Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BÚZ/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Secila nga dy pjesët e mishta e të lëvizshme, zakonisht ngjyrë trëndafili, që mbulojnë dhëmbët dhe që kufizojnë e mbyllin gojën nga jashtë, duke u bashkuar në të dyja anët e saj në pjesën e poshtme të fytyrës; gojë. Buza e sipërme (e poshtme). Buzë të holla (të trasha, të kuqe, të njoma, të fryra). Buzët e njeriut. Buzët e qenit. Cepi i buzëve. Të kuq buzësh. Me buzë në gaz. Me buzë të qeshur. Kafshoi buzën. Lëpiu buzët. Fshij buzët. Lyej buzët (me të kuq). Puthen buzë me buzë. Vë në buzë. Ha (flet, qesh, përgjigjet) me majën e buzëve. Shqiptoj me buzë. Flet me buzë flet me shumë naze. Më çahet (më thahet) buza. Qeshi nën buzë. I lidhi buzën (të vdekurit). Se m’u tha buza për ujë, / Për ujë buza m’u tha, / O floriri pa mardha. (folk.). Kur i ke buzët me mjaltë, t’i puthin të gjithë. (fj. u.). Buzët qajnë e buzët qeshin. (fj. u.). Po s’qeshi buza, do qajë zemra. (fj. u.). Syri flet më parë se buza. (fj. u.). Buza mban nga ana e hundës. (fj. u.). Shan hunda buzën. (fj. u.). Ia donte buza, po s’e linte hunda. (fj. u.).
2. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta. Buzë gomari (lat. Verbascum thapsus) (bot.) bimë barishtore dyvjeçare me kërcell deri dy metra të lartë, me gjethe vezake e me push nga të dyja anët, që çel lule të verdha në tufë. Buzë lepuri (mjek.) e çarë e thellë në buzët e një njeriu që ka lindur me këtë cen. Buzë nuseje (bot.) gjembaç që lëshon lule të verdha.
3. Skaji i një sendi, ana ku mbaron një send; vija që kufizon një truall a diçka tjetër, zgrip. Buzët e tryezës. Buza e vatrës. Buzët e gotës (e filxhanit, e tepsisë, e pjatës). Buzët e një arne (e një letre). Buzët e gjethes (e lules). Buza e briskut. Buza e rrugës (e shkëmbit, e greminës). Buza e arës (e pyllit). Buza e plagës. Me buzë të dhëmbëzuara (të kthyera, të trasha, të holla). Mbush buzë më buzë. Buzë e pupës parmak rreth pupës së barkës a të anijes.
4. Vija ku takohet uji me tokën, vendi ku mbaron uji e fillon toka; breg (lumi, deti, liqeni). Buza e detit (e liqenit, e kënetës, e lumit, e kanalit). Buza e Matit (e Vjosës). Dal në buzë. Qëndroi në buzë të ujit. Kush ka frikë valët, mos shkojë në buzë të detit. (fj. u.).
5. fig. Fillimi i një kohe; fillimi i një ngjarjeje, pragu i diçkaje. Në buzë të beharit (të dimrit, të vjeshtës). Në buzë të mbrëmjes (të agimit). Në buzë të pleqërisë. Në buzë të shkatërrimit.
6. sh. ~A, ~AT Shkëmb mali i thepisur; vend me pjerrësi të madhe, humnerë; copë shkëmbi. Buzë e rrezikshme (e thepisur, e zhveshur, e rrëpirët). Buzë e shkëmb. Ra nga buza. Ra në buzë. Buzave të shkëmbinjve.
✱Sin.: zgrip, breg, brinjë, cak, cik, qenar, anë, anie, skaj, skiç, breg, fillim, prag, vigjilje, humnerë, rrëzomë, rrëzim, greminë, humbëtirë, humbore, humbishtë, humbellë, dërrmë, theqafje, thellësirë, abis.
♦ Me *barkun te buza (te goja). I bëj buzë (diçkaje) nuk e pëlqej, nuk e përfill (zakonisht për të ngrënat); i bëj naze; fshij buzët. I ra pas buze (dikujt) e pësoi vetë, e gjeti e keqja (thuhet për dikë që ka dashur t’i bëjë keq një tjetri dhe e pëson vetë). Buzë më buzë. 1. Plot, sa s’mban më (për enë, për lumin etj.); breg më breg; degë më degë; cip më cip; çip më çip. 2. Me shumë inat, sa s’mban më; i zemëruar keq. 3. Shumë i dashur me të tjerët, i shkuar e i afruar, i shoqërueshëm; fol e qesh. Me buzë të fryra shumë i zemëruar e i mërzitur, tërë inat. Buzë gjyshi shumë i ftohtë; i ngrirë, akull. Me buzë të plasur shumë i dëshpëruar, i pikëlluar; me shpirt të plasur; me zemër të plasur. Në buzë të varrit gati për të vdekur, duke dhënë frymën e fundit; në grykë të varrit. Me buzët varur (të varura) i vrenjtur, i ngrysur, i zemëruar; i pakënaqur e i mërzitur; gjithë (tërë) buzë; gjithë (tërë) hundë (hundë e buzë); me hundë varur (të varura); me një pëllëmbë hundë. M’u dogj buza (për dikë) shih m’u dogj (m’u përvëlua) zemra (shpirti) (për dikë). Ma ka djegur qulli (luga) buzën e kam pësuar një herë, e kam provuar një herë diçka të keqe; jam djegur një herë nga diçka dhe kam fituar përvojë; kam rënë (shumë herë) nga kali. Ia do buza po s’e lë hunda (dikë) e dëshiron shumë dikë a diçka, por s’ka mundësi që ta ketë; është ca kryelartë dikush e s’e ul veten për diçka. I dridhet buza (dikujt) është tronditur shumë nga diçka, është prekur thellë në shpirt, është mallëngjyer pa masë; ngashërehet; i dridhet mjekra. Fshij buzët shih i bëj buzë (diçkaje). I fshij buzët (nga diçka) heq dorë nga diçka; nuk kam më shpresë për diçka; i laj (i fshij) duart. Sa për të fshirë buzët shumë pak, fare pak, një çikë; sa për të kruar dhëmballën. Fshiji buzët për murrizi (pas murrizit)! iron. mos u bëj gati kot, mos shpreso e mos prit kot, se gjë s’ke për të ngrënë a për të marrë; fshiji mustaqet për murrizi (pas murrizit)! Fshiji buzët me torbën e gomarit bised. iron. shih fshiji buzët për murrizi (pas murrizit). Gjithë (tërë) *hundë (hundë e buzë) (dikush). *Hundë më buzë. (Është) në buzë të greminës (të humnerës) (dikush) është para një rreziku të madh, është para një dështimi a para një rrënimi, është para një pasoje të rëndë për jetën, për pasurinë etj.; gati po shkatërrohet krejt, po falimenton; është në zgrip; i erdhi fundi (dikujt). (Është) në buzë të varrit (të gropës) (dikush). 1. Është shumë plak ose shumë i sëmurë; është fare afër vdekjes; (është) me një këmbë në varr (në gropë); (është) në fill të vdekjes; (është) larë e shkuar; i erdhi fundi (dikujt); është në zgrip. 2. shih (është) në buzë të greminës (të humnerës) (dikush). Kafshoj buzën (me dhëmbë) pendohem a më zë turpi për diçka dhe tërhiqem, hesht etj. E ka te buza (dikush) të përgjigjet menjëherë, aty për aty e pa u menduar gjatë; e di që më parë se ç’duhet të thotë, është gati; është i mprehtë dhe i shkathët në dialog; e ka në majë të gjuhës. I ka buzët me *qumësht (dikush) mospërf. S’ka *hundë e buzë (dikush). E ka vajin në buzë (dikush). 1. Qan shpejt, qan lehtë; qan për hiçmosgjë. 2. Ankohet vazhdimisht, gjithnjë qahet; s’pushon së ankuari; mbeti me vaj në buzë. Lëpin buzët (dikush) bëhet gati për të ngrënë diçka që i pëlqen; mprihet për të shtënë në dorë diçka që e dëshiron shumë ose për të marrë pjesë në diçka që i sjell kënaqësi a fitime; mpreh dhëmbët. Të lidhsha buzën (me shami)! mallk. vdeksh! I ka lyer buzët (dikush) është përzier në një faj a në një gabim ose në një punë jo të pastër, nga e cila ka përfituar diçka; ka marrë pjesë në diçka të keqe; ka gisht; e ka ngjyer gishtin; ka dorë; i ka lyer (i ka përlyer) duart. I mban buzët *varur (dikush). Mbeti me vaj në buzë (dikush). 1. Mbeti duke qarë e duke vajtuar; s’iu ndanë fatkeqësitë. 2. Ankohet vazhdimisht, gjithnjë qahet; s’pushon së ankuari; e ka vajin në buzë. Mbledh (tharton, rrudh, përdredh, shtrembëron) buzët (dikush) shpreh pakënaqësi, mospajtim, mospërfillje a përbuzje ndaj dikujt a ndaj diçkaje; mbledh (tharton, rrudh, përdredh, shtrembëron) turinjtë; mbledh (tharton, rrudh, përdredh, shtrembëron) hundën. I ngriu *gazi në buzë (dikujt). Palosi (përveshi) buzët (dikush) nuk i erdhi mirë për diçka a nuk mbeti i kënaqur nga dikush; u mërzit e u bë gati për të qarë; ka mospërfillje ose përçmim për dikë a për diçka; i erdhi thartë. Ta pëlcet buzën (dikush a diçka) të lodh e të mërzit shumë, sa e humbet fare durimin; ta pjek peshkun në buzë (dikush); të bëhet gur në opingë. Ma poqi buzën (dikush a diçka) më mundoi e më mërziti shumë, më lodhi shumë; më plasi buza (me dikë a me diçka); ma solli në majë të hundës; ta pjek peshkun në buzë (dikush). Ta pjek *byrekun në buzë (dikush). Ta pjek *peshkun në buzë (dikush). Më plasi buza u sfilita, u lodha shumë; s’duroj dot më; u mërzita shumë; më erdhi (shpirti) në majë të hundës; jam mbushur deri në fyt; jam mbushur deri në grykë; ma poqi byrekun në buzë (dikush). I qepi buzët (dikush). 1. shih e mbylli (e kyçi, e mbërtheu, e qepi) gojën (dikush). 2. shih i doli fryma (dikujt). I qeshi buza (dikujt) u gëzua; u kënaq; i pëlqeu diçka dhe u çel. S’i qesh buza (dikujt) është njeri i ngrysur, gjithnjë rri i zymtë, është nursëz; rri gjithnjë si i pakënaqur e i mërzitur; s’i qesh fytyra. T’i shposh buzën (buzët) (dikujt). 1. Është i vendosur e i papërkulshëm, çfarëdo që t’i bësh nuk ndërron mendje. 2. Është i inatosur aq shumë, sa i ka ikur gjaku nga fytyra; u xhindos. M’u tha (m’u poq) buza (për diçka) kam etje të madhe, dua të pi; kam kohë që s’kam pirë a s’kam ngrënë diçka; m’u tha goja; m’u tha fyti; m’u tha gryka; m’u tha gurmazi. I vari (i lëshoi) buzët (një pëllëmbë) (dikush) është i prekur, i ka mbetur qejfi nga dikush a për diçka; e shpreh dukshëm pakënaqësinë, tregon me shprehjen e fytyrës se diçka nuk i pëlqen; është i zemëruar shumë, është i pezmatuar, rri i heshtur e i ngrysur; i mban buzët varur; i vari (i uli) veshët; i vari (i lëshoi) hundët (një pëllëmbë); i ranë (iu varën) vetullat (dikujt); i ra bruzi (dikujt). Më vajti (më shkoi) buza (goja) te *veshi (prapa veshit). E vë buzën në *gaz. Më ka vënë (më ka zënë) buza *shirit. Iu zbardh buza (dikujt) u tremb shumë, e kapi tmerri; u shqetësua shumë e u zverdh në fytyrë nga frika, nga një fatkeqësi etj.; u bë dhe (dikush); u bë baltë në fytyrë (dikush); i ra çehrja e vdekjes.
CEP,~II m. sh. ~A, ~AT 1. Pjesa e fundit me majë e një këndi; vendi ku bashkohen dy vija a dy faqe të një sendi. Cep i ngushtë. Cepi i tryezës. Cepi i dhomës. Cepat e shamisë. Cepi i jorganit. Cepi i jakës. Cepat e shallit. Cepi i rrugës. Cepi i arës (i oborrit). Cepi i syrit. Cepat e mustaqeve. Cepat e gotës (e buzëve). Ýll me pesë cepa. Gur me cepa. Ulem në cep. Rri në një cep. Vë në cep. Lidh cepat. Po me shtrove cepin e gunës, të shtroj gunën të tërë. (fj. u.).
2. Vend i largët ose i mënjanuar dhe jo shumë i rrahur. Cep i largët. Cep kufitar. Cepi më verior (më jugor). Në një cep të atdheut. Në cep të fshatit. Në çdo cep të botës.
3. fig. Pjesë anësore a jokryesore e diçkaje, skaj. Në një cep të mendjes. Në një cep të zemrës.
4. gjeom. Këndi i një figure gjeometrike a i një trupi gjeometrik.
✱Sin.: kënd, qoshe, majë, çep, thep, çip, cip, kep, sqep, qenar, çeke, çekth, rrëzë, skaj, skutë.
♦ I bën cepa (dikujt) përpiqet t’ia hedhë tjetrit, e mashtron; i krijon pengesa e vështirësi; i nxjerr bishta. Cep më cep në çdo anë, në çdo kënd, kudo; nga një anë në tjetrën, nga një skaj në tjetrin; anekënd; qoshe më qoshe; skaj më skaj; kënd më kënd. E ka kokën me cepa (dikush) është shumë kokëfortë, nuk gdhendet kollaj, është kokëshkëmb; e ka kokën me gunga; e ka kokën gur; e ka kokën me gdhe. E lanë një cep (diçka) e braktisi; nuk merret hë për hë me diçka; e la mënjanë; hoqi dorë (prej diçkaje). E mori me cep (diçka) e keqkuptoi, e mori për së mbrapshti (fjalën); e mori me të përpjekur; nuk e mirëpriti diçka. E ka marrë për cep (dikë) e ka marrë inat sa nuk do t’ia shohë sytë; e mori për ters. E mbaj në cep të krahut (diçka) e dua shumë; e mbroj e kujdesem për të veçanërisht, se nuk gjej tjetër; e mbaj si ujët e pakët; e kam me kimet. Rri në një cep tërhiqem, nuk përzihem; mbyllem në vetvete e shoh punën time; hiqem mënjanë. Ma zuri cepi i veshit (diçka) mora vesh pak, ma zuri paksa veshi diku; dëgjova rastësisht.
DÁL/Ë,~A (e) f. sh. ~A, ~AT (të) 1. Pjesë e ngritur dhe që dallohet mirë në sipërfaqen e diçkaje, vend i ngritur; diçka që ka dalë anash a jashtë një vije, një muri etj. E dala e shkëmbit. E dala e murit. E dala e ballit.
2. Kep në det, në liqen etj. Të futurat dhe të dalat e bregdetit. Atje kishte një të dalë të vogël.
3. Dalë. I dalshin të dalat! (mallk.). Po s’i doli fjala, i del e dala (fj.u.).
4. Vendi nga ku dilet; dalje. Të dalat e kështjellës. S’ka rrethim pa një të dalë. (fj. u.).
5. sh., fin. Sasia e të hollave që nxirren nga arka për një punë ose kur bëhen llogaritjet; kund. të hyrat. Të hyra e të dala, hyrje e dalje. Libri i të hyrave dhe i të dalave. Të dalat jashtë mbeturinat e padobishme të ushqimit që nxjerr jashtë njeriu a kafsha, të pëgërat.
✱Sin.: e kërcyer, e fryrë, e rritur, e ënjtur, kep, kënd, qoshe, skaj, skutë, majë, çep, thep, çip, hundë.
MIKROPROCESÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Qark i integruar në kompjuter që përmban gjithë njësinë qendrore të përpunimit (CPU) në një çip.
MIKROÇÍ́P,~I m. sh. ~E, ~ET kompj., tek. Pjesë shumë e vogël me qark elektronik, e mbështjellë me silikon, që integrohet në një kompjuter a në një pajisje tjetër; çip. Mikroçipet e kompjuterit (të robotit).
MË parafj. Përdoret së bashku me një emër e përemër në rasën kallëzore ose me një numëror për të shënuar: 1. Vendin a hapësirën, ku ndodhet dikush a diçka ose ku kryhet një veprim; në. Iku (mori, i doli) më të djathtë (më të majtë). I ra më të tatëpjetë (më të përpjetë).
2. Kohën kur ndodh diçka a kur bëhet një punë; në. Erdhi më të ngrysur (më të errur, më të perënduar). U nis më të gdhirë. Më prit më pesë pasdite. Më dy të natës u ngrit. Më të hyrë të pranverës nisën shirat. Më një shtator hapen shkollat. Deri më sot (deri më njëzet maj).
3. Mënyrën se si bëhet një punë, si kryhet një veprim a si shfaqet një dukuri; në. U ngrit (eci, udhëtoi) më këmbë. Rrinte më gjunjë (më bisht). E ngarkoi (e shpuri) më krahë. Ra (u shtri) më kurriz. U thye më dysh u thye në dy pjesë. E palosi më katërsh. U ndanë më tresh u ndanë në tri grupe ose u bënë tre e tre.
4. Mjetin a sendin, me anën e të cilit bëhet një punë ose kryhet një veprim. I hyri më hu e rrahu me hu.
5. Përdoret me një emër të përsëritur në rasën kallëzore dhe formon me të togfjalësha me kuptim ndajfoljor, që shënojnë vendin ku kryhet një veprim, kohën kur bëhet ai, mënyrën si bëhet etj. (edhe në një varg njësish frazeologjike). Bredh (vrapon, shkon) rrugë më rrugë (breg më breg, kep më kep, shteg më shteg). E kërkoi fshat më fshat (mal më mal) në çdo fshat (mal). Futej shtëpi më shtëpi futej në çdo shtëpi. Lypte (trokiste) derë më derë. Vjen kohë më kohë vjen kohë pas kohe; vjen në çdo kohë. U panë sy më sy. Qesh vesh më vesh qesh shumë. Mblidhen kokë më kokë mblidhen pranë e pranë. U përhap lajmi gojë më gojë. U ndeshën thikë më thikë. I ujitën rrënjë më rrënjë. I vuri çip më çip. E kapërceu lumin gur më gur. U puthën buzë më buzë. U zunë dorë më dorë. Më vete veçan, veçmas. Sa s’ka më (sa s’ka ku të vejë më) nuk mund të durohet më, i erdhi fundi durimit; nuk mund të shkojë më keq se kaq.
6. Përdoret me një emër ose me një përemër në rasën kallëzore në togje të qëndrueshme frazeologjike me kuptime të ndryshme. E mori më qafë. I ra më qafë. I ra më të. Nuk qenka më të sonte.
PAKOPJÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb., edhe fig. Që nuk është i kopjueshëm; që nuk mund të kopjohet; kund. i kopjueshëm. Çip (mikroçip) i pakopjueshëm. Tekst i pakopjueshëm. Njeri i pakopjueshëm.
QAR/K,~KUIV m. sh. ~QE, ~QET fiz. 1. Varg përcjellësish nëpër të cilët kalon rryma elektrike nga një anë e burimit dhe kthehet në anën tjetër. Qark elektrik. Mbyll qarkun.
2. Pjesë e parë e mërtimeve të pathjeshta për disa lloje të këtyre vagjeve përcjellësish elektrikë. Qark elektrik sistem i përbërë nga elemente elektrike, të lidhura në mënyrë që të krijojnë një rrugë të mbyllur për rrymën elektrike. Qark i brendshëm pjesa e qarkut që ndodhet brenda burimit të energjisë elektrike. Qark i jashtëm pjesa e qarkut që përfshin përçuesit dhe pajisjet e lidhura jashtë burimit (llamba, rezistorë, motorë). Qark integral një çip gjysmëpërçues ku elementet elektronike janë të integruara për të kryer funksione komplekse, i përdorur gjerësisht në kompjuter dhe në pajisje elektronike. Qark njëfazor një sistem elektrik ku rryma furnizohet përmes një faze dhe një neutrali, që përdoret zakonisht për ndriçim dhe pajisje shtëpiake. Qark trefazor një sistem elektrik ku rryma furnizohet përmes tre fazave të zhvendosura 120°, që përdoret për motorë, për pajisje industriale dhe për transmetim efikas të energjisë. Qark i stampuar një pllakë elektronike ku elementet lidhen me gjurmë përçueshme, e përdorur në kompjuter dhe në pajisje elektronike. Qark i shkurtër shkurtim i parregullt i rrugës së rrymës elektrike në një varg përcjellësish e pajisjesh elektrike. Qark periferik pjesa e qarkut elektrik që ndodhet jashtë burimit të energjisë dhe përfshin pajisjet e lidhura me të, si llamba, motorë apo rezistorë.
VESH,~II m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Secili nga dy organet e dëgjimit, që gjenden në të dyja anët e kokës te njeriu dhe te kafshët e larta; pjesa e jashtme prej kërceje, llapa e këtyre organeve. Veshi i jashtëm (i brendshëm, i mesëm) (anat.). Sëmundje veshësh. Dylli i veshit (anat.). Më dhemb (më ther) veshi. Ngre veshët (një kafshë). I preu veshët (një kafshe). I marr gjak në vesh (një kafshe). Bula e veshit. Më këndon (më pingëron) veshi. Vrimat e veshëve. Daullja (lodra) e veshit (anat.). Pastroj (mjekoj) veshët. I doli gjak nga veshët. Kërmilli i veshit (anat.). I shpoi veshët (për të varur vathët). Iu skuqën veshët. I shkuli veshët. E vuri cigaren mbi vesh. I ra (i erdhi) në vesh (diçka) e dëgjoi rastësisht; e mori vesh. I tha (i foli) në vesh (dikujt) i tha diçka me zë të ulët që të mos e dëgjonin të tjerët; ia tha tinëz të tjerëve. E dëgjova me veshët e mi e dëgjova unë vetë. Veshët e peshkut verzat.
2. Aftësia e njeriut për të dëgjuar; shkalla e ndjeshmërisë së këtij organi të dëgjimit; aftësi e veçantë e njeriut për të kapur e për të riprodhuar tinguj muzikorë. Ka veshë të hollë (të mprehtë) dëgjon shumë mirë. Ka veshë të rëndë (është i rëndë nga veshët) nuk dëgjon mirë. E kanë lënë veshët është shurdhuar. I erdhën veshët i erdhi dëgjimi. E mësoi me vesh një këngë. Ka vesh (për muzikë). I janë trashur veshët nuk dëgjon mirë, është shurdhuar.
3. Secila veshore e kokores a e një kapele. Veshët e kokores. Kapelë me veshë. I uli veshët.
4. Pjesë e një sendi e kthyer në trajtë harku, me të cilën e kapim atë ose e mbajmë në dorë; vjegë; dorezë. Veshët e mashës. Veshi i shtambës (i saçit). Veshët e sfurkut. Veshët e çengelit të anijes. Veshi i qerres lugu i boshtit të qerres. Tjegulla me veshë.
5. Vrima e gjilpërës ku futet peri. E shkoi në vesh të gjilpërës.
6. anat. Secila nga dy dhomëzat e sipërme të zemrës, të cilat marrin gjakun nga venat dhe e çojnë në barkushe. Veshi i majtë (i djathtë).
✱Sin.: veshore, vjegë, vegjë, verigë, rrëfanë, dorezë.
♦ Nuk u besoj veshëve çuditem shumë kur dëgjoj diçka që as mund ta mendoja a nuk e prisja, që është jashtë mendjes, që nuk shkon; më duket e pabesueshme, habitem e befasohem. M’u bë *plesht në vesh (dikush). Më bëjnë (më gënjejnë) veshët. 1. Më duket sikur dëgjoj diçka. 2. Kujtoj se..., pandeh se... I bëri veshët *çift (dikush). I bëri veshët *gërshërë (dikush). Ia bëri veshët sa të *gomarit (dikujt). I bëri veshët *katër (dikush). I bëri veshët *pipëz (dikush). Ia bëri veshët *rrogoz (dikujt). Bën një vesh *të shurdhër (shurdh) (dikush). S’ia bën veshi *tërr (dikujt). Bie *daullja në vesh të shurdhit. I ra veshit (dikush) u mendua mirë; i thirri mendjes; i vuri gishtin kokës. Më bie (më vjen) në vesh (diçka) e dëgjoj diçka rastësisht a kalimthi; marr vesh; më zë (më kap) veshi. I ranë veshët (dikujt) nuk mbahet më me të madh, nuk sillet më me mendjemadhësi, u ul; i ra hunda; e uli hundën (dikush); i ranë pendët. Të rëntë (të ardhtë) pas veshit! mallk. vdeksh!; të rëntë papandehur një fatkeqësi!, e pësofsh nga nuk e pret! (thuhet për dikë që i ka shkaktuar një tjetri një të keqe ose që gëzohet për fatkeqësinë e tjetrit); të rëntë (të ardhtë) pas qafe! I bie nëpër vesh të gjilpërës (dikush) mendohet mirë e mirë për të kuptuar diçka, mendohet thellë për ta marrë vesh për se bëhet fjalë. Më ranë veshët *rehat. Bie në vesh të shurdhër (diçka) nuk vlerësohet ose nuk dëgjohet një kërkesë a një propozim nga dikush që s’do të dëgjojë, që nuk i kushton vëmendje zërit të tjetrit; bie daullja në vesh të shurdhër. S’i ka rënë *zgjedha (në vesh) (dikujt). Curroi veshët (dikush) shih i bëri veshët pipëz (dikush). Më çau veshët (dikush) shih më çau kokën (kryet) (dikush). Më çori veshët (dikush) më mërziti shumë me fjalë që nuk m’i ka ënda t’i dëgjoj; më shurdhoi me llafe a me zhurmë; më mërziti duke kërkuar diçka vazhdimisht; më çau veshët; më shurdhoi veshët; më hëngri veshët; më çau kokën (kryet). Të daltë *lunga pas veshit! mallk. S’dëgjon nga ai vesh (dikush) nuk do që të kuptojë a nuk do që të bindet për diçka, s’do t’ia dijë për atë gjë; nuk i kushton asnjë fije vëmendje diçkaje; s’pyet, nuk shqetësohet fare; s’dëgjon andej; nuk merr vesh. Ç’po na dëgjojnë veshët! po ndodhin çudira; ngjajnë gjëra të papritura (kryesisht të papëlqyera a të turpshme). *Djalli (dreqi) e merr vesh (e di)! Më djegin veshët kam shumë turp, s’di ç’të bëj nga turpi. S’më djersin veshi (për diçka) e kam të sigurt diçka e jam i qetë; nuk shqetësohem, nuk pyes; aq më bën!; nuk e prish gjakun; s’më lagen drutë. Dreqi (*djalli) e merr vesh (e di)! Më dhembin veshët nuk dua ta dëgjoj më dikë, ndiej neveri kur e dëgjoj; më therin veshët. I fryn djalli (shejtani) në vesh (dikujt) priret për punë të këqija e për poshtërsi, sikur e nxit djalli të marrë rrugë të keqe a të bëjë keq. I fryn (i çuçurit, i pëshpërit) në vesh (dikujt) i flet dikujt kundër një tjetri, e fryn dhe e nxit fshehtas kundër tij duke i pëshpëritur fjalë a thashetheme; e kurdis dikë kundër një tjetri; merret me thashetheme. I futi (i shtiu) *pleshtat (në vesh) (dikujt). Ia futi (ia shtiu) në vesh (dikujt) i tha diçka, i bëri të ditur; i pëshpëriti diçka; ia njoftoi a ia kujtoi diçka. Gjithë (tërë) *sy e veshë. Ta ha babanë në vesh (dikush) vulg. është i zoti e trim, por edhe dinak; ta tregon qejfin; ta ndreq samarin. I hanë veshët (dikujt). 1. Jep shkak vetë që ta qortojnë, sikur e kërkon vetë që ta shajnë a ta dënojnë; i ha kurrizi (shpina, rruaza). I vjen për t’u grindur me dikë, do sherr; i hanë brirët. Më hëngri veshët (dikush) më mërziti shumë duke folur për diçka a duke kërkuar diçka vazhdimisht, s’e dëgjoj dot më; më çau veshët; më çori veshët. Hapi veshët (dikush) u vu të dëgjojë me kujdes e me vëmendje të madhe, rri ngrehur për të kapur çdo fjalë a çdo zhurmë; vuri vesh (veshin); i vuri veshin (dikujt); mbajti vesh; rri me veshë ngritur; rri me veshë ngrehur; rri me veshë përpjetë; rri me veshët bigë; i bëri veshët pipëz. I hoqi (i shkuli) veshin (veshët) (dikujt) e qortoi dikë për një gabim, për një veprim a për një punë jo të mirë; i dha një dënim të lehtë; ia skuqi veshët; e zuri (e kapi) nga (për) veshi (dikë). Më sa hyn *bualli në veshin (në vrimën) e gjilpërës! S’i hyn në vesh (dikujt) nuk do që të dëgjojë; nuk kupton; s’merr vesh (dikush). Është *fodull nga veshët (dikush) keq. Është *i rëndë nga veshët (dikush). Ia dha veshët në *dorë (dikujt). Kalon (shkon) nëpër vesh të gjilpërës (dikush) shih kalon (shkon) nëpër vrimë të gjilpërës (dikush). Ka *mizën pas veshi (dikush). E ka *plesht në vesh (dikë). I ka veshët *bilbil (dikush). I ka veshët *të hollë (dikush). I ka veshët *të mprehtë (dikush). I ka veshët *pipëz (pipë) (dikush). I ka veshët *të rëndë (dikush). E kam vesh tigani (dikë) iron. nuk e kam të afërt, s’jam as gjake as fis. I kam veshët *të zënë. E kap (e marr) për veshi (dikë) e detyroj me zor të bëjë diçka a të shkojë diku. Më këndon veshi i djathtë ndiej se do të vijë a do të ndodhë diçka e keqe; kam një shenjë se do të dëgjoj një lajm të keq, pres një lajm të keq (sipas paragjykimeve); kund. më këndon veshi i majtë. Më këndon veshi i majtë ndiej se do të vijë a do të ndodhë diçka e mirë; kam një shenjë se do të dëgjoj një lajm të mirë, pres një lajm të mirë (sipas paragjykimeve); kund. më këndon veshi i djathtë. Kruan veshin (dikush) nuk është në gjendje të përgjigjet për një pyetje që i bëhet; rri e mendohet e s’e gjen dot; është ca i hutuar; kruan kokën. E kanë lënë veshët (dikë) është shurdhuar, ka humbur dëgjimin, nuk dëgjon më; u bë turrë (dikush). Më la pa veshë (dikush) më mërziti shumë me zhurma a me fjalë, më shurdhoi; më shurdhoi veshët. Marr vesh. 1. (diçka). Dëgjoj për diçka, mësoj; marr njoftim për diçka; më bie (më vjen) në vesh; më zë (më kap) veshi. 2. (nga diçka). E njoh një punë, një çështje a një fushë të dijes, e kuptoj, e di, ia them; marr erë; kam haber. 3. Kuptoj; e kuptoj çdo të thotë dikush; i hyj në fjalë (dikujt); i bie në bri (diçkaje). 4. (kryesisht v. III moh.). Nuk dëgjon ç’i thotë dikush dhe nuk bën ashtu, nuk bindet; s’i dëgjon koka (dikujt); s’i vë veshin (dikujt). E marr për veshi (dikë) e detyroj, e marr me forcë dikë që të pohojë a të bëjë diçka. Nuk i merr vesh (nuk i dëgjon) *koka (dikujt). Nuk i merr vesh (nuk i dëgjon) *rradakja (dikujt) thjeshtligj. Nuk mban *baltë në vesh (dikush). Nuk mban *pluhur mbi supe (në vesh) (dikush). Mbaj vesh përpiqem të dëgjoj, dëgjoj me vëmendje; pres për të dëgjuar diçka; përgjoj se çfarë thotë dikush; vë vesh (veshin); i vë veshin (dikujt a diçkaje); hap veshët; zgjat veshët; i mbaj veshët ngritur; i mbaj veshët përpjetë; i mbaj (i bëj) veshët bigë. I mbaj vesh. 1. (dikujt). E dëgjoj dikë, i bindem; i vë veshin; marr vesh. 2. (diçkaje). I kushtoj vëmendje; i vë veshin. I mban (i bën) veshët *bigë (dikush). I mban veshët *hapur (dikush). I mban veshët *kapëz (dikush). I mban veshët *ngrehur (dikush). I mban veshët *ngritur (dikush). I mban veshët *përpjetë (dikush). I mban veshët *pipëz (dikush). I mbeti *vath në vesh (dikujt). Mbyll një *sy e një vesh. Mbyll një vesh bëj sikur nuk dëgjoj diçka që nuk duhet thënë a që nuk më pëlqen; nuk e vë re, bëj lëshime, e lë të kalojë; nuk shqetësohem shumë. Mbyll veshët (para diçkaje) bën sikur nuk dëgjon e nuk vë re; nuk do të dëgjojë a të kuptojë. Merrem vesh (me dikë) kuptohem mirë me dikë; pajtohem për diçka, bie në ujdi me të, pranoj të bashkëpunoj; lidh fjalën (me dikë); dal në breg; bie në va (me dikë). Merret vesh (diçka) kuptohet vetiu, është e kuptueshme; shihet qartë; s’do mend; ta merr (ta pret) mendja; del (vjen) vetvetiu. Nuk merret vesh. 1. Nuk kuptohet ç’thotë dikush a çfarë shkruhet diku; nuk kuptohet ç’mendon a si vepron dikush. 2. Është rrëmujë e madhe diku; nuk e kupton se ç’po ndodh; s’e merr vesh (nuk e njeh) i pari të dytin; s’e njeh qeni të zotin. Nuk mban *pluhur në vesh (mbi supe) (dikush). Mprehu veshët (dikush) përpiqet të dëgjojë më mirë, përqendrohet të mos i shpëtojë asgjë; ngriti veshët; hapi veshët; i ngriti (i bëri) veshët bigë; i bëri veshët pipëz. U ndërroj *dyllin e veshëve shaka. Ngriti veshët (dikush). 1. Dëgjon me vëmendje të madhe, përgjon, rri gati për të kapur diçka me vesh; mprehu veshët; zgjati veshët; hapi veshët; i ngriti (i bëri) veshët bigë; i bëri veshët pipëz; i ngriti antenat thjeshtligj. 2. Rri në pritje për të ndërmarrë diçka; bëhet gati për të rimarrë diçka të humbur, përpiqet për të dalë përsëri në dukje. 3. Nis të mbahet më të madh; i janë rritur veshët (dikujt); i është rritur mendja (dikujt). I ngriti (i bëri) veshët *bigë (dikush). I ngriti veshët *curr (dikush). I ngre veshët *çark (dikush). I ngriti veshët *çip (dikush). Nxjerr veshët (dikush a diçka) keq. nis të dalë, fillon të duket a të shfaqet; del në shesh, zbulohet; e shfaq veten ashtu siç është; nxjerr krye. Ia preu veshët (dikujt) e bëri që të mos mbahet më të madh; e dënoi, e qortoi a e ndaloi të bëjë diçka; ia theu hundët; ia ulë hundën. Është rënduar nga veshët (dikush) nuk dëgjon mirë, ka humbur pak dëgjimin; i janë rënduar (i janë trashur) veshët (dikujt); është i rëndë nga veshët; i ka veshët të rëndë. I janë rënduar (i janë trashur) veshët (dikujt) shih është rënduar nga veshët (dikush). Nuk rreh vesh (dikush) nuk bëhet merak fare për diçka, nuk shqetësohet; nuk e vë ujin në zjarr; nuk çan kokën; nuk e prish gjakun. Rri me veshët bigë (dikush) shih rri me veshë ngritur (dikush). Rri me veshë *ngrehur (dikush). Rri me veshë *ngritur (dikush). Rri me veshë *përpjetë (dikush). I janë rritur veshët (dikujt) mbahet më të madh, kapardiset, çoç i duket vetja; i është rritur mendja; i është rritur hunda; ka ngritur hundën (përpjetë). Ia skuqi veshët (dikujt) e rrahu ose e ndëshkoi rëndë për një faj; e qortoi rëndë; e turpëroi para të tjerëve; i hoqi (i shkuli) veshin (veshët). M’u skuqën veshët u turpërova, u bëra me turp, u skuqa nga turpi. Më shkoi *plumbi te veshi (përreth veshit). Kur të shohësh *llapën e veshit. Kur të shohë *majën e veshit pa pasqyrë (dikush) iron. Kur të shohë veshët pa pasqyrë (dikush) iron. shih kur të shohë zverkun (qafën) pa pasqyrë (dikush) iron. Më shpoi veshët (dikush) shih më çori veshët (dikush). I shtiu veshët në *lesh (dikush). I shtiu veshët në *tul (dikush). Më shurdhoi veshët (dikush) më mërziti me biseda të gjata e për të njëjtën gjë, më lodhi e më mërziti duke përsëritur a duke kërkuar të njëjtën gjë, më shurdhoi; më la pa veshë; më shpoi veshët; më çau veshët; më çori veshët. E tërheq (e heq) për veshi (dikë) e qorton dhe e bën dikë që të sillet e të veprojë ashtu si duhet a siç thotë dikush, të shkojë pas tij pa u menduar e pa kuptuar; e heq (e tërheq) për hunde (për hundësh). Ta thëntë prifti (hoxha) në vesh (rrëzë veshit)! mallk. vdeksh!; të foltë (të këndoftë) prifti! Më ther veshi (më therin veshët) nuk më pëlqen ta dëgjoj dikë; më mërzit ajo që dëgjoj, s’e duroj dot; më dhembin veshët. Thyej veshin (me diçka) mësohem, nis ta përvetësoj (një muzikë, një gjuhë që flitet); aftësohem pak. E var (e vë, e mbaj, e kam) *vath në vesh (diçka). I vari (i uli) veshët (dikush). 1. U zemërua, u pezmatua; i vari (i lëshoi) buzët (një pëllëmbë). 2. Nuk mbahet më me të madh e nuk krekoset; i ranë veshët (dikujt); i ranë pendët (dikujt); e uli hundën. Nuk ia var veshin (dikujt a diçkaje) nuk i kushtoj vëmendje, nuk e përfill; nuk e pyes fare, nuk e dëgjoj, nuk i bindem; nuk i vë veshin. *Vath i florinjtë në vesh të derrit mospërf. Nga një vesh i hyn nga tjetri i del (dikujt) nuk kupton, nuk merr vesh asgjë; i flet e s’i futet a s’i mbetet gjë në kokë; nuk u vë vesh fjalëve, është indiferent; këtej i hyn andej i del. Me veshë në krahë duke pritur vazhdimisht për të dëgjuar diçka (zakonisht të keqe) me veshët ngritur. Vesh më veshI. 1. Në të gjithë fytyrën, i tëri, nga njëri vesh te tjetri. 2. Me të gjithë fytyrën; me kënaqësi të madhe. Vesh më veshII. 1. Me zë të ulët, që të mos e dëgjojë kush. 2. Nga njëri tek tjetri; gojë më gojë. Më vajti (më shkoi) goja (buza) te veshi (prapa veshit) u lodha duke folur a duke kërkuar diçka, por s’më dëgjon njeri; më vajti (më shkoi) gjuha prapa; më ra goja; më ra gjuha përtokë; më zuri gjuha (goja) lesh. Vë vesh (veshin) përpiqem të dëgjoj me kujdes; përgjoj; mbaj vesh; hap veshët; zgjat veshët; i vë veshin (dikujt a diçkaje). I vë veshin (dikujt a diçkaje). 1. Përpiqem të dëgjoj dikë a diçka, dëgjoj me vëmendje e i përqendruar; vë vesh (veshin); mbaj vesh; hap veshët. 2. Tregoj kujdes për dikë; i kushtoj vëmendje diçkaje, i jap rëndësi; nuk e lë pas dore (dikë a diçka). 3. Ia dëgjoj fjalën dikujt, i bindem, e dëgjoj; i mbaj vesh (dikujt); marr vesh (dikë). 4. E ndjek dikë a diçka, i shkoj pas; vë re. Më vret (më shpon) veshin (veshët) (diçka) më tingëllon keq në vesh; nuk më pëlqen, më mërzit diçka kur e dëgjoj. Ma zuri *cepi i veshit (diçka). Zë dhe djallin për veshi (dikush) është i guximshëm dhe shumë trim; e çan arushën; hahet me ariun. Zuri veshin (dikush) tall. 1. shih u bë tapë (dikush). 2. Fjeti, e zuri gjumi. 3. mospërf. Vdiq. Më zuri veshët (dikush) më mërziti, nuk e dëgjoj dot më (për një njeri llafazan); më çau veshët. Zë veshët (me duar). 1. Ka aq zhurmë të madhe, sa nuk duroj dot të dëgjoj më 2. Nuk dua ta dëgjoj më dikë, bëj sikur nuk e dëgjoj dhe nuk ia plotësoj kërkesat; më mërzit shumë me fjalë. Më zë (më kap) veshi (diçka) e dëgjoj paksa, e rrok me vesh; e dëgjoj rastësisht ose kalimthi; marr vesh; më bie (më vjen) në vesh. E zuri (e kapi) nga (për) veshi (dikë) e dënoi lehtë për një gabim; e qortoi për t’i treguar se ka gabuar ose për ta ndaluar që të mos sillet e të mos veprojë keq; i hoqi (i shkuli) veshin (veshët) (dikujt); ia zgjati veshët (dikujt). Zë veten për veshi (dikush) është i përmbajtur, mban qëndrim kritik ndaj vetes. Zgjati veshët (dikush) u mundua të dëgjojë një zë të largët a të dobët; u përqendrua me vëmendje me kujdes për të dëgjuar diçka që mezi dëgjohet; u vu në përgjim për të dëgjuar diçka që i intereson; ngriti veshët; vuri vesh (veshin); mbajti vesh; hapi veshët. Ia zgjat veshët (dikujt). 1. E lëvdoj më shumë nga sa e meriton, ia rrit mendjen me lëvdata. 2. E qortoj a e dënoj për një gabim; e zë (e kap) nga (për) veshi (dikë). M’u zgjatën veshët kam shumë kohë që pres për të mësuar diçka; u lodha duke përgjuar për të marrë vesh diçka; më doli mjekra. Më ziejnë veshët nuk më pëlqen më të dëgjoj diçka; mërzitem nga bisedat e gjata për të njëjtën gjë; kam humbur durimin dhe po inatosem.
ÇIP,~II m. sh. ~A, ~AT 1. Skaj, qoshe; cep; bisht. Çipi i tryezës. Çipi i syrit. Çipat e mustaqeve (e buzëve). Çipi i mëngës. Çipi i arkës. Çipi i rrugës. Çipi i oborrit. Ulem (rri) në çip. Lidh çipat e shamisë. Do ta kisha gjetur në një çip të shpirtit tim.
2. Vend i largët ose i mënjanuar dhe jo shumë i rrahur, cep. Në një çip të fshatit. Në tërë çipat e botës. Në çdo çip të vendit. Fluturon nga një çip i botës në një tjetër.
3. gjeogr., bised. Rrip toke i vogël që hyn në det, kep. Çipi i Lerës.
4. Të kthyer pak përpjetë e me majë të hollë. E ka hundën çip.
✱Sin.: skaj, qoshe, cep, bisht, kep, anë, kënd.
♦ Çip më çip. 1. Në çdo anë, në çdo kënd, kudo; nga një anë në tjetrën, nga një skaj në tjetrin; cep më cep; kënd më kënd. 2. Plot e përplot; cip më cip; buzë më buzë; degë më degë. I ngriti veshët çip (dikush) shih i ngriti (i bëri) veshët bigë (dikush). Shtroj çipat zhduk mosmarrëveshjet me dikë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë