Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PËRP/JÉK vep., ~ÓQA, ~JÉKUR kal. 1. Godas diçka me një tjetër. Përpoqi kokën te muri (pas murit).
2. Bëj që të ndeshet një gjë me një tjetër; bëj që të përplasen dy sende të forta (zakonisht me zhurmë), përplas. Përpjek duart. Përpoqën gotat e verës (e rakisë). Era përpiqte degët. Mos i përpiq dyert. Përpiqte buzët. Dhisë, kur i hanë brinjët, gjen shoqe t’i përpjekë. (fj. u.).
3. bised., edhe jokal. Takohem me dikë, piqem (zakonisht në rrugë). Përpoqi me shokun. E përpoqi në rrugë. S’ka përpjekur me hundëlesh. (fj. u.).
4. Bashkoj një dërrasë etj. me një tjetër; puthit, puq. Përpjek dërrasat e dyshemesë (dërrasat e vozës së djathit).
5. fig. Bashkoj dikë a diçka me një tjetër, takoj. I përpoqën rrethanat (kushtet historike).
6. fig., jokal. Shkoj, pajtohem, takohem me një tjetër, përputhem me të. S’përpjek me të asgjëkund. Ato dy gjëra s’përpjekin ndërmjet tyre.
✱Sin.: përplas, shkrep, takoj, tok, trokas, përputh, çokas, çokis, çukis, cakërroj, taklloj, godit, godas, pjek, bashkoj, pajtoj, puthit, puq.
♦ I përpjek *fjalët (me dikë). Përpjek (përplas) *këmbët (përdhe) (dikush). S’kam ku të përplas (ku të përpjek) *kokën (kryet). Përpjek (përplas) *kokën (kryet). Përpjek (përplas) kryet (*kokën). Përpjek *pallat (me dikë). Përpjek *ushtat (me dikë).
PËRPLÁS vep., ~A, ~UR kal. 1. Godas një send të fortë me një tjetër, përpjek; përpjek diçka me forcë me diçka tjetër (zakonisht me zhurmë). Përplas derën. Përplas duart. Përplas këmbët për tokë. Përplasi kokën te muri (te dera). Përplasi grushtin mbi tryezë. Përplaste buzët duke ngrënë.
2. Hedh me vrull e me forcë diçka përtokë a diku gjetkë; e hedh diçka pa kujdes diku. E përplasi katruven përdhe. I përplasi në një cep plaçkat.
3. fig. I ngarkoj dikujt një punë për të lehtësuar veten; ia bëj barrë dikë a diçka, ia lë atij. Ia përplasi të dy fëmijët. Ia përplasi asaj punët e shtëpisë. Ia përplasi në derë.
4. fig. E vendos me detyrim dikë a diçka në një vend të keq e të papërshtatshëm; e lë dikë në një gjendje të keqe pa u bërë merak për të; hedh. I përplasnin bujqit në vende moçalore (në toka të këqija). I përplasnin punëtorët në burgje.
✱Sin.: përpjek, trokas, rrah, shkrep, çokat, çokas, cakërroj, shkapet, shkapes, rropat, pëlcas, plas, plandos, platit, shuk, shukat, shemb, sharapjek, vesh, hedh, çukis, troshis, tund, taklloj, godit, cërrfat, rrëzoj, përtrollis, flak, ngarkoj, rras, ngjis, vendos, degdis, dërgoj, lë, braktis.
♦ Ia përplas *derën në fytyrë (dikujt). Ia përplasi në *fytyrë (në surrat) (dikujt) mospërf. Përplas *grushtin (dikush). Përplas (përpjek) *këmbët (përdhe) (dikush). S’kam ku të përplas (ku të përpjek) *kokën (kryet). Përplas (përpjek) *kokën (kryet). Përplas (përpjek) kryet (*kokën). Për ta përplasur në *mur (pas murit). Ia përplasi në surrat (në *fytyrë) (dikujt) mospërf. Ia përplasi në *sy (dikujt) mospërf. Ia përplasi në *turi (dikujt) mospërf.
TESHI vep., ~A, ~UR 1. kal. Përpjek lehtë; cakëlloj, çokas.Tesh gotën e rakisë me dikë. Teshën vezët.
2. jokal. I bëj vizitë, i shkoj dikujt për ta parë, e vizitoj; vij, dukem, shfaqem. Ka kohë që s’na ka teshur. A po tesh pak se kam një punë?
3. kal. Ndesh, takoj dikë rastësisht. E teshi teksa i ngjitej një të përpjete. E tesha dje.
4. jokal., vet. v. III Lind dielli (hëna). Kishte teshur dielli.
5. kal. Përdoret në mënyrën urdhërore a dëshirore si nëmë a si mallkim për dikë apo si betim për të mohuar diçka. E teshtë pika! i rëntë pika! Të teshtë zana! të shitoftë zana! Të teshtë rrufeja! të rëntë rrufeja! Më teshtë Zoti, po ta kem ditur!
6. kal. Mërzis shumë dikë, e bezdis keq, ia plas shpirtin. Ia teshi shpirtin.
✱Sin.: cakëlloj, çokas, cakërroj, kërcëlloj, vizitoj, vij, dukem, shfaqem, vizitoj, ndesh, takoj, pjek, mërzis, bezdis.
TOK vep., ~A, ~UR 1. Grij mishin me satër mbi një dërrasë ese e rrah mbi të derisa të bëhet i përshtatshëm për qofte. Tok mishin.
2. Rrah me çekiç mbi një kudhër pjesën e kosës, të draprit etj, për ta mprehur; kalit gurin e mullirit me çekan; kalit. Tok draprin (kosën). Tok gufin e mullirit. Tok me çekiç (me çekan).
3. Trokas, i bie derës. Toku derën. Dikush po tok.
4. I jap e i shtrëngoj dorën dikujt për ta përshëndetur kur takohem me të, kur lidhim një fjalë, kur ndahem prej tij etj. Tokën duart. Toke një herë si burrat! Eja ta tokim! Tashti toke këtu! I toku të gjithë me radhë.
5. Përpjek a takoj gotën e pijes me dikë kur ngre dolli, çokas. Tokën gotat. Toke me mua!
6. Bashkoj, përziej, bëj tok. Tok miellin me vezë.
TRINGËLLÍ/J vep., ~VA, ~RË 1. jokal., vet. v. III Bën tring, lëshon një tingull të hollë si ai i ziles, i monedhave, i enëve të porcelanit, i xhamave etj., tingëlloj, tringëlloj. Tringëllin zilja. Tringëllinin zinxhirët. Tringëllinin shpatat. Tringëllijnë xhamat. Më tringëllin veshi. I ranë monedhat mbi dysheme dhe tringëllinë.
2. kal. I bie një sendi a përplas lehtas dy sende që të lëshojnë një tingull; trokas; çokas. Tringëllinë gotat.
✱Sin.: tingëlloj, vringëlloj, trokas, çokas, kërcëlloj, cakëlloj.
TRINGËLL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal., vet. v. III Bën tring, tingëllon. Tringëlloi në derë. Tringëllonin paratë. Zilja tringëllon.
2. kal. Tringëllij, tingëllon, çokas, trokas. Tringëlloi gotën me lugë i ra gotës me lugë për të tërhequr vëmendjen e të pranishmëve.
✱Sin.: tingëllon, vringëlloj, trokas, katroj, numëroj.
TROK/ÁS jovep., ~ÍTA, ~ÍTUR 1. jokal. I bie derës, dritares etj., zakonisht me gisht, për të lajmëruar se dua të hyj brenda ose që dikush duhet të ma hapë. Trokiti në derë (në dritare). Trokas me dorë (me gisht). Trokas fort (lehtë, ngadalë). Trokit, pa hyr! Hyr pa trokitur.
2. kal. Përpjek lehtë gishtin, dorën a diçka tjetër pas një sendi të fortë; përplas; godas. Trokiste gishtat në tryezë. Trokasim gotat. Trokitën duart. Trokas duart duartrokas.
3. jokal., vet. v. III Nxjerr një tingull a një zë të prerë kur goditet; lëshon një zë a një zhurmë, tingëllon. Troket porta. Trokasin lugët (enët). Trokiste makina e shkrimit.
4. jokal., vet. v. III Rreh. Më troket zemra fort. Më trokasin tëmthat.
5. fig., jokal., vet. v. III Vjen më afër në kohë, është te pragu, mbetet pak kohë përpara fillimit ose përfundimit të diçkaje, afron; arrin. Dimri erdhi, po troket. Viti i Ri po troket. Pranvera ende s’ka trokitur.
6. fig., jokal., vet. v. III Tingëllon. Më trokasin në kokë disa vargje të Çajupit. Më troket në vesh.
7. fig., kal. Ia them copë, ia përplas, ia numëroj një më një. Ia trokiti të gjitha.
✱Sin.: taklloj, trakulloj, trakullij, trakullit, trokëllij, trokëllit (trokëllis), tok, tringëlloj, tringëllij, çokat (çokas), çokanis, përpjek, pjek, përplas, godas, takoj, cakërroj, çokanis, cakëlloj, kërcëlloj, afron, arrin, rreh.
♦ Po troket në *derë (diçka). I trokas në *derë (dikujt a diçkaje). Troket në *derë (në portë) të hapur (dikush). Troket në *derën (në portën) e shurdhit (dikush). Po troket në *portë (diçka).
ÇOKANÍS vep., ~A, ~UR kal. 1. E pres diçka në copa të vogla me çokë; copëtoj me hanxhar; një mjet tjetër prerës; çok. Çokanis mishin. Çokanis patëllxhanët. Thikë për të çokanisur mishin.
2. fig. E rrah fort dikë. E çokanisi djalin. Ia çokanisi kurrizin. Do ta çokanis kokën po nuk erdhe.
3. fig. E qortoj dhe e këshilloj që të vërë mend. E çokanisi tërë ditën dhe nuk vuri mend.
4. Thyej gurët ose anët e tyre me çekan, skalit me çok; çekanis. Çokanis gurët. Çokaniste në rrugë gjithë ditën.
5. jokal. I bie çokut të derës për të trokitur; trokas, çokas. Çokanis në portë. Dikush po çokanis në derë. E atij që çokanis, do t’i hapet.
✱Sin.: çok, copëtoj, grij, rrah, qortoj, skalit, çekanis, trokas, çokas.
ÇOK/ÁS vep., ~ÍTA, ~ÍTUR kal. 1. jokal. I bie çokut të derës për të trokitur; trokas. Çokas në portë. - Kush po çoket? Çokiti tri herë.
2. Përpjek një send me një tjetër. E çokiti fort gotën. Çokitim vezët. Çokiti gishtin tregues në ballë. Karavidhet kanë mësuar të komunikojnë me njëra-tjetrën duke çokitur në tokë. Çekani i tij kishte çokitur gurët e tri kontinenteve.
3. Shtrëngoj dhëmbët derisa kërcasin. Çokate dhëmbët mbrëmë kur flije.
4. Quk me sqep (për shpendët), çukit. E çokitën zogjtë. E çokiti sorra. Një këndes e kishte çokitur me dy çukitje.
5. Shkund duajt e thekrës për t’u marrë kokrrat.
✱Sin.: trokas, çokanis, çokit, përpjek, quk, çukit, shkund.
ÇOKÍT (ÇOKÍS) vep., ~A, ~UR kal. 1. Çokas diçka. Çokiti në portë. Çokit gotën. Çokit vezën. Duke mbajtur në duar fenerë çokitnin muret.
2. jokal. Trokas. Çokiti në portë.
3. I prish lëvoren ose koren diçkaje; çukit. Çokit arrat. Çokit vezën.
4. Prashit. Çokit tokën.
✱Sin.: çokas, trokas, çokanis, çukit, prish, prashit.
ÇUKÍT (ÇUKÍS) vep., ~A, ~UR kal. 1. edhe jokal. vet. v. III I bie me sqep diçkaje, quk e ha me sqep (për shpendët). Zogu (harabeli, sorra, korbi) çukit. Pula çukiti në dhe. Çukitën ca grurë (elb, mel). Një pikth çukiste diku sipër një druri. Një harabel çukiste jashtë dritares.
2. vet. v. III Kafshon a pickon lehtë e shpejt; thumbon. E çukiti gjarpri (nepërka). E çukitën grerat. Më çukiste miu në kokë tek ajo qeli.
3. Thyej a thërrmoj lehtë me një vegël koren e tokës. E çukitën arën. Çukiti me sqepar gjithë paraditen në kopsht.
4. Përpjek një send me një tjetër, çokas. Çukiste urët e zjarrit. Çukiste gotën me të gjithë. Çukis mokrat. Çukiti në xhamin e fotografisë.
5. Çjerr a gërvisht lehtë dikë; vras pak. Ia çukiti kokën. E çukiti në qafë. Po e çukisnin pa mëshirë trupin e saj.
6. fig. E ngacmoj pak, e thumboj me fjalë. E çukiti pak i ati. U ndje se e çokitën me ato që i thanë.
7. vet. v. III E zë apo e prek lehtë një sëmundje që i lë pikla a njolla (zakonisht për bimët). Rrushin e ka çukitur pajaga. Pjeshkat i çukiti breshri.
♦ E kanë çukitur *pulat (dikë) tall.
✱Sin.: quk, kafshon, thumbon, pickon, thërrmoj, çokas, çukat, përpjek, çjerr, nduk, gërvisht, ngacmoj, thumboj, qortoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë