Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BRÍTM/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Zë i fortë që nxjerr njeriu kur bërtet, thirrmë e fortë, klithmë; zëri që lëshojnë kafshët, ulërimë. Britmë e madhe (e fortë, e ngjirur, e çjerrë, shurdhuese, e mprehtë). Britma e tufës. Britma e malësorit i zgjoi të gjithë. Britma e saj vinte si në vaj. Lëshoi (një) britmë. Vuri britmën. Ia dha britmës. Britmën e buallit e dëgjojnë të gjithë. (fj. u.).
2. Shprehje e vrullshme e një ndjenje me zë a me pasthirrma; thirrje gëzimi, miratimi etj.; brohoritje. Britmë e gëzuar. Britma gëzimi (habie, hareje, fitoreje, të thekshme). E pritën (e përcollën) me britma.
3. Zhurmë që krijohet nga zërat e disa vetave kur flasin fort; zhurma që bëjnë dy ose me shumë veta kur zihen a kur shahen me zë të lartë; thirrje. Britma kalamajsh. Britmë grarishte.
4. Kërkesë me zë të lartë që i drejtohet dikujt për t’u bashkuar për një çështje të rëndësishme; thirrje, kushtrim, alarm; zhurmë që bëhet për një qëllim të caktuar. Lëshoi britmën dha kushtrimin. Nuk i dëgjon kush britmat e tyre. Britma e të varfërve.
5. etnogr. Gjëmë, mynxyrë, zezonë. Një britmë e madhe kishte mbuluar fshatin.
✱Sin.: thirrmë, bërtitje, klithmë, klithje, këlthitje, gërthitje, sokëllimë, thirrje, gjëmë, e thirrur, piskamë, ulërimë, vikamë, çirrmë, grahmë, mekërimë.
ULËRÍM/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Zë i fortë, i zgjatur e therës a si me të qarë i ujkut, i qenit etj. kur ulërin; zhurmë e ngjashme nga disa sende a dukuri. Kush bëhet me ujqër, do nxërë ulërimën (fj. u.). Dëgjohej ulërima e erës.
2. Klithmë e fortë dhe therëse e njeriut (kur ka ndonjë dhembje shumë të madhe etj.); kujë; kryes. sh. britmë e fortë dhe e çjerrë. Ulërimat e fëmijëve.
3. fig. Zhurmë që bëhet për qëllime të caktuara; çirrmë. Vuri ulërimën.
✱Sin.: bulurimë, pallmë, angullimë, angullitje, aullimë, kuisje, cingërimë, ulëritje, vrambullimë, britmë, bërtitje, thirrmë, e thirrur, klithmë, çirrmë, kujë, kukamë, vigmë, vikamë, grahmë, gumëzhimë, uturimë, buçimë.
♦ Ulërimë me thes në kokë! tmerr pas diçkaje të keqe që ka ndodhur, qameti, hata e madhe sa është për të ulëritur e për të vënë kujën; të vësh duart në kokë. Vë ulërimën (dikush) qahet e ankohet shumë për dikë a për diçka; bën shumë zhurmë për diçka, ulërin; vë kujën; jep pallmën; qan me thes në kokë; jep (vë) alarmin; jep (ngre) berihanë.
ÇJÉRR/Ë,~A (e) f. sh. ~A, ~AT (të) 1. E çarë e ngushtë për së gjati e tejpërtej në një rrobë të grisur a të shqyer. E çjerrë e gjatë (e madhe). I kishte rrobat gjithë të çjerra.
2. E çarë e vogël jo shumë e thellë dhe për së gjati në lëkurë, gërvishtje. E kishte fytyrën me të çjerra. I ka duart gjithë të çjerra. Kishin ende në fytyrë të çjerra.
3. fig. Zëri që dëgjohet kur çirret dikush, çirrmë. E çjerra e foshnjës. Dëgjoheshin të çjerra. Ata të kallnin datën me të çjerrat e tyre
4. kryes. sh., fig. Britmat që bën dikush kundër dikujt tjetër ose për të tërhequr vëmendjen; çirrmë. Të çjerra kërcënuese të turmës.
✱Sin.: e çarë, gërvishtje, çirrmë, britmë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë