Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ADMINISTRÍM,~I m., drejt. 1. Veprimi kur administroj ose kur administrohet diçka.
2. Organizim dhe drejtimi i punës në një fushë a në një degë të veprimtarive shtetërore, politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, shkencore sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi. Administrimi i të ardhurave (i banesave, i pronës, i tokave, i pasurisë minerare etj.). Administrimi i parasë së popullit. Parimet bazë të administrimit të ekonomisë. Administrim i burimeve natyrore.
3. Nëpunësi, autoriteti administrativ. Kontroll nga administrimi.
✱Sin.: qeverisje, udhëheqje, drejtoj, menaxhim, mbarështim, ndorim.
AGROEKONOMÍ,~A f., ek. Degë e shkencave ekonomike që studion ligjësitë e politikës ekonomike dhe zbatimin e tyre në fushën e bujqësisë ose të ekonomisë së zbatuar; fushë e ekonomisë që studion prodhimin bujqësor përmes proceseve të tilla, si menaxhim, organizim, konsultime afariste-biznesore, aplikim e zbatim i projekteve, përllogaritje financiare, hartim i planeve të punës si dhe administrim i kontabilitetit. Administrimi i agroekonomisë shtetërore. Mbështetja e agroekonomisë. Agroekonomi e zhvilluar.
ARONDACIÓN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT bujq. 1. Masë e politikës agrare; rregullimi i tokës bujqësore për prodhim më racional bujqësor; bashkëngjitje e vullnetshme e tokave më të vogla në një pronë më të madhe, për krijimin e një kompleksi tokash bujqësore në të ashtuquajturën pronësi shoqërore, si e drejtë e pronarëve të tokës dhe e krijuar me marrëveshje; arondim. Arondacion agrar (bujqësor).
2. Procesi i ndarjes ose i caktimit të zonave gjeografike për qëllime të ndryshme, si administrimi, zgjedhje, shërbime publike etj.; ndarja administrative e territoreve ose e zonave zgjedhore. Arondacion territorial. Arondacion administrativ. Arondacioni shkollor (i spitaleve.) Arondacioni urban. Arondacioni zgjedhor përcaktoi kufijtë e njësive zgjedhore. Me arondacion u përmirësuan shërbimet publike për qytetarët.
✱Sin.: administrim, organizim, arondim.
ASTINOMÍ,~A f., vjet. Udhëheqje, qeverisje, administrim i qytetit; administrata e qytetit.
KEQADMINISTRÍM,~I m. Administrim i keq; keqmenaxhim. Keqadministrimi i pasurisë (i parasë).
MBARËSHTÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që merret me mbarështimin e diçkaje. Ai ishte veç një mbarështues kafshësh. U bë mbarështuesi më i pasur i gjedhëve. Është periudhë e ngarkuar për mbarështuesit e grigjës.
2. fig. Ai që kujdeset për mbarëvajtjen e një pune, zyre, institucioni etj. Në zyrën e mbarështuesit të drejtësisë.
✱Sin.: matarim, qeverisje, ndreqje, rregullim, krahishtim, mbarësim, administrim.
MENAXHÍM,~I m. Drejtim, kontrollim apo administrim i dikujt ose i diçkaje; veprimi kur menaxhoj ose kur menaxhohem. Menaxhimi i individëve. Menaxhimi i sëmundjes (i stresit). Kujdeset për menaxhimin efikas të biznesit të tij.
MIRADMINISTRÍM,~I m. Administrim i mirë. Dha garanci për miradministrimin e pronës.
MOSADMINISTRÍM,~I m. 1. Pamundësi ose paaftësi administrimi; kund. administrim. Në gjendjen jo të mirë të ujësjellësit të fshatit, ndikon edhe mosadministrimi i mirë.
2. Mospranim, kundërshtim a refuzim për të administruar diçka; kund. administrim.
NIKOQIRÁT/Ë,~A f. Nikoqirllëk, administrim, mbarështim.
PËRDORÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përdor dhe përdoroj ose kur përdorem dhe përdorohem. Përdorimi i veglave (i mjeteve). Përdorimi i lëndës djegëse. Përdorimi i drejtë i të ardhurave. Mënyra e përdorimit. Nxjerr (del) jashtë përdorimit.
2. Mënyra se si përdoret diçka. Sipas përdorimit. Për përdorim të brendshëm. Ka përdorim të gjerë. Fjalë me përdorim të ngushtë (gjuh.). Mallra të përdorimit të gjerë. Tokë në përdorim.
✱Sin.: përdorje, punim, shfrytëzim, administrim, mbajtje, shfrytëzim, trajtim.
QEVERÍM,~I m. Qeverisje. Qeverim i Shqipërisë.
✱Sin.: drejtim, udhëheqje, qeveribërje, administrim.
QEVERÍSJ/E,~A f. Drejtimi i veprimtarisë së qeverisë së një shteti; të një familjeje në drejtimin e mbarështimin e punëve të shtëpisë. Qeverisja e vendit. Qeverisja e shtëpisë. Arti i qeverisjes. E drejta e qeverisjes. Forma të qeverisjes. Qeverisje e mirë. Qeverisje vendore.
✱Sin.: udhëheqje, qeveribërje, administrim, rregullim, mbarështim.
UDHËHÉQJ/E,~A f. 1. Veprimi kur udhëheqim dikë a diçka ose kur udhëhiqet dikush a diçka. Udhëheqje e drejtë. Udhëheqje shkencore. Udhëheqje diplome.
2. Mënyra si drejtohet puna e një organizate, e një institucioni etj.; parim udhëheqës. Udhëheqje kolegjiale. Udhëheqje për veprim.
3. Udhëheqësit, organi udhëheqës, udhëheqësia. E zgjodhën në udhëheqje.
✱Sin.: drejtim, administrim, qeverisje, udhëheqësi, kryesi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë