Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LIKUIDÚAR (i, e) mb., libr. 1. Që është shlyer, që është likuiduar. Borxh i likuiduar. Llogari e likuiduar. Subjekti është tashmë i likuiduar dhe i çregjistruar. Shko të paguash gjobën dhe je i likuiduar me mua.
2. Që është zhdukur a asgjësuar; që është i eliminuar fizikisht. Grupi është i likuiduar, nuk funksionon më. Ai u konsiderua i likuiduar nga kundërshtarët.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit. Sot është e pamundur të zbulohet numri i saktë i të likuiduarve. Të plagosurit, të burgosurit dhe të likuiduarit gjatë luftës.
✱Sin.: i shlyer, i paguar, i zhdukur, i asgjësuar, i eleminuar.
►ÇREGJISTR/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Heq emrin nga një regjistër ose nga një listë që të mos ndjek më një shkollë a që të mos marr pjesë në një veprimtari; kund. regjistrohem. Çregjistrohem nga shkolla (nga kursi). I bëri thirrje aleatëve të çregjistrohen. Shumë subjekte janë çregjistruar këto vitet e fundit.
2. vetv., vet. v. III spec. I prishet vendosja e përpiktë për punë një vegle a një pjese tjetër të një makinerie; kund. regjistrohet. Çregjistrohen frenat. Çregjistrohet makina. Çregjistrohet thika e tornos.
3. pës. e ÇREGJISTRÓJ. Mjeti do të çregjistrohet nga Autoriteti Rrugor. Makinat para vitit 2000 do të çregjistrohen.
ÇREGJISTR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Fshij ose heq diçka të shënuar në një regjistër a në listë; kund. regjistroj. Çregjistroj emrat. Çregjistroj librat. Çregjistroj ditët e punës. Çregjistroj martesën. Komisioni nuk e çregjistroi partinë.
2. I heq emrin dikujt nga një regjistër ose nga një listë; e largoj dikë nga shkolla a nga një veprimtari tjetër; kund. regjistroj. E çregjistruan nga shkolla. E çregjistruan nga lista. Nuk jam çregjistruar ende nga kursi.
3. Prish, shuaj a fshij diçka të regjistruar; kund. regjistroj. Çregjistroj një pjesë nga shiriti i magnetofonit.
4. spec. Prish vendosjen e përpiktë për punë të një vegle a të një pjese tjetër të një makinerie; kund. regjistroj. Çregjistroj frenat. Çregjistroj makinën. Çregjistroj thikën e tornos.
✱Sin.: fshij, prish, heq, shlyej, shuaj.
ÇREGJISTRÚAR (i, e) mb. 1. Që është hequr nga regjistri ose nga ndonjë listë për të marrë pjesë në një veprimtari; që është çregjistruar; kund. i regjistruar. Nxënës të çregjistruar. Lojtarë të çregjistruar. Nga lista ishin fshirë kandidatët e çregjistruar.
2. spec. Që i është prishur vendosja e përpiktë për punë (një vegle a një pjese makinerie); kund. i regjistruar. Frena të çregjistruara. Thikë e çregjistruar.
3. Që është hequr nga një regjistër a listë me subjekte që kryejnë funksione të caktuara financiare. Tatimpagues të çregjistruar. Të çregjistruar për detyrime tatimore.
4. Që nuk mund të qarkullojë më (për një automjet). Targa e makinës së çregjistruar.
✱Sin.: i fshirë, i prishur, i hequr, i shuar.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë