. Teleskop i fortë.
✱Sin.: i ngjeshur, i ngurtë, i qëndrueshëm, i stralltë, thepak, i fuqishëm, i shëndetshëm, guracak, gurës, i gurtë, shtyllak, gungës, i thantë, i ashpër, i madh, i rreptë, i vrazhdë, i zjarrtë, i flaktë, i aftë, i zoti, i thellë, bindës, i theksuar, i durueshëm, i pathyeshëm, i rëndë, i thellë, tehmprehtë, i zjarrtë, i flaktë, i prushtë, i vendosur.
♦ *Arrë (kaçkë) e fortë. *Asht i fortë. *Dorë e fortë. *Kaçkë (arrë) e fortë. E ka kokën të fortë (dikush) është kokëfortë; e ka kokën gur. Ka *limë të fortë (dikush). Ka *themele të forta (dikush). Ka *zdrukth të fortë (dikush). E ka zemrën (shpirtin) të fortë (dikush) duron e përballon dhembje të mëdha shpirtërore, nuk e lëshon veten, nuk ligështohet; e ka zemrën gur; e ka zemrën hekur; ka lindur prej gurit. *Kockë e fortë. *Kthesë e fortë. Me të fortë me zor, me pahir. Myka e di sa e fortë është gozhda (fj. u.) ai që e bën punën e di se ç'vështirësi ka ajo. *Uthull e fortë (e sertë) keq. Uthulla e fortë prish enën e vet (fj. u.) kush nxehet kot, pa shkak, dëmton veten. Me *zemër të fortë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë