Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKSIÓN,~III m. sh. ~E, ~ET treg., fin. Letër me vlerë, që përfaqëson një nga pjesët, në të cilat është ndarë kapitali i një shoqërie ose i një sipërmarrjeje, i një kompanie a i një korporate aksionare dhe që i jep të drejtë pronarit të saj të marrë pjesë në veprimtarinë dhe në fitimet e saj. Aksionet e thesarit. Aksionet e naftës. Kursi i aksioneve. Bursa e aksioneve. Paketa e aksioneve. Vlera e aksioneve. Blen (shet) aksione. Bien (ulen, ngrihen) aksionet. Këmbimi i aksioneve. Bleu një pjesë të aksioneve. Tregjet e aksioneve. Aksionet e rregullta (të zakonshme) aksione që sigurojnë të drejtë vote dhe një pjesë të fitimeve për subjektet aksionare. Aksionet e privilegjuara aksione që sigurojnë përparësi në shpërndarjen e pjesës së fitimit të një kompanie për aksionarët në formë monetare ose në formë aksionesh shtesë.
AKSIONÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT ek., fin. Pronar a zotërues i një pjese të aksioneve në kapitalin e një shoqërie aksionare, duke pasur të drejta dhe detyrime në këtë pronësi. Aksionar i madh. Libri i aksionarëve. Të drejtat e aksionarëve. Interesat e aksionarëve. Mbledhja e aksionarëve. Njoftim për aksionarët.
✱Sin.: bashkëpronar, hisetar, hisenik, ortak.
ANONÍM,~E mb. 1. Që nuk e ka emrin e atij që e ka bërë, që nuk i dihet autori ose ai që e ka shkruar; i paemër, i panjohur. Person anonim. Vepër anonime. Artikull anonim. Letër anonime. Autor anonim.
2. Që nuk i njihet emri; që nuk nënshkruan me emrin e vet. Autor anonim. Mjeshtrit anonimë. Shoqëri anonime shoqëri aksionare, që nuk mban emrin e asnjërit nga pjesëtarët e saj.
✱Sin.: i panjohur, i panënshkruar, i pazbuluar, i paemër, i fshehur, i paidentifikuar.
SHOQËRÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Tërësia e njerëzve që jetojnë në Tokë, të vështruar në lidhjet e marrëdhëniet që kanë ndërmjet tyre në procesin e prodhimit; tërësia e njerëzve që jetojnë së bashku në një vend dhe që janë të lidhur me marrëdhënie të caktuara në prodhim. Shoqëria njerëzore. Shoqëria e re (e vjetër). Shoqëria shqiptare. Shoqëria jonë. Shoqëri me (pa) klasa. Historia e shoqërisë. Ligjet e zhvillimit të shoqërisë. Ndarja e shoqërisë në klasa.
2. Rendi ekonomik në një periudhë të caktuar të zhvillimit historik të njerëzimit dhe superstruktura që i përket këtij rendi. Shoqëria skllavopronare. Shoqëria feudale. Shoqëria kapitaliste.
3. Marrëdhënie ose lidhje të afërta e miqësore që kanë ndërmjet tyre dy a më shumë njerëz, të qenët shokë; njerëzit që kanë marrëdhënie të tilla ndërmjet tyre; njerëzit me të cilët shoqërohemi, grup njerëzish që e kalojnë kohën së bashku. Shoqëri ë vërtetë (e sinqertë). Shoqëri e sëmurë (e keqe). Ndikimi i shoqërisë. Kanë shumë shoqëri. Është larguar nga shoqëria. Lë kokën për shoqërinë. Ai është shpirti i shoqërisë. Mos u ndaj nga shoqëria!
4. Grup njerëzish të bashkuar për të zhvilluar një veprimtari të përbashkët ose për qëllimet e interesat e tyre të përbashkëta, me detyra e të drejta të përcaktuara në një rregullore a statut; shoqatë, organizatë. Shoqëri sportive (artistike, kulturore, shkencore). Shoqëritë e punëtorëve (e zanatçinjve). Shoqëria «Puna». «Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip».
5. Rreth i ngushtë njerëzish që u përkasin klasave të privilegjuara (në vendet me klasa të privilegjuara). Shoqëria e lartë (e zgjedhur). Shoqëria zyrtare. Shoqëri fisnikësh.
6. Bashkimi i dy a më shumë kapitalistëve, të cilët krijojnë një kapital të përbashkët me qëllim që të rritin fitimet e tyre. Shoqëri tregtare. Shoqëri aksionare. Shoqëri shumëkombëshe. Shoqëritë e huaja. Shoqëri anonime. Shoqëri e lundrimit detar (ajror).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë