Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ALEÁT,~E mb., libr. 1. Që bën pjesë në një aleancë, që është anëtar i një aleancë; që u përket aleatëve. Vende (shtete, fuqi) aleate. Ushtritë aleate. Fuqitë aleate. Forcat aleate fituan betejën.
2. Që lidhet e bashkërendon veprimet me një tjetër për qëllime të njëjta, që bashkëpunon ngushtë me një tjetër dhe e përkrah atë. Bashkëpunëtor aleat. Shtetet aleate nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit.
✱Sin.: besëlidhës, besëtar, besatar bashkëluftues, bashkëpunues.
ALEÁT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET libr. 1. Anëtare e një aleance; besëlidhëse. Aleate parimore. Marrëveshje me aleaten. Aleate e Shqipërisë (e Kosovës).
2. Ajo që lidhet e bashkërendon veprimet me një tjetër për qëllime të njëjta; përkrahëse aktive e dikujt. Aleate besnike (e ngushtë). Aleate serioze. Nënshkroi marrëveshjen me aleaten. Aleate lufte.
✱Sin.: besëlidhëse, besëtare, besatare, bashkëpunëtore, bashkëpunuese, mbështetëse, bashkëluftuese, përkrahëse, ndihmuese, partnere, mike, besnike.
BASHKËRENDÚES,~E mb., libr. 1. Që shërben për të bashkërenduar diçka, që bën bashkërendimin. Organ bashkërendues. Mekanizëm bashkërendues. Veprime bashkërenduese. Forca bashkërenduese. Hartimi i një plani bashkërendues. Mbështetja bashkërenduese e forcave aleate.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit. Bashkërenduesi i punëve (i planeve). Bashkërenduese e shoqatave.
LÚFT/Ë,~A f. sh. ~ËRA, ~ËRAT 1. Ndeshje e armatosur ndërmjet shtetesh a forcash kundërshtare, që zhvillohet zakonisht me një varg betejash; koha sa vazhdon kjo ndeshje dhe gjendja që krijohet ndërmjet palëve që ndeshen; përleshje e armatosur ndërmjet forcash ushtarake kundërshtare në një vend të caktuar, betejë, luftim; kund. paqe. Luftë çlirimtare. Luftë mbrojtëse (sulmuese). Luftë e padrejtë (shkatërrimtare). Luftë civile (qytetare). Luftë bërthamore (bakteriologjike, kimike). Luftë e ashpër (e përgjakshme). Luftë tokësore (ajrore, detare). Lufta e Parë (e Dytë) Botërore. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta e Vlorës. Lufta për çlirimin e Tiranës. Lufta dhe paqja. Lufta kundër pushtuesve të huaj dhe tradhtarëve të vendit. Heronjtë (dëshmorët) e luftës për çlirim. Ligjet e luftës. Anije lufte. Rob lufte. Plaçkë lufte. Gjurmët (dëmet) e luftës. Dëmshpërblimet e luftës. Sheshi i luftës. Në kohën e luftës. Që nga lufta e këtej. Përpara luftës. U bë luftë. Bëri luftë luftoi. U kthye nga lufta. Ra (u vra) në luftë. Ndodhen në gjendje lufte. Nisi (plasi, pushoi, mori fund) lufta. I shpalli luftë. Hyri në luftë. Ka marrë pjesë në luftë. Luftë civile (pol., hist.) konflikt që përfshin përballjen midis dy apo më shumë grupe kundërshtare brenda një shteti, luftë e qytetarëve që ishin në vartësi të pushtetit të njëjtë shtetëror. Luftë guerile (pol., hist.) luftë e armatosur e zhvilluar nga njësi të parregullta, që përpiqet për transformime shoqërore politike dhe e kundërshton pushtetin e shtetit; teknikë lufte, taktike dhe strategjike, zakonisht mësymëse, e përdorur në territorin e pushtuar nga armiku në lidhje me operacionet tradicionale nga forcat aleate.
2. Ndeshje e ashpër dhe e papajtueshme ndërmjet sistemesh, klasash, grupesh shoqërore a partish kundërshtare; veprimtari goditëse që organizohet e zhvillohet nga një klasë, nga një parti, nga një sistem shoqëror etj. për të mposhtur e për të asgjësuar palën kundërshtare, veprimtarinë e saj dhe gjithçka që i shërben asaj. Luftë politike (ideologjike, ekonomike, diplomatike). Luftë e nxehtë luftë me armë. Luftë e ftohtë (soc.) luftë politike, ideologjike, ekonomike etj. (pa armë). Luftë parimore. Lufta e klasave. Lufta ndërmjet dy sistemesh. Lufta e klasave (ideol.) luftë ideologjike, politike, ekonomike, kulturore etj. që u bë në Shqipërinë moniste, kundër klasës së pasur duke i dhënë përparësi sundimit të klasës punëtore e të fshatarësisë kooperativiste. Një uri që dukej se nuk ua shuante dot as lufta e klasave. Luftë e shenjtë (fet.) koncept fetar që i referohet një lufte të shpallur nga një autoritet fetar ose një grup besimtarësh për të mbrojtur ose përhapur besimin e tyre, shpesh me justifikime të shenjta dhe shpirtërore. Në histori, lufta e shenjtë ka përfshirë fushata ushtarake të udhëhequra nga fetë e ndryshme për të mbrojtur territore të shenjta ose për të shpëtuar besimtarët nga kërcënime të jashtme.
3. edhe fig. Përpjekje këmbëngulëse për të mënjanuar a parandaluar, për të çrrënjosur a për të asgjësuar diçka të dëmshme ose për të kapërcyer pasojat e rënda të diçkaje. Lufta për emancipimin e gjithanshëm. Lufta kundër dëmtuesve të bimëve. Lufta kundër sëmundjeve ngjitëse (kundër malaries). Lufta kundër vërshimeve të lumenjve (kundër gërryerjes së tokës, kundër thatësirës). Lufta kundër pasojave të tërmetit.
4. Ballafaqim e ndeshje ndërmjet dy mendimesh, pikëpamjesh, ndjenjash, qëndrimesh, prirjesh, shfaqjesh etj. që janë të papajtueshme. Luftë e brendshme. Luftë mendimesh (ndjenjash). Lufta e të kundërtave. Lufta e së mirës me të keqen (me të ligën). Lufta e së resë me të vjetrën.
5. Përpjekje e madhe, këmbëngulëse dhe e pandërprerë për t'ia arritur patjetër një qëllimi, duke kapërcyer me guxim vështirësitë e pengesat. Lufta për liri e pavarësi. Lufta për drejtësi shoqërore. E arriti me luftë. Zhvilluan luftë të ashpër sportive.
6. bised. Përleshje trup me trup ndërmjet dy a më shumë njerëzve ose kafshëve, luftim. Është i fortë në luftën trup më trup.
✱Sin.: luftim, betejë, përleshje, ndeshje, përpjekje, ballafaqim.
♦ *Pushkë (dyfek) pas lufte.
NDËRVEPRÍM,~I m., libr. Veprim i ndërsjellë që ushtrojnë mbi njëra-tjetrën dy forca, dy gjëra ose dy dukuri të ndryshme, bashkëveprim; lloj veprimi që ndodh në dy ose në më shumë objekte që kanë ndikim mbi njëri-tjetrin. Ndërveprimi i faktorëve ekonomiko-shoqërorë. Ndërveprimi midis varianteve të gjuhës letrare. Ndërveprim institucional. Rritje e ndërveprimit me forcat aleate. Ndërveprim partiak.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë