Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BAGËTÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. përmb. Kafshët shtëpiake që mbahen për prodhimet e tyre dhe për punë bujqësore, gjë e gjallë; një kafshë e tillë shtëpiake. Bagëti e trashë lopët, qetë dhe buajt. Bagëti e imët (e hollë) dhentë e dhitë. Bagëti të leshta. Njëzet krerë (kokë) bagëti. Pleh (lëkurë) bagëtish. Ahur (kasolle) bagëtish. Kope (tufë) bagëtish. Pazari i bagëtive. Lëshoj (kullot, dimëroj) bagëtinë. Shkon me bagëti. Bagëti e bujqësi. Zërat e bagëtive. Bagëti e shënuar pas veshit (keq.) njeri që tregohet me gisht për të këqijat që ka bërë; ai që njihet për keq si kau balash. Njeriu pa dituri është porsi bagëti. (fj. u.). Çobani i mirë e njeh bagëtinë me blegërimë. (fj. u.). Po deshe bujqësi, mbaj edhe bagëti. (fj. u.). Shiu në prill për njerëzinë, në maj për bagëtinë. (fj. u.).
2. shar. Njeri i trashë e i pagdhendur, njeri i paditur, kafshë. Ishte fare bagëti.
✱Sin.: kafshë, shtazë, hajvan, blegtori, gjë.
♦ *Ahur bagëtish (diku). Bagëti e trashë shar. njeri i paditur, i pagdhendur a budalla, gdhe; kafshë. *Bari (çoban) pa bagëti. Me *shtëpi e bagëti.
GÚN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Veshje e sipërme dhe e trashë e barinjve, zakonisht me lesh dhie, e gjatë deri poshtë gjunjëve e me kapuç; petk grash prej shajaku të bardhë, pa mëngë, i hapur përpara dhe i gjatë deri nën gjunjë; etnogr. veshje e sipërme kombëtare për burra e për gra, prej leshi ose prej liri, e qepur njësh si një fustan i hapur në kraharor. Gunë e dhirtë. Gunë pa mëngë. Kishte veshur një gunë. Mënga e gunës së dhirtë. Gusht e gunë. (fj. u.) koha e dimrit kërkon veshje të trasha; Mos i shiko gunën, po shikoji punën. (fj. u.). Rrëfen puna, s’rrëfen guna. (fj. u.).
2. fig. Dukje e jashtme që fsheh qenien e vërtetë; petk. Zërat e grave të pambrojtura shpuan gunën e zezë të asaj nate. U rivesh me gunën tradicionale të ortodoksizmës.
✱Sin.: bërruc, shark, strugë, tallagan, kllashë, llacë, leshnik, qimush, zhgun, xhurdi, grathore, gubere, pasten.
♦ Çau *linjë e gunë (dikush). I hodhi gunën (diçkaje) e mbuloi, e mbylli pa e zgjidhur ose për të mos e zgjatur më tej; i vuri kapak (kapakun); kund. ia hoqi gunën. Ia hoqi gunën (diçkaje) e zbuloi, i nxori të fshehtat e të palarat; ia hoqi petën lakrorit (byrekut); kund. i hodhi gunën. Gunë pa gjumë dikush që punon shumë; e bën natën ditë. Kaloi me *kallaj mbi gunë (dikush a diçka). E ka në gunë (dikë a diçka) keq. e ka në ngarkim, atij i mbetet përgjegjësia për atë; e ka si barrë; e mban mbi kurriz (në shpinë). I ka guna *gjumë (dikujt). I kanë hutat nën gunë janë zemëruar shumë dhe nuk e shfaqin jashtë inatin që kanë ndaj njëri-tjetrit; e mbajnë zemërimin brenda. Kthen gunën nga të fryjë *era (dikush). Sa kthen *shpatullat të rreh gunën (dikush) keq. (E lë) si *çobani gunën (dikë a diçka) keq. Ia mori gunën *lumi (dikujt). E mban sëpatën nën gunë (dikush) është i pabesë, rri gati që të të godasë pas shpine; fsheh (mban) gurin në gji. Më mbeti në gunë (dikush a diçka) shih më mbeti (më ngeli) në derë2 (dikush a diçka). Më polli në gunë (me dikë) bised. shih më polli (më ndezi) belaja (me dikë). Punon nën gunë (dikush) vepron fshehurazi, pa u kuptuar e me dredhi; punon nën rrogoz; punon pas krahëve; punon nën dhe. Shih *punën e jo gunën. Shtroi gunën (bërrucin) (dikush) keq. mbeti si mysafir te dikush për një kohë të gjatë; erdhi diku e u ngul, nuk ka ndërmend të shkulet, nuk ikën më; shtroi rrogozin; ka lëshuar (ka zënë, ka hedhur) rrënjë; leu e mbiu (aty). Vë *sapun mbi gunë (dikush). Ia ka zgjatur gunën (dikujt) keq. e ka përkëdhelur shumë dikë, e ka lënë të bëjë si të dojë, nuk e ndalon e nuk e pengon për asgjë; ia lëshoi (ia liroi) kapistrën (kapistallin) (dikujt) keq.
SHÉLQ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Kuti druri me dy të ndara, që varet në mur e që shërben për të mbajtur lugët e pirunët dhe kripën; farashë lugësh, kripës; lugës. Shelqja e kripës. I sistemoi lugët në shelqe. E mbante të pastër shelqen e lugëve.
2. Kupë barinjsh që përdoret për të mbajtur gjizën a djathin. Shelqe djathi. Çobani mori shelqen. Shelqen e mbushi me gjizë.
✱Sin.: lugës, kripës, kripsnik, farashë, sheltje, kupore, kupëz, kupshor.
ÇOBÁN,~II m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që ruan, që kullot dhe që mbarështon bagëtinë; bari. Çoban dhensh (dhish, lopësh). Çobani i fshatit. Guna (kërraba) e çobanit. Dy çobanët malësorë. Çobanët e staneve nuk e pranuan qiranë e mushkave.
2. bised. Vllah. Veshje çobanësh.
3. zool. Lloj krimbi që ha gjethet e pemëve.
✱ Sin.: bari, vllah, krimb.
♦ Bën ujkun çoban (dikush) iron. shih vë ujkun bari (dikush) iron. Çoban (*bari) pa bagëti. Si *dhentë pa çoban (pa bari). (E lë) si çobani gunën (dikë a diçka) keq. shih (e lëshon) si lopa bajgën bised. I vijnë *dhentë pa çoban (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë